OpEd

Dilemë e këndshme

Nora apo Distria. Distria apo Nora.

Ishte kjo një dilemë që na u paraqit derisa në redaksinë e sportit të KOHËS po shkruanim nominimet për ceremoninë Sportisti i Vitit 2021. Bëhej fjalë për dilemën lidhur me shpalljen e sportistes më të mirë të vitit 2021 në Kosovë.

Duhej të zgjidhnim mes dy top-xhudisteve. Mes Norës, kampiones olimpike, dhe Distrisë, po ashtu kampione olimpike.

Çfarë dileme! Çfarë gare! Çfarë luksi!

Edhe sikur të përjashtonim Lojërat Olimpike të Tokios, Nora e Distria do të ishin të denja për t’u shpallur më të mirat e vitit në secilin vend me sport të zhvilluar.

Nora: e treta në Masters, e para në Grand Slamin në Tbilisi, e treta në Kampionat Evropian, e treta në Kampionat Botëror. E para në ranglistën botërore në kategorinë deri 57 kilogramë.

Distria: e para në Masters, e para në Kampionat Evropian, e pesta në Kampionat Botëror, e para në Ligën e Kampionëve. E para në ranglistën botërore në kategorinë deri 48 kilogramë.

Pyetja që paraqitej: më shumë vlen titulli evropian i Distrisë, i kombinuar me vendin e pestë në botë, apo medalja e bronztë botërore e Norës, e kombinuar me medaljen e bronztë evropiane.

Suksesi i Norës e Distrisë, apo Distrisë e Norës, në ngjarjen më të madhe, Lojërat Olimpike, ishte i njëjtë. Medalja e artë. Të dyja zunë vend në shkallën më të lartë të podiumit. Në piedestal të ngjarjes bindshëm më të vlerësuar sportive.

Cili gazetar sportiv nuk do ta dëshironte një dilemë të tillë? Cila federatë? Cili Komitet Olimpik, e cili shtet?

KOHA e zgjodhi shpejt. Ishte dilemë e këndshme. Shumë madje.

Dilemë luksi, siç është luks për një vend me më pak se dy milionë banorë të fitojë dy medalje të arta në një edicion të vetëm të Lojërave Olimpike.

Suksesi i Norës e Distrisë jep pamjen jo shumë reale që Kosova e ka sportin superior. Kosova ka rezultate superiore në sport, por jo edhe sport superior. Të shikosh stadiumin e Gjilanit, ku ndeshjet i luajnë dy prej skuadrave më të mira të futbollit në vend, bindesh për këtë.

Përshkrim më i drejtë do të ishte: Kosova ka një ekip të vogël me suksese kulmore në sport. Dhe ka sportin, pjesën tjetër, në nivel të përafërt me shtetet e regjionit. Natyrisht jo me ato shtete që kanë suksese më të mëdha. Por me shtetet si Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovina.

Matësi më i mirë është Olimpiada. Shqipëria në “Tokio 2020” kishte një vend të katërt në peshëngritje. Maqedonia e Veriut fitoi medalje të argjendtë në taekwondo. Mali i Zi nuk iu afrua medaljes olimpike, ndërsa Bosnjë-Hercegovina kishte një vend të pestë në taekwondo e një vend të gjashtë në atletikë.

Kosova pa xhudo kishte një vend të shtatë. Në mundje.

Për Kosovën që bën pjesë në një zonë të Evropës shumë të dhënë pas sportit e që sukseset e dështimet sportive i përjeton shumë, një vend i shtatë vështirë se do të vlerësohej i pranueshëm. Sidomos duke ditur rivalitetin në distancë me shtetet e tjera, ku ranglistat kanë shumë rëndësi e sidomos pozita e shteteve fqinje në ranglistë.

Me xhudon, loja ndryshon plotësisht. Kosova del shumë para vendeve, si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Bosnja. Me Shqipërinë matja nuk është se na pëlqen shumë. Shumë nga ne e llogarisim një.

Me xhudon, garojmë me shtetet e fuqishme të regjionit si Kroacia, Sllovenia e Serbia. Por nuk qëndron se sportin e kemi në nivel me këto vende. Me suksese i rivalizojmë me xhudo, jo me sportet e tjera. Derisa vendet e regjionit me sport të zhvilluar paraqiten rregullisht në ngjarjet e mëdha në sportet kolektive, për Kosovën, Botërorët e Evropianët janë ende larg.

Edhe në sportet individuale vendet e regjionit e kërkojnë suksesin në më shumë disiplina. Por aktualisht qëndrojnë fuqishëm prapa Kosovës, përkatësisht xhudos kosovare.

Pra tregimi i suksesit sportiv të Kosovës është i lidhur me ekipin e Kosovës në xhudo. Më konkretisht me punën që e bënë trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka. Niveli i punës së tij është rikonfirmuar shumë herë gjatë 2021-ës. Edhe në fund, kur Toni u shpall trajneri më i mirë i xhudos në botë për këtë vit. Dhe Distria u shpall xhudistja më e mirë në botë.

Çmimi i rritjes së madhe të xhudos kosovare është po ashtu i madh. Mbulohen shumë dështime prapa kësaj rritjeje. Arsyetohen shuma të mëdha parash që shteti ndan për sportin. Me xhudo mbulohen edhe lëshimet e dështimet e atyre që nuk punojnë e që kanë pozita drejtuese në sport.

“Ne si shtet i kemi dy medalje të arta olimpike”, shërben shpesh si arsyetim në takime të ndryshme ndërkombëtare.

Ndoshta kur bëhet fjalë për promovim të shtetit, një arsyetim i tillë mund të përdoret. Por është jokorrekte që suksesi i xhudos të përdoret për promovim personal të atyre që janë larg nivelit për të fituar medalje olimpike. Apo botërore e evropiane.

Dhe kjo ka ndodhur e po ndodh.

Komiteti Olimpik, si organizatë sportive ombrellë, mburret vazhdimisht me suksesin e xhudos. I bie rrallë të mburret me sukseset në sportet e tjera, sidomos në nivelin e të rriturve. Gjatë vitit është fituar një medalje e bronztë në Evropianin e karatesë, disa medalje e tituj për të rinj në atletikë, karate, boks e ndonjë sport tjetër.

Sa u takon sporteve ekipore, me përfaqësuese nga disa fitore i kanë pasur hendbolli, futbolli e basketbolli. Por të gjitha përfaqësueset ishin larg prej pretendimeve që i kishin paraqitur. Ndërkohë klubet në futboll e hendboll bën lëvizje në skenën evropiane. Prishtina e Drita i kishin nga disa fitore në futboll, ndërsa Besa Famgas kaloi një kundërshtar cilësor në hendboll. Basketbolli, çuditërisht, ka hequr plotësisht dorë nga garat evropiane. Aktualisht fokusin e ka te Liga Unike, që për Kosovën mbetet të shihet cili është përfitimi. Në volejboll nuk kishte ndonjë sukses për të përmendur.

Në sportet individuale telashet janë të shumta. Ka probleme me masivitet, me punën që e bëjnë trajnerët, me joshjen e fëmijëve. Cilësia në shumë sporte shkon duke rënë apo të paktën ka stagnuar. Madje federatat e vendit kanë filluar të heqin dorë nga disa ngjarje të mëdha. Për shembull, mundësitë nuk ishin në Botëror. Një prej sporteve me traditë, mundja, po ka telashe që ta zë vendin e saj që e pretendon në sportin kosovar.

Boksi vlerësohet me potencial, por disa turne të vendit e një në Maqedoni të Veriut janë të vetmit ku boksierët kanë shfaqur vlera, pa llogaritur njomakët.

Të ftohtit në palestra është tjetër problem që po e godet sportin tonë, kurse infrastruktura sa i takon futbollit vazhdon të lë shumë për të dëshiruar. Janë ndërtuar fusha stërvitore, kryesisht me bari sintetik, por stadiumet në qendra të rëndësishme kanë pamje të shëmtuar. Në Gjilan ka vite që rinovohet stadiumi dhe ndeshjet e dy skuadrave kryesore në vend po luhen në kantier ndërtimi. Në Ferizaj stadiumi i dikurshëm është prishur për t’u ndërtuar shkollë dhe një stadium tjetër i denjë kushedi se kur do të ndërtohet. Në Mitrovicë, stadiumi “Riza Lushta” i ngjan një objekti të “granatuar”, ndërsa në “Adem Jashari” ka nisur një renovim që do t’i kushtojë shtetit edhe disa miliona euro dhe që nuk dihet saktësisht se kur do të përfundojë.

Ndarja e parave nga shteti është një tjetër çështje. Ndonëse ekzistojnë rregulloret, ato nuk janë respektuar kur janë ndarë paratë. Para janë ndarë shumë nga kuleta e shtetit, por ka dyshime që të gjitha kanë shkuar në adresën e duhur. Fillimisht u zvogëlua buxheti për federata e pasi tepruan para, u ndanë më shumë se që u ishte premtuar.

Kurdisjet janë problem tjetër, që për fatin e keq më nuk janë vetëm në futboll.

Gjithë këto telashe u harruan kur Nora e Distria shkëlqyen në skenën më të madhe, në Lojërat Olimpike. I gjithë vendi u ndje krenar me të arriturën e tyre. I gjithë vendi u vlerësua pjesë e suksesit.

Distria e Nora dëshmuan, ashtu si Majlinda në të kaluarën, se Kosova mund të nxjerrë kampionë të mëdhenj të sportit. Por se për këtë kërkohet qasje me seriozitet maksimal në stërvitje e në jetë në përgjithësi. Dhe mbi të gjitha duhet që të ketë trajnerë të tjerë si Driton Kuka, arkitekti i të gjithë suksesit sportiv të shtetit tonë.

Puna e tij dhe niveli që ka prekur xhudo është garanci që si redaksi e sportit të KOHËS do të kemi të tjera dilema për të shpallur më të mirët. Dilema për të vendosur për më të mirët mes kampionëve. Dilema të këndshme pra.

Këtë herë dilemën e këndshme e zgjodhëm lehtë – çmimin e ndamë për dy xhudistet tona të arta.