OpEd

“Ballkani prodhon më shumë histori sesa që mund t’i konsumojë” – Winston Churchill

Çka mësojmë nga skandali i fundit me shpenzimet e deputetëve për udhëtime? Se është fakt që pavarësisht partisë politike së cilës i përkasin, kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre personal, aty tendencat janë që të jenë njëzëri dhe në pajtueshmëri të plotë me njëri-tjetrin. Unë mendoj se kjo rregullore për rimbursim të shpenzimeve të udhëtimeve të deputetëve, nëse i marrim parasysh pagat e tyre të larta në krahasim me rrogat mesatare të vendit, do të duhej të hiqeshin krejt apo të ndryshoheshin rrënjësisht

Një javë e muajit asnjëherë nuk është shterpë sa i përket numrit të ngjarjeve në Kosovë. Ani se ndoshta ndonjëherë janë të bëra me qëllimin më të mirë dhe më fisnik, ato shpeshherë na e shpërfaqin atë naivitetin dhe euforinë tonë si popull.

Vallëzuam për më shumë se një javë të plotë, i madh e i vogël, nëpër rrjete sociale e nëpër programe të ndryshme të kanaleve të shumta televizive, me qëllim që të solidarizohemi me profën dhe kundër bullizmit ndaj tij. Por sa më shumë video që publikohen nga orët e tij të mësimit, aq më shumë fillon të ngrihet pyetja sa a e meriton sistemi arsimor një mësimdhënës/pedagog të tillë?

Sjelljet e tij gjatë orëve të mësimit ndoshta na e ilustrojnë më së miri gjendjen e tërësishme në sistemin e arsimit në Kosovë. Deputetja që na alarmoi për sjelljet e profesorit mund të ketë pasur informata shtesë në lidhje me profesorin, mirëpo qasja e saj ishte e gabuar. Qëllimin mund ta ketë pasur të drejtë dhe fisnik, porse qasjen e pati të gabuar. Andaj kjo gjë iu kthye si boomerang. E profesorit, 15 minutat e tij të famës tani gjithashtu i janë kthyer kundër.

Mandej na plasi skandali i shpenzimeve të deputetëve të mbuluara nga Kuvendi i Kosovës, sipas Rregullores së saj të punës, dhe që ndërlidheshin me koston e shpenzimeve për udhëtimet drejt Prishtinës. Fillimisht, jo gjithçka aty ishte shumë transparente prej anës së mediave sesi u plasua dhe si u paketua lajmi për publikun. Pa dashur ta luaj rolin e avokatit të deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje e aq më pak t’i amnistoj ata që me vetëdije abuzuan dhe përfituan nga kjo gjë, ama që këto shpenzime të reduktohen në lajmin fillestar për shpenzimet e vetëm dy muajve të fundit të 2021-s ishte disi e pritshme. E kur VV-ja disponon më shumë se 63 deputetë në Kuvend, në njërën apo tjetrën mënyrë, do të na portretizohej si keqbërësja.

A kanë moralizuar se këta janë ndryshe nga të tjerët? A janë pritshmëritë tona ndryshe nga deputetët pararendës të legjislacioneve të tjera? PO.

Mirëpo problemi qëndron në atë se këto norma të mbrapshta shoqërore për të abuzuar me secilin privilegj që ligji e lejon, fatkeqësisht ka dy dekada që është e instaluar thellë në mendësinë tonë.

Kjo dukuri vërehet të jetë sidomos prezente aty ku bëhet fjalë për paranë publike dhe institucionet publike, pasi që kompanitë private një sjellje të tillë të punëtorëve të tyre assesi nuk do ta toleronin.

Çka mësojmë nga ky skandali i fundit me shpenzimet e deputetëve për udhëtime? Se është fakt që pavarësisht partisë politike së cilës i përkasin, kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre personal, aty tendencat janë që të jenë njëzëri dhe në pajtueshmëri të plotë me njëri-tjetrin.

Unë mendoj se kjo rregullore për rimbursim të shpenzimeve të udhëtimeve të deputetëve, nëse i marrim parasysh pagat e tyre të larta në krahasim me rrogat mesatare të vendit, do të duhej të hiqeshin krejt apo të ndryshoheshin rrënjësisht. Nëse deputetët nuk dëshirojnë ta kuptojnë se puna e tyre nuk është privilegj por është pikësëpari përgjegjësi, atëherë medoemos duhet filluar me masat disiplinore ndaj tyre, konform Rregullores së Kuvendit. E për herët e tjera kur e kërkojnë votën e popullit (nëse do të kenë fytyrë për ta bërë një gjë të tillë), mendoj se edhe ne do të dimë sesi të veprojmë.

Situata e tretë që na ndodhi gjatë ditëve të fundit ndërlidhet me rinovimin e ish-Shtëpisë së Xhafer Devës, ku përveç Ministrisë se Kulturës pjesëmarrës janë edhe UNDP-ja dhe Bashkësia Evropiane, si sponsorë të projektit. Situata u krijua kur pas reagimit të mediave serbe në Serbi rreth asaj sesi po lejohet restaurimi i objektit të një ish-bashkëpunëtori nazist gjatë LNÇ-së, erdhi reagimi i ambasadorit gjerman, dorën në zemër, paksa i tepruar dhe i ekzagjeruar. Pas këtij reagimi, UNDP-ja dhe BE-ja vendosën që ta shfuqizonin përkrahjen për këtë projekt dhe më pas erdhi edhe reagimi i ministrit të Kulturës, i cili sqaroi se këtu nuk po bëhej fjalë për revizionizmin historik e as për rehabilitimin e figurës së Xhafer Devës, por thjesht për restaurimin e këtij monumenti historik që është pronë publike, që ka vlera të mëdha estetike dhe për nga tipologjia e ndërtimit paraqet ndër shembujt e parë në Kosovë të kalimit në arkitekturën moderne evropiane. Është pjesë e kujtesës kolektive të banorëve të Mitrovicës dhe së fundmi edhe simbol i rezistencës qytetare karshi betonizimit. Është ndërtuar në vitin 1930 dhe në Listën e Trashëgimisë Kulturore figuron si “Shtëpia e Xhafer Devës”, ani se ka pasur përdorim kryesisht publik, përfshirë edhe si shtëpi shëndeti. Prandaj, nuk është e thënë që duhet ta mbajë këtë emër me çdo kusht. Për vite me radhë ka qenë cak i grupeve të caktuara të interesit. Përveç që i është vënë flaka, ndërtime të reja shumëkatëshe e kanë ngufatur nga të gjitha anët. Emri që mban monumenti është shënjuesi më i parëndësishëm, krahasuar me funksionet publike dhe vlerat që përfaqëson kjo ndërtesë për qytetin dhe qytetarët.

Ndërtesa ka marrë statusin e asetit të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të ligjit më 2011. Në vitin 2010 është hartuar për herë të parë projekti për restaurim, ndërsa i njëjti është reviduar në vitin 2017. Ndërhyrja e kaluar restauruese nga Ministria e Kulturës është bërë në vitin 2018 (faza e parë, kryesisht konsolidim strukturor). Nisma e fundit për restaurimin e këtij monumenti i takon verës së vitit të kaluar (faza e dytë dhe e fundit, funksionalizim), dhe është pjesë e programit të përbashkët të Ministrisë së Kulturës me Bashkimin Evropian dhe UNDP-në, ku bëjnë pjesë edhe monumente të tjera (xhami, kisha, shtëpi, kulla, muze). Përzgjedhja e këtyre monumenteve është bërë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Lajmin për këtë e kemi publikuar fillimisht në muajin qershor të vitit të kaluar dhe më pas në disa raste të tjera, ndërsa kjo temë është trajtuar gjerësisht edhe nga mediat. Është e habitshme sesi muaj më pas dhe krejt papritur kjo u shndërrua në “çështje shqetësuese”.

Pas restaurimit, monumenti është planifikuar që t’i shërbejë komunitetit dhe përveç akomodimit të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Mitrovicë do të ketë hapësirë për galeri arti, funksion muzeor dhe ngjarje të tjera kulturore. Në atë galeri mund të ekspozohen fotografi e dëshmi mbi të kaluarën e Xhafer Devës apo ndonjë personaliteti tjetër historik (i pëlqeu dikujt kjo apo jo), apo mbi historitë e hebrenjve që u shpërngulën në Kosovë e Ballkan për t’i shpëtuar Holokaustit. Hapësira muzeore mund t'u dedikohet vrasjeve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo e kaluara e personalitetit përkatës nuk mund të jetë faktor përcaktues nëse ai monument meriton të restaurohet. Monumenti i restauruar le të shërbejë edhe si hapësirë e ballafaqimit me të kaluarën, ku mund të dokumentohet dhe të ekspozohet edhe ana e errët e historisë sonë.

Përpjekja për ta zhvendosur debatin në rrafshin e narracionit mbi personalitetin përkatës historik dëmton rëndë përpjekjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Për më keq, kjo qasje legjitimon dhunën ndaj arkitekturës dhe artefaktit. Askush nuk është kundër fakteve historike, ato duhen thënë zëshëm dhe pa asnjë rezervë, para së gjithash, nga profesionistët. Mirëpo, kundërshtimi për restaurimin, duke u thirrur në narracionin historik është në kundërshtim me konventat botërore dhe praktikat e përparuara evropiane për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë. Detyra jonë është që t’i mbrojmë monumentet tona. Sepse duke i mbrojtur, ato mund t’ua vëmë në shërbim shoqërisë. Monumentet tona janë hapësira që lehtësojnë dialogun për paqe mes komuniteteve, njëherësh duke e ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik të lokaliteteve. Dialogu mund të mos jetë i lehtë, historia mund të mos i pëlqejë njërës apo tjetrës palë, por ekzistenca e artefaktit është parakusht për dialogun. Diskursi që legjitimon dhunën kundër arkitekturës është i rrezikshëm, sepse çon drejt zhdukjes së kulturës materiale. Popujt e civilizuar e ruajnë kulturën e tyre materiale, pra dëshmitë e prekshme të historisë së tyre, ndërsa historia, siç e dimë të gjithë, nuk është gjithmonë e lavdishme. Kjo e fundit nuk duhet të na frikësojë dhe as të shndërrohet në argument kundër trashëgimisë kulturore.

Ministria e Kulturës është duke investuar në gjithë trashëgiminë tonë kulturore, pa dallim, përfshirë xhami e monumente islame, kisha ortodokse, kisha katolike, shtëpi tradicionale, lokalitete arkeologjike, trashëgimi shpirtërore, muze, ndërtesa publike dhe të tjera.

Sivjet do të restaurohet ndërtesa që do të akomodojë Qendrën Hebraike në Prizren, ndërsa kemi dakordim në parim që Jewish Museum Vienna të na ndihmojë në kurimin e hapësirës. Në planet e Ministrisë së Kulturës për sivjet janë edhe Muzeu i Nënës Terezë në Prizren, Kisha Katolike në Ferizaj, xhamia “Suudi Efendi” në Prishtinë, Kulla e Sylejman Vokshit në Gjakovë, Hamami i Qytetit në Mitrovicë.

Ndërhyrje do të ketë edhe në shumë monumente të tjera që mbajnë emra personalitetesh nga historia e hershme dhe e vonshme. Mulliri i Gjikokajve, Dyqani i Musa Goranit, Kompleksi Emin Gjiku, Kulla e Et'hem Godenit, Hamami i Gazi Mehmed Pashës, Shtëpia e Hynilerëve, Rezidenca e Ibrahim Rugovës, Lagjja e Hajdinëve, shkolla “Jeronim de Rada”.

Në listën e mbrojtjes ka shumë monumente që mbajnë emra të sulltanëve e pashallarëve, mbretërve e shenjtorëve, familjeve me shtëpi tradicionale e atyre me kulla, prijësve politikë, ushtarakë e fetarë. Secila histori më vete, në kohë e regjime të ndryshme, me mundësi e vullnete të diskutueshme. E përbashkëta e gjithë këtyre? Dëshmitë materiale të së kaluarës, ose ajo që quhet trashëgimia kulturore e Kosovës.

Dhe për fund duhet thënë hapur që ndihma e shteteve mike të Kosovës në betejën tonë për ta shpëtuar trashëgiminë kulturore është jetike. Prandaj u bëj thirrje që sikurse në të kaluarën, të na qëndrojnë pranë edhe më tej. Me ndihmën e tyre, monumentet tona do t’i shpëtojnë më shpejt degradimit, në mënyrë që t’u shërbejnë nevojave socio-ekonomike të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim etnie, feje a përkatësie tjetër.

Ky ishte reagimi i plotë i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku.

Sa i përket rehabilitimit të figurave naziste nga periudha e Luftës së Dytë Botërore, me atë temë do të merrem në Ditarin tim të radhës, kur do të shkruaj mbi operacionin “Paperclip”.