OpEd

Shok terapia

Shumë gjëra janë vendosur dhe janë kultivuar mbrapsht njëzet vjet me radhë. Ky virus i së mbrapshtës ka nevojë për vaksinë, ndërkohë që ne nuk kemi shumë kohë për të pritur që ajo të zbulohet. Ka nevojë për shok terapi. Sa më parë aq më mirë

Janë dy gjëra që i mbaj mend nga nata e fundit e vitit 1998, kur po hynim në 1999-n: e para, se kisha kallje mushkërish e mezi ngopesha frymë, e që ishte rezultat i punës në terren për nëntë muaj pa asnjë ditë pushimi dhe, e dyta, rafali i pakontrolluar i fqinjit zaptues, një polici serb që jetonte në hyrjen bri ndërtesës sonë, në një banesë që e konsideronte të veten. Nuk u ndal derisa nuk i zbrazi dy karikatorë të asaj që besoj të ketë qenë kallashnikov.

Sa herë e kam thënë, dhe e besoj se ashtu do të vazhdoj ta them derisa të më punojë truri – nuk e di se cila është ajo kënaqësi që i bën njerëzit që të bartin armë e të shfrenohen me gjuajtje në ajër. Apo edhe në njerëz. Nuk e di. Dhe mbase nuk do ta kuptoj kurrë.

Të gjitha të tjerat më janë fshirë nga ajo natë. Nuk e di as si e kishim kaluar e as çfarë tjetër kemi mundur t’i dëshironim njëri-tjetrit pos çlirimit. Mbase pesha e rëndë e luftës që na ndrydhte do të ketë ndikuar. Mbase zymtësia dhe pashpresa e asaj që shihja në terren për çdo ditë do të kenë shërbyer si bllokues ndjenjash të tjera. Nuk e di.

* * *

Natën e parë të Vitit të Ri në çlirim e kisha kaluar në rrugë, në një acar që ende e mbaj mend, e pa rrymë në banesë. Për pasojë edhe pa ngrohje. Na thoshin “na i kanë vjedhur stabilimentet në Obiliq” e për këtë arsye nuk kemi rrymë. Me kalimin e kohës nisa të mos e pranoja këtë “arsyetim” si argument të vlefshëm. Nuk jam e sigurt se i kishin vjedhur stabilimentet. Nuk jam e sigurt as që kishin bërë shumë dëm në termocentrale. Puna ka qenë që dikush e kishte marrë lapsin me kohë dhe e kishte kuptuar se termocentralet, në cilindo variant, ishin minierë ari.

Njëzet vjet pas çlirimit, termocentralet vazhdojnë të jenë minierë ari. Janë përdorur e keqpërdorur me vite. Janë eksploatuar nga kush kanë mundur dhe për çfarëdo arsye. Janë kërcënuar me mbyllje, përderisa nuk është investuar në filterat që e kishin amortizuar sado pak ndotjen, e janë bërë shumë e shumë punë për të cilat mbase kurrë nuk do të dimë, porse që disa-disa i kanë pasuruar, e shumicën na kanë lënë duke menduar se problemet tona me rrymë nuk do të përfundojnë kurrë.

* * *

Situata me rrymën që u përkeqësua në muajin e fundit të vitit, i zbuloi dy gjëra për të cilat nuk ka nevojë as për shumë përvojë e as për shumë dije për t’i konstatuar: se kriza energjetike na zë të papërgatitur për shkak se për 20 vjet nuk është kërkuar zgjidhja, por zhvatja dhe se qeveria aktuale ende nuk po mund të dalë prej vorbullës në të cilën është futur në çastin kur e ka marrë pushtetin. Tjetër është të jesh në opozitë me vite, e tjetër ta marrësh pushtetin kur tashmë sistemi i sunduesve të kaluar është ndërtuar në formë piramidale dhe zinxhirore.

Edhe mungesa e përvojës e luan rolin e vet, pa dyshim. Porse kur e mendojmë më gjatë, e shohim se në këta 20 e kusur vjet qeverisjeje, të tillë i kemi pasur krejt kryeministrat e mëparshëm, pavarësisht stazhit politik të cilin kanë llogaritur si bagazh. Është fakt se përvoja fitohet. Ashtu siç fitohet edhe dija për t’i kapërcyer pengesat që i krijojnë rrjetet e merimangave të shtrira në sektorin publik. Krejt këto e kanë një sinonim: kohën. E ne kemi humbur shumë kohë të vlefshme.

* * *

Këtë vit po e përmbylli me një kaos në kokën time.

Dy vjet pandemie, lëre që kanë marrë shumë jetë dhe kanë sëmurë fizikisht shumë njerëz, por edhe na kanë goditur psikikisht të gjithëve.

Patëm menduar se me mbarimin e luftës do të na hiqej frika. Kujt do t’i shkonte në mendje se rreziku do të vinte nga një gjë që as që shihet, porse që mund të shkaktojë kaq shumë dëm. Pas 20 vjetësh, pos një milion problemeve që i kemi për shkak se jemi çfarë jemi, tash duhet shikuar si të luftohet një virus që shumëkënd e ka larguar edhe nga shoqëria e edhe nga zakonet e mëhershme.

Virusi na tjetërsoi dhe na shkaktoi vështirësi shumë të mëdha në përgjithësi. Dhe kur dëgjoj për rritjen ekonomike, sinqerisht ende nuk e kam të qartë se si bëhet që Kosova të ketë rritje ekonomike në kushtet kur papunësia dhe varfëria vazhdojnë të jenë të niveleve alarmante. E pranoj, nuk jam njohëse e ekonomisë dhe nuk i kuptoj mekanizmat që shërbejnë për matjen e rritjes ekonomike ose jo. Porse atë që e shoh dhe e jetoj dita më ditë, nuk mund të më bindin se jeta po na përmirësohet për aq sa proklamohet rritja.

* * *

Po e përmbylli edhe me një dëshirë krejt të natyrshme: që të vihet nën kontroll ky dreq virusi që na çmendi. Natyrisht e di se ne personalisht nuk do të bëjmë gjë për ta ndalur atë, sepse nuk kemi kaçik shkencor për këtë, porse do t’i respektojmë udhëzimet e atyre që dinë më mirë. Nejse, do t’i respektojmë ne që besojmë në shkencën dhe vaksinat.

Do ta shtoja edhe një, në vargun e dëshirave: që ky shtet më në fund të ketë para në qarkullim në formë të rregullt dhe stabile. Pa rrjedhë të parasë, sërish do të sillemi këtu ku jemi qe një dekadë e sa, duke pretenduar se i kemi shumë mirë punët, ndërkohë që mbijetojmë duke ia kompensuar njëri-tjetrit mallin me mall. Si në lashtësi.

E nuk mund ta përfundoj këtë kolumne, pa e shprehur edhe dëshirën e tretë, që pashmangshëm lidhet me politikën, sepse prej saj na varet e gjithë jeta, për fat të keq.

Do të doja që njerëzit që e kanë marrë përgjegjësinë për të qeverisur ta përfundojnë më periudhën e praktikës dhe t’i futen punës seriozisht. Një vit duhet t’u mjaftojë që të kuptojnë se ku kanë hyrë dhe se cilat probleme duhet zgjidhur për të funksionuar. Njëkohësisht, uroj që të zgjohen nga vetëdashuria dhe letargjia, dhe të nisin të bëhen transparentë për punën që kryejnë. Heshtja, fshehja dhe mosdhënia e përgjigjeve nuk i bëjnë aspak më të mirë, sesa pararendësit e tyre në pushtet.

Në vijim, uroj që reforma në arsim të nisë, e me të edhe vetingu në arsim, sepse analfabetizmi ynë është për vajtim. Gjithashtu, uroj që shëndetësia të nisë të përmirësohet bile pak, që të mos detyrohemi të vazhdojmë të kërkojmë ndihmë profesionale jashtë vendit.

Fare në fund, një dëshirë të veçantë: uroj që ta marr më në fund aktgjykimin për një rast, i cili është në procedurë qe tetë vjet e gjysmë, e që e pret vendimin e shkallës së dytë qe gati katër vjet. Nuk do të doja të pensionohesha pa e marrë mu këtë aktgjykim.

* * *

Shumë gjëra janë vendosur dhe janë kultivuar mbrapsht njëzet vjet me radhë. Ky virus i së mbrapshtës ka nevojë për vaksinë, ndërkohë që ne nuk kemi shumë kohë për të pritur që ajo të zbulohet. Ka nevojë për shok terapi. Sa më parë aq më mirë.

Gëzuar!

flaka@koha.net