OpEd

Kush do ta mbajë BE-në të bashkuar pas largimit të Merkelit

Ndarjet brenda BE-së rreth definimit të vlerave po bëhen aq të mëdha, saqë e kanë rrezikuar edhe të ardhmen e saj. Pikërisht në rastet e tilla politikanët si Merkel, me gjakftohtësinë e tyre, por edhe me aftësitë politike, arrinin ta mbanin unitetin e BE-së. Në rrethanat e sotme, sidomos pasi ajo të largohet, nuk duken në horizont liderë si ajo që do ta luajnë këtë rol

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka marrë pjesë në samitin e saj të fundit të Bashkimit Evropian javën që shkoi, së paku në cilësinë e kancelares me mandat të plotë. Mund të ndodhë që ajo të vijë përsëri në Bruksel në vjeshtë, edhe pas zgjedhjeve në Gjermani, derisa të mos formohet qeveria e re që mund të marrë kohë, por ky samit ishte i fundit para zgjedhjeve gjermane, pas të cilave ajo do të largohet nga jeta politike. Dhe ky samit më shumë se cilido më parë dëshmoi se sa i brishtë është uniteti i BE-së, sa të nevojshëm janë liderët siç ishte ajo për të mbajtur një balancë brenda BE-së, e cila do ta ruante edhe unitetin e saj.

Në shesh dolën disa ndasi serioze. E para ishte ideja për të mbajtur një samit të veçantë të BE-së me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Edhe pse kjo ishte ide e vetë zonjës Merkel, së bashku me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, ajo nuk hasi në mirëkuptim te të gjithë liderët në Këshillin Evropian. Disa ishin kundër, sepse kjo mund të dukej si shpërblim për presidentin e Rusisë, Putin, në kohën ku Rusinë nën udhëheqjen e tij, BE-ja dhe NATO-ja e kanë definuar si kërcënim e jo më si partner. Të tjerët mendonin se është ide e mirë, sepse duhej mbajtur kanalet e komunikimit edhe për çështjet rreth të cilave nuk pajtoheshin. Por në politikën e jashtme të BE-së, sa herë që disa shtete kanë qëndrime të ndryshme, BE-ja nuk del me një qëndrim unik. Kështu, Merkel në samitin e saj të fundit u desh të pranonte se ideja e saj dështoi. Kjo u duk sikur humbje e ndikimit të saj në ditët e fundit të karrierës.

Raportet me Rusinë në fakt janë një temë ku nuk mund të thuhet se Merkel dhe Gjermania kishin një qëndrim konsistent dhe të prerë në mbrojtje të vlerave për të cilat angazhohen BE-ja dhe Gjermania. Berlini, Merkel dhe të tjerët nuk kanë hezituar të dënojnë sjelljen e Rusisë shpesh. Por janë kujdesur që kjo asnjëherë të mos shkojë në dëm të Gjermanisë në aspektin ekonomik. Shembull është vazhdimi i projektit të ndërtimit të gazsjellësit “Nord Stream 2”, projekt ruso-gjerman. Për shkak të fuqisë që ka Gjermania në BE, institucionet e BE-së nuk kanë dalë asnjëherë kundër këtij projekti, edhe pse ai qartë është në kundërshtim me prioritetet dhe strategjinë që të ketë një diversitet të burimeve dhe kanaleve të furnizimit, për të zvogëluar varësinë nga Rusia. Ideja që të ketë një samit me presidentin e Rusisë, Putin, pasi një të tillë e pati presidenti amerikan Biden, nuk u pa si ide e mirë. Sepse BE-ja, për dallim nga SHBA-ja, nuk ka pasur fuqi politike t’ia thotë Rusisë atë që vërtetë e mendon. Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ishte shumë i qartë dhe ai tha se nuk do të merrte pjesë në një samit të tillë, pasi Rusia, sipas tij, është fajtore për rrëzimin e avionit me udhëtarë ku vdiqën afro 200 shtetas holandezë.

Merkel pranoi se nuk ka kaluar ideja e saj, por “mirë është që të diskutohet” rreth kësaj teme. Kur as Gjermania e as Franca me qëndrim të përbashkët nuk arrijnë të sigurojnë qëndrim unik për cilëndo temë, kjo dëshmon se sa e ndarë është BE-ja.

Temë tjetër që nxori në shesh ndarjet e rrezikshme ishte sulmi i koordinuar nga ana e shumicës së liderëve të vendeve anëtare ndaj Hungarisë, e cila ditë më parë kishte miratuar ligjin diskriminues ndaj komunitetit LGBT, që disa e panë si ligj diskriminues kundër këtyre qytetarëve që është në kundërshtim me vlerat e BE-së. Kësaj radhe duket se Hungaria e kishte kaluar vijën e kuqe. Kjo bëri që disa liderë, madje të shkojnë aq larg saqë t’i thonë kryeministrit të Hungarisë që të dalë nga BE-ja nëse Hungaria nuk dëshiron t’i respektojë rregullat e përbashkëta. 17 shtete shkruan një letër duke kërkuar masa ndaj Hungarisë, por 10 shtete nuk e mbështetën këtë. Ndarjet brenda BE-së rreth definimit të vlerave po bëhen aq të mëdha, saqë tash e kanë rrezikuar edhe të ardhmen e saj. Pikërisht në rastet e tilla, politikanët si Merkel, me gjakftohtësinë e tyre, por edhe me aftësitë politike, arrinin ta mbanin unitetin e BE-së. Në rrethanat e sotme, sidomos pasi ajo të largohet, nuk duken në horizont liderë si ajo që do ta luajnë këtë rol.

E ndarjet janë rreth vlerave, rreth të drejtave themelore, rreth sundimit të ligjit. Tashmë nuk është e mundur as të ketë pajtim rreth definimit të këtyre vlerave e jo vetëm rreth asaj se kush është duke i respektuar e kush duke i shkelur. Kjo ka bërë që BE-ja tash të duket qesharake kur të tjerëve u kërkon që t’i respektojnë vlerat, të cilat shkelen në mënyrë aq drastike nga vetë disa shtete anëtare të saj. Tash BE-ja e pranon se ka problem që të sigurojë ruajtjen e vlerave mbi të cilat është themeluar. Për fat të keq edhe kjo situatë do të përdoret kundër procesit të zgjerimit, sepse shumica e shteteve problematike janë nga Evropa Lindore që i janë bashkuar BE-së përmes procesit të zgjerimit.

Megjithatë, Merkel shkon me një bagazh të madh të arritjeve në BE në kohën kur ajo ishte kancelare e shtetit kryesor. Largimi i saj lë një zbrazëtirë që do të jetë vështirë ta përmbushë dikush.