OpEd

Planeti që është një orë larg nesh

Mësimet nga historia e liberalizimit të vizave dhe e ardhmja e Presidencës franceze të BE-së

“Ose do të ndodhë gjatë presidencës gjermane, ose kjo punë do të pështillet goxha shumë”, më tha një mik i imi diku në pjesën e parë të vitit 2020, gjersa ishim duke diskutuar për liberalizimin e vizave. Në atë kohë, Presidenca gjermane e BE-së ishte ende larg në pjesën e fundit të vitit 2021. Presidenca gjermane erdhi dhe liberalizimi i vizave nuk ndodhi. Dhe me të vërtetë kjo punë u pështoll goxha shumë.

Ky diskutim m’u kujtua derisa isha duke menduar për Presidencën franceze të BE-së. Nëse isha kthyer në kohë, me të vërtetë asnjëherë nuk kam menduar se liberalizimi i vizave do të marrë kaq shumë kohë. Më kujtohet edhe konferenca e famshme për shtyp e ish-komisionerit Hahn gjatë vizitës së tij në Kosovë në vitin 2018, kur ai tha se liberalizimi mund të ndodhë realisht deri në vitin 2020. Besoj është e qartë se as vetë zyrtarët e BE-së nuk e kanë imagjinuar se liberalizimi me Kosovën do të marrë një kohë kaq të gjatë.

***

Nga 1 janari 2022, Presidenca e BE-së ka kaluar për gjashtë muaj të radhës te Franca. Kësisoj, sikur në ndjekje të pafund të një dashurie të pakthyer, shpresat tona janë ndezur përsëri për liberalizimin e vizave. Franca ka qenë një nga vendet më skeptike për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe për këtë ajo ka qenë fer, duke komunikuar qartazi qëndrimin e saj dhe jo duke u fshehur prapa qëndrimeve të vendeve të tjera. Franca ka komunikuar po ashtu arsyet e hezitimit të saj, të cilat lidhen ekskluzivisht me sundimin e ligjit në Kosovë. Dhe për këtë askush nuk mund ta fajësojë. Të thuash se Kosova ka bërë progres në fushën e sundimit të ligjit në një kohë kur çdo rast i profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar ka dështuar, është ta trajtosh BE-në për idiote. Një nga një, rastet sikur PRONTO, VETERANËT, FAJDET janë varrosur në varrezën e keqqeverisjes së pasluftës, së bashku me shpresat tona për liberalizmin e vizave.

Sidoqoftë, kjo është histori. Askush nuk mund ta mohojë se sot në Kosovë mbretëron një klimë tjetër politike që ka përnjëmend sundimin e ligjit. Kësisoj, kryesimi i Francës i Këshillit të BE-së jep një mundësi unike që të intensifikojmë dialogun me shtetin e Francës, me qëllim të adresimit të brengave të tyre dhe të shfrytëzojmë pozitën e tyre si kryesues i Këshillit të BE-së për të shtyrë përpara çështjen e liberalizimit të vizave. Sidoqoftë, nuk duhet të kemi iluzione se tash menjëherë Franca do të besojë në këtë avancim fantastik tonin në sundimin e ligjit. Jo, Franca do të jetë e kujdesshme. Do të tregojë vullnet të mirë, por do të kërkojë edhe dëshmi konkrete për avancimin e pakthyeshëm të sundimit të ligjit në Kosovë. Progresi më i madh vjetor historik i Kosovës në uljen e perceptimit të korrupsionit është një nga këto lloj dëshmish. Tani na duhen edhe të tjera. Qeveria patjetër se ka rol të rëndësishëm. Miratimi i reformave ligjore, sikur që është reforma e sistemit prokurorial, vettingu dhe ligji për konfiskimin e pasurisë janë të gjithë hapat në drejtimin e duhur. Por, përveç Qeverisë rol të pazëvendësueshëm do të kenë edhe prokuroria dhe gjyqësori.

Se a do të arrijmë të përfundojmë këtë diskutim për liberalizimin e vizave me Francën dhe me vende të tjera skeptike, gjatë Presidencës së Francës apo jo është temë tjetër, por së paku të shfrytëzojmë presidencën e tyre për të bërë progres politik në kuadër të vendimmarrjes brenda Këshillit të BE-së. Kjo është ndoshta dhe maksimumi real që mund të presim.

***

Storia e liberalizimit të vizave është ajo e papjekurisë politike. Liberalizimi i vizave është karota më e madhe që BE-ja ka mundur t’i ofrojë Kosovës për ta motivuar klasën politike në ndërmarrjen e reformave në rrugën tonë integruese. Pra, jam i bindur se në rast të një referendumi, ku qytetarët do të kishin zgjedhur në mes liberalizimit të vizave apo anëtarësimit në BE, opsioni i liberalizimit të vizave do të fitonte bindshëm. Por, përkundër këtij realiteti, klasa politike ka dështuar t’i përgjigjet këtij vullneti të qytetarëve me një pjekuri politike qoftë në ratifikimin me kohë të demarkacionit me Malin e Zi, apo në parandalimin e degradimit të vazhdueshëm në sundimin e ligjit.

Kjo papjekuri e klasës politike në Kosovë vihet në pah në veçanti nëse e krahasojmë me vendet e rajonit. Pra, kur Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria e kanë gjetur veten në të njëjtin udhëkryq politik sikur Kosova, klasa e tyre politike ka zgjedhur një rrugë krejtësisht tjetër. Në rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë atyre u janë bërë dy kërkesa të mëdha: e para të ndryshojë emrin, e dyta ta fillojë vettingun. Pra, në krahasim me kërkesat drejtuar Kosovës, këto ishin kërkesa shumë më të rënda politike. Por, përkundër këtij fakti, për dallim nga ne, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria treguan pjekuri politike. Pra, Maqedonia e Veriut e ndryshoi emrin, ndërsa Shqipëria ndërmori vettingun. Pra, në vend të arsyetimit se kjo kërkesë e BE-së “është e padrejtë”, se këtë kërkesë BE-ja “nuk ia ka bërë Kroacisë, Venezuelës apo Ukrainës”, vendet e rajonit kanë mënjanuar arsyetimet qesharake dhe janë përgjigjur me seriozitet dhe pjekuri interesit të qytetarëve dhe agjendës evropiane. Klasa jonë politike dështoi të bëjë këtë.

***

Leximi i programit të Presidencës franceze të BE-së është përvojë interesante. Përshtypja që fiton është se Evropa është një planet tjetër. Pra, programi flet për “revolucionin digjital”, “inteligjencën artificiale”, “ekselencën teknologjike”, “mekanizmin korrigjues të karbonit kufitar”, “transicionin klimatik në tregun e punës”, “të ardhmen e programit hapësinor Coperincus” dhe “burimet e dekarbonizuara të energjisë”. Tani, krahasoni këtë diskurs me diskursin “Qeveria është antiamerikane” apo “po konkurrojnë për policë, jo për Akademi të Shkencave”. Pra, në fakt nuk është vetëm përshtypje se Evropa është një planet tjetër. Ajo me të vërtetë është një planet tjetër. Dhe me apo pa liberalizim të vizave ky realitet nuk do të ndryshojë. Do të vazhdojmë të jetojmë në një planet tjetër që është larg nesh vetëm një orë fluturim.