OpEd

Mejdani evropian i Kosovës

Gjatë protestës së “Euromaidanit” mbi 100 qytetarë ukrainas dhanë jetën për të pasur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Në përvjetorin tonë të gjashtë të MSA-së, Ukraina na mëson se përpjekjet tona për perspektivë evropiane nuk kanë të bëjnë asgjë me kërkesat e BE-së dhe çdo gjë me të ardhmen e Kosovës

Nesër është përvjetori i gjashtë i hyrjes në fuqi të dokumentit më të rëndësishëm të procesit integrues të vendit: Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (MSA). Rëndësia e MSA-së mund shpjegohet në dy mënyra: e para duke nënvizuar rëndësinë e saj historike dhe strukturore për procesin integrues të vendit, dhe e dyta, duke marrë si shembull epiqendrën e sotme të vëmendjes botërore: Ukrainën.

Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit është historike, sepse çdo vend i Ballkanit Perëndimor në rrugëtimin e tij nga fillimi e deri në anëtarësim në BE, zyrtarisht nënshkruan vetëm dy dokumente me Bashkimin Evropian. Dokumenti i parë është Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, ndërsa dokumenti i dytë është Traktati i Anëtarësimit. Pra, MSA-ja nënshkruhet në fillim të procesit integrues, ndërsa Traktati i Anëtarësimit në fund të procesit integrues. Me fjalë të tjera, MSA-ja do të rregullojë çdo aspekt të marrëdhënieve tona me BE-në deri në ditën e anëtarësimit – nga mënyra se si i organizojmë zgjedhjet e deri te cilësia e lojërave me të cilat luajnë fëmijët.

Përderisa ne këtu në Kosovë marrim MSA-në për të mirëqenë, kjo nuk është kështu në rastin e Ukrainës. Në Ukrainë kërkesa e saj për MSA ishte pikënisja e revolucionit demokratik dhe pushtimit eventual rus. Kësisoj, MSA ka hyrë në histori si dokument më bashkëkohor, i cili shkaktoi luftë në mes dy vendeve sovrane në kontinentin evropian. Pushtimi i sotëm i Ukrainës nga ana e Rusisë është episod i dytë i pushtimit të filluar në vitin 2014.

Nga fundi i vitit 2013, presidenti prorus i Ukrainës, Viktor Yanukovych, dhe kryeministri prorus, Mykola Azarov, bllokuan nënshkrimin e MSA-së së Ukrainës. Ky bllokim u bë sipas kërkesës së Rusisë, e cila nuk pranonte afrimin e Ukrainës me BE-në dhe strukturat euroatlantike. Ky akt i tyre shkaktoi protesta masive në sheshin kryesor të Kievit, i quajtur Mejdani i Pavarësisë. Gjysmë milioni qytetarë dolën në rrugë. Në shenjë të mbështetjes së protestës, Manastiri i Shën Mëhillit të Kievit iu ra kambanave të manastirit. Herën e fundit kur janë dëgjuar kambanat e manastirit ishte në vitin 1240, kur ato paralajmëruan popullin ndaj pushtimit Mongol. Pasi që protestat kishin në epiqendër kërkesën për nënshkrim të MSA-së dhe avancimin e perspektives evropiane të Ukrainës, protestat u njohën me emrin “Euromaidan”. Në gjuhën ukrainase, sheshi quhet “maidan” nga fjala turke “meydan”. Gjatë protestave masive mbi 100 qytetarë u vranë nga forcat e sigurisë. Pas 3 muajsh protesta, presidenti prorus Yanukovych u largua nga vendi dhe opozita demokratike fitoi pushtetin. Ukraina firmosi MSA-në nën sloganin “Slava Ukraini”, ndërsa Rusia filloi pushtimin e Ukrainës në Krime dhe Donbas.

Sot kur Rusia kërcënon Ukrainën me asgjësim të shtetit, Ukraina ende refuzon të heqë dorë nga MSA-ja dhe anëtarësimi në BE. Drafti i fundit i marrëveshjes së paqes në mes Rusisë dhe Ukrainës i negociuar këtë javë në Stamboll kishte përfshirë të drejtën e Ukrainës për anëtarësim në BE.

***

Kjo pranëvënie e Ukrainës dhe Kosovës karshi Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit vendos në pah dallimin e përpjekjeve të të dy shoqërive për avancimin e së ardhmes evropiane. Ky dallim këtë muaj u shpërfaq në kuadër të një mikrokozmosi të vogël evropian. Këtë muaj, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike. Këtë gjë Kuvendi është dashur ta bëjë para gjashtë vjetësh. Në nëntor 2016 jemi zotuar se brenda një viti do të miratojmë ndryshimet në Ligjin për financimin e partive politike. Pra, na janë dashur gjashtë vjet që të zbatojmë një obligim në rrugën tonë integruese. Përpjekje serioze për avancimin e perspektives evropiane quhet kjo?

Që nga hyrja në fuqi e MSA-së, klasa jonë politike ka dështuar të tregojë vullnet serioz politik për avancimin e perspektivës evropiane. Nevoja për ndërmarrjen e reformave thelbësore që prekin jetën e qytetarëve u zëvendësua me procese politike, sikurse është dialogu me Serbinë. Dhe këtu dua të jem i qartë. Nuk ishte e gabueshme vendosja e vëmendjes politike në dialogun me Serbinë. E gabueshme ishte mungesa e vëmendjes politike për çfarëdo reformë tjetër. Kësisoj, vit pas viti, Kosova degradoj në fundin e rangimit në luftë kundër korrupsionit dhe cilësisë së arsimit, në mes tjerash. Ky degradim i vazhdueshëm i jetës në Kosovë akumuloi një pakënaqësi masive të qytetarëve, e cila kulminoi me revolucionin demokratik të 14 shkurtit 2021.

***

Dua ta mbylli me një dozë optimizmi. Mazhoranca e re politike në Kosovë po dëshmon standard të ri të mirëqeverisjes. Në përballje me pandeminë, Qeveria dëshmoi se Kosova ka kapacitetet për të administruar proceset komplekse në nivel të barabartë me vendet e BE-së, dhe më mirë se të gjitha vendet e rajonit. Deri më sot, Kosova ka administruar 1.8 milionë doza anti-COVID dhe këtë ka arritur pa asnjë vaksinë kineze apo ruse. Së paku në këtë sens, Kosova ka përmbushur kriteret evropiane të mirëqeverisjes. Dhe ky vullnet i mirëqeverisjes së mazhorancës së re është i gjithmbarshëm. Nga dialogu me Serbinë dhe menaxhimi më i drejtë i buxhetit e deri te sundimi i ligjit në drejtësi dhe instalimi i meritokracisë në institucionet publike. Në fakt, siç pamë nga debati për vettingun, po jetojmë për herë të parë në një kohë kur kërkesat për ndryshim dhe mirëqeverisje nga Qeveria janë më të mëdha se kërkesat e BE-së. Në këtë kontekst, besoj se viti para nesh do të jetë viti i parë ku do të mund të testohet kapaciteti i plotë i institucioneve të Kosovës për të arritur standardet e kërkuara nga MSA-ja, nën vullnetin e vendosur politik për avancimin e reformave evropiane.

Për të pasur MSA-në me BE-në, Ukraina ka organizuar protesta më masive moderne dhe ka dhënë jetët e mbi 100 qytetarëve të saj. Në përvjetorin e gjashtë të MSA-së së Kosovës, ne duhet të mësojmë nga përvoja e Ukrainës dhe të ndryshojmë radikalisht qasjen ndaj perspektives evropiane të vendit. Qytetarët ukrainas që kanë humbur jetën gjatë “Euromaidanit” patjetër se pikënisjen e revoltës e kanë pasur refuzimin e regjimit prorus për të nënshkruar MSA-në, por thellë në thelb arsyeja për të cilën ata kanë dhënë jetën nuk ishte BE-ja apo perspektiva evropiane. Arsyeja e vërtetë ishte liria e popullit ukrainas për të zgjedhur të ardhmen e vet. Sot kur shënojmë gjashtëvjetorin e MSA-së, ky është mësimi kryesor nga Ukraina. Përpjekjet tona për perspektivë evropiane nuk kanë të bëjnë asgjë me kërkesat e BE-së dhe çdo gjë me të ardhmen e Kosovës.