OpEd

Balak, droni ligjor dhe fjala republikane franceze si zgjidhje

BE-ja është para një dileme të lehtë në politikën e vet ndaj Ballkanit Perëndimor: vetëm duhet të ndalë së gërmuari me shpresën se do të dalë nga gropa konceptuale në të cilën është futur

1.

Serbia ka një traditë të mirë në aforizëm, një zhanër jo aq i çmuar letrar, dhe njëri prej më të mirëve në këtë kategori është Aleksandar Balak, i cili me njërin prej krijimeve të tij përshkruan për mua më së miri gjendjen e tanishme që po e kalon ky shtet. Ai thotë:

“Çfarë ka ndodhur, kemi për ta parë. Çfarë do të ndodhë, e kemi të parë”.

Pra, kur thuhet se “çfarë ka ndodhur, kemi për ta parë”, thuhet se Serbia është ende në procesin e definimit, rishkrimit e ribërjes të asaj që ka ndodhur në të kaluarën e saj të afërt, dhe kjo ndodhë në jo pak shoqëri. Në rastin e Serbisë, nevoja për ta përcaktuar të kaluarën sipas shijes së tanishme është evidente me ministrin Vulin dhe insistimin e tij se në Reçak nuk ka ndodhur masakra, apo në listën e gjatë e të përditshme të deklaratave të personaliteteve të ndryshme politike e mediatike se në Srebrenicë nuk ka ndodhur gjenocidi.

Dhe, kur thuhet se “çfarë do të ndodhë, e kemi të parë”, thuhet se Serbia, me narracionin dehumanizues dhe gjuhën e urrejtjes që kanë pushtuar sferën publike, është duke përgatitur atë që kemi parë më herët gjatë viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë: përgatitjen për dhunë, përfshirë edhe luftën, sikundër një regjim autokratik. Këtë të fundit, autokracinë, Serbia e ka tanimë dhe sikur në kohën e Milosheviqit nuk është një imponim diktatorial, por produkt i një konsensusi shoqëror; një shumicë në Serbi beson në politikën e presidentit Vuçiq.

2.

Përballë kësaj gjendjeje në Serbi, BE-ja ka zgjedhur për pothuajse tërë një dhjetëvjeçar të ruajë dy iluzione thelbësore. Një se përderisa ka një relacion integrimi të Serbisë ky shtet do të maturohet dhe do të jetë faktor stabiliteti, madje spirancë stabiliteti në regjion. Dy, se një proces i këtillë do ta transformojë aq Serbinë sa të jetë e gatshme të bëjë dy gjëra në mënyrë simultane: të nënshkruajë marrëveshje normalizimi me Republikën e Kosovës dhe të jetë kështu e gatshme të anëtarësohet në BE. Kjo është quajtur deri tani politikë kondicionaliteti dhe ka shënuar, në fjalorin burokratik të Brukselit, mungesë rezultati. Apo në fjalorin e Ballkanit, ka dështuar.

Serbia nuk është faktor stabiliteti në regjion dhe nuk është rehat as me rendin e ligjin dhe demokracinë brenda vetes. Përgjatë vitit 2021, “dialogu” ka prodhuar si rezultat të vetin më të madh marrëveshjen për letërngjitës në targat automobilistike, një marrëveshje të arritur disa vjet më herët. E, përkundër kësaj, Serbia çeli katër kapituj në negociatat e aderimit me BE-në.

Dhe, përkundër kësaj hapjeje kapitujsh, BE-ja, Serbia dhe të gjithë të tjerët dinë se brenda këtij dhjetëvjetëshi nuk ka anëtarësim në BE të asnjë shteti të Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, se BE-ja nuk ka si ta mbajë atë iluzion të gjallë më me BE-në.

3.

Flluska e iluzioneve për stabilitet tashmë ka shpërthyer prej disa muajve në BeH dhe në fërkimet rituale në Kosovë, posaçërisht në pjesën veriore të saj çdoherë që ka operacione të sigurisë.

Dritat e alarmit janë ndezur në vende që kanë ndjeshmëri më të madhe për çështje të sigurisë, në Mbretërinë e Bashkuar dhe në SHBA. Dhe, Britania e Madhe këtë e ka dëshmuar me emërimin e një gjenerali si të dërguarin e vet të veçantë për Ballkanin Perëndimor. Dërgimi i tij është shenjë se destabilizimi politik ka kaluar tashmë kufijtë e vet dhe ka prekur në çështje të sigurisë evropiane. Madje, duke marrë parasysh pjesëmarrjen e Britanisë së Madhe që nuk është më në BE, ky destabilizim ka prekur sigurinë transatlantike.

Dhe, një mesazh i këtillë është kuptuar në Washington, duke nxjerrë po ashtu në pah një mjet të ri korrigjues të sjelljes, ai i vënies në listë të zezë të individëve të lidhur me krim të organizuar e korrupsion. Një gjë e tillë u përdor rishtas në Kosovë me grupin e njerëzve që lidhen me grupin kriminal të Veselinoviqit, e që në masë të madhe janë shtylla financiare, organizative dhe strukturore e Listës Serbe në Kosovë.

Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të sanksioneve, sepse duke marrë parasysh që krimi i organizuar i Veselinoviqit dhe pjesëmarrja në korrupsion ka mundur të ketë bekimin e politikës së Beogradit, ky veprim nuk ka mundur të zhvillohet pa bekimin dhe bashkëpjesëmarrjen e institucioneve shtetërore të udhëhequra prej partive të ndryshme të shqiptarëve të Kosovës. Rrjedha logjike do të thotë se duhet të ketë zgjerim të listës sanksionuese.

Në analogjinë ushtarake, diplomacia amerikane tashmë ka vendosur një armë të re të “dronëve ligjorë” që godasin caqe të veçanta e të identifikuara të liderëve të rrjeteve kriminale e korruptive të regjionit.

4.

BE-ja është tash para një zgjedhjeje e cila nuk është shumë e vështirë. Është lehtë e kuptueshme që nuk mund të vazhdojë më tutje të gërmojë duke shpresuar se do të dalë nga gropa konceptuale në të cilën është futur. Ideja se vetëm duhet të vazhdohet me më shumë ngulm në procesin negociator të dhjetëvjetëshit të kaluar do t’i sjellë rezultatet e njëjta sikur në atë dhjetëvjetësh.

E në fakt, alternativat e këtij rrugëtimi nuk janë të vështira. Disa elemente të riforcimit të procesit BE-ja i ka në duar të veta, sikur MSA-ja apo përkushtimi për treg të përbashkët regjional të vendeve të Ballkanit perëndimor. Presidenti Macron, i cili do të kryesojë BE-në gjatë gjashtëmujorit të ardhshëm dhe i cili premtoi se do të ketë mbledhje me vendet e Ballkanit Perëndimor në Paris gjatë presidencës, mund ta kurorëzojë këtë me disa marrëveshje të draftuara në procesin e Berlinit, tashmë të mbetura prej vitit të kaluar, e të cilat krijojnë një kornizë të re e të thjeshtë me të cilën regjioni mund të ecë përpara.

Pas dhjetë vjet eksperimentimi me formula dykuptimëshe e të koklavitura, presidenti Macron ka para vetes njërën prej tri fjalëve themeluese të Republikës franceze - egalité - pra barazinë, pra barazinë e të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, që mund ta transformojë regjionin në ritëm e në thellësi të paparë deri më tani.