OpEd

Ec e silli vetes!

Vendimet ad hoc, të pamenduara dhe të paanalizuara që merren nga një politikan sot, askush nuk mendon se si do të reflektohen në një periudhë afatmesme apo afatgjate. Qoftë ata që kanë sjellë vendime politike të caktuara në momente të caktuara e qoftë ata që edhe kanë ndërtuar kauza në emër të atyre vendimeve, në momentin kur janë duke qeverisur ato kauza ose harrohen, ose mbeten patate të nxehta në dorën e tyre me të cilat nuk dëshirojnë të merren

Tema rreth “Open Balkan” më tmerron dhe indinjon secilën herë e më shumë. Kjo jo se unë ia mohoj Shqipërisë, me këtë rast, vendimet e saja për veten dhe se si ajo e sheh ardhmërinë e saj apo qasjen politike ndaj nismave të ndryshme politike rajonale. Ajo gjithsesi se mbetet një e drejtë e saj. Mirëpo pjesa që më indinjon është fakti se si bëhet kjo iniciativë, nga kush erdhi ideja dhe nga fakti se si Kosova ftohet në të. Jo si e barabartë apo pas një marrëveshjeje finale me Serbinë, por ashtu heshtazi dhe në mënyrë tinëzake, duke e konsideruar si një çështje ashtu të pazgjidhur të Serbisë, mirëpo ja tash pjesë e një projekti “Open Balkan”.

Në rrethana normale dhe sikur do të kishte ndodhur denacifikimi i Serbisë nga krimet e fundshekullit të kaluar, sikur të kishte ndodhur kërkimfalja, si dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e saj, atëherë pse jo. Pse mos të kishte një mbështetje që edhe Kosova ta përqafonte iniciativën për një proces të tillë.

Argumentet se këtë iniciativë po e përkrahin Amerika apo BE-ja për mua nuk janë shumë bindëse. Fundja, pse të mos e përkrahin ata një proces nëse palët me të vërtetë e dëshirojnë atë, si dhe po qe se kjo patatja e nxehtë e Ballkanit u hiqet atyre nga dora. Nuk pres nga ta se do ta kundërshtojnë për arsyet morale, për të cilat Kosova e kundërshton këtë projekt. Por në të njëjtën kohë nuk pres dhe nuk do të ishte i drejtë as presioni i tyre, qoftë direkt e qoftë indirekt, ndaj Kosovës rreth pranimit të saj për një iniciativë të tillë.

Iniciativa sa i përket Kosovës është përbuzëse.

Edhe një detaj tjetër, i cili më bind që ajo është e tillë, pra përbuzëse, ka të bëjë me takimin e fundit të mbajtur në një restorant në Elbasan midis protagonistëve të “Open Balkan” - Edi Ramës, Aleksandar Vuçiqit dhe Zoran Zaevit. Në oborrin e këtij restoranti gjendej i vendosur edhe busti i Adem Jasharit, për të cilin raportohet se qenka mbuluar me një çarçaf gjatë kësaj vizite dhe takimit të këtyre burrave të shteteve në mënyrë që mysafiri Vuçiq të mos ndihej i fyer.

Kur e analizova mirë e mirë këtë situatë erdha në përfundimin se, me të vërtetë, ai që kishte vendosur ta mbulonte bustin e Adem Jasharit me çarçaf kishte vepruar shumë me të drejtë. Po a kishte pasur më marre sikur Adem Jashari ta shihte këtë maskarallëk para syve të tij, qoftë edhe prej perspektivës së bustit?

Tash mbërrij edhe te disa pyetje të tjera që më lindin po qe se ky raportim ka qenë i vërtetë.

Çfarë kërkojnë bustet e heronjve në oborre restorantesh? A është edhe kjo pjesë e asaj tallavaje koreografie patriotike? Cili kosovar do të mburrej me selfiet apo vizitën bërë këtij restoranti? Unë për vete sigurisht se jo dhe sigurisht se as që do ta vizitoja ndonjëherë.

Cinikët do të thoshin: “Po çfarë flet ore? A nuk ishit pikërisht ju ata që të parët u kujdesët që mos t’i lëndonit ndjenjat e pakicës serbe dhe i mbuluat muralet në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që kjo pakicë të mos prekej nga motivet shqiptare në ato piktura?”. Edhe pas gjithë këtyre viteve, ato ende qëndrojnë të mbuluara.

E shihni se si politika shqiptare bëhet gjithmonë në stilin “Ec e silli vetes!”. Si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.

Vendimet ad hoc, të pamenduara dhe të paanalizuara që merren nga një politikan sot, askush nuk mendon se si do të reflektohen në një periudhë afatmesme apo afatgjate. Qoftë ata që kanë sjellë vendime politike të caktuara në momente të caktuara e qoftë ata që edhe kanë ndërtuar kauza në emër të atyre vendimeve, në momentin kur janë duke qeverisur ato kauza ose harrohen, ose mbeten patate të nxehta në dorën e tyre, me të cilat nuk dëshirojnë të merren.

Dëshiroj që për një moment të bëj një digresion mbi këtë temë, por ajo prapë na sjell tek i njëjti përfundim.

Eshtrat e stërgjyshit tim, Isa Boletini, dy djemve të tij dhe luftëtarëve të tij ishin tërhequr nga varrezat e Podgoricës në vitin 1998 nga ana e dajës tim, Remzi Murati, dhe profesorit të ndjerë Muhamet Shukriu, dhe e gjithë kjo nën mbështetjen dhe dijeninë e presidentit Ibrahim Rugova. Ato pastaj qëndruan të strehuara në oborrin e një xhamie në Mitrovicë dhe për këtë gjë e dinin vetëm tre persona që ia kishin dhënë besën njëri-tjetrit për ta mbajtur këtë fshehtësi deri në kohëra më të mira dhe pas çlirimit të Kosovës.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë ishte iniciativë e presidentit Rugova që eshtrat e Isa Boletinit, si dhe dy djemve të tij të rivarroseshin në Boletin. Por kjo u kundërshtua fuqishëm nga ana e UNMIK-ut dhe KFOR-it dhe kundërshtimi kishte të bënte për pjesëmarrjen e TMK-së në këtë ceremoni, ashtu që të mos ndihej si provokim për palën serbe. Atëherë presidenti Rugova kërkoi që kjo ceremoni të shtyhej për kohëra të tjera, kur do të mund të bëhej dhe organizohej ashtu siç do t’i kishte hije gjeneralit hero të ushtrisë shqiptare dhe nuk pranoi që rivarrimi i Isa Boletinit të kryhej ashtu në heshtje dhe pa nderimet e merituara ushtarake.

I shihni analogjitë e ngjarjeve të ndryshme në hapësirë kohore, por gjithnjë me të njëjtin pretekst – “lëndimin e ndjenjave të pakicës serbe apo ndonjë individi aty”.

Nga fëmijëria ime kujtoj se p.sh. në prezencën e vetëm një fëmije serb ne fëmijët e tjerë e ndërronim gjuhën e komunikimit dhe flisnim në gjuhën serbe vetëm që ai fëmijë të “mos prekej”. Edhe pse gjuhën shqipe edhe fëmijët serbë e kishin lëndë mësimore në shkollë, njëjtë siç ne e kishim gjuhën serbo-kroate. Në rastin tim e kujtoj se kisha edhe shokë nga martesa të përziera me njërin prind shqiptar.

E njëjta sjellje i përcillte edhe më të rriturit. Fundja, ne fëmijët asokohe do ta kemi mësuar këtë nga të rriturit apo jo?

A i bëjmë këto sjellje nga “edukata” jonë si komb, frika e futur në palcë apo thjesht nga nënvlerësimi që ia bëjmë vetes dhe ndjenja e inferioritetit e kalitur në ne.

Këto do të duheshin të ishin tema shkencore për sociologë, psikologë, si dhe filozofë të shumtë në mesin tonë.

Mendoj se gjeneratat e reja vuajnë shumë më pak nga kjo sindromë dhe se sot jemi dëshmitarë se si ata shpërthejnë me sukseset e tyre në lëmenj të ndryshëm dhe mburren me origjinën, si dhe prejardhjen e tyre.

Kujtojini Rita Orën, Dua Lipën, Majlinda Kelmendin, Bebe Rexhën, Distria Krasniqin, Toni Kukën, Ramë Lahajn e të tjerët.

Përvoja në jetë ma ka shpërfaqur një përvojë krejtësisht të kundërt. Me dhjetëra raste kur e vizitoja Gjermaninë apo Francën si turist hasja qoftë në persona të rinj apo më të vjetër që thjesht refuzonin që të më flisnin në gjuhën angleze, ani se fare lehtë e dija se ata edhe po më kuptonin e edhe po e dinin atë gjuhë, por, ja që zgjidhnin me vetëdëshirë të mos komunikonin me atë. Ata aspak nuk e ndienin veten keq pse unë isha një i huaj turist, duke i shpenzuar edhe të hollat e mia aty.

E ne? Ne shkojnë aq larg sa edhe në turizëm mundohemi t’i akomodojmë edhe me muzikën e tyre të zhurmshme deri në kupën e qiellit me të preferuarit e tyre, si Draganat, Svetllanat e Millanat.

Çka do të thoshin cinikët? Ata do të vazhdonin që t’i thonë dhe përsërisin të njëjtat gjëra që i thonë gjithnjë. Se nuk përzihet patriotizmi me art, kulturë, turizëm e me sport.

Epo shpresoj që Edi Rama t'ua ketë bërë muhabetin mysafirëve tamam ashtu siç e duan zakonet tona dhe t’i ketë gostitur mysafirët e tij me një nga specialitetet e spikatura vendore, Elbasan Ta(lla)va.