OpEd

Franca, po të dojë, mund të bëjë shumë për Ballkanin

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vendi i të cilit së shpejti merr presidencën e BE-së, ka paralajmëruar një kujdes të veçantë për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Por kjo nuk duhet të kuptohet automatikisht edhe mbështetje e tij për ndonjë përshpejtim të procesit të zgjerimit. Franca nën udhëheqjen e Macronit është bërë ndër shtetet më skeptike ndaj zgjerimit të BE-së. Do të ishte mirë sikur Macroni tash të bëhet mbështetës edhe i integrimit sa më të shpejtë të rajonit në BE. E sidomos do të mund ta dëshmojë këtë duke mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Nëse Franca do, ajo edhe ka mundësi ta bëjë

Në parim, në BE të gjithë janë të barabartë. Pra, secili vend anëtar është i barabartë. Dhe secila gjuhë zyrtare e secilit vend anëtar është edhe një prej gjuhëve zyrtare të BE-së. Dhe në politikat në të cilat vendoset me konsensus, e aty hynë edhe procesi i zgjerimit dhe politika e jashtme, secili shtet e ka mundësinë që të përdorë veton dhe të bllokojë secilin vendim.

Por, ka në BE shtete të cilat janë “më të barabarta se të tjerat”. Shtete, fuqia e të cilave nuk matet me votën në Këshill, as me të drejtën në veto. Janë padyshim dy shtete të cilat në BE e kanë fjalën kryesore. Gjermania dhe Franca. E kur merren vesh mes vete atëherë në BE “as topi nuk e luan!”. Këto dy shtete formojnë edhe të ashtuquajturin “motorin evropian” që lëviz BE-në prej kur ajo është krijuar. Nuk mund të mohohet as ndikimi i disa shteteve të tjera, sidomos të madhësisë së mesme, por të pasura si Holanda, Belgjika, Suedia apo Austria. As shtetet jo aq të pasura, por as të vogla, si Spanja apo Polonia. Por me ndikimin e Francës dhe Gjermanisë nuk mund të matet askush.

Prandaj, kur Franca merr kryesimin e radhës së BE-së shfaqet edhe një interes më i madh sesa kur e ka dikush tjetër këtë kryesim të radhës. Që tash më shumë flitet për Presidencën franceze të BE-së edhe pse ajo e Sllovenisë akoma nuk ka përfunduar formalisht. Pak kush e di se në pjesën e dytë të vitit që vjen, kryesimin e radhës do ta ketë Çekia. Të gjithë flasin për Francën.

Për më tepër, kryesimi i radhës me BE-në përkon edhe me zhvillimin e zgjedhjeve në Francë, e ato do të jenë interesante. Sepse tash ka dy e jo vetëm një kandidat nga e djathta ekstreme, anti-evropiane dhe ksenofobe. Po ashtu, mund të ndodhë që në raundin e dytë në zgjedhje, presidenti i tashëm, Emmanuel Macron, të përballet me ndonjë kundërkandidat nga qendra, e djathtë apo e majtë dhe gjithçka atëherë mund të ndodhë. Prandaj veprimet e presidentit të Francës dhe të administratës së tij në BE do të jenë në përputhje edhe me popullaritetin e atyre veprimeve në opinionin e Francës.

Macroni, por edhe disa paraardhës së tij, e kanë kundërshtuar ekstremin e djathtë. Por në disa raste, si çështja e lëvizjes së lirë në BE dhe zgjerimi i Bashkimit Evropian, janë bërë skeptikë pikërisht nga frika se nga kjo do të përfitojë e djathta ekstreme.

Franca, krahas Holandës, por edhe Danimarkës, Belgjikës e Luksemburgut, tash e një kohë nuk janë “miq të mëdhenj” të zgjerimit të BE-së. Paradoksale duket kjo sjellje, sepse në këto shtete në pushtet janë partitë liberale, ndërsa në Danimarkë ajo socialiste. Por, sa herë kanë pasur mundësi kanë bërë pengesa në procesin e zgjerimit. Sidomos në rastin e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, por edhe në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Vetë Macron ka ditur të thotë edhe publikisht se BE-ja “ka gabuar duke nxituar me zgjerimin – dhe nuk ka bërë sa duhet për funksionimin e brendshëm”. Prandaj, pikërisht me insistimin e Francës janë ndryshuar edhe metodologjitë e procesit negociator. E sa herë që ka ndryshime në procesin e zgjerimit, ai bëhet më i ngadalshëm e jo më i shpejtë. Kështu ky proces ka ngecur shumë.

Është një temë tjetër se sa janë të gatshme, e sa janë vërtet të sinqertë liderët e vendeve të rajonit kur thonë se duan të integrohen në BE. Nuk ka sinqeritet as nga ana e tyre. As në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, as në mbështetje të vlerave evropiane. Por as kur i përmbushin disa kërkesa nuk u mundësohet që të ecin përpara. Kjo shihet më së miri pikërisht në rastin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat edhe pse i kanë përmbushur të gjitha kriteret para disa vitesh, akoma nuk i kanë nisur negociatat.

Gjermania, kur e kishte kryesimin e radhës, nuk ia doli që ta shtyjë nisjen e këtyre negociatave. Gjermania ishte e pafuqishme ndaj bllokadës bullgare. Së paku kështu thanë diplomatët gjermanë. Dikush mund t’u besojë e dikush jo. Sepse as Gjermania nuk ka qenë mike e madhe e zgjerimit të BE-së, ndonëse ka qenë më e kujdesshme, sesa Franca e Holanda që të mos dalë kundër në mënyrë aq të hapur.

Tash e ka radhën Franca, e cila, po të dojë, mund të bëjë shumë për rajonin.

Presidenti i Francës ka dhënë shenja inkurajuese se do të merret me rajonin në mënyrë të duhur. Ai ka paralajmëruar se gjatë Presidencës franceze të BE-së do të organizojë edhe një konferencë për Ballkanin Perëndimor, diku në muajin qershor. “Fqinjësia jonë më e afërt është Ballkani Perëndimor. Në qershor do të organizojmë konferencën për Ballkanin Perëndimor, sepse Ballkani është më shumë se fqinjësi, është në zemër të Evropës. Mjafton të shikohet harta dhe historia jonë”, ka thënë Macron duke përmendur tensionet përmes të cilave po kalon rajoni.

“Historia kthehet nganjëherë edhe në mënyrë tragjike. Prandaj, sot kemi një përgjegjësi të veçantë ndaj Ballkanit Perëndimor. Atje duhet të zbatojmë politikën e angazhimit të ri, por edhe investimeve në mënyrë që të favorizojmë integrimin ekonomik të rajonit, ndihmojmë shkëmbimin e njerëzve, zgjidhim çështjet e pakicave dhe luftojmë kundër ndikimeve dhe manipulimeve që janë pasojë e angazhimit të fuqive që përmes Ballkanit duan ta destabilizojnë Evropën”, ka thënë presidenti i Francës.

Ka paralajmëruar angazhim politik dhe ekonomik në Ballkanin Perëndimor, duke e quajtur atë si “agjendë e vërtetë për sovranitetin e Evropës”. “Nuk mund ta ndërtojmë Evropën në paqe për 50 vjetët e ardhshëm nëse e lëmë Ballkanin Perëndimor në situatën në të cilën është sot”, ka thënë Macron, duke shtuar se duhet ta sqarojmë perspektiven evropiane, të investojmë në rajon, në unitetin e tij dhe të kemi një ambicie të përbashkët për dekadën që vjen.

Por kjo nuk duhet të kuptohet automatikisht edhe mbështetje e tij për ndonjë përshpejtim të procesit të zgjerimit. Franca nën udhëheqjen e Macronit është bërë ndër shtetet më skeptike ndaj zgjerimit të BE-së. Do të ishte mirë sikur Macroni tash të bëhet mbështetës edhe i integrimit sa më të shpejtë të rajonit në BE. E sidomos do të mund ta dëshmojë këtë duke mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën. Nëse Franca do, ajo edhe ka mundësi ta bëjë.

Një herë ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ishte pyetur se “pse Franca mundet të shkelë aq shumë paktin e Stabilitetit fiskal të BE-së pa pasoja”. Përgjigja e tij ishte për dikë skandaloze, por për shumë brutalisht e sinqertë: “Sepse është Francë”.

Një angazhim më i madh i Francës në rajon, krahas Gjermanisë e Italisë, por edhe në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe, do të ndihmonte shumë jo vetëm në uljen e tensioneve, normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, reformat zgjedhore dhe kushtetuese në Bosnjë-Hercegovinë, që janë problemet më të mëdha të rajonit sot, të cilat edhe kërcënojnë paqen. Por, Franca për të luajtur me sukses rolin e saj, duhet të mbështesë edhe nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe liberalizimin e vizave me Kosovën. Sepse ndërtimi i paqes shkon paralelisht me hapat drejt integrimit në BE.