OpEd

Endemia

Shumë, shumë probleme ka ky vend. Një pjesë shumë të madhe të tyre i kemi krijuar vetë duke e duruar keqqeverisjen me vite, duke e amnistuar atë e më vonë duke u bërë pjesë e amullisë

Muaji me plot pushime e shumë angazhime të fillimit të vitit po i afrohet fundit. Pos ditëve të gjata pushimi që u “urëzuan” për t’u lidhur me ditët e fundjavës e që amortizuan edhe ashtu fillimin e ngathtë të vitit, dy tema e kapluan krejt vëmendjen tonë: vala e re e virusit dhe rryma.

Vala e re e COVID-it nisi të marrë jetë. Që nga e premtja e shkuar, gjithsej janë evidencuar, zyrtarisht, 23.044 raste të reja me COVID, kurse 15 veta e humbën betejën me të, përfshirë një fëmijë dy vjeç.

45% e gjithë popullsisë së Kosovës është vaksinuar me dy doza, kurse me të tretën as një e dhjeta e tyre. Vazhdoj të mos e kuptoj ngurrimin e njerëzve për ta marrë vaksinën, marrë parasysh se ajo e parandalon shtrirjen në spital edhe në rast të infeksionit.

Sido që të jetë, menaxhimi i pandemisë dhe futja e masave para një jave u kritikuan shumë, duke u quajtur absurde nga opozita kryesisht. Ndoshta ndonjëra nga to edhe mund të jetë e tillë, porse e besoj se pa shtrëngimin e masave situata do të ishte edhe më e komplikuar. Momentalisht në spitale janë shtrirë 161 veta, prej të cilëve madje 108 me oksigjeno-terapi. Në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për njerëz që nuk i kanë marrë vaksinat.

U mbajt edhe një seancë e jashtëzakonshme në të cilën opozita pak a shumë kërkonte heqjen e masave, dhe që natyrisht ishte kërkesë që nuk kaloi. Fundja, ato do të vlejnë edhe një javë, dhe varësisht nga numri i rasteve të reja, nëse do të rritet ose jo, do të vazhdohen ose jo në këtë trajtë.

* * *

Porse tema e cila nuk bie nga lista e interesimit të publikut vazhdon të jetë rryma. Pavarësisht deklaratave të qeveritarëve, ende është e paqartë se cila do të jetë rritja e çmimit të rrymës – që duket se nuk ka si të mos ndodhë. Edhe një seancë e Kuvendit u mbajt për këtë temë. U mëtua votimi i një rezolute (sërish joobliguese) me të cilën do të detyrohej ZRRE-ja që të mos e rritë çmimin, porse edhe kjo nuk kaloi.

Dhe në rrugë dolën qytetarët – sipas policisë 200, sipas incizimeve me siguri më shumë. Nën moton “asnjë cent më shumë” krijuan një grup presioni që vazhdon të insistojë se rryma nuk duhet të rritet. Ndërkohë. PSD-ja, e cila nuk ka përfaqësim politik në institucione duket të mos ketë shumë anëtarë, megjithatë ia del të bëjë zhurmë për t’i kundërshtuar vendimet e Qeverisë. Sot parashihet të mbahet një protestë, edhe një në vazhdën e shumë protestave “gjithëpopullore” prej të cilave u distancua AAK-ja, për të kërkuar që vendimi të kthehej në pikën zero.

Se çfarë suksesi do të ketë protesta dhe nëse do të kërkojë ndërhyrjen e policisë në rast të përshkallëzimit, mbetet ta shohim gjatë ditës.

* * *

Pra, janë dy probleme pa dyshim të mëdha me të cilat ballafaqohemi. Luftimi i pandemisë, e cila po na fut në vitin e tretë të një jetese shumë të çuditshme, me shumë kufizime dhe me një disiplinë të imponuar që është duke e humbur fuqinë, dhe rryma, të cilën një pjesë shumë e madhe e Kosovës e përdor për ngrohje, ngase del më lirë. Rivendosja e bllok-tarifave, natyrisht se po ndodh në mes të dimrit, atëherë kur edhe konsumi është më i madh dhe po ndodh në kohën kur sërish nga rritja e çmimit përjashtohen katër komunat veriore që ende, as pas 21 vjetësh, nuk paguajnë për rrymën që e konsumojnë.

Është tejet diskriminuese kjo qasje dhe përfundimisht duhet gjetur zgjidhjen – dhe jo, mbulimi i minusit nga buxheti i Kosovës, sikurse ndodhi me milionat që iu dhanë KOSTT-it para një kohe nuk është zgjidhja. Dhe nëse përsëritet kërkesa për dhënie edhe të shumë milionave të tjerë nga buxheti, mbase është koha e fundit që të protestohet për këtë. Ky nuk është diskriminim pozitiv. Është tallje me shumicën e popullatës, së cilës i ndërpritet rryma edhe nëse mbetet më pak se 10 euro borxh.

Porse problemi më i madh i këtij vendi vazhdojnë të jenë krimi e korrupsioni – në fakt mosluftimi i tij, në rend të parë, nga ana e gjyqësorit.

Edhe pse Transparency International doli edhe tregoi se Kosova ka shënuar përmirësim në perceptimin e korrupsionit dhe ka shënuar përmirësim trepikësh (ngase rangimi në fakt varet edhe nga performanca e shteteve të tjera me të cilat krahasohet), mbetet fakt që në vitin e fundit nuk ka asnjë, pra asnjë aktgjykim me burgim të ndonjë zyrtari të lartë të akuzuar për korrupsion (hiç deputetin Arifi). Për më tepër, hiç më larg se para dy javësh, një shtetasi shqiptar që i ishte ngritur aktakuza për kontrabandë me narkotikë iu shpall aktgjykimi refuzues ndaj pretendimeve të prokurorisë.

Pra për të saktësuar – shtetasi shqiptar ishte zënë duke kontrabanduar drogë prej Kosovës për në Maqedoni. Në gjykimin e parë u dënua me 6 vjet burgim. Apeli e riktheu lëndën në Themelore. Dhe Themelorja gjeti se ka pasur bazë për refuzimin e aktakuzës, për shkak se Prokuroria speciale NUK ka nxjerrë vendim as për hetime, e as për vazhdimin e hetimeve, e megjithatë e ka marrë në pyetje dhe ka ngritur aktakuzë.

Gabim themelor në procedurë që mund ta bëjë dikush vetëm qëllimisht ashtu që personi në fjalë të lirohet nga procesi. Dhe rasti zbardhet mu në çastin kur Këshilli Prokurorial i Kosovës shpall konkurs për zgjedhjen e Kryeprokurorit të ri të shtetit me mandat shtatëvjeçar, e në të cilin konkurs mund të marrë pjesë edhe shefi i Prokurorisë Speciale që e lë në liri një kontrabandist për shkak të “një lëshimi teknik”.

* * *

E lëshime të këtilla teknike apo edhe paragjykime aprioriste për fajësinë ose jo të dikujt ka pasur gjatë mandatit të dëmshëm për Kosovën të Aleksandër Lumezit si kryeprokuror i shtetit. Qysh në fillim të mandatit kishte deklaruar se “nuk kishte bazë penale për ndjekjen e ‘rastit Pronto’”. Pas presionit të madh, megjithatë nisën hetimet dhe më pas u ngrit një aktakuzë që nuk mund të mbrohej e as argumentohej në gjyq, dhe kështu krejt personazhet e rastit shpëtuan pas asnjë therë në këmbë.

Gjatë mandatit të tij Lumezi nuk bëri asnjë gjë për luftimin e krimit dhe të korrupsionit. Sipas Ehat Miftarajt nga IKD-ja, në kohën e tij u mbyllën 70 për qind të lëndëve për korrupsion. Mbase edhe për këtë e kishin emëruar në këtë post, sepse asnjë zyrtar i lartë nuk u dënua dhe shumë nga proceset u parashkruan. Te kjo e fundit, nuk është krejt faj i prokurorisë, por edhe i gjykatave që me vite i zvarrisin rastet jo rrallë pa ndonjë arsye logjike.

Pra, të gjendur në situatën ku Lumezit i skadon mandati edhe nja tre muaj, KPK-ja është ngutur ta shpallte konkursin pa e përfillur fare Ambasadën britanike, e cila ka ofruar mbështetjen e saj në proces.

Ekspertët e Ambasadës britanike i kishin ofruar shërbimet e tyre kryesuesit të KPK-së, Malokut, dhe Lumezit të cilët nga ana tjetër i kishin injoruar dhe shmangur këta për dy muaj rresht. Arsyetimi i tyre ka qenë se kanë pasur shumë angazhime. Po shihet.

Konkursi u shpall edhe e kapi në befasi Ministrinë e Drejtësisë. Sipas zëvendësministres Nita Shala, hapja e konkursit, edhe pse në përputhje me legjislacionin në fuqi, megjithatë është i befasishëm, për shkak se ministria së bashku me KPK-në kishin marrë nismën për ta reformuar këtë trup nëpërmjet rishikimit të ligjeve për Kryeprokurorin e Shtetit dhe për vetë KPK-në, ngase i vetmi kriter sipas ligjit në fuqi është që ai që zgjidhet në këtë post të ketë përvojë tetëvjeçare.

Nuk ka dyshim se është potez i qëllimshëm i atij grupi të interesave që në mesin e prokurorëve me tetë vjet përvojë, do të mundohet ta zgjedhë një Lumez të ri, që do t’i mbyllë edhe nja 70% të rasteve të korrupsionit.

* * *

Shumë, shumë probleme ka ky vend. Një pjesë shumë të madhe të tyre i kemi krijuar vetë duke e duruar keqqeverisjen me vite, duke e amnistuar atë e më vonë duke u bërë pjesë e amullisë.

E kemi papunësinë e madhe, porse edhe kemi njerëz, jo pak, që nuk duan të punojnë. Ka edhe të atillë që edhe nuk dinë, për shkak se i marrin diplomat, por jo edhe dijen nga institucionet shkollore ku studiojnë.

Endemia jonë, e përbërë nga shumë viruse, na e bën edhe sëmundjen sui generis.

flaka@koha.net