OpEd

Korrupsioni strategjik i eksportit autoritar

Pos bastionit rus të sigurisë, Beogradi u bë edhe qendra ekonomike rajonale e Kinës. Sot Serbia e Vuçiqit e zëvendësoi “vëllazërinë kineze” dhe “miqësinë sovjetike” të Enver Hoxhës. “Globsec Policy Institute” e nxjerr Serbinë shtetin nën influencën më të madhe ruse dhe kineze. Ndërkaq qytetarët e saj i shohin Rusinë (94%) dhe Kinën (91%) si aleate kryesore, e më së paku i besojnë BE-së (53%).

Diplomacia kreditore kineze, pas asaj të vaksinave, po shtrihet shpejt në së paku tri nga gjashtë shtetet ballkanike. Me kreditë e shpejta miliardëshe infrastrukturore në Serbi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Mal të Zi, këto tri shtete rrëshqitën drejt skllavërisë kreditore të Pekinit. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pjesë e iniciativës kineze “16+1”, ndërkaq Kosova, fatmirësisht, është jashtë ekspansionit të tillë kreditor kinez.

Kreditë kineze “eksportuan” në rajon edhe modelin qeverisës autoritar. “Center for Study of Democracy” konstaton se me kreditë kineze vjen edhe qeverisja pa llogaridhënie. Rrjedhimisht kjo shpie në larje parash dhe kleptokraci institucionale, deri te ajo që ca studiues amerikanë e quajnë korrupsion strategjik, si instrument i strategjive nacionale të Rusisë e Kinës.

Paraja kineze solli edhe autoritarizmin si model qeverisës; e gazi rus putinizmin- si sundim të individit mbi ligjin. Eksporti i deficitit të tyre demokratik dhe të suficitit autokratik ushqeu autoritarët lokalë ballkanikë për të qeverisur me maksimën se çdo gjë ndalohet derisa nuk lejohet nga autoritari; në vend se çdo gjë lejohet derisa nuk ndalohet me ligj.

Kosova, e vetmja në Ballkan mbeti imune nga eksporti i tillë autoritar lindor, si dhe shteti më perëndimor në rajon, i pakushtëzuar as nga vaksinat ruso-kineze, as nga gazi rus e as nga kreditë kineze. Vazhdimi i kursit euroatlantik është interes shtetëror dhe çështje e sigurisë nacionale, përballë zbarkimit rajonal të autoritarizmit që vjen nga Lindja.