OpEd

Lehtësia e padurueshme e shqiptimit të fjalës luftë

Duke qenë një projekt paqeje - qoftë si një lëvizje popullore e padhunshme kundër okupimit, qoftë si një projekt ndërhyrjeje ndërkombëtare për ta ndalur luftën dhe për të krijuar paqen me tranzicion drejt demokracisë e pavarësisë - Kosova duhet që me projektin e saj të konsolidimit të paqes të arrijë të bëhet me të gjithë fqinjët e saj, pra edhe të përfundimit të konfliktit me Serbinë, brenda presidencës Biden

1.

“Miqtë e mi më shkruajnë se nuk e kanë pasur kurrë më të vështirë të shkruajnë porosi a kartolinë urimi për Vitin e Ri. Nga të nëntëdhjetat nuk kam pranuar urime të Vitit të Ri, të cilat dëshirojnë vetëm paqe, me shpresë që të mos ketë luftë”. Kështu shkruan Dino Mustafiq, regjisori i njohur sarajevas, duke përmbledhur në dy fjali tërë funksionimin e Bosnjë-Hercegovinës si shtet, përkatësisht si gjendje kolektive që përmblidhet në dëshirë bazike e ekzistenciale që jo të zhvillohet ekonomia, të ketë më shumë prosperitet e kulturë, e arsim dhe shëndetësi, por të mos bëhet më keq, gjegjësisht aq keq sa të bëhet luftë.

Pas mbi çerek shekulli eksperimenti me shtetndërtim në një projekt armëpushimi çfarë ishte Daytoni, Bosnjë-Hercegovina është në situatë ku të kuptojë se ka shpenzuar kohën e gjeneratave të të rinjve, të cilët u lindën pas luftës dhe jetuan në një shtet i cili vazhdoi luftën me mjete të tjera.

Kur njerëzit frikohen kështu nga lufta dhe kur dëshirë të vetmen e kanë që të ruhet disi paqja, atëherë shoqëria e shteti në të cilën jetojnë i kanë dhënë të drejtë qytetarie fjalorit të luftës, kulturës së luftës, mendimit kolektiv se lufta ka vlerë parësore në atë vend.

2.

Lexoj një analizë shumë interesante të Vuk Vuksanoviqit mbi atë që quhet garë ushtarake ballkanike, gjegjësisht garën e armatimit mes Kroacisë dhe Serbisë. Statistikisht, ndonëse të dy vendet kanë kaluar një miliard euro blerjesh të armatimit, ende konsiderohen se janë brenda kornizave të lejuara në Marrëveshjen e Daytonit (e cila përcakton parametrat e armatimit në këtë regjion të ish-Jugosllavisë). Dhe brenda kësaj blerjeje në parametrat e lejuar autori argumenton se Serbia blen armatim si një lloj e udhëheqjes së politikës së jashtme, jo aq të sigurisë. Pra, kur blen prej Francës e Izraelit është për të krijuar favore me këto shtete, kur blen prej Kinës e Rusisë është për t’i treguar BE-së se aq i bën për kushtëzimet që i bën kjo për sundim të ligjit e kushtëzime të tjera në integrime evropiane.

Njëri prej argumenteve themelore të tij është se Serbia blen armatime të sofistikuara elektronike më shumë për fushatë parazgjedhore e njëkohësisht për të fshehur një dimension që nuk e dinë shumë të tjerë, e ai është se ky vend ka probleme të mëdha me njerëz të aftësuar për të mbajtur një fushatë të përqendruar lufte.

Ndaj këtij argumenti racional Daniel Serwer dha në Twitter një përgjigje tjetër, po aq racionale, duke thënë se nuk është shumë ithtar i madh i idesë se paaftësia për luftë e bën atë më pak të mundur. “Llogaria e gabuar është gjithnjë faktor për njërën a anën tjetër për të shkuar në luftë”.

3.

Llogaria e gabuar apo jo është një pyetje që shtruam me një mik me njohuri të mira gjeopolitike, nga perspektiva e fshatit të Shqipërisë ku gjendeshim këtë të diel të ndritshme. Dhe pyetja, në lehtësinë e padurueshme të shqiptimit të fjalës luftë, ishte se a do të luftohet mes SHBA-së dhe Rusisë për Ukrainën? Dhe, ndërkohë që pyetja është pak a shumë teorike - ngase prej kohësh Rusia lufton në Ukrainë e SHBA-ja përpiqet ta ndihmojnë këtë vend që të ruajë një lloj dukjeje të një vendi që është deri diku sovran, deri diku funksional dhe deri diku me identitet të qartë shtetëror - ajo është më shumë e orientuar te përgjigjja se a do të ketë një lloj marrëveshjeje të madhe mes Amerikës dhe Rusisë, për përcaktimin e zonës në të cilën Rusia ka mundësi të ndihet e parrezikuar nga Perëndimi? Pra, a do të ketë diçka si një minimarrëveshje të Jaltës?

Nga këndvështrimi i fshatit tonë të Shqipërisë, kjo pyetje ishte interesante nga shumë aspekte - posaçërisht se e bëmë në një vend të NATO-s, i cili herën e fundit kur u shtrua kjo pyetje, në Jaltë, e kaloi keqas me gjysmë shekulli diktature. Pyetja e sërishme ka të bëjë tash me atë pjesë të Evropës që ende nuk arriti të bëhet pjesë e NATO-s, Ballkani Perëndimor e brenda tij, në veçanti, Kosova.

Argumenti i bisedës të së dielës ishte i thjeshtë: nëse Ukraina nuk mund të bëhet për shumë arsye të identitetit anëtare e NATO-s, kjo do të thotë që ka po aq arsye të identitetit evropian pse Kosova duhet të bëhet me të shpejtë anëtare e NATO-s.

4.

Por, çdo gjë bëhet më e ndërlikuar se kaq.

Këtë javë bëhet një vit nga kryengritja e 6 janarit kundër zgjedhjes së Bidenit në krye të Amerikës.

Ky ishte akti me simbolikën më të madhe të një Amerike të re, të shekullit XXI, e cila në përllogaritjen e rreziqeve për sigurinë e vet kombëtare tash ka në të njëjtën peshore Kinën, Rusinë, terrorizmin, sulmet kibernetike e çfarëdo tjetër së bashku me rreziqet e destabilizimit të brendshëm nga forcat që nuk i përfillin më si legjitime institucionet e demokracisë amerikane.

SHBA-ja pra ballafaqohet jo vetëm me sfiduesit e botës të bazuar në rregullat e vendosura të rendit ndërkombëtar, por tash edhe me sfiduesit e institucioneve të shtetit të vendosura mbi rregullat e demokracisë amerikane.

Në përllogaritjet e veprimeve të politikës e të sigurisë tashmë ka hyrë edhe një kornizë e ngushtë kohore, ajo e mandatit të presidentit Biden, për të dëshmuar një koherencë në politikën e jashtme amerikane pas aventurës që mund të mos ketë qenë vetëm aventurë, të mandatit të presidencës Trump.

5.

Kosova ka një dimension të veçantë për të prezantuar në këto kohë të lehtësisë së padurueshme të shqiptimit të fjalës luftë. Megjithëse jeton prej dy dekadash në kulturë lufte, me rrëfime të pambaruara të një konflikti të pambaruar, Kosova është një projekt paqeje. Duke qenë një projekt paqeje - qoftë si një lëvizje popullore e padhunshme kundër okupimit, qoftë si një projekt ndërhyrjeje ndërkombëtare për ta ndalur luftën dhe për të krijuar paqen me transicion drejt demokracisë e pavarësisë - Kosova duhet që me projektin e saj të konsolidimit të paqes të arrijë të bëhet me të gjithë fqinjët e saj, pra edhe të përfundojë konfliktin me Serbinë, brenda presidencës Biden.