OpEd

Kosova në (qorr)sokakun e Jerusalemit

Administrata e Donald Trumpit i ka ngarkuar Kosovës një barrë të rëndë duke e shtyrë Prishtinën të zotohet për hapjen e Ambasadës në Jerusalem. Tani mbetet për të shpresuar që administrata e presidentit Joe Biden do të ndikojë te vendet e mëdha me shumicë myslimane që të mos e bllokojnë Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Reagimet e Turqisë kundër Kosovës janë të padrejta, por po aq të padrejta janë edhe shfryrjet cinike të disa zërave publikë në Kosovë në stilin: "Ç'na duhet Turqia, tani kemi Izraelin". Sikur po harrohet sa ka ndihmuar Ankaraja në sigurimin e njohjeve të Kosovës.

Është jashtëzakonisht mirë që Izraeli e ka pranuar Kosovën e pavarur. Kjo është e padiskutueshme! Por me presionin që të vendoset Ambasada e Kosovës në Jerusalem, administrata e Donald Trumpit ia ka vënë Kosovës një barrë tepër të rëndë mbi qafë. Jo për shkak se Kosova duhet të marrë parasysh në radhë të parë ndjeshmëritë palestineze, sepse politikanët palestinezë janë treguar tej mase të verbër ndaj çështjes së Kosovës dhe ithtarë të politikave hegjemoniste serbe ndaj Kosovës.

Barra për Kosovën është e rëndë për shkak të kontekstit ndërkombëtar. Bashkimi Europian është unik sa i përket mospranimit të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit pa u arritur një marrëveshje për paqe mes Izraelit dhe palës palestineze. Pastaj janë rreth 60 shtete myslimane, të cilat mund të bëhen bllok dhe të pengojnë Kosovën në aspiratat e saj për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Për një shtet si Kosova që synon të hyjë në OKB nuk është reklamë e mirë nëse paraprakisht shkel rezolutat përkatëse të OKB-së lidhur me konfliktin në Lindjen e Afërt.

Reagimet e palës turke pas hapjes së Ambasadës së Kosovës në Jerusalem sigurisht që janë të pamatura, të tepërta sa i përket tonit aspak jodiplomatik. Ankaraja dhe diplomatët e presidentit Rexhep Taip Erdoan e dinë saktë se në çfarë rrethanash të presionit Kosova e ka pranuar kushtin për njohje nga Izraeli. Rrethanat i detyrojnë shumë shtete të ndryshojë qëndrime, për shembull Turqia këto ditë po përpiqet të normalizojë raportet me Egjiptin pas një periudhe acarimi 7-vjeçar.

Në Kosovë, aty-këtu, shihen reagime arrogante e fyese kundër Turqisë pas deklaratave të fundit nga Ankaraja lidhur me Ambasadën e Kosovës në Jerusalem. Nga këto reagime kosovare jehon shfryrja cinike: "Ç'na duhet Turqia, tani kemi Izraelin". Ky është mentalitet i prapambeturisë së atyre që mendojnë se raportet ndërkombëtare mbahen sipas tekeve dhe interesave të çastit. Kështu mund të argumentojnë vetëm ata që s'shohin përtej hundës së tyre dhe hall të vetëm kanë ledhatimin e egos. Pa marrë parasysh zhvillimet negative në Turqi viteve të fundit, nuk duhet harruar se Ankaraja ka ndihmuar që Kosovën ta pranojnë Senegali, Brunei, vendet e Gjirit Persik, Pakistani, Bangladeshi...

Mbetet të shihet nëse Izraeli do të jetë i gatshëm dhe në gjendje të ofrojë ndonjë mbështetje për Kosovën në arenën ndërkombëtare. Ata pak diplomatë seriozë që i ka Kosova duhet të koncentrohen në bindjen e SHBA-ve që t'ua shpjegojnë vendeve të mëdha arabe dhe Turqisë se në çfarë rrethanash Kosova e ka pranuar vendosjen e ambasadës në Jerusalem. Është e vërtetë që Joe Biden ka thënë se nuk do ta anulojë vendimin e paraardhësit të tij për vendosjen e ambasadës amerikane në Jerusalem. Por gjithashtu është me rëndësi të dihet se raporti mes Bidenit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu është i acaruar ngase ky i fundit në mënyrë të hapur ka përkrahur çdo marrëzi të Trumpit. Këtë demokratët në SHBA nuk e kanë harruar. Andaj Biden bisedoi në telefon me Netanjahun tek 4 javë pasi hyri në Shtëpinë e Bardhë. Diçka e tillë s'ka ndodhur në historinë e raporteve mes Washingtonit dhe Tel Avivit.

Krekosja e politikanëve të Kosovës dhe diplomatëve mendjelehtë me njohjen nga Izraeli (thua se kjo ishte meritë e palës kosovare), pompoziteti që e shoqëroi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, polemikat e nivelit të kafehaneve në skenën politike të Kosovës lidhur me Ambasadën në Jerusalem, tregojnë, sërish, mungesën e seriozitetit elementar të Prishtinës zyrtare. Tashmë është e qartë që Kosova s'mund të tërhiqet nga vendimi për hapjen e Ambasadës në Jerusalem, por këtij vendimi është dashur t'i paraprijë në debat i gjerë mes forcave politike. Kjo nuk ndodhi, vendimet i mori një qeveri pa legjitimitet dhe me arrogancë të madhe. Fatkeqësisht në politikën e jashtme të Kosovës ngaherë ka depërtuar helmi i politikës së brendshme. Në këtë amulli pothuaj secili bëhet edhe ekspert i Lindjes së Afërt, i gjeostrategjisë dhe i cilësisë së portokajve nga qyteti izraelit i Jaffas. Dikush dëshiron t'ia tregojë "gishtin e mesëm" Europës, tjetri të vrapojë "pas të fortit", por pa menduar fare se bota është pak më e komplikuar se ç'mund të duket nga ndonjë cep i Prishtinës.