OpEd

Ukraina, një moment kthese

Gjeografia politike e sotme është vizatim i një fërkimi historik mes idesë së Evropës së lirë e të bashkuar dhe sferës ruse të interesit. Vija e fërkimit shihet nga “Republika e Donjeckut” deri tek ideja e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë

1.

Tri mund të jenë avantazhet e kundrimit të krizës së tanishme në Ukrainë prej Kosovës, periferisë evropiane. Një, përvoja e të kaluarit nëpër luftëra, pra edhe me përzierje emocionale antiluftë me njohurinë se të qenët kundër luftës nuk e ndërpret zhvillimin e saj. Dy, të kuptuarit e sinjaleve politike e të luftës që njerëzit e tjerë, ata që kanë jetuar gjithherë në paqe, nuk e kanë aq të mprehtë. Dhe tre, fakti që lufta është atje diku larg, edhe më në periferi të Evropës krijon një zonë distance komforti prej nga gjërat mund të vështrohen më qetas.

Por, ndonëse dy të parat mund të qëndrojnë, e treta jo, ngase ani që jemi së bashku me Ukrainën në periferi evropiane (të BE-së) kjo krizë e godet tërë kontinentin evropian, me BE dhe periferi së bashku. Për më tepër, kjo krizë e ka edhe emërtuesin e vet të përbashkët në mënyrën se si V. Putin përpiqet ta vendosë një Rusi të re me ato që i konsideron sfera të interesit, prej vendeve fqinje e deri në Ballkanin Perëndimor.

Kështu, Republika e Donjeckut apo e Luhanskut janë zgjatje territoriale-politike të Kremlinit, sikur ishin Republika Krajina serbe e Kroacisë për Milosheviqin apo ajo Serbe në Bosnjë e Hercegovinë. E i shërbejnë Rusisë sot - sikur Donjecku, Luhansku, Republika serbe në Bosnjë apo ideja e Bashkësisë së komunave serbe në Kosovë - për të penguar një Evropë normale, të lirë e në paqe me veten, një formulë e shqiptuar në fund të Luftës së Ftohtë nga presidenti G. H. W Bush.

2.

Prezantuar në formë të thjeshtësuar, prej rënies së Murit të Berlinit është zhvilluar fërkimi mes dy vektorëve politikë. Nga njëra anë ishte përpjekja për Evropën e lirë (të bashkuar e në paqe me veten). Kjo përpjekje është shndërruar në politikë të integrimeve euro-atlantike që ka përfshirë një pjesë të madhe të Evropës Qendrore dhe lindore, por kjo politikë ende nuk ka gjetur përgjigje, në tërë shekullin XXI, për disa pjesë të Evropës të cilat Rusia i ka konsideruar si pjesë të interesit të vet strategjik. Në Kosovë e Bosnjë e Hercegovinë ekziston vija e fërkimit mes politikës së bashkimit të Evropës dhe politikës ruse që aspiron ta ketë si hapësirë të interesit të vet. Këtë politikë të mbrojtjes së interesit të vet Rusia e zbaton nëpërmjet të Serbisë dhe prijësve të Republikës serbe në Bosnjë, por po ashtu nëpërmjet të mungesës së një qëndrimi të përbashkët të vendeve anëtare të BE-së e NATO-s rreth pavarësisë së Kosovës.

Vija ndarëse mes politikës së bashkimit të Evropës dhe interesit rus është edhe më e vrazhdët në fqinjësinë e Rusisë. Çfarëdo përpjekje për funksionim demokratik (mbase normal) shtetëror - një që mund të trajtohej si reformist nga BE-ja - në Ukrainë e Gjeorgji (e më herët Moldavi) është ndeshur me kontestimin e shtetësisë së tyre nga ana e Rusisë. Brenda këtij shekulli, Rusia ka krijuar dy “republika të pavarura” në Gjeorgji, dy të tilla në Ukrainë dhe ka aneksuar Krimenë.

Kriza e tanishme në kufirin Rusi-Ukrainë nuk është ndonjë risi, është eskalim i natyrshëm që rrjedh prej hapave të mëhershëm. Pra Rusia aneksoi Krimenë dhe krijoi dy republika (Donjeck dhe Luhansk) më 2014, e tash vendos ushtrinë e saj brenda tyre për të definuar kufijtë dhe mbrojtur ato njëherë të definuara.

3.

Nuk është po ashtu ndonjë risi çka janë objektivat e Putinit. Të themi që janë tri. I pari është që t’i sigurojë një pozicion më të mirë gjeostrategjik, duke u zhvilluar përtej kufijve të vendosur me zhbërjen e Bashkimit Sovjetik; dhe këtë është duke e bërë me përdorimin e forcës, diçka që i përngjet më shumë kohës së konferencës së Jaltës më 1945, ku u caktuan sferat e interesit mes Rusisë dhe Perëndimit. I dyti është që këtë pozicion të arritur me forcë ta legalizojë dhe legjitimojë (përfshirë këtu aneksimin e Krimesë dhe “republikat e pavarura”) në një marrëveshje ndërkombëtare, diçka që i përngjet më shumë konferencës së Helsinkit. Pra, në një kombinim mes tyre, Putini ka objektiv një “Jalsinki” (Jaltë+Helsinki) i cili e rikthen Rusinë në pozitë të fuqisë së barabartë evropiane. Dhe këtë e bën në momentin historik ku nuk është përmbyllur bashkimi i Evropës së lirë e demokratike - një objektiv gjeostrategjik i SHBA-së i shekullit XX - ndërkohë që vëmendja po kalon te regjioni i Azi-Paqësorit në garën/konfrontimin me Kinën. Porosia e Putinit është se nuk mund të zhvillohen gara të dimensionit gjeostrategjik pa pjesëmarrjen e tij në të. Dhe këtë e dëshmon me tanke në Ukrainë apo me nxitje e ndërhyrje në Bosnjë e Hercegovinë apo Kosovë.

4.

Kosova, si dhe gjithë Evropa do t’i ndiejë pasojat e krizës ukrainase. Së pari në shtrenjtim të mëtejmë të produkteve, prej energjisë te buka, ngase Rusia do ta bëjë gjithnjë e më të shtrenjtë gazin, ndërsa drithnajat në tregjet botërore do të shtrenjtohen, ngase një sasi e rëndësishme e tyre prodhohen në Ukrainë.

Por, ndryshimi mund të jetë shumë më i madh në rendin evropian e botëror të politikës e sigurisë. Në të nuk ka kthim në gjendje të mëparshme, e çfarë do të jetë në vazhdim do të përcaktohet nga vullneti i dy palëve kryesore, euro-atlantike dhe Rusisë. Në këso gjendje kthese, ky është momenti kur përmbyllja e pavarësisë së Kosovës duhet të shihet si çështje e të njëjtit unitetit euro-amerikan për t’u mbrojtur nga politika ndërhyrëse ruse që në këto 20 vjet ka bërë çmos duke demonstruar sot edhe me 70 për qind të ushtrisë së vet në kufijtë e Ukrainës se është kundër idesë së një Evrope të bashkuar e lirë dhe në paqe të veten, një fjali që për njëzet vjet qe më shumë parullë, e që sot duhet të shndërrohet në politikë aktive.