OpEd

Një librezë pa nota

Në shumë shtete të botës, viti shkollor ka përfunduar që prej javësh. Por, në shkollat e sistemit anglez, ai përfundon në javën e dytë të korrikut.

Sot ishte dita e fundit e fëmijëve në “International Braeburn School”. Ata sot do të japin përqafimet përshëndetëse me shokët dhe shoqet, me disa prej tyre edhe përgjithmonë. Sepse, familjet lëvizin nga Nairobi, kthehen në shtetet amë, ose zhvendosen në një vend tjetër për të jetuar e punuar. E tëra varet nga kontratat e punës së prindërve të tyre.

Ani se ndarjet janë të dhimbshme, si për fëmijët ashtu edhe për mësimdhënësit, këta të fundit do të mbesin gjatë në memorien e fëmijëve, për mënyrën se si ua bënë shkollën më të dashur nxënësve. Për mënyrën se si i kushtuan shumë rëndësi edhe edukimit, e jo vetëm arsimimit. Për mënyrën se si synimi i shkollës\mësimdhënësve ishte që gjeneratat e së ardhmes të jenë kureshtarë për dijen, të respektueshëm, të kujdesshëm, principielë, gjithëpërfshirës, e kreativ. Këto formula, i kishin të varura edhe në muret e shkollës kudo.

Këto objektiva ata punonin për t’i arritur duke përdorur metoda konkretizimi, duke i nxitur nxënësit të hulumtojnë edhe jashtë asaj bazës themelore kurrikulare dhe librit, duke I nxitur të jenë kreativ, të nxjerrin vetë esencën e njësive mësimore në projekte hulumtuese. Dhe e tëra kjo bëhej pa i ngarkuar psikikisht nxënësit. Ata bënin punë, pa qenë të shqetësuar se po bëjmë një projekt dhe kjo është punë e madhe (si në shkollat, ku projektet bëhen vetëm një herë gjatë vitit shkollor). Ata bënin përpjekje të gjenin ilustrimet më të mira për projektet e tyre, të gjenin fjalët kyçe dhe sa më sqaruese, të thjeshta, të kuptueshme, e të shkurtra. Kështu, ata hulumtonin dhe i gëzoheshin kësaj pune.

I kushtohej rëndësi e veçantë- gjithpërfshirjes. Në shkollë, nxënësit mësonin të pranojnë tjetrin ashtu siç janë, qofshin edhe shumë më ndryshe. Nxënësit duhet të ishin bashkë në grupe të mësimit, e në lojë ( gjatë qëndrimit tetorësh në shkollë, nxënësit kishin pauza loje disa herë). Kështu, nxënësit mësoheshin të pranojnë si krejt normale, nëse shoku ose shoqja e tyre dukej ndryshe, nëse fliste me zë shumë të ulët, të lartë, apo nuk fliste fare (nxënës që shprehen veç me shkrim). Apo, nëse lëvizte me karrocë. Apo, nëse gjymtyrët te trupit nuk ishin simetrike. Nxënësit ishin nxënës, para mësuesve të gjithë njësoj. Para njëri-tjetrit, të gjithë njësoj. Edhe të veshur ishin njësoj.

Ndërkohë, që mësimdhënësit bënin edhe integrim midis lëndëve. Shpeshherë, ka ishte e lehtë të vërehet se si mësimdhënësi i një lënde ri-sqaronte në një version tjetër njësinë që fëmijët po e shtjellonin në atë kohë, në një lëndë tjetër. Gjatë kohës së mësimit online prindërit do ta vërenin këtë mjeshtëri. Ja vetëm një, prej rasteve të thjeshta që binte shumë në sy: mësimdhënësja e lëndës së matematikës u mësonte nxënësit fjalë të gjuhëve të huaja. Ajo e pati bërë si rregull, që në çdo fillim jave një nxënës të thoshte “mirëmëngjesi” në gjuhën amtare. Dhe pastaj e gjithë klasa e përsëriste atë fjalë. Kjo vazhdonte gjatë gjithë javës. Kështu, nxënës nga vende të ndryshme të botës

(nga afro 80 nacionalitete sa ka shkolla) të mësonin nga shokët se si thuhet “mirëmëngjesi” në italisht, në spanjisht, në kinezisht, në japonisht, në frëngjisht. Ata e mësuan këtë fjalë edhe në SHQIP, përmes vajzës sime. Në fund të vitit, nxënësit e klasave të ulëta marrin një librezë pa nota. Aty ka pikë të arritjeve dhe nivel njohurish. Esenciale është që tek nxënësit të arrihen pritshmëritë që ka shkolla për nivelet e tyre. Ky është niveli i artë.