OpEd

Dhjetë leksione të shkurtra afganistanase

Çka bëri Ghani në Kosovë, pse u nevojiten talebanët kinezëve, pse ende vlejnë fjalët e Bismarckut, por jo edhe të Josep Borellit, dhe si treguan shqiptarët me një gjest të natyrshëm se po e ndërtojnë një zonë stabiliteti?

Rënia dramatike e Afganistanit në duart e talebanëve, pas 20 vjetësh administrim ndërkombëtar të SHBA/NATO-s do të shërbejë për shumë spekulime, vlerësime e analiza. Ja dhjetë shënime margjinale që ndoshta mund të hyjnë në punë për një vlerësim të mëtejmë meritor.

1. Ashraf Ghani dhe Kosova

Presidenti i ikur i Afganistanit, Ashraf Ghani, ka qenë në Kosovë dhe gjatë një periudhe para shpalljes së pavarësisë së vendit ka qenë konsulent i dërguar nga një OJQ amerikane për të këshilluar Kosovën se si t’u ikën kurtheve që shfaqen në shtetndërtim. Ekspertiza e tij qe ajo e një antropologu që ka vëzhguar, madje edhe në emër të Bankës Botërore, se si shtetet bëhen të dështuara.

Si komandant suprem, të cilit ushtria prej 350 mijë njerëzish iu zhbë për gjashtë ditë, ka fituar një mësim të dorës së parë për përvojën e shtetit të dështuar. Dhe gjithashtu mësimin e vonuar se të gjitha leksionet e mundshme për të gjitha shtetet e tjera të dështuara nuk të bëjnë ekspert as për ato shtete e aq më pak për shtetin tënd, posaçërisht kur je në krye të atij shteti e jo analist i tij.

2. Kosova dhe Afganistani

Gabimin e Ghanit e kemi përsëritur shumë prej nesh (intervencionistë liberalë) me premisën fillestare se nëse ndërhyrja ndërkombëtare ka krijuar liri, ndërtim institucional dhe në fund shtet të pavarur në Kosovë, këtë do ta bëjë gjithkund, pra në Afganistan, Irak e gjetiu.

Në fakt, Kosova ka qenë dhe mbetet një përjashtim i rrallë. Ndërhyrja ndërkombëtare me sukses e radhës ka qenë në Maqedoninë e Veriut dhe aty NATO-ja ka hyrë në një ambient mirëpritjeje e të përgatitur politikisht (Marrëveshja e Ohrit). Të gjitha ndërhyrjet e tjera të shekullit XXI janë pjesë të një lufte që nuk e ka cakun e qartë (lufta kundër terrorizmit nuk është cak, është përshkrim taktik operacional).

Gabimin e njëjtë do ta përsërisnim nëse përpiqemi të analizojmë ngjashmëritë mes Kosovës dhe Afganistanit; janë dy kontekste krejt të ndryshme historike, kulturore, gjeopolitike.

3. Legaliteti dhe legjitimiteti

Ndërhyrja e NATO-s në Afganistan (prirë nga SHBA-ja), pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 ka pasur legjitimitetin e së drejtës për mbrojtje dhe legalitetin ndërkombëtar në formën e Rezolutës 1386 (2001) të KS të OKB-së. Për më tepër, e në rrjedhë të mëtejme juridike, gjatë njëzet vjetëve të shtetndërtimit Afganistani ka pasur zgjedhje demokratike (apo të pranuara të këtilla) që kanë prodhuar institucionet drejtuese të vendit. Nën ombrellën e këtij legaliteti janë ndërtuar shërbimi civil, ushtria, shoqëria civile etj.

Ushtria e përbërë prej 350 mijë ushtarësh dhe e armatosur deri në dhëmbë nga NATO-ja (në masë të madhe Amerika) u shkri brenda një jave para talebanëve.

Momenti i kthesës qe largimi i SHBA-së. Rrjedhimisht, legjitimiteti i institucioneve të shtetit për popullatën shumicë nuk u pa as nga rezolutat e KS të OKB , as nga zgjedhjet demokratike e as nga Kushtetuta e vendit. Legjitimiteti qe derivuar nga prania amerikane aty dhe në momentin e largimit të amerikanëve u largua edhe legjitimiteti.

Talebanët hynë në Kabul, sepse para këmbëve të tyre u zhbë legjitimiteti i deritanishëm.

4. NATO-ja dhe bajonetat e Bismarckut

NATO-ja ka mësuar pas 20 vjetësh atë që Otto von Bismarck kishte shpallur që në fund të shekullit XIX se “me bajonetat mund të bësh çdo gjë pos të ulesh në to”. Pra, luftërat fitohen me forcë (bajoneta), por nuk është mundur të sundohej vetëm me atë forcë (bajoneta). Dhe kjo u bë evidente në Afganistan, Irak dhe kudo tjetër ku ka pasur ndërhyrje. Në fakt, ndërhyrja më e suksesshme deri tani është ajo ku ka pasur më së paku bajoneta, në Maqedoninë Veriore.

Mësimi i Afganistanit, me skenat e tmerrshme (dhe të turpshme) të njerëzve që largohen në panik prej vendit të tyre, tashmë ka gjasa të shndërrohet në doktrinë, e formuluar në fjalimin e presidentit Biden se SHBA-ja nuk do të çojë ushtarë për të luftuar luftërat e popujve të tjerë.

Kjo do të thotë rikonsiderim serioz i operacioneve jashtë “zonës së përgjegjësisë”, pra jashtë territoreve të vendeve të NATO-s.

5. Kina dhe fundi i qasjes ideologjike

Bashkimi Sovjetik është përpjekur që nga viti 1979-1989 të vendosë, me anë të pranisë së vet ushtarake, një regjim që është i afërt me të. SHBA-ja është përpjekur të vendosë nëpërmjet pranisë së vet ushtarake jo vetëm një regjim të afërt me të, por edhe një sistem (demokracie) që do ta mbajë atë regjim për më gjatë. Që të dyja përpjekjet dështuan.

Tashmë hyn në skenë aktori i madh e i ri gjeopolitik-Kina, fuqia e vetme të cilën talebanët e vizituan para se ta merrnin pushtetin.

Kina ka gjasa t’i japë legjitimitet pushtetit taleban dhe këtë ta bëjë në mënyrën se si e bën me të gjitha shtetet në Azi e Afrikë që kanë resurse natyrore. Kinës nuk i intereson se çfarë sistemi kanë ato shtete, a i respektojnë të drejtat e njeriut apo jo; për Kinën me rëndësi është se a ka kapacitet menaxhues shteti për të mbrojtur të drejtën e eksploatimit të resurseve natyrore.

Pra, Afganistani i ri me një trilion dollarë rezerva të supozuara minerare (përfshirë edhe litiumin, që përdoret për bateri, nga celularët e deri tek ato të automobilave elektrikë) është për Kinën një minierë e cila kërkon administrim, çfarëdo që të garantojë rend e rregull.

6. Kina dhe islami politik

Islami politik i muxhahedinëve u përdor për luftë kundër sovjetikëve. Pastaj u kthye kundër SHBA-së, në formë të talebanëve e strehimit të “Al-Qaedas”.

Nëse Afganistani hyn në sferën e ndikimit kinez, talebanët duhet të japin garanci se nuk do të jenë eksportues të islamit politik, që për Kinën është me rëndësi për shkak të problemit të ujgurëve, popullatës myslimane të cilën shteti po e sheh si problematike për rendin e vet, dhe si të tillë po e përndjek në mënyrë masive.

7. Kthimi në Perëndim

Largimi nga Afganistani në formën e bërë i ka lënë shije të keqe NATO-s. Imazhi i fuqisë më të madhe ushtarake në botë, duke u larguar para njësiteve të mjekroshëve me papuçe e sandale, hap pyetjen themeltare që e kanë para vetes shtetet e Aleancës, e ajo ka të bëjë me dhjetëvjetëshin e tanishëm deri më 2030.

Duke u larguar nga pika më lindore e operacioneve “out of area” (jashtë zonës), vëmendja e NATO-s kthehet më në Perëndim, pra më afër zonës së vet natyrore, euroatlantike. E në të, sipas rishikimit strategjik deri në vitin 2030, “sfida më e thellë gjeopolitike paraqitet nga Rusia”.

Rusia do të përpiqet të mbajë rolin e vet destabilizues, që nga Ukraina deri në Ballkan, duke mbajtur njëkohësisht kështu relevancën, të cilën nuk mund ta bëjë në këmbime tregtare apo të tjera.

8. Ku mbeti euroja në euroatlantike?

Josep Borell, shef i Politikës së Jashtme të BE-së, deklaroi se Afganistani është në udhëkryq dhe se ka ftuar mbledhje urgjente të diplomacive të shteteve anëtare. Këtë e bëri kur talebanët tashmë e kishin marrë Kabulin, pra Afganistani nuk ishte në kurrfarë udhëkryqi - ata ishin pushteti i ri.

Deklarime të njëpasnjëshme të kësaj natyre treguan për një BE që ka aq rol të varfër në politikë të jashtme sa është shndërruar në objekt talljeje të gazetarëve e njohësve të politikës ndërkombëtare.

Kjo e vë BE-në në pyetjen që ia shtron gjithnjë vetes: si të përkthehet fuqia e madhe ekonomike e BE-së në ndikim politik ndërkombëtar?

Dhe përgjigjen për këtë pyetje e kanë diplomatët izraelitë çdoherë kur dikush nga BE-ja ofrohet për të zgjidhur konfliktin e Izraelit me Palestinën: pse nuk e zgjidhni njëherë atë mes Kosovës e Serbisë?

Një BE që është e paaftë të zgjidhë marrëdhënien ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë është gjithsesi larg çfarëdo ndikimi të mundshëm në një ambient kaq të ndërlikuar siç ishte Afganistani.

9. Dobësimi si forcë

Largimi nga Afganistani ka pamjen e dobësisë momentale për NATO-n, por mund të shërbejë si element force nëse shërben për rigrupim, ripërcaktim prioritetesh dhe rivendosje të një vizioni të rolit strategjik.

NATO-ja ka mundësi të zbulojë diçka që ishte evidente edhe para njëzet vjetësh, kur u detyrua t’i hyjë aventurës së Afganistanit; evidente është se forca e NATO-s mund të bëjë ndryshim në zonën e vet euroatlantike shumëfish më shumë sesa në Azinë Qendrore.

Prania e NATO-s në Ballkanin Perëndimor ka krijuar paqe dhe mundësi zhvillimi. Në Maqedoninë Veriore, një prani e lehtë e NATO-s dhe diplomaci e vazhdueshme e ka trasformuar një vend që tashmë kishte filluar luftën qytetare në një vend anëtar të NATO-s me një demokraci funksionale.

NATO-ja e ka tash radhën që të merret me çështjet e mbetura, të konflikteve të papërfunduara në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo është shumëfish më e lehtë se çfarëdo që paramendohet në cilëndo krizë jashtë zonës euroatlantike.

10. Zona stabile e shqiptarëve

Mesazhi të cilin e dhanë tri shtete të Ballkanit Perëndimor, të prirë fillimisht nga Shqipëria, pastaj nga Kosova dhe Maqedonia Veriore, për pranimin e refugjatëve afganë që janë në transit për në rivendosje në SHBA, ishte jo vetëm i duhur në aspektin humanitar nga tri vende që janë ndihmuar nga SHBA-ja e Perëndimi në momentet e veta të krizës. Ishte i duhur edhe si një shenjë e besnikërie ndaj SHBA-së dhe NATO-s në momente të palavdishme e në momente kur aktet e vogla të miqve të vegjël kanë një peshë shumëfish më të madhe.

Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut folën natyrshëm me zërin e një zone stabiliteti, jo vetëm të tri shteteve (dy prej të cilave janë në NATO) , por edhe të një zone në të cilën jeton një shumice shqiptare në Ballkan.