OpEd

Evropa duhet të jetë partnere e zgjedhur e Afrikës

E ardhmja e Evropës do të formësohet jo pak nga e ardhmja e Afrikës. Atje dhe kudo, ne gjithashtu duhet të mbrojmë më mirë projektin evropian duke demonstruar se vlera e shtuar e BE-së tejkalon atë të fuqive të tjera globale. Samiti i këtij muaji duhet të jetë pika fillestare për ndërtimin e një partneriteti të ri ndërkontinental

Pasi u shty disa herë për shkak të pandemisë COVID-19, Samiti i këtij muaji, Bashkimi Evropian – Bashkimi Afrikan në Bruksel (17-18 shkurt) do të mbledhë së bashku krerët e shteteve dhe qeverive evropiane dhe afrikane për herë të parë që nga viti 2017.

Objektivi i BE-së është të bëhet partneri i zgjedhur i Afrikës, synim i vendosur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës sonë të parë në selinë AU në Adis-Abeba dy vjet më parë.

Çfarë do të duhet për të arritur këtë qëllim ambicioz? Së pari, duhet t’i qasemi me modesti partneritetit. Afrika është një kontinent po aq i madh sa Shtetet e Bashkuara, Meksika, Kina, Japonia India dhe pjesa më e madhe e Evropës së bashku. Me 54 vende, me afro 2,000 gjuhë dhe me një gamë të larmishme mundësish e problemesh, kontinenti nuk mund të trajtohet si një entitet homogjen.

Së dyti, duhet të jemi realistë. Midis Afro-pesimizmit dhe Afro-optimizmit, unë mbroj Afro-realizmin. Përpara se të flasim për rritjen ekonomike dhe marrëdhëniet tregtare, Evropa duhet të tregojë se mund të kontribuojë për paqen, sigurinë dhe qeverisjen e mirë në vendet afrikane. Para se të flasim për dividendin demografik, duhet ta pranojmë gjithashtu shkallën e vështirësive që rritja e pakontrolluar e popullsisë mund të krijojë në shoqëri. Deri në vitin 2030, 30 milionë të rinj do të hyjnë në tregun afrikan të punës për çdo vit. Për të krijuar vende punë të qëndrueshme për ta, arsimi bazë duhet të jetë prioritet i lartë.

Për më tepër, në mbështetjen e tranzicionit global drejt energjisë së gjelbër dhe zhvillimit të qëndrueshëm, duhet të ndihmojmë në sigurimin e qasjes në shërbimet bazë në një kontinent ku thuajse gjysma e popullsisë nuk ka energji elektrike dhe duhet të luftojë një betejë të përditshme për qasje në ujë dhe ushqim. Dhe teksa ndihmojmë vendet afrikane të zhvillojnë kapacitetin e tyre të ardhshëm të prodhimit të vaksinave, ne gjithashtu duhet të ndihmojmë në përshpejtimin e vaksinimit në të tashmen. Mbi 90% e popullsisë së kontinentit mbetet e pavaksinuar kundër COVID-19.

Duke menduar për këto çështje, ne evropianët nuk duhet të gabojmë duke besuar se mund ta imponojmë një agjendë në Afrikë. As nuk duhet t’i injorojmë realitetet e menjëhershme dhe kufizimet afatshkurtra me të cilat përballet shumica dërrmuese e afrikanëve. Kjo është posaçërisht e vërtetë tani që pandemia COVID-19 e ka përkeqësuar brishtësinë e kontinentit. Në Sahel, pasiguria po rritet së bashku me paqëndrueshmërinë politike. Briri i Afrikës, ku kemi parë tranzicione premtuese demokratike vetëm dy vjet më parë, tani është thellësisht i destabilizuar. Kurse disa nga vendet afrikane tashmë kanë hyrë sërish në një spirale borxhi.

Pandemia ka lëvizur gjithashtu konkurrencën gjeopolitike në Afrikë përtej mundësive të investimeve dhe biznesit për të përfshirë vlerat dhe veprat e qeverisjes. Ne e gjejmë veten përballë aktorëve të tjerë globalë, metodat dhe agjendat e tyre janë shumë të ndryshme nga tonat. Shumë prej tyre nuk do të duan të përdorin fushata dezinformuese dhe forma të tjera të luftës hibride për ta ulur ndikimin në Evropë.

Pavarësisht këtyre vështirësive, ende kemi arsye bindëse për të dashur të bëjmë partnerin e zgjedhur të Evropës - Afrikës. Njëra është se problemet e Afrikës janë problemet tona. Terrorizmi dhe pasiguria nuk njohin kufij. Sahel nuk është aq i largët nga Evropa sa duket ndonjëherë; kurse paqëndrueshmëria në Bririn e Afrikës kërcënon një nga rrugët me të rëndësishme tregtare në botë. Pastaj është ndryshimi i klimës, i cili në mënyrë të pashmangshme do të krijojë valë të reja migrimi pasi shkatërron jetesën e njerëzve dhe i bën komunitetet e tyre të pabanueshme.

Qëllimi ynë është i motivuar po ashtu nga mundësitë e shumta në të gjithë kontinentin. Ekonomitë dhe shoqëritë e Afrikës janë të reja dhe dinamike. Shoqëritë e vjetra evropiane do të duhet të mbështeten tek ato herët a vonë. Kontinenti ka gjithashtu një bollëk lëndësh të para dhe potencial të jashtëzakonshëm si për të vendosur dhe për të ndihmuar në prodhimin e teknologjive të energjisë së rinovueshme.

Së fundi, ne duhet të mendojmë në terma gjeopolitikë. Me popullsinë e saj që pritet të arrijë në 2.5 miliardë deri në vitin 2050, Afrika është forcë globale në rritje. Një partneritet më i ngushtë do t'i mundësonte Evropës dhe Afrikës së bashku të ushtrojnë ndikim shumë më të madh në skenën botërore, duke i dhënë një shtysë modelit të multilateralizmit që të dy partnerët mbështesin.

Për të pasur sukses, do të na duhet një agjendë pozitive e bazuar në prioritete të përbashkëta. Pa anashkaluar vështirësitë, duhet të fokusohemi në arritjen e rezultateve konkrete dhe të shpejta. Afrika nuk ka nevojë për bamirësi apo marifete mediatike. Ajo ka nevojë për bashkëpunim dhe partneritet.

Për këtë qëllim, BE-së do t'i duhet të kombinojë pikat e forta të shteteve të saj anëtare, institucioneve financiare, bankave të zhvillimit dhe agjencive. Pandemia i ka dhënë substancë nocionit të kësaj qasjeje “Ekipi i Evropës” dhe kjo mënyrë pune duhet të bëhet zakon për të shmangur një strategji të fragmentuar dhe të gjitha problemet që vijnë me të.

Në Afrikë, si kudo tjetër, BE-ja ka peshë vetëm kur pjesët përbërëse të saj punojnë së bashku. Kjo përfshin jo vetëm institucionet dhe qeveritë e BE-së; shoqëria civile dhe sektori privat gjithashtu duhet të përshtaten më mirë me dinamikën në terren.

E ardhmja e Evropës do të formësohet jo pak nga e ardhmja e Afrikës. Atje dhe kudo, ne gjithashtu duhet të mbrojmë më mirë projektin evropian duke demonstruar se vlera e shtuar e BE-së tejkalon atë të fuqive të tjera globale. Samiti i këtij muaji duhet të jetë pika fillestare për ndërtimin e një partneriteti të ri ndërkontinental.

(Autori, përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, është zëvendëspresident i Komisionit Evropian për një Evropë më të Fortë në Botë. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)