OpEd

Marrja seriozisht e investimeve kombëtare

Cambrige, dhjetor – Ky ka qenë një vit brutal me pandeminë COVID-19, që ka shtrënguar qeveritë përreth botës që t’i mbyllin shumë prej aspekteve të përditshmërisë normale, duke i mbështetur punëtorët dhe bizneset me masa të jashtëzakonshme të emergjencës. Dhe kriza s’do mend se nuk ka përfunduar ende.

Por derisa programet e vaksinimit kundër COVID-19 po shihen në horizont, politikëbërësit dhe udhëheqësit e bizneseve duhet ta ndërrojnë marshin në vitin e ri dhe të kalojnë nga reagimi ndaj ngjarjeve në përcaktimin e një strategjie për të ardhmen.

“Ndërto përsëri më mirë” është shndërruar në sloganin e parapëlqyer të këtyre ditëve, pikërisht për shkak se shumica e njerëzve duan që t’i kthejnë sytë përpara dhe të krijojnë një të ardhme më të mirë e jo që të kthehen në mënyrën se si gjërat ishin. Andaj çfarë do të duhet që më 2021 të ringjallet ndjenja e përparimit tek familjet e dëmtuara, komunitetet në telashe dhe ekonomitë e thyera?

Përgjigjja e shkurtër është investimi, që nënkupton nisjen e përpjekjeve dhe shpenzimeve tani për një kthim më vonë.

Investimi në asete me pritjen se ato do të gjenerojnë përfitime është një lloj mocion votëbesimi për të ardhmen, e tillë çfarë pikërisht i duhet botës tani. Investimi në sektorin publik për infrastrukturë të përmirësuar dhe më të gjelbër do të jetë veçanërisht i rëndësishëm për rimëkëmbjen ekonomike, afatshkurtër. Shpenzimet qeveritare të këtij lloji kanë ndikim të shumtë fiskal, sidomos në rënie, dhe ndihmojnë në krijimin e kërkesës për aftësi dhe teknologji të reja.

Fillimisht projektet madhore do të duhej të financoheshin publikisht, për shkak se asnjë kompani private nuk do t’i marrë ato përsipër në një kohë të tillë paqartësish. Megjithëkëtë, me kusht që qeveritë të investojnë konsiderueshëm dhe të stimulojnë rritje, shtimi i borxhit publik tani do të dëshmohet të jetë mënyra më e mirë për reduktimin e proporcionit qeveri-borxh për periudhë afatmesme kohore.

Investimi është gjithashtu një formë esenciale e kompensimit për të rinjtë, të cilët kanë qenë mes grupeve të goditura më së rëndi nga tkurrja ekonomike. Shumë prej atyre që e kanë pasur fatin e keq që t’i hyjnë tregut të punës gjatë kësaj krize kanë pësuar si rrjedhojë dëme të konsiderueshme në karrierë dhe në gjasat për fitime jetësore.

Edhe para katastrofës së këtij viti shpesh kam reflektuar rreth besimit që politikëbërësit vizionarë të shekullit nëntëmbëdhjetë kanë shprehur në të ardhmen e shoqërisë së tyre nëpërmjet infrastrukturës, ndërtesave dhe institucioneve që ne sot ende i përdorim. Ata menduan 150 apo 200 vjet më parë, ndërsa ne duhet ta përvetësojmë po të njëjtën mendësi tani për t’u rimëkëmbur nga dridhjet e 2020-s.

Ndërtimi i një ekonomie dhe shoqërie të qëndrueshme e elastike kërkon një gamë të gjerë investimesh. Shëndeti i një shoqërie varet prej shumëllojshmërisë së aseteve që ndërlidhen me njëra-tjetrën sikurse ato në ndonjë portofol investimi. Kështu, sikurse infrastruktura dhe kapitali i prodhimit janë familjare. Ekonomistët kanë nënvizuar prej kohësh kapitalin njerëzor apo shkathtësitë e popullatave, por shpesh e kanë njehsuar këtë ngushtësisht, sipas termave të kualifikimeve formale arsimore. Ne më 2020 kemi mësuar se shëndeti, përfshirë atë mendor, është gjithashtu një komponent i rëndësishëm i kapitalit njerëzor.

Për më tepër, politikëbërësit përherë e më shpesh i kanë anashkaluar asetet e tjera, kur kanë menduar për baraspeshën kombëtare. Kapitali natyror – përfshirë ajrin e pastër, biodiversitetin dhe stabilitetin global klimatik – kryesisht është harruar në matjet ekonomike, ani pse është esencial për jetën njerëzore, si dhe për derivatet më të ngushta, si prodhimtaria bujqësore apo lirimi nga zjarret në pyje. Por kjo gjë po fillon të ndryshojë, meqë ekspertët e statistikave po zhvillojnë definicione dhe të dhëna për të përfshirë natyrën dhe resurset natyrore në përllogaritjet kombëtare.

Përgjegjësitë për politikat ekonomike gjithashtu kanë anashkaluar me të madhe kapitalin shoqëror – besimin mes të huajve, që është jetik për çdo përpjekje të qëndrueshmërisë ekonomike. Shumë prej tyre e konsiderojnë konceptin si tepër të mjegullt dhe të vështirë për t’u matur, por ai është komponenti më themelor i portofolit të aseteve kombëtare. Siç ka demonstruar pandemia, ne të gjithë kalojmë më keq po qe se të gjithë veprojnë vetëm për veten.

Ç’është më e rëndësishmja, vendimmarrësit duhet ta adoptojnë një qasje më afatgjate. Për një kohë tepër të gjatë, pikëpamjet në biznes dhe politikë janë bërë gjithnjë e më shkurtpamëse. Shumë shefa ekzekutivë, duke e përmendur idenë e vlerës së hisedarëve, marrin vendime që destinohen kryekëput për fuqizimin e përfitimeve tremujore, derisa pikëpamja dalëse e proporcionit sipërmarrje-kapital prej vetëm shtatë apo tetë vjetësh u duket si një periudhë shumë e gjatë.

Politikanët, ndërkohë, kanë kapërcyer nga ndjekja e zërave në edicionet e radhës të lajmeve televizive në shtypjen e disa qindra karaktereve për postimet e tyre të ardhshme në Twitter.

Po kështu, më të moshuarit janë mbështetur në sakrificat e konsumit të gjeneratave të mëparshme. Shpenzimet jashtëzakonisht të ulëta të mirëmbajtjes kanë rezultuar në rrënimin e urave dhe shkërmoqjen e rrugëve, derisa resurset natyrore janë shkretuar dhe varfëruar.

Në disa vende të OECD-së, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar, bizneset kanë bërë investime fare të pakta për dekada me radhë, si kompensim për humbjen e kapitalit për shkak të angazhimit të punëtorëve në vende të punës që kërkojnë kualifikim të ulët dhe gjenerojnë gjithashtu pagë të ulët.

Jobefasisht, ekzistojnë shenja sa trimëruese po aq edhe alarmuese të ndryshimit domethënës të pikëpamjeve ndër breza. Për shembull, të rinjtë kujdesen më tepër se gjeneratat më të vjetra për sa i përket mbrojtjes së mjedisit, por ata janë përherë më të pakënaqur me gjendjen e demokracisë.

Disa qeveri janë duke e trajtuar me seriozitet nevojën për të pasur një perspektivë më afatgjate për shëndetin kombëtar. Islanda dhe Zelanda e Re, mes tjerash, kanë adoptuar korniza politike të mirëqenies, derisa trupat publikë në Uells kanë përgjegjësi ligjore për ta mbrojtur mirëqenien e gjeneratave të ardhshme. Shumë qeveri të tjera duhet të kalojnë kah kornizat e ngjashme.

Katastrofa aktuale shëndetësore dhe ekonomike ka ndodhur diç më pak se një dekadë që pas krizës globale financiare. Në rast se nuk sjell ndryshim sistematik në çështjet e bërjes së politikave dhe biznesit, atëherë do të mbetet vetëm një prej shumë krizave që do të vijnë, për shkak se e paqëndrueshmja nuk bëhet kurrë e qëndrueshme. Mbetet të shpresohet se ka ende kohë për formësimin e ndryshimit që do të vijë.

(Diane Coyle, profesoreshë e politikave publike në Universitetin e Cambridges, është autore e librit më të fundit “Markets, State, and People: Economicas for Public Policy”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).