OpEd

Serbia nuk e humbi rrugën brenda natës në botën ruse

Nëse Putini ndonjëherë përfundon në burg, do të jetë atje vetëm për shkak se, si edhe Millosheviqi, e humbi luftën që po zhvillonte… Integrimi në BE nuk nënkupton vetëm dispozita dhe hapje-mbyllje teknike e kapitujve, por pranimin e sistemit demokratik të vlerave. Ballafaqimin me të kaluarën dhe marrjen e përgjegjësisë. Tri dekada të revizionizmit historik, përçmimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, rrëfimi për Kosovën si një territor pa njerëz dhe shpërfillja e dialogut në shoqëri për fajin dhe përgjegjësinë e Serbisë në luftërat e viteve 1990. Djegia e ambasadave perëndimore

Ishte tepër herët për t’u gëzuar nga protestat kundër luftës, që nga Rusia përçuan imazhe se ka një numër të atyre të cilët janë kundër luftës në Ukrainë dhe që heroikisht janë të gatshëm të rrezikojnë të ndëshkohen. Edhe pse të ndërmarra në kushtet e totalitarizmit, shumë sondazhe të opinionit publik në Rusi tregojnë se është shumë më i madh numri i atyre të cilët mbështesin luftën e Putinit jo vetëm në Ukrainë, por edhe kundër BE-së. Rezultatet treguan një tablo shumë më të frikshme të një shoqërie e cila jo vetëm që mbështet agresionin kundër shtetit fqinj dhe “popullit vëlla”, por edhe kundër ish-aleatëve pas Paktit të Varshavës. Katër sondazhe, midis të cilave janë të pavarura, opozitare dhe të afërta me shtetin (i pavarur, VCIOM, FOM, Active Group) tregojnë se në Rusi lufta kundër Ukrainës mbështetet nga 51 deri në 75 për qind e të anketuarve.

Sipas hulumtimit të “Active Group”, rusët janë shumë më të pamëshirshëm ndaj anëtarëve të rinj të BE-së. Mbi 86 për qind e të anketuarve rusë e miratojnë sulmin e Rusisë ndaj anëtarëve të BE-së, 75 për qind besojnë se pas Ukrainës radhën e ka Polonia, ndërsa çdo i dyti-treti beson se duhet të jenë vendet e ish-bllokut socialist nga Baltiku deri në Bullgari. Përfundimi i disa sondazheve është se shumica e atyre që mbështesin pa rezervë luftën u besojnë mediave shtetërore ruse – madje tri të katërtat.

Në Serbi, disponimi i tifozëve rusofilë mund të shihet në media, rrjetet sociale dhe nëpër tubimet në mbështetje të Putinit. Këtë e konfirmon edhe një sondazh i opinionit publik i publikuar ditë më parë nga Nova srpska politička misao (NSPM). Gati dy të tretat e qytetarëve të Serbisë, 61 për qind, besojnë se SHBA-ja dhe NATO-ja janë fajtorë për luftën në Ukrainë. Vetëm pesë për qind e qytetarëve të Serbisë mendojnë se Ukraina ka të drejtë, kurse 36 për qind mendojnë se Rusia ka të drejtë. Janë të shumtë edhe ata të cilët nuk mendojnë asgjë – pothuajse një e treta kujton se askush nuk ka të drejtë, ndërsa një e treta nuk mund të përcaktohet.

Duke zbërthyer rezultatet e hulumtimit të NSPM-së, Gjordje Vukadinoviq i dha tonalitet imazhit dominues që ekziston vetëm në Serbi dhe Rusi, dhe ai është se në Ukrainë po ndodh “vazhdim i asaj që qytetarët e Serbisë panë mbi veten dhe rreth tyre më 1999”. Pra, për luftën në Ukrainë fajtorë janë ekskluzivisht NATO-ja, SHBA-ja, BE-ja – “Perëndimi i lig”, në përgjithësi.

Hidhet poshtë çdo fakt se në realitet agresorë janë – Serbia në vitet 1990 dhe Rusia tani. Asnjë lidhje mes agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Çeçenisë me agresionin e Serbisë kundër Kroacisë, BeH dhe Kosovës. Asnjë lidhje mes Vukovarit të rrethuar dhe të shkatërruar, Sarajevës. Nuk ka gjenocid në BeH, nuk ka krime nga më brutalet në Drenicë, Abri të Epërme, Reçak, Gjakovë, Suharekë. NATO-ja dhe Ukraina janë fajtorë që hartuan plane të përbashkëta, prandaj u krijua vetë varreza masive në Mariupol, Irpini dhe Buça e djegur, Kharkovi dhe qytete të tjera të Ukrainës të shkatërruara, që së bashku me banorët e tyre po fashiten nga sulmet ruse. Mijëra të vdekur, katër milionë refugjatë në BE, pothuajse shtatë milionë ukrainas të zhvendosur brenda vendit. A guxojnë mediat shtetformuese në Serbi ta thonë se kush është përgjegjës për të gjitha këto?

Lobotomia mediatike prej dekadash është shkaku i verbërisë kolektive të Rusisë dhe Serbisë. Shpërndajnë kockat dhe po lyhen me gjakun e të parëve të tyre, të famshmëve APJ dhe Armatës së Kuqe, imperialistët e rinj, ujqërit në lëkurë qengji. Për gati një shekull, Serbia është një kopje e zbehtë në miniaturë e Rusisë, ashtu siç u krijua RSF e Jugosllavisë sipas modelit të kushtetutës së BRSS-së. Ëndrra për shtetet dhe popujt e mëdhenj i bëri ato shoqëri të frustruara dhe të etshme për të rikthyer namin botëror dhe territoret e humbura. Prandaj edhe dëshira për hakmarrje ndaj ish-aleatëve, të cilët jo vetëm që ua kthyen shpinën njëri pas tjetrit dhe u larguan, por botën ruse dhe atë serbe e konsiderojnë edhe sot me të drejtë kërcënimin më të madh për ekzistencë.

Të vetëdijshme se janë humbëset më të mëdha të Luftës së Ftohtë, Rusia dhe Serbia jo vetëm që e përçmojnë hapur Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por me të janë të gatshme edhe të luftojnë. Putini në Ukrainë është gjithçka që nacionalistët serbë donin të ishte Millosheviqi. Putini është ëndrra e shovinistëve rusë, dhe nëse ai ndonjëherë përfundon në bankën e të akuzuarve, do të jetë atje vetëm për shkak se, si edhe Millosheviqi, e humbi luftën që po bënte.

Sonja Biserko ka të drejtë kur thotë se Serbia ndodhet përballë një “sprove të madhe”, aspak të lehtë, duke pasur parasysh “përkrahjen e madhe” të Rusisë në shoqëri. Madje edhe Aleksandar Vuçiq nuk do ta ketë të lehtë që para Perëndimit të zbusë kursin e tij rusofil, e që në radhët e tij të mos e dënojnë për tradhti apo të mos e shpallin të dobët përpara shansit të ri për të përmbushur ëndrrën e tij historike.

Serbia brenda natës humbi rrugën në botën ruse. Integrimi në BE nuk nënkupton vetëm dispozita dhe hapje-mbyllje teknike të kapitujve, por pranimin e sistemit demokratik të vlerave. Ballafaqimin me të kaluarën dhe marrjen e përgjegjësisë. Tri dekada të revizionizmit historik, përçmimi i Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, rrëfimi për Kosovën si një territor pa njerëz dhe shpërfillja e dialogut në shoqëri për fajin dhe përgjegjësinë e Serbisë në luftërat e viteve 1990. Djegia e ambasadave perëndimore.

Kjo është arsyeja pse në fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të prillit në Serbi, të gjithë kandidatët, të opozitës dhe ata në pushtet, kanë një qëndrim pothuajse identik nacionalist për NATO-n, Kosovën, Srebrenicën dhe BE-në. Dikush do të thoshte se kjo është një “Vuçiq kolektiv”, por ai substrati politik është shumë më i rrezikshëm, sepse fjala është për ëndrrën për shtetin e madh, të cilën duhet ta ëndërrojë çdo kandidat i cili dëshiron të përfshihet në jetën politike të Serbisë.

KDP / TV ALJAZEERA