OpEd

Një kryeministër e katër liderë qeverie

Situata e krijuar me formimin e koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-NISMA dhe rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit do të vënë së paku katër udhëheqës të partive politike në pozita që kërkojnë dëshmim për punën e tyre. Veseli, Haradinaj, Limaj e Simiq, në një qeveri eventuale, secili do të bëjë përpjekje maksimale për ta treguar vetveten, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të rrisë numrin e votave për partitë respektive. Por si do të ndikonte kjo në punën e Qeverisë?

NËSE SIGUROHEN votat e nevojshme në Kuvend, së shpejti Kosova mund të përfundojë me një kryeministër dhe katër pretendues për të udhëhequr punën e Qeverisë.

Situata e krijuar me formimin e koalicionit parazgjedhor PDK-AAK-NISMA dhe rezultati i zgjedhjeve të 11 qershorit do të vënë së paku katër udhëheqës të partive politike në pozita që kërkojnë dëshmim për punën e tyre.

Pra, siç qëndron situata sot, PAN-i, për ta formuar Qeverinë, ka nevojë edhe për votat e Listës Serbe. Mirëpo, Slavko Simiq, bashkë me Kadri Veselin, Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, në një qeveri eventuale - secili do të bëjë përpjekje maksimale për ta treguar vetveten, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme të rrisin numrin e votave për partitë respektive.

Në vetvete, kjo jodomosdoshmërisht se është një çështje negative, ngase mund të sjellë edhe punë dhe angazhim më të madh të Qeverisë së përbashkët. Por në të njëjtën kohë, mund ta bëjë Qeverinë të udhëhiqet nga një kryeministër formal dhe tre të tjerë joformalë - si një veturë me katër timonierë - gjë që do t’ia bënte të pamundur çuarjen deri në fund mandatit katërvjeçar.

KADRI VESELI, në një situatë normale, do të duhej të jepte dorëheqjen nga udhëheqja e partisë, ose së paku të shkonte në opozitë. Nuk ndodh shpesh në analet e politikëbërjes ta gjejmë një shembull kur kryetari i partisë më të madhe politike në vend voton për ta rrëzuar Qeverinë me të cilën është në koalicion, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme me synimin që ta marrë drejtimin e Qeverisë nga partia e dytë; kurse pastaj pa filluar fushata zgjedhore ia dorëzon kandidaturën për kryeministër partisë së katërt në vend dhe e rendit partinë e vet si të tretën pas zgjedhjeve. Shto këtu faktin që këto kanë qenë zgjedhjet e para të tij nga pozita e kryetarit të PDK-së, partisë e cila i ka fituar të gjitha zgjedhjet në Kosovë që nga viti 2007.

Sidoqoftë, se a do të vazhdojë ta udhëheqë Veseli PDK-në ose jo, kjo varet nga ai dhe nga anëtarësia e vetë partisë. Por me PDK-në si pjesë të edhe një koalicioni qeverisës, në të cilën një parti tjetër udhëheq me Qeverinë, zgjedhjet e ardhshme për Veselin do të vijnë në stilin – të jesh apo të mos jesh.

Për këto arsye, Veseli do të bëjë të pamundurën që në një Qeveri eventuale Haradinaj të imponohet si kryesori, duke u mbështetur edhe në pajtimin e dy partnerëve të tjerë të koalicionit parazgjedhor, që ai të jetë bartës i listës.

RAMUSH HARADINAJ, sakaq, me nepsin e tij të pa fshehur për t’u bërë me çdo kusht udhëheqës i Qeverisë së Kosovës, duke thënë se është kandidati më i përshtatshëm për këtë post, legjitimisht ka rritur tepër shumë pritjet e qytetarëve. Vështirë të gjendet dikush, i cili dyshon se vërtet Haradinaj do të përpiqet me mish e me shpirt që të punojë shumë për të mirën e vendit. Mirëpo, siç ndodh zakonisht, sa më të mëdha shpresat, aq më të mëdha mund të jenë edhe zhgënjimet.

Që në fillim të mandatit, janë disa çështje të mëdha që kërkojnë zgjidhje urgjente: demarkacioni, liberalizimi i vizave, Asociacioni... dhe formimi i ushtrisë. Për të gjitha këto, Haradinaj ka qenë i zëshëm dhe premtues, mirëpo, secila nga këto çështje është më e komplikuar se tjetra.

Gjithashtu, Haradinaj ka qenë konsistent në thirrjet e tij për t’i dhënë fund asaj që e ka quajtur “kapje e shtetit nga PDK-ja”. Si do t’i japë përgjigje ai kësaj teme në një Qeveri ku PDK-ja është partneri dyfish më i madh dhe kërkon të ketë dyfish pushtet?!

FATMIR LIMAJ, nga ana tjetër, ka qenë dëmi kolateral i marrëveshjes së Veselit e Haradinajt për ta bërë koalicionin parazgjedhor dhe me shumë mund ia ka dalë që pjesërisht ta sanojë dëmin e situatës së re të krijuar – duke i shpjeguar elektoratit se si brenda natës u ribashkua nga partia me të cilën u nda dhe si të mbetet relevant në skenën e dy partnerëve më të mëdhenj. Mbetjen relevante të NISMA-s në skenën politike të Kosovës do ta ketë barrën më të madhe në legjislaturën e re dhe në një Qeveri eventuale Haradinaj.

Si njëri nga themeluesit e PDK-së dhe partner opozitar i AAK-së, Limaj i njeh mirë si përparësitë, ashtu edhe dobësitë e të dyja partive dhe do ta ketë jetike ta lërë vulën e NISMA-s në Qeveri. Kjo domosdoshmëri pashmangshëm do t’ia imponojë situatën e angazhimit dukshëm më të madh se sa fuqia reale partiake, prej gjashtë deputetësh në Kuvend, por rrjedhimisht do të ngrysë edhe vetullat e Veselit dhe Haradinajt, si “shefa” të koalicionit.

SLAVKO SIMIQ, si lider i subjektit politik me të cilin PAN-i synon ta krijojë Qeverinë, mezi ia doli të fitojë vota të mjaftueshme për vete për të hyrë në Kuvend (hyri vetëm pas rinumërimit të votave). Por ai ka fituar diçka tjetër – betejën e pakompromis që Lista Serbe të jetë përfaqësuesja thuaja absolute e serbëve të Kosovës, e ndikuar drejtpërdrejt nga Qeveria në Beograd. Misioni i tij – ta zbatojë porosinë e Beogradit në Kosovë, jo domosdoshmërisht atë të serbëve të Kosovës.

Nëse Simiq nuk do të jetë i suksesshëm në të qenit emisar i Vuçiqit në Kosovë, atëherë e di se mund ta presë fati i Jablanoviqit e shumë të tjerëve para tij.

Së këndejmi, ai s’do të pranojë të jetë vetëm dekor në Qeverinë e Kosovës.

KY KONSTELACION forcash e ambiciesh do ta bënte veçanërisht sfiduese një qeverisje Haradinaj. Partnerët e koalicionit së paku do të duhej të jenë të sinqertë me vetveten dhe njëri-tjetrin, në mënyrë që ta dinë se këto ambicie do të mundë ose ta forcojnë ose ta dështojnë Qeverinë.

E si forcimi, ashtu edhe dështimi i një Qeverie eventuale Haradinaj – më shumë se vetëm i liderëve të partive në koalicion – do të ishte forcë ose dështim për të gjithë qytetarët e Kosovës.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk