OpEd

Liverpooli i Kosovës, LDK, viktimë e arrogancës së vet

Zgjedhjet e fundit në Kosovë dëshmuan se ka qytetarë e jo “elektorat”. Duke besuar se e ka “elektoratin e vet”, LDK-ja ra në rreth 10 për qind të votave. Dhe ende udhëheqja e saj nuk po e kupton se nuk ishte “elektorati” që e ka LDK-në, por ishte LDK-ja ajo që i tradhtoi mbështetësit e saj, dhe atë disa herë. Për dallim nga tifozët që ekipin e zemrës e mbështesin gjithmonë, në humbje dhe fitore, partitë politike nuk e kanë këtë luks. LDK-ja dështoi në këtë mënyrë, sepse besonte se është tepër e madhe për të dështuar

Një prej temave kryesore paszgjedhore në Kosovë është fati i LDK-së, dikur pa dyshim partisë më të madhe politike, që tash rrezikon të shndërrohet në një forcë irelevante.

Me 12 për qind të votave, një parti që pretendonte se është e sigurt që do të dalë e para në zgjedhje, është gjetur tash në një udhëkryq. Jo vetëm për ta gjetur një udhëheqje të re, e cila do ta nxirrte nga kriza, por për ta gjetur një orientim i cili përshtatet me nevojat e kohës.

Se cili do të jetë fati i Lidhjes Demokratike të Kosovës është me rëndësi të madhe për tërë Kosovën e jo vetëm për anëtarët e kësaj partie dhe për ata pak votues që i kanë mbetur besnikë.

Sistemi politik të një vendi e pluralizmin e bëjnë pikërisht partitë politike dhe sa më të organizuara e të suksesshme të jenë ato, aq më shumë do të këtë edhe shteti gjasa për të qenë i suksesshëm.

Humbja kaq e madhe e LDK-së ka qenë e pritur dhe e paralajmëruar. Ata që nuk e kanë parë këtë duke ardhur, vërtet paskan jetuar në një botë të çudirave. Edhe sot është shumë e thjeshtë të kuptohen rezultatet e humbjes. Prej vdekjes së ish-themeluesit të LDK-së dhe presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova, LDK-ja shkoi nga humbja në humbje. Asnjëherë nuk i fitoi zgjedhjet. Dhe në të shumtën e rasteve arriti të jetë në pushtet. Pra, u mësuan me situatën se zgjedhjet nuk janë edhe aq të rëndësishme, sepse kryetari i partisë, me pazaret e tij, do të sigurojë që LDK-ja të jetë pjesë e pushtetit. Madje edhe tash ka mundur të ndodhë që Isa Mustafa të tentojë që me ata pak deputetë të LDK-së që kanë fituar mandat, me PDK-në, AAK-në dhe 20 deputetët e pakicave, të formojë shumicën prej mbi 60 deputetëve për të qeverisur. Por kësaj radhe nuk ka pasur me kënd ta bëjë këtë. Se sa i pagatshëm të marrë përgjegjësinë mbi vete dëshmoi edhe kur tha se jep dorëheqje “edhe pse nuk ka marrë pjesë në fushatë zgjedhore”. Ky arsyetim dhe kjo ikje nga përgjegjësia e liderit të partisë është jokorrekt ndaj Avdullah Hotit, i cili u sakrifikua për ta çuar LDK-në në humbjen më të madhe në historinë e saj dhe në një masë për t’u djegur si politikan.

LDK-ja nën udhëheqjen e Mustafës mori një hov në vjeshtën e vitit 2019. Atëherë nuk filloi të ngjitej. Dhe këtë LDK-ja është dashur ta merrte si mësim. Sepse fitoi shumë vota duke premtuar ndryshime. Por u pa se këtë parti e udhëheqin njerëzit dhe klanet që nuk duan ndryshime. Sepse mendojnë se e kanë të garantuar për të qenë në pushtet. Nuk ka rëndësi se a ua siguron pushtetin ndonjë vizitë e pasmesnatës tek ndonjë deputet apo ndonjë ndërhyrje e ndonjë diplomati. Duke parë se në fund, pas zgjedhjeve të vitit 2019 strukturat kundër ndryshimit ishin më të forta sesa ato për ndryshim, votuesit u larguan edhe më shumë nga LDK-ja. Me të drejtë dy udhëheqësit kryesorë të LDK-së, Isa Mustafa dhe Agim Veliu, thanë se “zgjedhjet lokale në Podujevë” nuk reflektonin gjendjen në tërë Kosovën. Sepse në pjesë të tjera të Kosovës LDK-ja as që iu afrua përqindjes që fitoi në Podujevë kur i humbi zgjedhjet. Edhe pse kishte shumë pak kohë pas zgjedhjeve në Podujevë, edhe atë mësim LDK-ja ka mundur ta përdorë që të mos dështojë kaq shumë në zgjedhjet nacionale.

Nga ky dështim i madh i LDK-së, mësime duhet të nxjerrin ata politikanë të rinj në këtë parti që besojnë se kanë një të ardhme në politikë. Fjala është për ata që kanë kryer shkollime jashtë Kosovës, apo edhe në Kosovë dhe kanë një vizion modern dhe e kuptojnë se gjërat në botë, e Kosova është pjesë e botës, po ndryshojnë.

Nuk duhet të përsërisin gabimin që bëri Avdullah Hoti duke ndjekur Isa Mustafën nga disfata në disfatë. Dhe duke u bërë edhe qesharak në disa raste, si kur e krahasoi LDK-në me skuadrën angleze të futbollit, Liverpoolin. Apo kur tha se sot të rinjtë kanë futur probleme brenda familjeve, sepse “djali voton ndryshe nga i ati, apo nipi nga gjyshi”.

Nga një politikan modern i shkolluar në Perëndim, pritet që së paku të pretendojë se e respekton fshehtësinë e votës, apo dhe të drejtën që individi, edhe brenda familjes, ka të drejtë në mendimin e tij individual e edhe në orientimin e tij politik.

Kjo logjika se “LDK është një familje”, që u kuptua se aty nuk ka vend askush që nuk mendon sikur kreu i familjes, e bëri LDK-në parti dështuese, por edhe të pakuptimtë.

LDK humbi për shkak të arrogancës. Sepse besonte se qytetarët i kanë asaj borxh, e jo ajo qytetarëve. Zgjedhjet e fundit në Kosovë dëshmuan se ka qytetarë e jo “elektorat”. Duke besuar se e ka “elektoratin e vet”, LDK-ja ra në rreth 10 për qind të votave. Dhe ende udhëheqësi i saj nuk po e kupton se nuk ishte “elektorati” që e ka LDK-në, por ishte LDK-ja ajo që i tradhtoi mbështetësit e saj, dhe atë disa herë.

Për dallim nga tifozët që ekipin e zemrës e mbështesin gjithmonë, në humbje dhe fitore, partitë politike nuk e kanë këtë luks. Kur vjen fjala te Liverpooli, kjo skuadër ka tifozët më besnikë. Himni i tyre “You never walk alone” (kurrë s’do të ecni vetëm) simbolizon këtë besim, në humbje dhe fitore, në shi e borë, në dhimbje dhe gëzim. Të krahasosh një parti politike me një skuadër futbolli nuk është e qëlluar. Tifozët kur zgjedhin nuk ndryshojnë, sepse më nuk do të ishin tifozë. E qytetarët kanë mundësi zgjedhjesh dhe kjo është një prej të drejtave themelore në demokraci. LDK-ja pra nuk duhet të pyesë se ku shkuan votuesit tanë, por si i largoi ajo ata. Nuk mund t’i motivosh duke folur kundër një partie me të cilën shkon në përqafim menjëherë pas zgjedhjeve. Apo mundesh. Por dënohesh.

LDK-ja dështoi në këtë mënyrë, sepse besonte se është tepër e madhe për të dështuar. Edhe sot po dëgjohen njerëz duke thënë “nuk mund të dështojë partia më e madhe në Kosovë, partia më e vjetër, partia e Rugovës”.

Zgjedhjet dëshmuan të kundërtën. Siç kanë dëshmuar edhe në vendet e tjera të Evropës ku dikur partitë e mëdha tradicionale sot janë forca irelevante politike. Si Konservatorët apo Socialistët në Francë.

Edhe tash kur ka rënë në 10 për qind, LDK-ja vazhdon të ketë të ardhme. Është parti që bën pjesë në familjen më të madhe evropiane politike (EPP). Ka ende anëtarë, dhe ish-anëtarë, që kanë çfarë t’i japin skenës politike në Kosovë. Kanë edhe një gjeneratë më të re, e cila mund edhe të sjellë ndryshime në LDK. Por jo me këtë udhëheqje dhe me këtë mënyrë veprimi, siç bëri deri me tash në dhjetë vjetët e fundit.

E njëjta vlen edhe për Liverpoolin, të cilit nuk po i shkon mirë këtë vit. Kundërshtarët nuk po e pyesin se a ke qenë dikur kampion Evrope apo Anglie. Po e mposhtin në mënyrë të pamëshirshme. Dhe është larg jo vetëm për t’u bërë kampion dhe për t’u kthyer në ditët e lavdishme, por edhe për t’u kualifikuar për Ligën e Evropës, sepse Ligën e Kampionëve e ka shumë, shumë larg. Edhe Liverpoolit të Anglisë, por edhe atij të Kosovës (LDK) u duhen ndryshime, edhe në përbërje, edhe në udhëheqje, edhe në lojë.