OpEd

Një argat austriak i Vladimir Putinit

Eurodeputeti austriak Harald Vilimsky është ndër të fundit politikanë në botë që mund të japë leksione për shtet ligjor. Fyerja që ai i bëri Kosovës duke e quajtur «shtet të dështuar dhe mafioz» përmban elemente raciste. Politikanë proserbë e prorusë të tipit si Harald Vilimsky janë rreziku i vërtetë për Europën. Jo dy milionë qytetarë të Kosovës të izoluar nga Bashkimi Europian

Eurodeputeti austriak Harald Vilimsky e paskësh quajtur Kosovën «shtet të dështuar dhe mafioz». Sa i përket këtij personi duhet ditur disa gjëra: Vilimsky është politikan i partisë së ekstremit të djathtë FPÖ, e cila ka lidhje të ngushta me Kremlinin, me oligarkun rus Konstantin Malofejev dhe me partinë «Rusia e bashkuar» të Vladimir Putinit. Mes FPÖ-së dhe partisë së Putinit ekziston një marrëveshje bashkëpunimi nga viti 2016, të cilën e ka nënshkruar Vilimski.

Partia e Vilimskit FPÖ prej vitesh mban qëndrime proserbe dhe antikosovare. FPÖ ka qenë kundër pavarësisë së Kosovës dhe eksponentë të kësaj partie austriake me qejf kanë përqafuar politikanët ultranacionalistë serbë si Tomislav Nikoliq, Aleksandar Vuçiq etj. Shefi shumëvjeçar i FPÖ-së Heinz-Christian Strache ka qëndruar disa herë në Beograd ku është deklaruar se «Kosova është pjesë e Serbisë». Strache ka vizituar një koncert të Cecës në Vjenës, vejushës së kriminelit të luftës Zhelko Razhnjatoviq Arkan. Harald Vilimski, ndërkaq, nga mediat austriake disa herë është akuzuar për deklarata antisemite. Në prag të krijimit të qeverisë mes Partisë Popullore ÖVP të kancelarit Sebastian Kurz dhe FPÖ-së më 2017, mediat e Vjenës njoftuan se presidenti austriak Alexander Van der Bellen kurrsesi nuk do ta pranonte si ministër Harald Vilimsky-in, por as Johann Gudenus-in, i njohur po ashtu për qëndrimet proruse dhe proserbe. Gudenus, i martuar me një serbe dhe i kurorëzuar në një kishë në Banjallukë, ka pranuar një dekoratë nga udhëheqja e republikës serbe të Bosnjës.

Si sekretar i përgjithshëm i FPÖ-së dhe si eurodeputet Harald Vilimski luan rolin e «qenit të lidhur me zinxhirë» për të vëzhguar terrenin (kështu ka shkruar gazeta «Die Presse»). Në janar të këtij viti Vilimski u largua nga posti i sekretarit të përgjithshëm pasi më herët qeveria austriake e përbërë nga ÖVP dhe FPÖ dha dorëheqje për shkak se mediat gjermane publikuan një incizim, ku shihej shefi i atëhershëm i FPÖ-së Heinz-Christian Strache dhe Johann Gudenusi duke i premtuar një gjoja vajze të një oligarku rus se kur të vijnë FPÖ në pushtet, do t’ia shesë Moskës gjysmën e Austrisë, përfshirë edhe një gazetë me ndikim. Krejt ky muhabet ishte zhvilluar në një vilë në Ibiza.

Jo çdo kritikë që vjen nga eurodeputetët duhet të merret seriozisht. Austriaku Harald Vilimsky nuk është shembull i politikanit me duar të pastra. Prej vitesh ka dyshime se partia e tij financohet nga burimet ruse. Krahas gjuhës me tonalitet antisemit, FPÖ ndjek një politikë ekstremiste (dhe shpesh raciste) kundër të huajve në Austri, e sidomos kundër myslimanëve.

Deklarata e Vilimsky kundër Kosovës ka elemente raciste. Ai flet për situatën e vështirë në veri të Kosovës, ku jeton një pjesë e pakicës serbe, dhe për situatën e rënduar në kufi me Maqedoninë e Veriut. Dhe për këtë e akuzon Prishtinën. Kjo është një përrallë. E poshtër. E një eurodeputeti që poshtërsitë gjuhësore i ka biznes dhe mënyrë mbijetese në politikë. Pala kosovare duhet të punojë më shumë me deputetë liberalë dhe socialdemokratë në Parlamentin Europian në mënyrë që të kundërshtojë ekstremistët e tipit Vilimsky apo ndonjë racist francez nga partia e Marine Le Pen. Vilimsky është ndër të fundit politikanë në botë që mund të japë leksione për shtet ligjor.

Kur në pushtet ishte partia FPÖ e Harald Vilimsky, shërbimet sekrete perëndimore vendosën të mos ndajnë informata sekrete me kolegët austriakë. Një rast i paprecedent. Shërbimet partnere të vendeve perëndimore vendosën kështu për shkak të lidhjeve të ministrit të atëhershëm të brendshëm austriak Herbert Kickl me rrjetet neonaziste. Po ashtu dyshohej se politikanët e FPÖ-së mund të ndajnë informata delikate me shërbimet ruse. Politikanë të tipit si Harald Vilimsky janë rreziku i vërtetë për Europën. Jo dy milionë qytetarë të Kosovës të izoluar nga Bashkimi Europian.

Sa larg shkon gjunjëzimi i disa politikanëve austriakë përballë Rusisë, tregon ky shembull: kur më 2018 u martua ministrja e Jashtme Karin Kneissl (e propozuar nga FPÖ për ministre), mysafir nderi ishte Vladimir Putini. Në rrjedhën e gazmendit Kneissl vallëzoi me Putinin dhe në fund i ra në gjunjë. Ndërkohë Kneissl dhe burri i saj janë ndarë pas një përleshjeje fizike, siç njoftojnë mediat austriake. Kush e fton Putinin në dasmë...