OpEd

Komisionferri zgjedhor

Përndryshe, ndoshta është mirë që ne si votues të përzgjedhim vetëm partitë tona të preferuara e komisionerët pastaj e bëjnë përzgjedhjen e deputetëve si në ankand publik. Hyn ai/ajo i cili/e cila paguan më së shumti. Në këtë mënyrë edhe ne si popull ishim bindur se cili na qenka ai deputet që me aq padurim pret që të merret me përditshmërinë e problemeve tona, me të cilat ne ballafaqohemi dhe që gjithashtu është i gatshëm që t’i paguajë paratë e veta për atë gjë. Aty do ta shihnim sakrificën e vërtetë, si dhe kush e sheh dhe e dëshiron atë pozitë me vullnet dhe hakikatllëk

Edhe pse asnjëherë më parë gjatë jetës sime nuk kam përjetuar ditët më monotone dhe që janë aq rutinore sa nuk ka ku të shkojë më shumë, në të njëjtën kohë asnjëherë më parë një javë nuk më kalon aq shpejt sikur tash në këtë kohë.

Në Mbretërinë e Bashkuar hapja nga karantinimi ka filluar që të bëhet në mënyrë graduale. Fillimisht në këtë javë u hapën shkollat fillore dhe ato të mesmet. Muajin tjetër hapen shërbimet e gastronomisë, mirëpo fillimisht vetëm për shërbimin në tavolinat të cilat mund t’i kenë jashtë, e më pas muajin tjetër, në maj, pritet që ato të hapen edhe brenda, mirëpo me rregullat e mëparshme maksimum 6 persona në një tavolinë dhe që ata të jenë nga e njëjta shtëpi. Në fund të qershorit parashihen që të gjitha masat e distancimit social të largohen nëse numrat e të infektuarve dhe të vdekjeve nga Covid-19 vazhdojnë me trendin e rënies, të cilën është duke e shënuar javëve të fundit.

Gjithë këtë situatë gjithashtu e ndihmon edhe vaksinimi i popullatës, i cili tashmë e ka arritur numrin prej 21 milionë banorëve dhe vazhdon me të njëjtin temp si nga dita kur u organizua që t’i jepej popullatës.

Kjo është gjendja faktike në terren këtu sa i përket pandemisë.

Mirëpo si qëndron situata me pandeminë në Kosovë? Atje Covidi është duke bërë dasmë tash edhe pas gjithë atyre tubimeve partiake parazgjedhore e po ashtu edhe me të gjitha restorantet dhe kafenetë e hapura dhe tollovitë të cilat rëndom bëhen në to, e shto këtu edhe mosdisiplinën tonë, terreni për një parajsë për Covidin i gatshëm. Për vaksinat mos të diskutojmë fare, ende asnjë nuk është arritur që të administrohet nga ana e Qeverisë në largim. Për të kurorëzuar këtë fatkeqësi edhe vaksinat, të cilat do të duheshin që t’i jepeshin Kosovës nga projekti i quajtur “Covax” e që parasheh disa dhjetëra mijëra vaksina të “AstraZenecas”, është donacion për Kosovën. Tashmë 5 shtete të BE-së e kanë pezulluar këtë lloj vaksine për shkak të dyshimeve se ajo mund të jetë shkaktare e koagulimit të gjakut tek pacientët të cilëve u administrohet kjo lloj vaksine.

Kabllogramet diplomatike janë në pritjen e lajmit të 14 marsit, kur Kuvendi i LDK-së do të përzgjedhë kryetarin e ri të kësaj partie. Deri më tani janë paraqitur 4 pretendues në kandidaturën e tyre për t’i prirë kësaj partie. Ata janë: Anton Çuni, Lumir Abdixhiku, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa. Së paku këta janë emrat të cilët e kanë bërë publike kandidaturën e tyre. Nuk do të thotë që deri më datë 14 mars gjatë rrugës. LDK-ja është në një udhëkryq të madh në raport me elektoratin e saj, si dhe me rrugëtimin e saj të mëtutjeshëm si parti politike. Ndërrimeve kozmetike nuk do të mund që t’u ndihmojë asgjë në rënien e lirë, të cilën është duke e përjetuar sikur parti. Mirëpo neve na mbetet që të presim vendimin dhe përzgjedhjen e Kuvendit të LDK-së për kryetarin e tyre të radhës e më pas mund edhe t’i diskutojmë pritjet, sfidat dhe rrugëtimin të cilin mund ta ketë LDK-ja me kryetarin e saj të ri.

Në periudhën paszgjedhore, kur të gjitha votat u numëruan dhe pak a shumë u sqarua çdo gjë, na dalin në shesh problematikat e reja e që respektivisht janë të vjetra dhe kanë qenë pjesë përbërëse e secilave zgjedhje të mbajtura në Kosovën e pasluftës. Bëhet fjalë për vjedhjen dhe tjetërsimin e votës brenda llojit. Këtu nuk bën përjashtim asnjëra parti. Se a ka ndodhur ky tjetërsim i vullnetit të votuesve me dijeninë e kandidatëve për deputet apo pa dijeninë e tyre pak ka rëndësi ajo punë. Ajo çka është e rëndësishme në këtë fazë, është që kryerësit e veprës të identifikohen të gjithë si dhe komplet zinxhiri mbrapa tyre (nëse ka pasur të tillë). Mirëpo identifikimi i tyre si dhe rinumërimi i votave do të ishte një punë e kotë nëse ndaj keqbërësve nuk ndërmerren masat ndëshkuese ligjore. Fillimisht personave të tillë do t’ua ndaloja përjetësisht çfarëdo angazhimi në të ardhmen në kuadër të KQZ-së dhe sistemit zgjedhor në Kosovë, ndalimin në punësim në çfarëdo institucioni apo organi publik, e edhe dënimin me burg po ashtu, ashtu siç edhe parashihet me sanksionimin ligjor një aktivitet i tillë kriminal.

Nuk dëshiroj që të merrem me asnjë emër të përveçëm, mirëpo mendoj se kësaj dukurie duhet ardhur ky fundi i dhimbshëm dhe i cili nuk ka se si ta ketë një epilog tjetër. Shtetbërja dhe demokracia e kanë çmimin e tyre, ato nuk ndërtohen për sy e vetulla të bukura e as nuk ndodh vetvetiu dhe të pikë nga pema. Rrugëtimi përfshin sfida dhe sakrifica e vota e sovranit duhet të mbetet e shenjtë.

Si mundet një komisionferr zgjedhor t'ia japë vetes atë liri për t’i tjetërsuar vullnetet e votuesve. Qofshin ato votat e rregullta vendore atje në Kosovë, qofshin ato votat me kusht apo votat e arritura me postë. Këtu përgjegjësia bëhet aq më e madhe nëse këto tjetërsime të votave janë bërë me dijeninë e kandidatëve për deputetë apo largqoftë me porosinë e tyre!

Nuk dëshiroj që ta mendoj atë gjë, mirëpo kujt do t’i nevojitej një deputet i tillë dhe çka dhe kë ai në fakt e përfaqëson në Kuvend? Si do të mund që i njëjti ta ushtrojë rolin e dikujt, i cili sjell dhe miraton ligje për mbarë shoqërinë dhe shtetin. Jo, unë nuk i dëshiroj përfaqësuesit e tillë në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe aq më bën se cilës parti ata i përkasin.

Qoftë vetëm nëse një deputet është konfirmuar se i ka tjetërsuar votat (vjedhur) nëpërmjet rolit të dyshimtë të ndonjë komisionferri, atëherë jam i pajtimit me kërkesën e AAK-së për rinumërimin e të gjitha votave të kandidatëve në kuadër të partive. Mirëpo, kjo vetëm me një kusht.

Që të gjithë komisionerët dhe deputetët e dëshmuar për implikim në këtë krim do të duhej që të dënoheshin konform ligjit në fuqi, përndryshe vetëm një rinumërim i plotë pa kurrfarë pasojash për keqbërësit mendoj që do të ishte mesazhi më i gabuar, të cilin demokracia e shoqërisë kosovare do të mund që ta dërgonte për momentin.

E mendoja, ishte hera e parë që po votoja. Sa e vështirë ishte të vendosja për 5 kandidatët e mi të preferuar, të cilët do të dëshiroja që t’i shihja si pjesë e një legjislativi të ri e duke mos iu hyrë në hak edhe shumë deputetëve të tjerë të merituar për të qenë pjesë e Kuvendit. Zgjedhjen time e kam bazuar në punën e tyre të dëshmuar të deritashme, si dhe në parimet e palëkundura. Unë votova 5 gra. Katër nga to veçse do të jenë pjesë e legjislativit të ri. E përveç kësaj, ishte edhe e tërë ajo sfidë e panevojshme dhe e komplikuar e votimit me anë të postës. Procedura të ndërlikuara, koha, mundi, paratë, si dhe asnjë garanci se vota jote edhe do të merrej parasysh për teke të ndryshme të KQZ-së. Edhe votuesi vendor në atë ditë të ftohtë nën acar e akull u detyrua që të dilte dhe ta shfaqte vullnetin për të përzgjedhurit e tij të preferuar. Secili votues i kishte sfidën dhe dilemat e tij ndoshta deri në minutat e fundit se kë do të duhej votuar.

Dhe çka ndodh? Del atje ndonjë komisionferr zgjedhor dhe qoftë me porosi, trysni apo blerje t’i ndërron ty vullnetin dhe mundin sa çel e mëshel sytë. E jo për besë kështu nuk bën. Ndoshta edhe po bojka, por ja që do të duhej të kishte pasoja për atë gjë. E në të ardhmen kujtdo që vetëm edhe do t’i shkonte mendja qoftë edhe në ëndërr për një ndërmarrje të tillë, do të mendoheshe dy herë.

Përndryshe, ndoshta është mirë që ne si votues të përzgjedhim vetëm partitë tona të preferuara e komisionerët pastaj e bëjnë përzgjedhjen e deputetëve si në ankand publik.

Hyn ai/ajo i cili/e cila paguan më së shumti. Në këtë mënyrë edhe ne si popull ishim bindur se cili na qenka ai deputet, i cili me aq padurim pret që të merret me përditshmërinë e problemeve tona me të cilat ne ballafaqohemi dhe që gjithashtu është i gatshëm që t’i paguajë paratë e veta për atë gjë.

Aty do ta shihnim sakrificën e vërtetë, si dhe kush e sheh dhe e dëshiron atë pozitë me vullnet dhe hakikatllëk.