OpEd

Ndikimi i COVID-19 te veshkat

Retrospektiva e sëmundjes kronike dhe akute të veshkës në QKUK gjatë pandemisë COVID-19

Sëmundja COVID-19 e shkaktuar nga virusi korona është karakterizuar me një laramani të simptomatologjisë klinike e me ndryshueshmëri shumë të theksuar në dekursin, ecurinë dhe prognozën e sëmundjes.

Gjithsesi rëndesa e sëmundshmërisë është e varur nga sëmundjet shoqëruese, mosha, gjinia, statusi i vaksinimit etj.

Sëmundja kronike e veshkave dhe komplikimet bashkëshoqëruese kanë qenë një brengë dhe një shqetësim i shprehur për ekspertët dhe personelin që kanë ndërtuar strategjitë për luftimin e koronavirusit.

Mënyra se si COVID-19 do të afektonte të sëmurët me sëmundje kronike të veshkës në të gjitha stadet, e sidomos ata në stadin e pestë të pamjaftueshmërisë renale kronike, që është stadi kur duhet të mendohet trajtimi me terapi renale zëvendësuese, transplantim ose dializë, si dhe për ata që janë në program të dializës kronike ose të transplantuar, ishte një makth për profesionistët nefrologë dhe për drejtuesit e politikave shëndetësore në orët e para të pandemisë COVID-19.

Kjo, sepse komuniteti i të sëmurëve me sëmundje kronike të veshkave i përllogaritur rreth 10 % e popullatës botërore, pacientët në dializë dhe ata të transplantuar paraqisnin një pjesë të brishtë të popullatës kur dihej që sëmundshmëria nga viroza e identifikuar kishte dekurs më të rëndë në popullatën me sëmundje bashkekzistuese.

Të sëmurët me sëmundje kronike të veshkave dhe ata me transplantim, e sidomos me dializë, janë ata që frekuentojnë më shpesh spitalet dhe institucionet shëndetësore, meqë shpesh shërbimet mjekësore që atyre u nevojiten janë spitalore. Një shembull tipik është hemodializa 3 herë në javë nga 4 orë, që bëhet në masë të gjerë, në ambiente spitalore (mbi 99%), duke përjashtuar këtu pacientët që e bëjnë dializën në shtëpi.

Kjo ishte edhe arsyeja më e madhe e drojës dhe perspektivës jo të mirë të këtyre pacientëve në pandemi, jeta në komunitet, udhëtimi, qëndrimi i gjatë në spitale, që e rriste rrezikun për infeksion.

Sëmundshmëria me COVID-19 në repartet e dializës në Kosovë ka kaluar shifrën 70 %, kurse vdekshmëria 12 %. Një perspektivë tjetër u prit në këtë rast dhe tjetër u shënua për pacientët e transplantuar, të cilët për dallim nga ata me dializë përveç imunosupresionit, që është terapi e përjetshme dhe pritjes së uljes së imunitetit, aspektet e tjera i kishin më të favorshme në COVID pandemi. Në vendin tonë, sipas regjistrit renal ERA EDTA të vitit 2019 në Kosovë, numërohen 98 pacientë të transplantuar. Sipas studimit të bërë në kuadër të Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës, në pandeminë COVID-19 përqindja e infektimit të subjekteve të transplantuara ka qenë vetëm 12 % krahasuar me mbi 70 % në komunitetin e pacientëve në dializë, 3 pacientë e kanë humbur veshkën e transplantuar.

Një gjendje e veshkës dhe shëndetit të saj jashtëzakonisht e luhatshme dhe e rëndë, e shpesh jetëkërcënuese, është hasur te pacientët me sëmundje të rëndë COVID-19, ata në repartet intensive, ku dëmtimi akut i veshkës shoqërohej me prognozë shumë të varfër e vdekshmëri të lartë, që për dallim nga ajo në sëmundjen renale kronike me dializë ishte 19% dhe 59%.

Koronavirusi dhe sëmundja që shkakton në mënyrë primare prek mushkëritë dhe sistemin respirator, ndërsa prek shpesh edhe veshkat duke shkaktuar pamjaftueshmëri akute të tyre kryesisht në rastet kritike e të hospitalizuara nëpër repartet e kujdesit intensiv, si dhe përparim ose avancim të sëmundjes kronike të veshkave te pacientët me sëmundje kronike të veshkave në stade më të lehta, duke rritur kështu te të dyja grupet sëmundshmërinë, hospitalizimin, nevojën për forma të ndryshme të zëvendësimit të funksionit të veshkave, përfshirë dializën urgjente dhe vdekshmërinë.

Koronavirusi si familje e viruseve me kurorë është përshkruar që në vitin 1968. Sipas mendimit të virologëve, këto viruse janë anëtarë të një grupi të panjohur më parë, i cili sipas sugjerimeve të tyre u emërua koronavirus.

Në vitin 1998 publikohet një punim në të cilin përshkruhet izolimi i koronavirusit në biopsinë e veshkave të pacientëve me nefropati endemike ballkanike, e cila është një sëmundje e veshkave me shkaktarë të panjohur që shfaqet në popullatat e rajoneve: Bullgari, Rumani, Kroaci, Serbi, Bosnjë e Kosovë. Ne Republikën e Kosovës është më e hasur në rajonin e Anamoravës - Viti (nuk ka studime të reja që përshkruajnë demografinë e saktë të përhapjes së kësaj sëmundjeje).

Ky studim i realizuar në Mbretërinë e Bashkuar – Londër postuloi se koronavirusi mund të jetë i përfshirë në etiologjinë e sëmundjes endemike ballkanike dhe se njerëzit janë rezervuarë zoonoze. Koronaviruset te njerëzit janë kryesisht patogjenë të rrugëve të frymëmarrjes dhe vlerësohet se ato shkaktojnë deri në një të tretën e infeksioneve të traktit të sipërm respirator. Ato janë implikuar gjithashtu si shkaktarë të diarresë, kohët e fundit dy koronaviruse janë izoluar nga rastet e sklerozës multiple, por prania e tyre në indin renal është sugjestive për patogjenezë të nefropatisë endemike. (1986)

Në literaturën e gjerë nefrologjike koronavirusi përmendet si shkaktar i dëmtimit akut dhe kronik të funksionit të veshkave.

Citate:

- Infeksionet virale mund të shkaktojnë glomerulonefrite akute (virusi i hepatit A, parvovirus, B19, fruthi, virusi Epstein-Barr).

- Glomerulonefrite kronike (hepatiti B, virusi [HBV], virusi i hepatitit C [HCV], HIV, parvovirus B19) dhe

- Nefrit intersticial (Hantavirus, virusi i gripit, Denge virusi, virusi BK, koronavirusi, citomegalovirusi, virusi i hepatitit A).

Sindroma e rëndë akute respiratore e shkaktuar nga koronavirusi mund të shkaktojë nefrit tubulointersticial. Insuficienca renale akute, kur është e pranishme, ka të ngjarë të shoqërohet me dështim të shumë organeve.

Te pacientët me veshkë të transplantuar në raste të rralla është raportuar koronavirusi si shkaktar i sindromës së distresit respirator SARS dhe llogaritet si shkaktar i ri i njohur i infeksioneve te pacientët pas transplantimit të veshkës.

COVID-19, një sëmundje e shkaktuar nga një koronavirus i ri, kërcënoi njerëzimin në përmasa globale.

Përfshirja e veshkave është e shpeshtë në këtë infeksion dhe sëmundja akute e veshkave IRA është një parashikues i pavarur i prognozës shumë të varfër të sëmundjes dhe vdekshmërisë. Ndikimi i këtij infeksioni tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave (IRK) dhe menaxhimi i pacientëve në dializë, të cilët infektohen me koronavirus kryhet sipas protokolleve strikte për të minimizuar rrezikun për pacientët e tjerë dhe kujdesin shëndetësor për personelin që kujdeset për këta pacientë.

Vaksinimi dhe doza përforcuese në fillim si dritë në fund të tunelit e më pas si shpëtimtar u përcoll me ulje të sëmundshmërisë e vdekshmërisë edhe te ky komunitet, sikundër në popullatën e përgjithshme, popullata me CKD 5, dializë dhe transplantim, që u vaksinua me prioritet.

Autorja është specialiste e Mjekësisë Interne - Nefrologe dhe kryetare e Shoqatës së Nefrologëve të Kosovës