OpEd

Pse populizmi trumpian dështoi

Mbijetesa e demokracisë kërkon që si shteti ashtu edhe shoqëria të jenë të forta dhe ta baraspeshojnë njëra-tjetrën. Ruajtja e kësaj baraspeshe kërkon përpjekje të vazhdueshme. Tekefundit, ajo gjeneron kapacitet më të madh shtetëror për jetësimin e asaj që qytetarët duan dhe e trimëron mobilizimin më të madh shoqëror për monitorimin e këtij kapaciteti. Ky është korridori në të cilin Trumpi nuk mund të funksionojë. Është gjithashtu, le të shpresojmë, vendi ku të gjithë shkatërruesit aspirues të demokracisë në fund të fundit do të dështojnë

Ani pse kushdo që e ka shikuar spektaklin mund ta ketë të vështirë të besojë, por gjykimi i paradokohshëm dhe i dytë i impiçmentit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, në Senat ka sugjeruar se demokracia amerikane vazhdon të jetë e fortë.

Katër vjetët e shpërfilljes bombastike dhe flagrante të Trumpit ndaj faktikes dhe procedurës kanë minuar besimin në qëndrueshmërinë e sistemit politik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por proceset e impiçmentit duket se kanë riafirmuar qëndresën e institucioneve demokratike të vendit.

Administrata Trump ka shkundur Amerikën, duke i mohuar vazhdimisht këto institucione, në atë që kulmoi me pushtimin e 6 janarit në Capitol, prej anës së mbështetësve të thirrur nga Trumpi. Nën presidentin Joe Biden mbizotëron ndjenja se një themel i ngurtë është rivendosur.

Ç’është e vërteta, demokracia amerikane mbetet e brishtë, jo vetëm ngase shumë amerikanëve u mungon përkushtimi karshi institucioneve demokratike. Derisa Trumpi kishte punuar për deinstitucionalizimin e Amerikës dhe për pasurimin e vetes derisa ishte në detyrë, Partia Republikane rrinte duarkryq apo në disa raste duartrokiste, duke ia hapur rrugën kryengritjes. Shumë amerikanë dhe një grumbull i konsiderueshëm i elitës politike ishin të vullnetshëm ta shihnin rrënimin e demokracisë së SHBA-së – një përshtypje kjo, të cilën të gjithë republikanët, pos shtatë syresh, e rifuqizuan kur votuan që Senati ta shfajësonte Trumpin në shkurt.

S’do mend, ani pse gjykimi në Senat i Trumpit nuk e gjeneroi shumicën e nevojshme prej dy të tretash për dënimin e tij rreth nxitjes së kryengritjes së 6 janarit, përpjekja e tij për përmbysjen e zgjedhjeve presidenciale të 2020-s ka dështuar.

Institucionet politike amerikane ngadhënjyen. Demokracia triumfoi. Trumpi nuk ka menduar strategjikisht apo e kishte ndonjë plan për t’i përkthyer tendencat e tija autokratike në institucione të reja autoritare.

Frikshëm, megjithatë, një autokrat tjetër aspirues, më serioz dhe me tru në kokë, do t’ia dilte aty ku Trumpi dështoi. Nuk është zor të merret me mend se si.

Autokratët e suksesshëm duhet të kenë diçka që duket si një projekt gjithëpërfshirës politik. Tekefundit, “Amerika e para” e Trumpit ishte kryesisht kapardisje, për shkak se nuk mundi t’u sillte përmirësime të përnjëmendta jetëve të qytetarëve në bazën e tij. Të gjithë autokratët e suksesshëm – si ish-presidenti i Venezuelës, Hugo Chavez, presidenti i pasluftës në Argjentinë, Juan Peron, apo presidenti aktual i Ugandës, Yoweri Museveni – disi “u ofrojnë të mira” votuesve të tyre besnikë.

Trumpi u ofroi, ama vetëm të pasurve, duke i shkurtuar taksat dhe rregullimet. Gjesti i tij simbolik nuk do të rezistojë dhe slogani i tij “Bëje Amerikën të madhe përsëri” është i destinuar të vdesë në kurriz të miliona amerikanëve.

Republikanët do të ishin të mençur ta merrnin këtë parasysh. Në vend të kësaj, pjesa më e madhe e partisë, si në Kongres ashtu edhe në nivel shtetëror dhe lokal, ende i qepet pas narratives së rreme për mashtrime zgjedhore dhe mbështetjes për kryengritësit, apo e çojnë përpara mendimin se bastisja e Capitolit ishte inskenuar për minimin e Trumpit.

Kjo gjë është thellësisht shqetësuese. Personi ka qenë në gjendje që të qeveriste ashtu siç qeveriste pas Luftës së Dytë Botërore, për shkak se ndërhyrja e shtuar presidenciale në Gjykatën Supreme të Argjentinës dhe në institucionet politike i kishte gërryer këta trupa përgjatë 15 vjetëve të mëparshëm. Shumica e amerikanëve nuk duan që të bien kaq poshtë, ani pse liderët e tyre të zgjedhur politikë duan.

Fatmirësisht, sistemi politik i SHBA-së ka shumë burime të qëndrueshmërisë. Një prej tyre është integriteti i zyrtarëve lokalë dhe shtetërorë, sikurse i atyre që i certifikuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit të shkuar në Michigan, me gjithë kërcënimin nga mbështetësit e Trumpit, si dhe guvernatori republikan i Georgias dhe administratorët zgjedhorë, të cilët u bënë ballë kërcënimeve prej vetë Trumpit. Tjetra është ajo e gjyqësorit, në të cilën madje edhe gjykatësit e caktuar prej Trumpit kanë refuzuar që t’u japin kredencë pretendimeve të pabaza për mashtrime zgjedhore, të propaganduara nga presidenti dhe aleatët e tij. Këta zyrtarë i kryen punët e tyre dhe besuan në sistem.

Mirëpo Thembra e Akilit në thirrjen populiste të Trumpit ishte antistatizmi i tij i skajshëm. Ai e urrente Qeverinë dhe nuk mund ta duronte fuqizimin e kapacitetit të saj. Për të gjetur dëshmi për këtë, nuk duhet shikuar tutje përtej pozitave të panumërta në Qeverinë federale që janë lënë vakante gjatë gjithë mandatit të tij katërvjeçar, e lë të mos e përmendim përgjigjen katastrofale të administratës së tij ndaj COVID-19, së cilës ia vë kapakun administrimi i çalë i vaksinave.

Liderët e suksesshëm populistë, për dallim, e shfrytëzojnë pushtetin e shtetit në mënyrë diskrecionale për të krijuar vende pune për mbështetësit e tyre dhe për t’u ofruar atyre të mira dhe shërbime. Ky ishte mallkimi për Trumpin dhe çmimin e kësaj ai e pagoi me zgjedhje. Shumë amerikanë përballen me probleme të përnjëmendta, dhe Bideni – fatmirësisht – nuk pengohet nga antipatia për ta përdorur pushtetin e shtetit me qëllim që ta bëjë dallimin në jetët e tyre.

Mbijetesa e demokracisë kërkon që si shteti ashtu edhe shoqëria të jenë të forta dhe ta baraspeshojnë njëra-tjetrën. Ruajtja e kësaj baraspeshe kërkon përpjekje të vazhdueshme.

Tekefundit ajo gjeneron kapacitet më të madh shtetëror për jetësimin e asaj që qytetarët duan dhe e trimëron mobilizimin më të madh shoqëror për monitorimin e këtij kapaciteti.

Ky është korridori në të cilin Trumpi nuk mund të funksionojë. Është gjithashtu, le të shpresojmë, vendi ku të gjithë shkatërruesit aspirues të demokracisë në fund të fundit do të dështojnë.

(James A. Robinson, drejtor i Institutit “Pearson” për Studimin dhe Zgjidhjen e Konflikteve Globale, është profesor në shkollën “Harris” për Politika Publike, në Universitetin e Chicagos. Ai është bashkautor (me Daron Acemoglun) i librit “The Narrow Corridor: States, Societies, and the Fate of Liberty”. Ai ka shkruar gjithashtu librin “Why Nations Fail: The Origins of Power, Prosperity and Poverty”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).