OpEd

Pandemi e dhunshme

Duhet të gjithë, gra e burra, ta bëjnë këtë diskutim mbi gjininë, sado i vështirë. Dallimi do të vërehet vetëm kur të nisë ndryshimi i sjelljes së secilit. Kur vajzat e djemtë të trajtohen barabartë. Kur djalit nuk do t’i mësohet se ‘burrëria nënkupton dhunë’. Kur vajza nuk do të mësohet të heshtë e të durojë, por se është njeri, e barabartë sikurse vëllai, burri e kolegu i saj. Mbi të gjitha duhet zemërim. Zemërim që sjell ndryshim pozitiv. Për ne, e më e rëndësishmja, për vajzat tona.

Në fundmarsin e 2020-s, kur Kosova përjetoi për herë të parë izolimin shkaku i pandemisë COVID-19, për shumicën u duk sikur një lloj pauze nga jeta e vrullshme dhe dinamika e punës. Ishte përvojë e mënyrë e re e jetesës për secilin. Dikush ndjesinë e krahasoi me kohën e luftës e ne, gjenerata më e re, si pushim jo vetëm për ne, por edhe planetin që ishte në rrezik që për pak vite të mos jetë më shtëpi e jona.

Megjithëkëtë, derisa për shumicën brengë kryesore ishin virusi dhe të panjohurat e tij, vetëm ato gra që bien e zgjohen me frikën për jetën e tyre patën të tjera preokupime. Jetesa nën kulmin e njëjtë me dhunuesin sigurisht se nuk është e lehtë, aq më pak nëse ajo është aty thuajse 24/7. Vetëm në muajt e parë të pandemisë u raportua se në Kosovë dhuna në familje u rrit për 30%. Kjo ktheu përsëri për pak vëmendjen e secilit te ky fenomen i pazgjidhshëm në shoqërinë tonë, njëjtë sikurse bëhet kur jepet lajmi se një grua ose edhe më keq grua e vajzë u vranë nga burri e babai i tyre. Fatkeqësisht, diskutimi zgjati aq sa izolimi. Kthimi në normalitetin e ri e mbylli edhe këtë temë. Diskutim bosh. Pa asnjë efekt a zgjidhje afatgjate. Për më shumë, pa diskutim për thelbin e problemit dhe rrënjët e kësaj dhune.

Kjo nuk nënkupton se atyre grave e atyre fëmijëve që përjetuan dhunë brenda mureve ku do të duhej të ndienin siguri e dashuri papritmas u ndryshoi jeta. Ata vazhdojnë të jetojnë po me atë frikë e tmerr që sa herë që diçka nuk ecën mllefi do të kthehet në dhunë nga burri mbi ta. Izolimi e pandemia vetëm ua shtoi e shpeshtoi dhunën.

Por, aq i thellë është problemi saqë nuk mjaftojnë ditë, muaj e vite ndoshta për të folur që gjërat të ndryshojnë. Diskriminimi dhe dhuna nisin herët. Qysh në bark të nënës. Gëzimi vazhdon të jetë tjetër dhe të shprehet ndryshe kur familjet kuptojnë se po bëhen me vajzë. Përjashtimet nuk janë shumicë, fatkeqësisht. As për këtë, e as për mënyrën sesi kosovarët vazhdojnë t’i rrisin fëmijët e shkollat t’i edukojnë pastaj ata. Vajzave u jepen të tjera mësime. Qysh si fëmijë, mësimi kryesor është ndihma për punët rreth shtëpisë. Këtë nuk e sheh të bëhet me djemtë. Ata e kanë luksin e gjinisë që t’i shijojnë lojërat e fëmijërisë, e në raste edhe më të këqija motra, që mund të jetë thuajse moshatare, detyrohet nga familja të ‘kujdeset për vëllain’. Aspirata kryesore vajzave u mësohet se duhet të jetë sjellja e mirë, brenda rregullave që i ka përcaktuar kjo shoqëri rrënjësisht patriarkale, e pasi të kenë hyrë në moshën e pjekurisë duhet të jetë martesa. Në anën tjetër, djemtë kanë liri të zgjedhjes për gjithçka. Kur ato vendime nuk bëhen ‘sipas rregullave e në kohë të duhur’, është i gatshëm një arsyetim. Nuk ka ndjenjë faji e as përgjegjësie mbi ta. Ajo në këtë vend është e rezervuar për vajzat. Fajin, turpin dhe heshtjen ua mësojmë qysh në vegjëli. Sikur faji kryesor është pikërisht se kanë lindur vajza. Mënyra sesi rriten dhe edukohen këta fëmijë, veçanërisht burrat, i bën ata çka janë pastaj në shoqëri e për gratë, dhunues apo partnerë.

Ligje e rregulla të shkruara ka bërë e bën Kosova që nga paslufta. Ato nuk janë problemi. Mendësia është. Kjo duhet ndryshuar në thelb. Në familje, në shkolla e në librat që i lexojmë e ua lexojmë fëmijëve.

* * *

Nuk është vetëm dhuna fizike ajo me çka gratë ballafaqohen.

Dikur është menduar se pavarësia ekonomike është një lloj lire për gratë. Pandemia ka treguar se kjo nuk qëndron. Nuk është liri, e aq më pak barazi.

865.000 gra lanë vullnetarisht punën në SHBA vetëm gjatë shtatorit, krahasuar me 200.000 burra. Sipas UN Women, kjo më së shumti lidhet me faktin e barrës së kujdesit për familjen, që bie ende kryesisht vetëm mbi gratë. Familjet gjatë izolimit kanë funksionuar ngjashëm në shumë raste edhe në Kosovë: dy partnerët që gjatë masave izoluese punojnë nga shtëpia, por që dita e gruas dallon dukshëm me atë të burrit. Pos orëve të punës, presion mbi të bie që njëkohësisht të kujdeset për ushqimin, fëmijët e detyrat e tyre shkaku i mësimit online.

Edhe para pandemisë është llogaritur se gratë kryejnë rreth 12 nga 16 miliardë orë punë të papaguar çdo ditë në botë. Kjo gjatë pandemisë mendohet se është dyfishuar. Më e keqja që këto dhe të tjera rrethana, po sipas UN Women, kanë bërë që për një vit të pandemisë së koronavirusit të humbasin 25 vjet punë që është bërë për barazinë gjinore.

Ilustrimi se këto dallime në shumicën e vendeve të botës po ndodhin dhe vihen në pah kryesisht vetëm gjatë pandemisë, për fat të keq, nënkupton se në Kosovë kjo është e zakonshme. S’duhet pandemi për të parë që shumica e punës së papaguar brenda shtëpisë dhe kujdesit për familjen kryhet nga gratë.

Siç thotë autorja e librit “Të gjithë duhet të jemi feministë”, Chimamanda Ngozi Adichie, “diskutimi për gjininë nuk është i lehtë. Njerëzit ndihen në siklet, nganjëherë edhe irritohen”. Kjo ndodh shpesh edhe këtu, edhe gati se në çdo vend të botës. Duhet të gjithë, gra e burra, ta bëjnë këtë diskutim mbi gjininë, sado i vështirë. Dallimi do të vërehet vetëm kur të nisë ndryshimi i sjelljes së secilit. Kur vajzat e djemtë të trajtohen barabartë. Kur djalit nuk do t’i mësohet se ‘burrëria nënkupton dhunë’. Kur vajza nuk do të mësohet të heshtë e të durojë, por se është njeri, e barabartë sikurse vëllai, burri e kolegu i saj.

Mbi të gjitha duhet zemërim. Zemërim që sjell ndryshim pozitiv. Për ne, e më e rëndësishmja, për vajzat tona.