OpEd

Llogaridhënia – i vetmi opsion për ndryshim në arsim

Është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të rishikojë dhe të instalojë mekanizma të qëndrueshëm të llogaridhënies përgjatë gjithë sistemit arsimor

Shumica e problemeve në vend kanë një emërues të përbashkët, mungesën e cilësisë në arsim. Nuk mund të kesh ekonomi të zhvilluar me një forcë punëtore të pakualifikuar. Pra, e thënë shumë drejtpërdrejt, jokompetenca profesionale është e keqja e vërtetë e këtij vendi.

Arsimi në Kosovë u jep të rinjve një shpresë false për një jetë më të mirë. Ballafaqimi i vërtetë me realitetin është ai kur këta të rinj përfundojnë shkollimin dhe kuptojnë se sa shumë mungojnë në dije, shkathtësi dhe aftësi. Të jetuarit e këtij iluzioni është krijuar ekskluzivisht nga politika për përfitime politike, pra, sa më shumë të rijnë në universitete, sa më shumë diploma, sa më shumë mësimdhënës në punë, sa më shumë numra, por jo cilësi. Sa më jo e arsimuar masa aq më joracionale dhe lehtë e manipulueshme është, duket që pikërisht ky të ketë qenë synimi në heshtje i politikës për vite me radhë.

Ky synim ka marrë formë dhe kuptim, me mbipopullimin e institucioneve qeverisëse të arsimit me jokompetencë. Jomeritokracia në punësim ka output të drejtpërdrejtë jo kompetencën. Nuk mungojmë në dokumente e strategji, por në zyrtarë dhe udhëheqës profesionalë që mund të zbatojnë reforma.

Shumë politika e vendime nuk shkojnë asnjëherë përtej publikimit në uebsite. Ka ligje, udhëzime e rregullore që kontradiktojnë njëra-tjetrën, dhe ka shumë sosh për të cilat askush nga zbatuesit nuk është në dijeni që janë në funksion.

Kjo jokompetencë hierarkike pamundëson çfarëdo përmirësimi të situatës. Fatmirësisht, jokompetenca ka një përgjigje, është llogaridhënia.

Institucionet arsimore nuk mund të kapen nga jokompetenca përjetësisht. Nuk mund të udhëhiqet reforma kurrikulare nga individë që nuk e njohin kurrikulën; nuk mund të vlerësohen mësimdhënësit nga individë që nuk njohin mësimdhënien; nuk mund të udhëhiqet shkolla nga individë që nuk njohin menaxhimin. Nuk mund ta përmirësojmë arsimin përderisa nuk thërrasim në përgjegjësi zbatuesit. Logjika është e thjeshtë, si në çdo raport kontraktues mes dy palëve, nevojiten mekanizma që përcaktojnë indikatorë dhe përgjegjësi për vartësit.

Nuk mund t’i fajësojmë mësimdhënësit për cilësi jo të mirë kur po të njëjtët nuk i vlerësojmë fare për performancë – pra mungesa e llogaridhënies në arsim dikur edhe të mirët i kthen në jo të mirë. Jollogaridhënia, në vend të punës, lehtësisht kthehet në neglizhencë.

Është koha e fundit që Qeveria e Kosovës të rishikojë dhe të instalojë mekanizma të qëndrueshëm të llogaridhënies përgjatë gjithë sistemit arsimor. Kjo llogaridhënie do të sjellë përgjegjësi dhe kompetencë, do të sjellë zyrtarë që me shumë përgjegjësi zbatojnë politika, dhe do të sjellë mësimdhënës që me shumë përgjegjësi ofrojnë mësimdhënie cilësore. Duhet të kuptojmë që thelbi i çdo sistemi të suksesshëm arsimor është llogaridhënia.

* Falas