OpEd

Pasojat e sigurisë të fokusimit amerikan te Kina

Mirëpo në Luftën e re të Ftohtë mes SHBA-së dhe Kinës, prioritetet strategjike të Amerikës janë kthyer. Sot, strategjia e sigurisë së SHBA-së dominohet nga kërcënimi i Kinës, dhe Azia Lindore e ka zëvendësuar Evropën si teatri kryesor i garës gjeopolitike përcaktuese të botës. Kurse pasojat e sigurisë së këtij ndryshimi në fokusin e Amerikës po bëhen gjithnjë e të dukshme

Gjatë Luftës së Ftohtë, Evropa ishte prioriteti strategjik i Amerikës. Azia Lindore ishte kryesisht shfaqje anësore. Edhe pse Shtetet e Bashkuara patën luftëra të përgjakshme në Kore dhe Vietnam, ofruan siguri për Japoninë, Korenë Jugore dhe Tajvanin.

Mirëpo në Luftën e re të Ftohtë mes SHBA-së dhe Kinës, prioritetet strategjike të Amerikës janë kthyer. Sot strategjia e sigurisë së SHBA-së dominohet nga kërcënimi i Kinës, dhe Azia Lindore e ka zëvendësuar Evropën si teatri kryesor i garës gjeopolitike përcaktuese të botës. Kurse pasojat e sigurisë së këtij ndryshimi në fokusin e Amerikës po bëhen gjithnjë e të dukshme.

Më së shumti, kundërshtarët e Amerikës po përfitojnë nga preokupimi i saj i saj me Kinën për të testuar vendosmërinë e SHBA-së. Irani, për shembull, ka forcuar pozicionin e tij në negociatat e bllokuara për ringjalljen e Planit të Përbashkët Gjithëpërfshirës, marrëveshja bërthamore e vitit 20215, prej së cilës administrata e presidentit të SHBA-së u tërhoq në vitin 2018. Udhëheqësit iranianë duket se po vënë bast që presidenti Joe Biden do të ngurrojë jashtëzakonisht shumë të përdorë forcën ushtarake dhe të zhytet në një luftë të re të Lindjes së Mesme, kur SHBA-ja po planifikon një konflikt të mundshëm me Ushtrinë Çlirimtare Popullore Kineze.

Kërcënimet aktuale ushtarake të presidentit rus, Vladimir Putin, kundër Ukrainës me sa duket bazohen në llogaritje të ngjashme. Putini beson se tanimë ai ka një dorë shumë më të lirë për të rivendosur ndikimin e Rusisë në fqinjësinë e tij të afërt, ngaqë SHBA-ja nuk mund ta përballojë shpërqendrimin nga fokusi i saj strategjik në Kinë.

Veprimet e fundit nga Irani dhe Rusia ilustrojnë qartë dilemën strategjike të Amerikës. Për të rritur gjasat për një rezultat të favorshëm në Luftën e saj të Ftohtë me Kinën, SHBA-ja duhet të ruajë disiplinën strategjike dhe të largohet nga konfliktet dytësore që mund të devijojnë vëmendjen dhe burimet e saj. Tërheqja e papritur dhe e dështuar e Bidenit nga Afganistani në vitin 2021 nënvizon vendosmërinë e administratës së tij në këtë drejtim.

Mbetet për t’u parë se si do të zhvillohen përplasjet e Amerikës me Iranin dhe Rusinë, por është një bast i sigurt që SHBA-ja herët a vonë do të përballet me teste të ngjashme diku tjetër. Disa fuqi rajonale do të tundohen t’i ngacmojnë fqinjët më të dobët, sepse mendojnë që orientimi i SHBA-së në Azinë Lindore do ta bëjë ndërhyrjen ushtarake amerikane shumë më pak të mundshme.

Sigurisht që fokusi i Amerikës në Kinë do të ndikojë ndryshe në rajone të ndryshme, me më pak ndikim në sigurinë rajonale në Amerikën Latine dhe në Afrikë sesa në Lindjen e Mesme. Në Amerikën Latine dhe Afrikë, politika e SHBA-së në vitet e ardhshme ka të ngjarë të theksojë krizën ekonomike, teknologjike dhe diplomatike me Kinën. Humbës do të jenë vendet ku Kina ka ndikim apo interesa të papërfillshme.

Ndikimi më i madh i sigurisë së zhvendosjes strategjike të SHBA-së në Azinë Lindore do të ndihet në Lindjen e Mesme, rajoni që mbështetet më shumë tek Amerika për nevojat e saj të sigurisë. Sipas të gjitha gjasave, fokusimi në Kinë do të kufizojë në mënyrë dramatike rolin e Amerikës si polic i rajonit. Ndërkohë që SHBA-ja do të vazhdojë të ofrojë armë dhe ndihmë për aleatët dhe partnerët e saj më të rëndësishëm, Lindja e Mesme në tërësi do të duhet të jetojë pa SHBA-në si ofruesin e saj të sigurisë.

Në përgjithësi, nëse SHBA-ja ruan theksin e saj strategjik mbi Kinën, ajo në mënyrë të pashmangshme do të humbasë ndikimin e konsiderueshëm gjeopolitik. Vendet që humbasin lavdinë amerikane do të ndihen më pak të përkushtuar ndaj SHBA-së.

Por zvogëlimi i pozitës globale të Amerikës mund të sjellë gjithashtu përfitime të rëndësishme – si për SHBA-në ashtu edhe për pjesën tjetër të botës. Disiplina strategjike do të bënte që SHBA-ja të ketë më pak gjasa për të zhvilluar luftëra të panevojshme. Ana e errët e unipolaritetit të SHBA-së gjatë pjesës më të madhe të epokës së pas Luftës së Ftohtë ka qenë pamaturia e saj në përdorimin e forcës ushtarake. Sipas Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit Amerikan, në tri dekadat që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, SHBA-ja ka përdorur forcat e saj të armatosura jashtë vendit çdo vit. Në veçanti, ajo ka shpërdoruar një sasi të madhe gjaku dhe thesari në dy luftëra të mëdha në Afganistan dhe Irak.

Deri diku, orientimi i ri gjeopolitik i Amerikës do t'i detyrojë vendet që deri më tani kanë llogaritur në mbrojtjen dhe mbështetjen e SHBA-së, të mësojnë të kujdesen për veten e tyre. Për shembull, disa vende të Lindjes së Mesme kanë kërkuar të rindërtojnë lidhjet dhe të nxisin paqen në përgatitje për shkëputjen amerikane: marrëdhëniet midis disa shteteve të Gjirit dhe Izraelit janë përmirësuar në mënyrë dramatike vitet e fundit.

Në Evropë, "autonomia strategjike" mund të jetë kryesisht retorikë për momentin. Por teksa SHBA-ja ua bën gjithnjë e më të qartë aleatëve të saj evropianë se rajoni është një prioritet dytësor, ata do të duhet ta kthejnë retorikën e tyre në veprim.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, dikur ka pretenduar se SHBA-ja është "kombi i domosdoshëm" në botë. Ky përshkrim ka qenë i vërtetë për pjesën më të madhe të epokës pas Luftës së Ftohtë. Por në epokën e Luftës së Ftohtë SHBA-Kinë, Amerika mund të jetë fuqia e domosdoshme për Azinë Lindore, por jo për rajone të tjera. Derisa ky realitet i ri do të përhapet, pjesa tjetër e botës nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të përshtatet. Kjo mund të çojë në më shumë konflikte ushtarake, por gjithashtu mund të çojë në më shumë paqe.

(Minxin Pei, profesor i qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna, është anëtar i lartë jorezident në Fondin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)