OpEd

Unaza e pushtetit e Mark Zuckerbergut

Sokrati ishte i prirë të na paralajmëronte që të mos i dorëzoheshim tundimit të unazës magjike, duke treguar pakënaqësitë e Gyges. Sot, me tekno-feudalizmin dhe metaverset e ndryshme zhytëse në tubacion, paralajmërimi i Sokratit është më i nevojshëm se kurrë. Ashtu si në Athinën e lashtë, detyra jonë e ndërlikuar është që të fuqizojmë demosin pa iu nënshtruar joshjes së pushtetit

Na ishte njëherë, në një mbretëri të lashtë të Lidisë, një bari që quhej Gyges, i cili kishte gjetur një unazë magjike qëkur e rrotulloi në gishtin e tij, e bëri atë të padukshëm. Kështu, Gyges hyri i padukshëm në pallatin mbretëror, joshi mbretëreshën, vrau mbretin dhe e emëroi veten sundimtar. Nëse do të zbulonit një unazë të tillë apo ndonjë pajisje që do t’ju jepte fuqi të tepruar, pyeste Sokrati, a do të ishte mençuri ta përdornit për të bërë diçka, apo për të marrë çfarëdo që dëshironi?

Njoftimi i fundit i Mark Zuckerbergut për metaversen digjitale përrallore që pret njerëzimin i jep një rëndësi të re pyetjes së Sokratit: Njerëzit duhet të heqin dorë nga fuqia e tepruar, dhe në veçanti nga çdo pajisje që është e aftë të përmbushë shumë nga dëshirat tona.

A kishte Sokrati të drejtë? A do të hiqnin dorë nga unaza njerëzit e arsyeshëm? A duhet ta bëjnë?

As vetë dishepujt e Sokratit nuk ishin të bindur. Platoni ka raportuar se ata prisnin pothuajse të gjithë të binin pre e tundimit, pak a shumë si Gyges. Mirëpo, a mund të jetë kjo sepse unaza e Gyges nuk ishte mjaft e fuqishme, dhe si rrjedhojë jo aq e frikshme? A mundet që një pajisje shumë më e fuqishme se një unazë që thjesht na bën të padukshëm, të na bëjë të dridhemi vetëm nga mendimi për ta përdorur atë, siç rekomandoi Sokrati? Nëse po, çka do të mund të bënte një pajisje e tillë?

Unaza lejoi Gyges që t’i kalojë kundërshtarët fizikisht, duke hequr kështu disa kufizime që pengonin dëshirat e tij. Mirëpo, teksa padukshmëria e lejoi Gyges t’i vriste rojat e mbretit, nuk ishte as afër largimit të të gjithë pengesave që kishte ai. Po sikur të ishte një vegël, po e quajmë Pajisja e Lirisë, që do ta hiqte çdo kufizim që na ndalon të bëjmë çfarë të duam? Si do të dukej një ekzistencë pa kufizime pasi Pajisja e Lirisë të aktivizohej?

Do të ishim të lirë të fluturonim si zogjtë, të udhëtojmë nëpër galaktika të tjera në një çast dhe të kryejmë të bëmat e përjetuara brenda universeve të projektuara nga krijues të talentuar të videolojërave. Mirëpo, kjo nuk do të mjaftonte. Një nga kufizimet më të ashpra është koha; na detyron të heqim dorë nga leximi i një libri teksa notojmë në det ose shikojmë një shfaqje. Kështu që, për t’i larguar të gjitha pengesat, pajisja jonë teorike e lirisë duhet të lejojë një përvojë të pafundme. Megjithëse, një kufizim përfundimtar, ndoshta më i komplikuari do të mbetej: njerëzit e tjerë.

Kur Jill dëshiron të shkojë në alpinizëm me Jack, mirëpo Jack vdes për një shëtitje romantike rreth plazhit, Jack është kufizimi i Jill dhe anasjelltas. Për t’i çliruar ata nga kufizimet, Pajisja e Lirisë duhet ta lejojë Jill të shkojë në alpinizëm me një Jack të gatshëm teksa ai është duke bërë shëtitje me versionin e saj rreth detit. Do të na linte të gjithëve të banojmë në të njëjtën botë virtuale, por të përjetonim ndryshe ndërveprimet tona të ndërsjella. Do të krijonte jo thjesht një univers lumturie, mirëpo në fakt një multivers kënaqësish të pafundme, të njëkohshme e të mbivendosura. Me fjalë të tjera do të na jepte liri jo vetëm nga mungesa, por edhe nga ajo që njerëzit e tjerë na bëjnë, presin ose duan prej nesh. Me zhdukjen e të gjitha kufizimeve, zgjidhjen e të gjitha dilemave, çrrënjosjen e të gjitha kompromiseve, kënaqësia e pafundme do të ishte në maje të gishtave tanë.

Nuk është e vështirë të imagjinohet Zuckerberg të pështyhet nga mendimi i një pajisje të tillë. Do të ishte versioni i përfundimtar i “metaverse” në të cilën ai kishte thënë se dëshiron të zhytë mbi dy miliardë përdorues. Mund ta imagjinoj atë duke na lejuar të provojmë një kopje kënaqësish për një çast, pa pagesë, aq sa të dëshirojmë më shumë, e në atë moment ai do t’i tarifonte përdoruesit në përputhje me dhuratat. Çdo nanosekondë zhytjeje në këtë multivers do të krijonte kënaqësi të shumta, për të cilat ai do të na ngarkonte vazhdimisht. Jo pa kaluar edhe shumë kohë, kapitalizimi i Metas, e kompanisë që tani zotëron “Facebookun”, do të ishte më e vogël se të gjitha korporatat e tjera së bashku.

Fakti që teknologët tonë janë shumë larg shpikjes së Pajisjes së Lirisë është i parëndësishëm, siç ishte fakti që Unaza e Gyges ishte mitike. Pyetja e Sokratit, e mbështetur në këto dy mjete fantastiko-shkencore, njëra antike e tjetra moderne, mbetet qendrore: A është mençuri të vendosim fuqi të tepruara mbi të tjerët dhe mbi natyrën, vetëm për t’i plotësuar dëshirat tona?

Gjiganti i teknologjisë dhe tregtarët e lirë nuk mendojnë asgjë për këtë: Çfarë nuk shkon më gëzimin? Pse dikush do t’i rezistonte nevojave të njëkohshme që plotësojnë dëshirat më të forta të dikujt? Si është e gabuar për Zuckerberg të fitojë para nga njerëzit që duan të paguajnë për atë çlirimin nga të gjitha kufizimet?

Përgjigja e Sokratit mbetet sot po aq e përshtatshme sa ishte 2.500 vjet më parë. Çmimi që paguani për marrjen e fuqisë së tepërt është një shpirt i çrregullt – një pakënaqësi radikale. Pavarësisht nëse je klient që kërkon kontroll absolut të shqisave tuaja brenda një multiversi të krijuar nga një pajisje, ose Zuckerberg që përpiqet të zotërojë sferën digjitale në të cilën së shpejti do të zhyten miliarda, mjerimi juaj është i garantuar. Një jetë e suksesshme kërkon aftësinë tonë për ta kapërcyer urinë tonë për pushtet. Ai presupozon të kuptuarit se pushteti, në duart e qenieve kontradiktore si na, është thikë e rrezikshme me dy tehe.

Fuqia e tepruar është kundërproduktive, madje edhe vetë-shkatërruese, sepse dëshirojmë ndërveprim me mendjet qe nuk mund t’i kontrollojmë edhe kur vdesim për t’i kontrolluar ato. Kur të tjerët bëjnë atë që ne nuk duam që ata ta bëjnë, ne ndjehemi të zhgënjyer, të zemëruar a të mërzitur. Por në momentin që në mund t’i kontrollojmë ata krejtësisht, pëlqimi i tyre nuk do të na jepte kënaqësi, dhe miratimi i tyre nuk do të rriste vetëvlerësimin tonë.

Të mësosh të vlerësosh se kontrolli është vetëm një iluzion është e vështirë, kur jemi të gatshëm të sakrifikojmë pothuajse gjithçka, të paguajmë çdo çmim, për të kontrolluar të tjerët. Ama, kur ne i ndalojmë të tjerët – Zuckerbergun për shembull – që të na kontrollojë, është një mësim që duhet ta mësojmë.

Sokrati ishte i prirë të na paralajmëronte që të mos i dorëzoheshim tundimit të unazës magjike, duke treguar pakënaqësitë e Gyges. Sot, me tekno-feudalizmin dhe metaverset e ndryshme zhytëse në tubacion, paralajmërimi i Sokratit është më i nevojshëm se kurrë. Ashtu si në Athinën e lashtë, detyra jonë e ndërlikuar është që të fuqizojmë demosin pa iu nënshtruar joshjes së pushtetit.

(Autori, ish-ministër Financash i Greqisë, është lider i partisë MeRA25 dhe profesor ekonomie në Universitetin e Athinës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).