OpEd

Amerika duhet të tregohet e çiltër

Një vit i ri, kurdo dhe sido që ta shënojmë, duhet të jetë një rast për të vlerësuar atë hendek me ndershmëri radikale dhe për ta përdorur atë vlerësim për të udhëhequr një angazhim të përtërirë ndaj idealeve të shpallura. Nëse udhëheqësit tanë do ta bënin këtë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të dukej shumë ndryshe

Shtatori shënoi vitin e ri në kalendarin hebraik, vitin e ri shkollor për nxënësit anembanë botës dhe kulmin e diplomacisë, me Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York. Viti i ri shënohet me urime e nisma të reja, të cilat kanë për qëllim t’u japin zgjidhje qëllimeve specifike. Por, derisa individët janë ata që zakonisht merren me jetësimin e tyre, të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe organizatat dhe shtetet-kombe.

Në fakt, ideja e mbarësisë së nisur nga Viti i Ri është një prej pjesëve të fjalimit të 21 shtatorit të presidentit Joe Biden në Asamblenë e Përgjithshme. Shtetet e Bashkuara, tha ai, po hapin “një epokë të re të diplomacisë së pamëshirshme; të përdorimit të fuqisë së ndihmës sonë zhvillimore për të investuar në mënyra të reja të ngritjes së mirëqenies së njerëzve anembanë botës; të ripërtëritjes dhe mbrojtjes së demokracisë”. Ai tha se këto vlera janë “të rrënjosura në ADN-në” e Shteteve të Bashkuara dhe Kombeve të Bashkuara: “Liria, barazia, mundësia dhe bindja në të drejtat universale të të gjithë njerëzve”. Ai foli edhe për respektimin e të drejtave të njeriut, potencialin individual dhe “humanitetin e trashëguar që na bashkon”.

Fjalimi i Bidenit ofroi një mori zgjidhjesh për lidershipin e përtërirë amerikan në botë për çështje të ndryshme, përfshirë kujdesin shëndetësor, ndryshimin klimatik, ndalimin e përhapjes së armatimit bërthamor, antiterrorizmin, parandalimin e konfliktit, zhvillimin e infrastrukturës së brendshme, sigurinë e ushqimit, barazinë dhe antikorrupsionin. Ai e bëri të qartë se këto qëllime do të jetësohen brenda kornizës së universalizmit dhe multilateralizmit.

Por mungonte diçka në fjalim. Zgjidhjet e ofruara nuk mund të bazohen vetëm në vizione të së ardhmes, por edhe në ndershmërinë e së kaluarës. Bideni ka qenë i qartë për shumë prej problemeve më të mëdha me të cilat po përballet bota, dhe ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara, bashkë me aleatët, do të kenë rol prijatar për adresimin e tyre. Por ai është dashur të sinjalizonte heqjen dorë nga e kaluara, duke shprehur gatishmëri më të madhe për të mësuar nga dështimet e fundit të vetë Amerikës.

Për shembull, me ofrimin e 15 milionë dollarëve për reagimin ndaj pandemisë dhe me ndarjen e 160 milionë “dozave të shpresës” për të tjerët, Bideni mund ta pranonte se një e shtata e 4.7 milionë vdekjeve të raportuara globalisht nga pandemia, ishin në Shtetet e Bashkuara. Numri i lartë i rasteve fatale në Shtetet e Bashkuara reflekton paaftësinë e autoriteteve amerikane për luftimin e koronavirusit në pjesën më të madhe të vitit 2020. Ndasitë politike amerikane vazhdojnë të reflektojnë në luftën kundër varianteve të reja të koronavirusit.

Për më tepër, kur Bideni foli për përkushtimin e admirueshëm dhe të çiltër të Bidenit për t’u marrë me ndryshimin klimatik, është dashur ta pranonte se edhe ai kishte një hise të përgjegjësisë për numrin e lartë të rasteve fatale dhe se kishte përgjegjësi për këtë problem.

Kur ai ngriti çështjen e “luftërave të përjetshme” të Amerikës, mund ta pranonte se ato luftëra vranë shumë më shumë civilë se ushtarë në Irak dhe Afganistan. Edhe atëherë kur SHBA-ja po largohej nga Afganistani, operatorët amerikanë me dronë vranë gabimisht një punëtor të ndihmës dhe shtatë fëmijë.

Kur Biden e përshkroi korrupsionin si një "kërcënim për sigurinë kombëtare" që "nxit pabarazinë, zhduk burimet e një kombi, përhapet përtej kufijve dhe gjeneron vuajtje njerëzore", ai mund të ketë shtuar se miliarda dollarët që SHBA derdhën në Afganistan dhe Irak siguruan karburant për vetë korrupsionin që ai dënon. Dhe ai mund të kishte pranuar se qeveria amerikane e dinte qysh në vitin 2011 se sa e korruptuar ishte bërë qeveria afgane, por vendosi të mos ekspozonte apo ndiqte aktorët e këqij.

Arsyeja për të qenë më të sinqertë në lidhje me këto çështje nuk është të zhyteni në të metat dhe dështimet e Amerikës. Përkundrazi, është të njohësh kompleksitetin e problemeve me të cilat Amerika përballet dhe bashkëpunimin e saj në to. Duke e bërë të qartë se SHBA-ja e kupton se sa e vështirë do të jetë për të bërë përparim dhe se shumë do të varet nga ajo që do të ndryshojë sjelljen e vet, Bideni mund të sinjalizojë një qëllim për të shkuar përtej retorikës.

Pas vrasjes së George Floydit nga policia e Minneapolis në maj 2020, shumë kompani dhe institucione amerikane lëshuan deklarata duke dënuar racizmin sistemik, sikur problemi të ishte thjesht “atje”, duke lundruar në shoqëri. Por, derisa shumë njerëz me ngjyrë nxituan të vënë në dukje, trajtimi i problemit kërkon që udhëheqësit të njohin dhe të përballen me racizmin brenda organizatave të tyre. E njëjta logjikë vlen edhe për shtetet-kombe që kanë vënë sytë mbi problemet globale.

Një arsye tjetër për të qenë më të sinqertë është të udhëhiqeni nga “fuqia e shembullit tonë”, siç e tha Bideni në fjalimin e tij inaugurues. Megjithëse fjalimi i tij në Asamblenë e Përgjithshme nuk e përmendi kurrë Kinën dhe hodhi poshtë qartazi çdo qëllim për të kërkuar një Luftë të Ftohtë të re, ajo tërhoqi një vijë të qartë midis demokracive (padyshim të papërsosura) që kërkojnë të mbrojnë vlerat e OKB-së dhe të shteteve autoritare që i shkelin ato sipas dëshirës.

Ajo linjë nuk i ndan vendet plot me njerëz të mirë nga vendet plot njerëz të këqij, ose qeveri të mira nga të këqijat (në fund të fundit, shumë demokraci qeverisen keq, përfshirë në qytete, shtete dhe pjesë të qeverisë federale amerikane). Në vend të kësaj, dallimi është midis vendeve që i janë përkushtuar të drejtave individuale dhe atyre që nuk janë.

Kina, siç e bën të qartë Kushtetuta e saj, është e angazhuar në mënyrë eksplicite ndaj një sistemi socialist, duke vendosur pushtetin dhe pronësinë në një kolektiv të popullit. Megjithatë, në praktikë, ndryshimi kryesor midis vendeve të lira dhe vendeve jo të lira qëndron në aftësinë e njerëzve për të kërkuar llogari nga qeveria e tyre, dhe në këtë mënyrë të ngushtojnë hendekun midis asaj që thonë qeveritë dhe asaj që bëjnë.

Një vit i ri, kurdo dhe sido që ta shënojmë, duhet të jetë një rast për të vlerësuar atë hendek me ndershmëri radikale dhe për ta përdorur atë vlerësim për të udhëhequr një angazhim të përtërirë ndaj idealeve të shpallura. Nëse udhëheqësit tanë do ta bënin këtë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara do të dukej shumë ndryshe.

(Autorja, ish-drejtoreshë e planifikimit politik në Departamentin Amerikan të Shtetit, është drejtoreshë ekzekutive e grupit të pavarur të mendimit, “Amerika e Re”. Është profesoreshë e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Princetonit dhe autore e “Renewal: From Crisis to Transformation in Our Lives, Work, and Politics (Princeton University Press”, 2021). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).