OpEd

Fundi i temave të mëdha

Zgjidhjet e shpejta për demarkacionin, liberalizimin e vizave, Asociacionin..., përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe Gjykata Speciale, do të duhej domosdoshmërisht të ishin si pjesë e një “preambule” të cilitdo program qeverisës të cilësdo qeveri koalicioni që do ta ketë Kosova në të ardhmen, para se të renditeshin pastaj problemet reale me të cilat ballafaqohen kosovarët çdo ditë; si shëndetësia e arsimi i dobët, korrupsioni e siguria, e të tjera.

QEVERIA MUSTAFA u rrëzua me mocion votëbesimi për shkak të, siç u tha nga ata që e rrëzuan, mosarritjes që t’u japë përgjigje “temave të mëdha”. Që nga dita e rrëzimit të kësaj qeverie, kemi parë të jenë bërë akrobacione nga më të ndryshmet partiake – bashkimi brenda natës i armiqve më të mëdhenj PDK, AAK, NISMA, bashkimi në anën tjetër i LDK-së me AKR-në dhe të tjerët, si dhe negociatat e pasuksesshme për bashkim parazgjedhor të LVV-së me LDK-në.

Tashmë, pas zgjedhjeve, dihet edhe verdikti të cilin ua dhanë qytetarët akëcilës nga këto oferta politike, por nuk dihet se cilat janë zgjidhjet e të njëjtave pikërisht për arsyet që kushtimisht çuan në zgjedhje – “temat e mëdha”.

PDK-ja dhe AAK-NISMA, të cilat po shprehen të bindura se është çështje ditësh kur do ta formojnë Qeverinë, kanë pasur për afro dy vjet e gjysmë qëndrime krejtësisht të ndryshme, për të mos thënë edhe armiqësore, për disa nga “temat e mëdha”.

Njësoj, LVV-ja dhe LDK-ja janë ndodhur krejt në anët e kundërta të debatit për “temat e mëdha”, kurse edhe sot janë duke i bërë oferta njëra-tjetrës për qeverisje, pa pasur ndonjë zell të dukshëm për t’u ndalur në harmonizimin e këtyre temave.

Pra, janë demarkacioni, liberalizimi i vizave, Asociacioni..., përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe qasja ndaj Gjykatës Speciale.

Krejt çka kemi parë deri më tash kanë qenë deklarata skajshmërisht sipërfaqësore, që sinjalizojnë se vështirë të ketë vullnet që të hapen këto tema, e lëre më që të zgjidhen.

IMPROVIZIMI ME DEMARKACIONIN dhe liberalizimin e vizave. Deri më tash nga përfaqësuesit e këtyre 5 partive politike kemi dëgjuar pak a shumë këto versione të zgjidhjes së problemit: shkon në Kuvend dhe votohet; shkon në Kuvend dhe rrëzohet, pastaj çohet në arbitrazh; kontaktohet me Malin e Zi dhe arrihet pajtueshmëria që të rinisë procesi... dhe të gjitha këto në afate rekorde prej 3-4 muajsh.

Pyetjet që mbeten janë: Nëse paska qenë kaq e lehtë përse nuk e paskeni bërë edhe në legjislaturën e kaluar të Kuvendit?

Në qoftë se e paskeni pasur vetëm për pozë dhe inate politike, atëherë pse i paskeni gënjyer e dënuar qytetarët?

E vërteta është se të gjitha janë, siç mund të pandehet, në rrafsh të improvizimeve të çastit. Nga Mali i Zi deri më tash vetëm kanë theksuar se dëshirohet mirëkuptim me Prishtinën për demarkacionin, por askush asnjëherë nga Podgorica nuk ka thënë se pajtohet me rinegociimin, ose me arbitrazhin.

Njësoj as Brukseli, i cili e ka vënë demarkacionin si kusht për liberalizim të vizave, asnjëherë nuk e ka thënë se në ndonjë mënyrë ky kusht do të hiqet, ose ndryshohet. Për ta bërë këtë - gjë që ndoshta është e mundur - duhet filluar negociatat me Brukselin, gjë të cilën askush nuk e ka bërë.

ASOCIACIONI DHE DIALOGU me Serbinë, po ashtu kanë bërë që të ngjiret zëri i deputetëve duke i kundërshtuar pikëpamjet e njëri-tjetrit. Sot këta të njëjtët janë bashkë, ose duan të jenë bashkë. Pa na treguar se si do t’ia bëjnë me këtë temë.

Për shembull, Asociacioni edhe nëse formohet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, me një shumicë serbe e cila nuk e pranon Kosovën si shtet të tyre, mund të ketë efektin e një entiteti i cili bllokon zhvillimin dhe funksionimin e vendit.

Gjithashtu dialogu me Serbinë ka marrë mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-së për të kaluar në fazën tjetër, atë të bisedimeve ndërmjet presidentëve të Kosovës dhe Serbisë, me synimin e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje juridikisht të obligueshme “të normalizimit të marrëdhënieve”.

A ka konsensus në Kosovë për të dyja këto tema?

Si do të jetë e mundur që të imponohet agjenda nga Prishtina dhe jo nga Beogradi?

Çka me marrëveshjet e deritashme të cilat ose nuk po realizohen ose po konsiderohen si të dëmshme për Kosovën?

PËR GJYKATËN SPECIALE janë po ashtu të ndarë si në PAN, ashtu edhe LDK-ja me LVV-në. Së shpejti, nga kjo gjykatë do të nisin arrestimet dhe proceset e para.

Cili do të jetë reagimi i qeverive respektive të këtyre koalicioneve (eventuale)?

Deklaratat e deritashme të secilit nga liderët e partive politike kanë qenë të kundërta me njëri-tjetrin, dhe duke vënë në pah arsye të ndryshme, madje, edhe për kundërshtimin ose edhe miratimin e themelimit dhe të punës së Gjykatës.

ZGJIDHJET E SHPEJTA për këto “tema të mëdha” do të duhej domosdoshmërisht të ishin si pjesë e një “preambule” të cilitdo program qeverisës të cilësdo qeveri koalicioni që do ta ketë Kosova në të ardhmen, para se të renditeshin pastaj problemet reale me të cilat ballafaqohen kosovarët çdo ditë; si shëndetësia e arsimi i dobët, korrupsioni e siguria, e të tjera.

Janë humbur kot rreth tre vjet në këto tema, të cilat në masë të madhe nuk kanë lënë as të ketë përqendrim sa duhet në temat “normale” jetike.

Nëse cilado qeveri do të fillojë punën pa projekt të sinqertë e konsensual për mbylljen e këtyre temave në dobi të qytetarëve, do t’i bjerë se qëllimisht po i lënë të hapura këto, në mënyrë që vëmendja e qytetarëve të hiqet nga dështimet në fusha të tjera.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk