OpEd

Manipulimi demografik i Kinës

Deri më 2035, Kina do të kalojë më keq sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të gjithë parametrat demografikë, edhe në aspektin e rritjes ekonomike. Në fakt, GDP-ja e saj nuk ka gjasa që ta tejkalojë atë të SHBA-së. Liderët e Kinës duhet ta pranojnë këtë fakt – dhe të ndërmarrin hapa strategjikë prapa

Rrallëherë raporti i regjistrimit të popullsisë ka tërhequr aq fort vëmendje sa ai i Kinës, i publikuar këtë fundmaj. Duke e pasur parasysh historikun e gjatë të Kinës në aspektin e lojës me të dhënat demografike, shtyrja njëmujore në publikimin e rezultateve të regjistrimit më 2020 ishte dyshimndjellëse, thënë në versionin më të butë të fjalës. Por ishte ajo që ndodhi pak pas tij, që faktikisht e konfirmoi realitetin e zymtë demografik të Kinës.

Zyrtarisht, gjendja demografike e Kinës nuk jep ndonjë shkas për alarmim: regjistrimi i 2020-s tregoi se popullsia e Kinës ka arritur nivelin e pritur prej 1.41 miliardë banorësh më 2020, dhe vazhdon të rritet. Por megjithëkëtë, një muaj pas publikimit të regjistrimit, autoritetet kineze shpallën zbutjen e rregullave të planifikimit familjar, ashtu që familjet të mund të kenë nga tre fëmijë e jo vetëm dy. Ata tani e kanë avancuar planin më gjithëpërfshirës për nxitjen e shkallës së natalitetit.

Këto veprime politike sugjerojnë se struktura demografike e Kinës qëndron në fakt shumë më keq sesa që autoritetet do të dëshironin të besonim. Ç’është e vërteta, një analizë mbi strukturën e moshës sugjeroi se vendi ka larg më pak qytetarë sesa që i raportoi regjistrimi dhe se popullsia e saj veçse po bie.

Regjistrimet e mëparshme të popullsisë kanë lënë të kuptohet se shkalla e natalitetit në Kinë ka nisur të bjerë nën nivelin e zëvendësimit (përgjithësisht rreth 2.1 fëmijë për një grua) më 1991 – 11 vjet pas zbatimit të politikës me vetëm një fëmijë. Më 2000 dhe 2010, shkalla e natalitetit në Kinë ishte vetëm 1.22 dhe 1.18 respektivisht, por shifrat janë rregulluar në 1.8 dhe 1.63.

Këto rishikime janë bërë në bazë të të dhënave nga regjistrimet e nxënësve në shkolla fillore. Mirëpo të dhënat e tilla janë larg prej të qenit të besueshme. Autoritetet lokale shpesh raportojnë më shumë nxënës sesa që kanë – 20-50 për qind më shumë, në të shumtën e rasteve – me qëllim që të sigurojnë subvencione më të mëdha në arsim. Për shembull, sipas një raporti të CCTV-së, qyteti Jieshou në krahinën Anhui raportoi se ka 51,586 nxënës të shkollës fillore më 2012, kurse numri faktik ishte vetëm 36,234; sipas rregullit i nxori nja 10.63 milionë jenë kinezë (1.63 milionë dollarë) nga fondet shtetërore.

Prandaj, nga viti 2004 deri më 2009, Kina supozohet se pati 104 milionë nxënës të klasave të para. Kjo shifër është konsistente me 105 milionë lindjet që Byroja Kombëtare kineze e Statistikave i raportoi në vitet 1998-2003. Megjithëkëtë, ishin vetëm 84 milionë njerëz të moshave 7 deri 12-vjeçare të regjistruar në sistemin (e detyrueshëm) hukou më 2010, dhe vetëm 86 milionë nxënës të klasave të nënta të regjistruar më 2012-2017.

Kur regjistrimet e popullsisë më 2000 dhe 2010 shpërfaqën se kishte shumë më pak popullatë sesa që pritej, autoritetet i frynë numrat. Për shembull, më 2010, krahina Fujian ishte zbuluar se kishte popullatë 33.29-milionëshe, megjithëse shifrat ishin rishikuar për ta rritur numrin në 36.89 milionë. Por këto ndryshime titullare nuk mundën t’i zhbëjnë të metat në shifra.

Gjykuar nga numri i njerëzve të moshave 0-9-vjeçare në regjistrimin e vitit 2000, mund të konkludohet se më shumë se 39 milionë foshnja më pak janë lindur në vitet 1991-2000 sesa që ishin regjistruar në të dhënat e rishikuara. Në përputhje me këtë, numri i saktë i popullsisë më 2000 mund të ketë qenë më i përafërt me 1.227 miliardë sesa me 1.266 miliarda sa ishin raportuar zyrtarisht.

Regjistrimi i 2020-s është po kaq çorientues. Byroja Kombëtare e Statistikave pretendon se 227 milionë foshnja janë lindur në periudhën midis viteve 2006-2019, ndërsa raporti i regjistrimit tregoi se ishin 241 milionë kinezë të moshave 1-14-vjeçare më 2020. Por kjo do të nënkuptonte se shkalla mesatare e natalitetit në Kinë viteve 2006-16 ishte 1.7-1.8. Duke qenë se Qeveria po zbatonte politika të serta të kontrollimit të popullsisë gjatë asaj periudhe – politika me dy fëmijë ishte zbatuar më 1 janar 2016 – kjo gjë dukej goxha e pamundshme.

Po, pakicat etnike të Kinës ishin përjashtuar nga politika me një fëmijë, kështu që nuk ishte nevoja që të fshiheshin lindjet e tyre. Megjithëkëtë, shkalla e tyre e natalitetit ishte vetëm 1.66 më 2000 dhe 1.47 më 2010. Dhe duke qenë se kinezët priren të jenë më të kamur dhe më mirë të arsimuar, shkalla e tyre e natalitetit do të ishte më e ulët po qe se nuk do t’u nënshtroheshin rregullimeve strikte të planifikimit familjar.

E vërteta është se popullsia e Kinës më 2020 mbase ishte rreth 1.28 miliardë – përafërsisht 130 milionë më pak sesa që u raportua. Kjo e bën Indinë, e jo Kinën, vendin më të populluar të botës.

Natyrisht, regjistrimi i fundit i popullsisë në Kinë si përherë do të jetë në një linjë me të mëparshmit. Zyrtarët nga Byroja Kombëtare e Statistikave dhe komisionet e mëparshme të planifikimit familjar janë prapë përgjegjës për ekzekutimin e regjistrimit dhe ata do të mbahen përgjegjës po qe se të dhënat janë jokonsistente. Mirëpo, duke e pasur parasysh rëndësinë e të dhënave demografike për përparimin e ardhshëm të Kinës, këto shtrembërime i shkaktojnë vendit një dëm serioz.

Sa për siguri, shkalla në rënie e natalitetit është një përfundim i pritur i zhvillimeve, sidomos për përmirësimet në shëndet dhe arsimim. Tajvani, për shembull, ka regjistruar shkallë të natalitetit prej vetëm 1.55 në vitet 1991-2006, dhe 1.09 më 2006-2020. Mirëpo Tajvani është rreth 15 vjet përpara Kinës në aspektin e shëndetit dhe arsimimit, ndërsa Kina veçse po shfaq gatishmëri më të paktë për të pasur fëmijë krahasuar me homologët e tyre në Tajvan.

Diçka tjetër është duke ndodhur në Kinë dhe nuk është vështirë të dallohet se çfarë është. Pas përballjes me politikën strikte me një fëmijë për 36 vjet, dhe me politikën me dy fëmijë pas kësaj, mendimet e qytetarëve kinezë rreth martesës dhe lindjes së fëmijëve kanë ndryshuar theksueshëm. (Shkalla e divorceve në Kinë është sa 1.5 herë ajo e Tajvanit).

Megjithëkëtë, liderët kryesorë në Kinë nuk i kanë kapur ende sfidat demografike me të cilat përballen. Ç’është e vërteta, ata po ndërmarrin hapa për ta nxitur shkallën e natalitetit. Por ata po ashtu duken të bindur me parashikimet e ekonomistëve të shtetit – bazuar në të dhënat zyrtare (të shtrembëruara) – se GDP-ja e Kinës do të vazhdojë që të rritet derisa ta bëjë atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të duket i vogël. Është besimi në rritjen e paepur të Kinës ai që i ka nxitur ata që ta ndjekin ekspansionin strategjik.

Perëndimi, gjithashtu, po bie në këtë narrativë.

Duke i minimizuar sfidat demografike të Kinës, liderët perëndimorë janë duke i tejminimizuar gjasat e saja ekonomike dhe gjeopolitike. Ata e shohin një kuçedër që nxjerr zjarr nga goja, kurse ajo që qëndron përpara tyre është në të vërtetë një hardhucë e sëmurë. Kjo gjë e rrit rrezikun nga keqkalkulimet strategjike në të dyja anët.

Deri më 2035, Kina do të kalojë më keq se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të gjithë parametrat demografikë, edhe në aspektin e rritjes ekonomike. Në fakt, GDP-ja e saj nuk ka gjasa që ta tejkalojë atë të SHBA-së. Liderët e Kinës duhet që ta pranojnë këtë fakt– dhe të ndërmarrin hapa strategjikë prapa.

(Yi Fuxian, shkencëtar i lartë i obstetrikës dhe gjinekologjisë në Universitetin e Wisconsin-Madisonit, është autor i librit “Big Country with an Empty Nest”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin ndërkombëtar të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)