OpEd

Një vaksinë për gazetën

Për teoritë konspirative me të cilat komshiu im ushqehet, për virusin dhe meseletë që shiten si hallvë, për gazetarinë në rrjet dhe për fatin e demokracisë. Për vaksinën dhe gazetën e “intubuar”

Është arritje të mos kthehesh në viktimë të komshiut tim. Me plot “kompetencë” t’i transmeton gjërat që i lexon në celularin e tij dhe, për të qenë sa më bindës, të bën be e rrëfe për vërtetësinë e asaj që ta thotë.

Rituali është i njëjtë: Fillimisht të pyet se çfarë po ndodh me filan ngjarjen a fenomenin. Përderisa nis dhe ia ofron versionin e mbështetur në faktet që i di, i shfaqet në fytyrë një buzëqeshje që shëmbëllen dyshim. Të ndërpret dhe gjithmonë e ka përgjigjen e njëjtë: “Jo. Ju gazetarët po i mshefni gjanat”.

Pastaj ia nis ta rrëfejë “të vërtetën” për atë që vetë të pyet.

Kur u shfaq pandemia ai i vuri pikë rrugës se si është shpërndarë virusi: “Kina e lëshoi, se Trampi donte me ia shkatërru ekonominë”. Me kalimin e muajve, nga ai dëgjon edhe nja 100 versione të tjera që i gjen në rrjete sociale, algoritmet e të cilave janë dizajnuar asisoj që të të ushqejnë me përmbajtjet, të cilat t’i i kërkon: lexon a shikon një teori konspirative, një lajm të rremë a sensacional e të shfaqet menjëherë tjetri. Dhe, sa më shumë që klikon në to, lumi me të tilla informata bëhet më i vrullshëm. Dikur rrjedha të gjuan mes detit a oqeanit përplot informata të kësollojshme, tek të cilat më s’di ta dallosh faktin nga opinioni e as të vërtetën nga gënjeshtra.

Për komshiun, fillimisht ishte punë e kryer që virusin qëllimshëm e lëshoi Kina, në shenjë hakmarrjeje ndaj Shteteve të Bashkuara. Pastaj bëri një hap tutje – kishte lexuar se virusi aksidentalisht doli nga një laborator në Wuhan. Më vonë e “kuptoi” që shtetet ishin marrë vesh që me një rrugë t’i kryenin dy punë: virusin e kishin koduar për t’i mbytur pleqtë, se qenkan barrë për buxhetin, e krahas kësaj e kishin krijuar edhe për ta mbrojtur njerëzimin nga ngrohja globale, meqë masat restriktive të mbylljes ulnin aktivitetin ekonomik, që qëllim final kishte rënien e ndotjes. Së fundmi, e lidhi simbolin e iluminatit me shkronjat, të cilat përbëjnë dy variantet e fundit të virusit që shkakton pandeminë: me formën piramidale të shkronjës Delta dhe me simbolin në formë syri të shkronjës Omicron.

Kosova dhe rajoni ynë përbëjnë tokë pjellore për mesele sikur këto, prandaj të tillat në pandemi shkuan si hallvë. Kryesisht u bënë virale në rrjete sociale, meqë në mungesë filtrash aty poston kush çfarë të dojë. U gjetën edhe në jo pak portale, sepse histori sikur këto përbëjnë karrem për klikime.

Një hulumtim i Grupit Këshillimor të Politikave “Ballkani në Evropë” (BiEPAG) gjeti se në Kosovë 47 për qind e popullsisë me arsim të mesëm besojnë se industria farmaceutike po e përhap virusin, krahasuar me vetëm 22.2 për qind të atyre me arsim fillor. Kjo përbën treguesin se teoritë konspirative janë rrënjosur thellë në të gjitha shtresat e shoqërisë.

Kuptueshëm, këto histori nuk u morën në gazeta. Me të mbërritur virusi gazeta ishte ajo që u godit më së rëndi. Masat restriktive të vendosura në fillim të marsit të 2020-s bënë që rrjeti i shpërndarjes të paralizohej. Makinat e shtypshkronjave u fikën e shkronjat pushuan. “KOHA Ditore” nuk doli në letër prej atëherë.

Nga shtandi i dyqaneve e kioskave u zhvendosën në ekranet e kompjuterëve dhe celularëve, nga të cilët s’depërton dot aroma e shenjtërisë së gazetës. Ajo rri brenda ekranit, tamam si ai pacienti i intubuar e në prag vdekjeje, i shtrirë mes kabllosh dhe që jetën e ka të varur nga një tub që i çon mekanikisht oksigjen.

Një gazetë e gjallë është një gazetë në letër!

Dhe, po: gazeta është gazetaria!

Në të ka lajme e hierarki lajmesh, ka fakte e kontrollim faktesh, ka hulumtime të thella e të hollësishme, ka tregim. Edhe ajo që raportohet, qëndron e pandryshuar përjetësisht. Prandaj, përgjegjësia për atë që e vë në letër është shumëfish më e lartë sesa në cilëndo medie. Sepse, ndryshe nga rrjeti, televizioni e radio, ajo që botohet nuk ndryshohet dot. Nuk zhduket. Së këndejmi, kuptueshëm që histori të sajuara, sikur ato që na i rrëfen plot vetëbesim komshiu, nuk mund t’i gjesh në gazetë.

Në shtetin e vetëm ku nuk gjen gazetë të shtypur, gjen ikona të besnikërisë ndaj saj.

Liridoni, një mik imi, ka blerë një printer kolor që shtyp faqet në madhësinë A3, ekskluzivisht për t’i qitur në letër dy gazetat e vetme në Kosovë që ofrohen në versionin PDF. Sepse, ai ka trashëguar një shprehi – kafeja e mëngjesit nuk pihet dot ndryshe, përpos duke e shfletuar shtypin ditor dhe duke u informuar prej tij.

Por, demografia na alarmon se numërimi së prapthi ka nisur. Kosova përbën vendin me popullatën më të re në Evropë dhe shumë të rinj, përfshirë studentët e gazetarisë, mund të mos kenë parë kurrë gazetë. Në rastin më të mirë mund ta kenë në dorë këtë numër festiv të KOHËS.

Sapo brezi i ri ta marrë komandën, gazetat do të mbarojnë, është paralajmërimi i profesorit Andrey Mir, i cili ka shkaktuar tërmet tek elitat e gazetarisë, me studimin e lansuar vitin e shkuar, në të cilin vdekjen e gazetës e sheh më së largu në fundin e viteve 2030.

Filipidi ishte ai reporteri i parë, kur diku 2 510 vjet nga tash, pati vrapuar drejt Athinës për ta dhënë lajmin e fitores së grekëve kundër persianëve, në fushën e Maratonës. Prej atëherë vrapi për ta shpërndarë lajmin nuk është ndalur e gazeta ka luajtur rolin më të madh në këtë mision.

Në shekullin e ri nevoja për të vërtetën është më e madhe dhe jo më e vogël, sepse është shumë më e madhe mundësia për të ndërtuar informacione të rreme, tërheq vërejtjen studiuesi Bill Kovach.

E informata e rreme, përpos gazetarisë, mund ta mbysë edhe demokracinë. Prova të kësaj veç janë parë. Në vitin 2016 miliarderi Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara dhe shumë vrojtues përfunduan se e shënoi këtë arritje falë lajmeve të rreme, përhapja e të cilave nuk u bë pa futur jo pak kapital.

“La Gazzetta” – nga e ka marrë emrin gazeta dhe derivatet gazetar e gazetari – ishte ai buletini me lajme të ditës që dilte në Venecie, dhe njëkohësisht ishte emri i monedhës sa kushtonte ky buletin. Monedha ka vite që ka ikur në internet. Prandaj, gazeta ka pësuar rënien.

Në rrjet është edhe ai oqeani nga i cili konsumon informatat për virusin komshiu im. Edhe tash kur vaksinat për imunizim janë zbuluar, shumë njerëz refuzojnë t’i marrin, të ndikuar nga lajme të rreme e teori konspirative. Komshiu s’do ta merrte po të mos i kushtëzohej me vijimin në punë. Sa e sa historitë m’i ka treguar me vaksinën – nga çipët e Bill Gates që “po i fusnim” në organizëm nëpërmjet vaksinave, deri tek kthimi i trupit tonë në magnet.

Për më pak njerëz të dezinformuar si komshiu im, për më pak lajme të rreme e teori konspirative, për shpëtimin e demokracisë e për mbajtjen në jetë të gazetarisë, duhet gjetur një “vaksinë” që e nxjerr gazetën nga “intubimi”. Deri tek ai moment: Gëzuar!

* Falas