OpEd

Afganistani gjithmonë kishte të bënte me politikat amerikane

Duke e pasur parasysh qëndrimin aktual amerikan dhe të vërtetat që tani po dalin në shesh, të pranuarit e botës ashtu siç është, mund gjithashtu të dëshmohet të jetë, para së gjithash, zgjuarsi politike

Tani që kaq shumë të vërteta të hidhura për Afganistanin po fliten zëshëm, madje edhe në mediat e mëdha, më lejoni ta shtoj edhe një tjetër: Lufta, që nga fillimi deri në fund, kishte të bënte me politikën – jo në Afganistan, por në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Afganistani gjithmonë ishte një shfaqje anësore. Sipas një të dhëne zyrtare, sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 ishin lansuar nga toka amerikane, nga njerëz që ishin trajnuar në Florida. Shumica e kryerësve të identifikuar ishin sauditë. Lideri i “Al-Qaedas”, Osama bin Laden, kishte krijuar bazën e tij në Afganistan pas largimit nga Sudani; shumë shpejt shkoi tutje në Pakistan, ku qëndroi për pjesën e mbetur të jetës së tij. Sunduesit talebanë të Afganistanit nuk ishin akuzuar për përfshirje në sulmet e 11 shtatorit.

Por, okupimi i 2001-tës ishte i shpejtë dhe qartazi i vendosur. Dhe kësisoj e shpëtoi presidencën e njollosur të George W. Bushit, e cila po dilte në pah mu pas një disfate (largimit të James Jeffordsit nga Vermonti), që u kushtoi republikanëve me kontrollin në Senat. Rejtingu i Bushit u ngjit në më se 90 për qind dhe më pas ra vrullshëm, ndonëse dy shtysa të tjera – pas okupimit të Irakut në marsin e 2003-tës dhe kapjes së Saddam Husseinit në dhjetor – mezi e çuan atë deri në zgjedhjet e vitit 2004.

Votuesit amerikanë nuk janë të vetëm në shpërblimin e fitoreve të shpejta, të lehta dhe jo fort të kushtueshme. Por atyre nuk u pëlqejnë luftërat e gjata dhe të pakuptimta në malet e largëta krejt në anën tjetër të botës. Dhe ata neveriten posaçërisht nga pamjet dhe dëshmitë mbi të vdekurit, të lënduarit, të traumatizuarit dhe të zhgënjyerit. Me meritën e tyre, ky qëndrim duket të mos jetë i ndikuar nga numrat; nëse asgjë tjetër, jetët e ushtarëve amerikanë bëhen më të çmuara dhe humbja e tyre ndihet më thellë, teksa konflikti shuhet dhe numrat e viktimave bien.

Më 2009, presidenti Barack Obama e trashëgoi një luftë afgane prej së cilës nuk kishte se çfarë të përfitonte, por të cilën e mbështeti për një shkak politik: për ta baraspeshuar kundërshtimin e tij për luftën në Irak.

Obama nuk e derivoi pothuajse asnjë përfitim nga vrasja e Bin Ladenit në majin e 2011-s; rejtingu i tij u ngrit vetëm për një muaj. Karta më e fortë e tij ishte që ta mbante Afganistanin larg lajmeve, gjë kjo do të nënkuptonte të mos humbasë derisa është në kërkim të fitoreve gjetkë që bien më shumë në sy – në Libi, Siri dhe Ukrainë. Asnjëra nuk i doli për së mbari.

Pas Obamas, presidenti Donald Trump e kapi vrullin në ngritje të Amerikës kundruall krejt këtyre luftërave të vogla dhe të kahershme. Ç’është e vërteta, Shteti Islamik është shfaqur në kohën e Trumpit. Por, ISIS-i përbënte një cak të lehtë, sidomos nëse dikush nuk bezdiset fort që të shkatërrojë qytete të tëra (Mosulin dhe Rakën) me fuqinë ajrore.

Luftërat e Trumpit, të tilla siç ishin, nuk i sollën atij gjë politikisht dhe ai e dinte këtë.

Andaj, ishte Trumpi ai që e negocioi dorëzimin amerikan në Afganistan, derisa e barti aktin final të mandatit të tij të dytë. Presidenti Joe Biden, i përballur me alternativën e një tjetër përshkallëzimi, zgjodhi ta marrë goditjen dhe t’i zvogëlojë humbjet e tij. Edhe ky, do të mësojmë padyshim, ishte një vendim i bazuar kryesisht në politikë. Nganjëherë, kalkulimet e brendshme politike janë po ashtu gjëja e duhur për t’u bërë.

Por, çfarë tani?

Nga Vietnami deri në Azinë Jugperëndimore e Gjirin Persik, perandoria amerikane është mposhtur, shkërmoqur e shkatërruar po aq thellësisht sa edhe britanikët e francezët në fillimin e viteve ‘60. Në këtë pikë do të nevojitej një provokim larg më shkatërrimtar sesa sulmet e 11 shtatorit për t’i bindur votuesit amerikanë për pak a shumë të njëjtën. Duke supozuar dhe shpresuar se asnjëra nuk do të ndodhë, tani është e mundur që audienca e nxitësve intervencionistë (siç janë kolumnistët Thomas Friedman dhe David Brooks, dhe politikanet Samantha Power e Victoria Nuland, mes shumë të tjerësh) të venitet.

Një nxitës, Michael Rubin nga Instituti i Ndërmarrjeve Amerikane, pretendon se rënia e Afganistanit e paraqet gjithashtu fundin e NATO-s. Tekefundit, argumenton ai, kush beson ende se SHBA-ja duhet të shkojë në luftë për Lituaninë?

Rubini ka të drejtë në këtë punë dhe kjo edhe është gjë e mirë gjithashtu. Vendet e Baltikut – që të gjitha anëtare të Bashkimit Evropian – nuk përballen me ndonjë kërcënim aktual dhe do t’ia dalin goxha mirë pa NATO-n.

Një kalkulim i ngjashëm vlen edhe për Tajvanin – ndaj të cilit SHBA-ja nuk ka ndonjë përkushtim formal ushtarak – dhe mbase edhe për Korenë Jugore, ku ka. Liderët e të dyja këtyre vendeve mund tani t’i përshtatin kalkulimet e tyre politike. Kjo mund të shpjerë në stabilizimin afatgjatë të marrëdhënieve tej ngushticës dhe në shkrirjen e dëshiruar prej kohësh të ndarjes në Gadishullin Korean. Ndërkohë, në Amerikën Latine, Meksika po insiston për një rajon të lirë nga sanksionet dhe të ndërtuar mbi parimin e mosndërhyrjes.

Për vetë Amerikën, ky është momenti i pranimit se fuqia e madhe dhe e kushtueshme ushtarake e vendit më nuk i shërben ndonjë synimi që mund ta justifikojë koston e saj. Kjo është koha që, më në fund, të demobilizohen trupat, të nxirren nga funksionet anijet, të anulohen urdhrat për luftime dhe bombardime dhe të çaktivizohen kokat bërthamore dhe sistemet e tyre lansuese. Ky është momenti për t’i kthyer këto resurse dhe për ta nisur adresimin e kërcënimeve të përnjëmendta me të cilat përballet vendi: sistemi i dobët i shëndetit publik, infrastruktura e kalbur, pabarazia në rritje dhe pasiguria ekonomike, si dhe katastrofa klimatike që kërkon transformim të shkallës së plotë në sektorë të energjisë, transportit dhe ndërtimit.

Gjatë vizitës në Moskë më 2018, një përfaqësues i lartë i Dumës më tha se rimëkëmbja e Rusisë pas rënies së Bashkimit Sovjetik ka nisur me vendimin e 1992-tës për shkurtimin e shpenzimeve ushtarake deri në 75 për qind, për ta hapur kësisoj rrugën për rindërtimin e brendshëm dhe madje krijimin e një force ushtarake që në fakt i përmbush nevojat bashkëkohore të sigurisë të Rusisë. Një moment i ngjashëm ka mbërritur në SHBA. Duke e pasur parasysh qëndrimin aktual amerikan dhe të vërtetat që tani po dalin në shesh, të pranuarit e botës ashtu siç është, mund gjithashtu të dëshmohet të jetë, para së gjithash, zgjuarsi politike.

(James K. Galbraith, një administrues i organizatës Ekonomistët për Paqe dhe Siguri, është kryesues i marrëdhënieve qeveri-biznes në shkollën LBJ për Marrëdhënie Publike në Universitetin e Texasit në Austin. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).