OpEd

Izolimi i Kosovës!

Në një bisedë që ishte zhvilluar në mesin e viteve ‘70 në mes të Henry Kissinger dhe Zhou Enlai (kryeministër i atëhershëm i Kinës), ky i fundit ishte pyetur në lidhje me ndikimin që kishte revolucioni francez në zhvillimet botërore, Enlai ishte përgjigjur duke thënë se “…është shumë herët të dihet”. Kjo përgjigje më kujton si për ironi edhe zhvillimet e fundit politike që nga ndryshimet e zgjedhjeve të 14 shkurtit të këtij viti, ku pritjet e njerëzve ishin stratosferike përderisa realiteti i një implementimi me sukses i të gjitha këtyre pritjeve brenda një mandati qeverisës 4-vjeçar është shumë i vogël, të mos them figurativisht i papërfillshëm.

Pra, nuk është larg mendjes që duke e tërhequr një paralele në mes të asaj se si kinezët e përceptojnë botën dhe zhvillimin e civilizimit të tyre në dekada ose shekuj përpara dhe mënyrës se si i shohim ne gjërat, këtu mendoj unë që kemi një konstrukt të përafërt, pra diçka që na bashkon në mënyrën se si i përceptojmë planet zhvillimore dhe transformimin shoqëror që ka premtuar Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, ose kështu na dikton kjo qeveri, që më tepër i ngjan një qeverie që ka ardh në pushtet jo për të menaxhuar problemet ekonomike e sociale të njerëzve, por më tepër e luan rolin e një lëvizjeje kulturore dhe që më shumë preokupohet me metriksin e depërtimit në mendjen e popullit e të qeverisjes kulturalisht sesa me qeverisjen e problemeve akute socio-ekonomike.

Duket abstrakte?

Veç t’i marrim si shembuj disa nga ngjarjet e fundit, duke filluar që nga mënyra e menaxhimit të situatës me pandeminë e deri te pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në varrime ose edhe fokusimi totalisht i brendshëm i krejt potencialit dhe infrastrukturës shtetërore. Jo edhe gjë e keqe kjo.

Natyrisht që Kosova ka pasur nevojë për një rishikim brenda dhe një qasje tjetër qeverisëse ku njerëzit do të ishin ndier se janë duke u dëgjuar nga qeveria dhe se ata po merren seriozisht. Kjo qasje është dashur të ndodhë vite më parë, por fatkeqësisht njerëzit u këndellën vonë.

Por, megjithatë, preokupimi im ndërlidhet me Kosovën e jashtme, pra me atë Kosovë që si pasojë e stanjacionit në numrin e njohjeve nga vende të tjera, ka ndalur së vepruari, ka ndalur së aktivizuari të gjithë mekanizmat e vet, influencën kulturore, sportive dhe të diasporës për të rigjeneruar një rikthjellje të dytë që nga pavarësia. Këtë e them jo pse duhet të mbetemi kritik të kësaj qeverie ose të politikave të jashtme jokreative vetëm që ta përmbushim një retorikë që nuk ka fund. Por, besoj unë që Kosova po i humb shumë mundësi dhe shansa që mund të jenë edhe të pakthyeshme, sepse nuk duhet gjithnjë të presim që historia të na përsëritet vetëm me të mira dhe që ajo gjithmonë të trokasë në derë në interesin tonë.

Ekonomia me fytyrë nga jashtë

E kushtueshme është nëse Kosova nuk ka strategji binare në mënyrën se si qeveris brenda dhe jashtë. Pra një decentralizim i politikës së jashtme nga qeverisja qëndrore është mëse e domosdoshme dhe urgjente. Të mos mbetemi viktima të mendësisë qeverisëse që aplikon politika vertikale ku viktimë e parë e këtyre politikave mbetet politika e jashtme, si edhe politikat ekonomike në vend. Një koordinim efektiv në mes të Ministrisë së Jashtme dhe asaj të Ekonomisë është mëse i domosdoshëm për të trasuar rrugën e thithjes së investimeve nga jashtë. Kjo do të mund të bëhej me anë të dy inciativave shumë të thjeshta; E para, krijimi i fondit sovran dhe bursës së Kosovës dhe së dyti krijimi i një grupi teknik për politika ekonomike me jashtë që do ti krijonte Kosovës hapësirë për të ndërtuar një rrjet të investitorëve potencialë nga institucione të ndryshme financiare me bazë në Londër dhe New York.

Iniciativat rajonale

Kosova nuk ka llogari të jetë symbyllur dhe e izoluar në rajon. Duhet të mendojmë fort dhe në mënyrë serioze se cila do të ishte strategjia jonë për ta xjerrë vendin nga izolimi i imponuar nga jashtë – sepse si në plan afatshkurtër dhe atë afatgjatë humbës është njeriu i Kosovës, qytetari, biznesi, ekonomia dhe perspektiva e të rinjve tanë. “Open Balkan” si një lojë gjeopolitike e dyshes Rama-Vuçiç u pa qartë se nuk ishte në dobinë e interesave të Kosovës, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalemi së menduari për ide të tjera, përafruese dhe bashkëpunuese në rajon dhe me vendet e rajonit e më tej. Askush nuk do ta kishte penguar Kosovën të krijonte një rrjet bashkëpunimi me vendet si Estonia, Latvia ose Polonia, që kanë nivel të lartë të digjitalizimit të ekonomive të tyre, ose aleancë tregtare me vendet si Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore e Bullgaria.

Prandaj, vetëm pse provokimi me mini-Shengen dhe Open Balkans na preku në nervin e ndjeshëm të dhimbjeve të luftës, nuk do të thotë se ne duhet të ndalemi të mendojmë për një rol aktiv dhe të rëndësishëm në rajon. Kjo për hir të ekonomisë dhe zhvillimit e jo ndonjë nënshtrimi ndaj dikujt tjetër. Duhet të jemi në gjendje që të ndajmë shapin prej sheqerit kur të vjen puna te mënyra se si i përceptojmë prioritetet tona ekonomike. Nacionalizmin në ekonomi duhet ta aplikojmë vetëm atëherë kur sovraniteti i vendit, siguria dhe shëndeti publik i njerëzve tanë janë në rrezik. Si mekanizma të rëndësishëm dislokues kemi tarifat dhe fatmirësisht jemi vend i rrethuar me një reljef me avantazhe dhe kemi mundësi e kapacitete t’i kontrollojmë doganat tona dhe kufinjtë.

Populli si konsumatorë

Kudo kërkoj në indekset e investitorëve, nuk gjej as edhe një të interesuar që të investojë në Kosovë. Është për të ardhur keq, sepse kemi asete me potencial shfrytëzimi e zhvillimi, që do të mund t’i fusnim në funksion strategjik me objektiv thithjen e kapitalit të huaj. Kosova është i rrallë si vend në rajon me potencialin e pashfrytëzuar mineral, njerëzor dhe bankar. Të gjitha këto komponente të shëndetshme të ekonomisë mbeten të pashfrytëzuara, por ka edhe një nivel të madh cinizmi nga qeveria dhe entitete të tjera që i përceptojnë këto potenciale si të vështira për ta sjellë ndonjë pasuri për vendin. Nuk jam dakort! Përkundrazi, një strategji e qartë, e efektshme e bazuar në politika të jashtme që ndërtohen për objektiv tërheqjen e investitorëve nga jashtë do të mund të ndryshonte situatën tërësisht në favor të Kosovës. Pra, transformimi i mendësisë ekonomike në vend nuk duhet të fillojë nga paradigmat emocionalë nacionalistë ose nga ata të kontrollit prej lart-poshtë, por nga interesi i përbashkët i njerëzve të Kosovës dhe sovranitetit të vendit, nga nevojat e konsumatorit, rritjen e mirëqenies në vend, si edhe shtrimit të një rruge të sigurt ekonomike për vendin.

Në tregun e punës qytetari kosovar nuk është më shumë se një konsumator, i njëjti dhe e njejta trajtohen edhe kur ata shkojnë në dyqan, në treg etj. Prandaj atë ditë kur ne fillojmë ta konceptojmë ekonominë si hapësirë që i përbashkon interesat e prodhuesit dhe konsumatorit, nga ai moment ne do të kuptojmë më shumë se çka do të thonë prosperiteti dhe ngritja e nivelit të jetësës. Këto të gjitha nuk do të na i sjellë Amerika ose BE-ja! Këto ndryshime duhet të fillojnë që nga baza dhe Qeveria ka një rol të madh për të luajtur këtu.

Mbase nëse gjithçka shkon mirë, ka gjasa që dikush ta pyetë Albin Kurtin në vitin 2028 se kur Kosova do të ndihet pjesë e rajonit? Përgjigjja do të mund të jetë si e Enlait; ‘akoma është herët’. Po e pritëm atë ditë me këtë mendësi, atëherë vaj halli për ne. Ka ardhë koha me ecë përpara. Ta çajmë izolimin.

(Autori është ish-bankier dhe shkrimtar me banim në Londër)