OpEd

Shënime në kohën e pandemisë

Ganimete Nura. Branko Horvat. Jozef Brodski. John le Carré. Karl Detroiti alias Mehmet Ali Pasha: mbi hedhjen me parashutë, ironinë e një shkencëtari, habinë e një shkrimtari dhe gjakun e pëllumbave që pihej në një kullë në Gjakovë

1.

Ganimete Nura – poete dhe e para parashutiste në Kosovë

Në vitin 1969 RILINDJA botoi një “libër xhepi” me titullin “Femrat shkruajnë. Krijime artistike të femrave shqiptare” (ky titull nuk është konform gjuhës së sotme korrekte politike feministe, por bëhet fjalë për një botim para gjysmë shekulli). Në libër janë të përmbledhura punime letrare (poezi dhe prozë) të poeteve nga Kosova dhe Shqipëria. Mangësia e këtij libri, të cilin e pata blerë para disa vitesh nga një librashitës që qëndron afër Hotelit Grand në Prishtinë, është se nuk ka asnjë shënim biografik për autoret.

Kush është Ganimete Nura? Në botën e madhe të internetit gjeta vetëm një shënim se Ganimete Nura ka qenë gruaja e parë parashutiste në Kosovë. Për krijimet e saj letrare s’gjendet ndonjë shënim në makinat e kërkimit të fshatit global. E pyeta mikun tim të çmuar dhe poetin gjakovar, Bardhyl Oseku, nëse mund të më ndihmonte dhe dërgonte ndonjë të dhënë. Natyrisht më dërgoi menjëherë disa të dhëna të vlefshme. Ganimete (Vula) Nura ka qenë mësuese në shkollën fillore “Mazllum Këpuska” të Gjakovës. Qe martuar me poetin dhe veprimtarin, Murteza Nura, i cili për shkaqe politike ka vuajtur në burgje disa herë. Për shkak të aktivitetit politik të Murtezait, Ganimeten e largojnë nga procesi arsimor dhe kjo zgjati deri në Plenumin e Brioneve (1966), kur pati filluar faza e zbutjes së diktaturës. Sipas Bardhyl Osekut, “është e vërtetë se Ganimetja, gjatë një periudhe shumë më të hershme të jetës së saj, viti nuk më kujtohet, përmendet se është lëshuar me parashutë, duke qenë kështu parashutistja e parë kosovare. Për këtë të dhënë është shkruar disa herë në gazetat e kohës”.

2.

Ironia e dr. Branko Horvatit kundër shovinistëve serbë

Nga mesi i viteve ‘80 mori hov të ri propaganda agresive e regjimit serb dhe intelektualëve nacionalistë serbë kundër shqiptarëve. Ata akuzoheshin madje për “gjenocid biologjik” në Kosovë – domethënë përmes natalitetit të lartë synohej gjoja krijimi i një Kosove etnikisht të pastër, shqiptare. Në atë kohë ekonomisti i njohur kroat, dr. Branko Horvat, botoi librin e tij “Çështja e Kosovës” (Kosovsko pitanje), një analizë e detajuar dhe e guximshme kundër propagandës që vinte nga Beogradi. Libri ngjalli debate të ashpra. Lidhur me natalitetin në Kosovë Horvat shkroi me fakte dhe me një ironi therëse si vijon: “Ekspertët e statistikës parashikojnë se popullsia e Kosovës nga 1.76 milionë në vitin 1985 do të arrijë në 2.53 milionë në vitin 2000. Kosova atëherë do të ketë më shumë banorë se Maqedonia, Vojvodina, Sllovenia apo Mali i Zi. Ndërsa në mbarë vendin shkalla e lindshmërisë vjetore është 0.7 për qind, në Kosovë është 2.5 për qind ose tri herë e gjysmë më shumë. Nga kjo nxirren përfundime mbi propagandën e suksesshme irredentiste të lindshmërisë sa më të madhe të fëmijëve me qëllim të krijimit të Kosovës etnikisht të pastër.

Unë, natyrisht, nuk e di se çka mendojnë kosovarët kur bëjnë fëmijë. Por këtë as që duhet ditur. Mjafton analiza e të dhënave statistikore, të cilat zbulojnë qëllimet më të fshehta njerëzore. Në të vërtetë përgënjeshtrimi i tezës së lartpërmendur shoviniste është shumë i thjeshtë: të gjitha grupet etnike në Kosovë kanë natalitet të lartë”.

Dr. Horvat si shkak të lindshmërisë së lartë përmend papunësinë e madhe të grave në Kosovë. Nga mesi i viteve ’80, Kosova ishte rajoni i vetëm në Jugosllavi ku pjesëmarrja e grave në jetën aktive (punësim) zvogëlohej. “Kur gruaja mbetet në shtëpi, ajo lind, dhe kështu mbyllet qarku i natalitetit. (...) Aktualisht në Kosovë punojnë përgjysmë më pak gra se në Bosnjë apo Maqedoni, dhe ky dallim është i mjaftueshëm për të shpjeguar dallimet sa i përket shkallës së lindshmërisë”, shkruante Horvat. Ai bënte dhe një krahasim me Shqipërinë: ndonëse ky vend ishte ekonomikisht më dobët i zhvilluar, numri i grave të punësuara në Shqipëri ishte pothuaj tri herë më i madh se në Kosovë. Në vitin 1981 gratë e punësuara në Kosovë lindnin 2.82 fëmijë, të papunësuarat 5.2. “Në kushtet e pasigurisë ekonomike, familja është një lloj enti për sigurim social”, theksonte dr. Branko Horvat.

Dr. Branko Horvat u lind më 1928 në Petrinja afër Sisakut. Studioi ekonomi, filozofi dhe sociologji. Doktoroi dy herë: në Zagreb dhe në Manchester. Studimet postdoktorale i ndoqi në Londër, në Harvard dhe në Massachusetts Institute of Technology (MIT). Ishte themelues dhe drejtor i Institutit të Shkencave Ekonomike në Beograd. Ka qenë këshilltar për çështje ekonomike i kryeministrave të Jugosllavisë, Turqisë dhe Perusë. Ligjëroi, mes të tjerash, analizën dhe teorinë e ekonomisë në këto universitete: në Beograd, Lubjanë, Titograd (Podgorica e sotme), Zagreb, Paris, Cambridge, Yale, Washington dhe në disa universitete të Europës, Amerikës Latine dhe Afrikës. Punimet e tij shkencore u përkthyen në 15 gjuhë. Më 1989 u zgjodh kryetar i UJDI-së, një nisme intelektualësh nga qendrat urbane të Jugosllavisë, e cila synonte transformimin demokratik të Jugosllavisë, angazhohej kundër luftës dhe për të drejta të njeriut. Horvat vdiq në vitin 2003.

3.

Jozef, e ke fituar çmimin! Cilin çmim?

“Tuneli i pëllumbave”, kështu titullohet libri me kujtime i shkrimtarit britanik John le Carré. Memoare që ofrojnë argëtim në nivel të lartë. Ndodhi të përshkruara me ton anekdotik dhe me humor elegant britanik. Po e ndaj këtu një ngjarje që e përshkruan John le Carré. Në vjeshtën e vitit 1987 ai (tok me bashkëshorten) takoi për drekë në një lagje të Londrës Jozef Brodskin, poetin rus në ekzil, ish i burgosur politik në Bashkimin Sovjetik. Siç e përshkruan John le Carré, dreka kishte kaluar më shumë duke pirë duhan dhe uiski Black Label sesa duke ngrënë. Befas para dy shkrimtarëve u shfaq një grua, ishte mikpritësja e Jozef Brodskit në Londër:

“Jozef”, tha ajo pa frymë. “E ke fituar çmimin”.

Heshtje e gjatë; Brodski thith cigaren dhe shikon shtrembër tymin që ngjitet përpjetë. “Cilin çmim?”, mërmërit ai. “Jozef, e ke fituar çmimin “Nobel” për Letërsi”. Menjëherë ai vë dorën para gojës, thua se dëshiron ta pengojë që t’i shpëtojë diçka e keqe. Më shikon sikur po kërkon ndihmë: gruaja ime dhe unë s’kishim haber fare se gjendej në listën e kandidatëve të mundshëm, e lërë më të na shkonte mendja se kjo ishte dita kur do të bëhej i ditur fituesi i çmimit. Andaj, asaj zonjës ia bëra këtë pyetje të pritshme: “Nga e dini ju këtë?” “Po për shkak se tani, o Jozef, reporterët skandinavë gjenden para derës dhe për shkak se po të urojnë dhe duan të intervistojnë, o Jozef”. Titulli i librit në anglisht: The Pigeon Tunnel: Stories from My Life. Në gjermanisht: Der Taubentunnel: Geschichten aus meinem Leben.

4.

Si u vra një gjerman-osman në Gjakovë...

Përkundër të gjitha paralajmërimeve, Karl Detroiti alias Mehmet Ali Pasha shkoi në qytetin e Gjakovës në veriperëndim të Kosovës. Me urdhër të Sulltanit, ai duhej të impononte shkëputjen e trevave kufitare të Perandorisë Osmane dhe dhënien e tyre Malit të Zi, siç ishte vendosur në Kongresin e Berlinit. Një pjesëtar i parisë, shqiptar mysliman, i cili e kishte pranuar në kullën e tij, e dinte se kështu ia kishte nënshkruar vetes dënimin me vdekje, shkruan historiani Oliver Jens Schmitt. Sepse sipas zakonit shqiptar të mikpritjes, i zoti i shtëpisë duhet ta mbrojë mysafirin edhe atëherë kur e hedh poshtë qëndrimin e tij politik. Mijëra luftëtarë rrethuan kullën. Trupat qeveritare osmane e braktisën myslimanin e ri gjerman me arsyetimin se “myslimani nuk hap zjarr ndaj myslimanit”. Të rrethuarit i mori etja dhe i zoti i shtëpisë vrau pëllumba për ta gostitur me gjakun e tyre pashën e rraskapitur. Kulla u mor dhe pasha, i cili iu kundërvu turmës, u vra.