OpEd

E vërteta nuk mund të zbulohet në postimet e politikanëve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, pa dyshim politikani më i shkathët në Kosovë në këtë moment, duket se është zemëruar fort me një studim që për nevoja të Komisionit për Politikë të Jashtme e ka bërë një grup ekspertësh. Ky raport, edhe pse Kosovën e përmend më së paku në aspektin e fushatave dezinformuese përmes lajmeve të rreme, që ishte temë e tij, ka shkaktuar pikërisht në Kosovë më së shumti reagime. E reagimet kanë ardhur kryesisht nga ata që janë apostrofuar aty: Isa Mustafa me bashkëpunëtorët e tij, dhe nga ana e PDK-së, sepse aty, krahas Mustafës, edhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli, përmendet për pjesëmarrje në përhapje të dezinformatave që kanë çuar deri tek rrëzimi i Vetëvendosjes nga pushteti.

Thënë të vërtetën, koalicioni i LDK-së me Vetëvendosjen nuk është dashur të kishte ndodhur fare. Së paku jo derisa LDK-në e sundon Isa Mustafa. Kjo ka qenë më shumë një martesë e zorit. Ka pasur në LDK me siguri entuziastë të rinj të cilët kanë besuar se po vjen një frymë e re dhe mund të sigurojnë ndryshime në Kosovë, duke hyrë për herë të parë në koalicion me Vetëvendosjen, tash partinë më të madhe me mbështetjen më të madhe në Kosovë. Por nuk ka qenë që nga fillimi koalicion i sinqertë. Isa Mustafa do të dilte nga ky koalicion me apo pa ndihmën e ambasadorit Richard Grenell. Do të dilte nga ky koalicion pa marrë parasysh se a është Vetëvendosja antiamerikane apo antievropiane. Do të dilte nga ky koalicion, sapo të ishte i sigurt se mund ta krijonte qeverinë me dikë tjetër. Dhe këtë edhe e bëri. Prandaj edhe është politikani më i shkathët në Kosovë, sepse ka siguruar që ai dhe LDK-ja të jenë në pushtet aq shumë dhe aq gjatë pa fituar asnjë palë zgjedhje. Është lehtë të jesh në kushtet kur i fiton zgjedhjet. Por jo edhe kur nuk i fiton.

E kalkulimet politike dhe realizimi i qëllimeve gjithmonë zhvillohen krahas fushatave publike. Kështu ishte edhe kur u rrëzua Qeveria e Albin Kurtit. Por në atë fushatë ka pasur edhe lajme të rreme dhe manipulime. Nuk ka nevojë të jesh shumë ekspert për të nxjerrë një konkludim logjik se Isa Mustafa ka qenë pjesë e fushatës së rrëzimit të asaj qeverie. Mjafton të analizohen postimet e tij, deklaratat e shpejta telefonike në emisione të disa televizioneve, që të vish në këtë konkludim. Dhe kjo nuk është diçka e re në politikë, as në Kosovë e as diku tjetër.

duhet të jesh antiamerikan për të besuar se Richard Grenell është një njeri që përhap lajme të rreme. Dhe shumë bile. Këtë e thonë jo vetëm miqtë e Amerikës, por edhe vetë amerikanët. Ai tash ka mbetur ndër besnikët e paktë të presidentit në largim Donald Trump që mundohet ta bindë botën se Bideni ka vjedhur vota dhe se Trumpi ishte fitues i zgjedhjeve. Ta kritikosh Grenellin nuk është aspak antiamerikanizëm. Problem nuk ishte angazhimi i Amerikës, por Grenelli. Ai vetë në një mënyrë e pranoi se ka gënjyer. Një herë tha se “asnjëherë nuk ka ekzistuar ideja e shkëmbimit të territorit” mes Kosovës dhe Serbisë. Më vonë kur Trumpit ia ktheu shpinën John Bolton, Grenelli pranoi se ka ekzistuar, por ka qenë “Ideja e Boltonit”. e di ku jetojnë ata që ende besojnë se një ide e tillë nuk ka ekzistuar. Por, sa për të vërtetën, më shumë ka qenë ide e krijuar dhe e mbështetur në Evropë sesa në Amerikë. E mira është që kjo ide- “e cila nuk ka ekzistuar!?”- më nuk është në tryezë.

Studimi i përmendur ka shumë mangësi. Në fakt, është shumë sipërfaqësor dhe nuk ofron shumë elemente që nuk ishin pjesë e diskursit publik. Por është vetëm “studim”. Nëse jo si politikan, atëherë si profesor Isa Mustafa duhet ta kuptojë se “studimin” nuk mund ta refuzosh. Mund të mos pajtohesh me të. Mund të kesh kritika ndaj tij. Mund edhe të bësh studime që arrin me konkludime të kundërta. Mund edhe ta injorosh.

Por Mustafa zgjodhi gjënë më të keqe dhe për Kosovën potencialisht të dëmshme. Ai e quajti këtë si “pamflet” kundër Kosovës, ndërsa autorët i etiketoi si “majtistë” e madje edhe të lidhur me Rusinë. Paralajmëroi se do të kërkojnë reagim nga EPP-ja (Partia Popullore Evropiane) pjesë e së cilës familje është edhe LDK-ja.

Të shkojmë radhazi:

Kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian është David Mc Allister. Ai vjen pikërisht nga radhët e EPP-së, pra familjes së cilës i takon LDK-ja. Por asaj familje i takon edhe Partia Progresiste Serbe e Aleksandar Vuçiqit. E ky studim edhe Vuçiqin dhe mediat nën ndikimin e tij i përmend si bartës të fushatave të dezinformimit të lidhura me Rusinë. Pikërisht Komisioni në krye të të cilit është deputeti nga EPP-ja ka porositur këtë studim.

Së dyti; “majtistë“ evropianë ka shumë dhe nuk janë doemos armiq të Kosovës. Nuk bëhen të tillë as nëse Vetëvendosje synon të jetë pjesë e tyre. Majtistë janë shumë deputetë të Parlamentit Evropian që duan liberalizim vizash për Kosovën. Majtistët ishin në pushtet në Britani e në Gjermani kur këto dy shtete mbështetën ndërhyrjen ushtarake kundër Milosheviqit. Po të pyetet Grenelli, majtistë (e besa edhe komunistë të rrezikshëm) janë Demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bideni. Majtist, e besa edhe “student i Moskës” është edhe ndërmjetësi i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak.

Dhe së treti; që është edhe më e rëndësishmja, në vetë “Studim” shkruan se qëndrimet e paraqitura aty “jo doemos paraqesin qëndrimet e Parlamentit Evropian”.

Vetëvendosja pa dyshim është një parti me aktivistë shumë të angazhuar. Ata bëjnë fushata, po ashtu. Në ato fushata sulmohen dhe etiketohen kundërshtarët politikë. Por edhe Vetëvendosja ka qenë me vite cak i fushatave të shumta. Për një kohë të gjatë është quajtur “antievropiane”. Dhe si argument është marrë kundërshtimi që ajo i bënte EULEX-it, shpesh edhe me veprime të dhunshme. Tash ajo na doli të jetë “antiamerikane” dhe që po e favorizon BE-në.

Është mirë që LDK-ja është pjesë e Partive Popullore Evropiane- EPP: Është grupi më i madh në Evropë dhe një forum ku LDK mund të bëjë shumë në favor të Kosovës. Do të ishte po ashtu një plus i madh për Kosovën sikur Vetëvendosje vërtet të arrijë të bëhet pjesë e familjes së Socialistëve dhe Demokratëve Evropianë, familjes së dytë më të madhe politike në Evropë. Edhe PDK do të ishte mirë të caktojë më në fund se cilës familje do t’i takojë. Për momentin po flirton me Konservatorët Evropianë, në mesin e të cilëve ka shumë euroskeptikë. Do të ishte mirë që në Kosovë të kishte edhe parti të gjelbra, të cilat janë në rritje të madhe në Evropë. Do të ishte mirë të kishte në Kosovë edhe parti të mirëfillta liberale e jo që në grupimin Liberal të jetë vetëm Gjergj Dedaj, për të cilin nuk dihet më se cilës parti i takon, dhe AKR-ja e udhëhequr nga Begjet Pacolli. Ata, megjithatë, janë në grupimin e Liberalëve Evropianë. Sa më shumë parti kosovare në familjet evropiane, do ta bënte edhe Kosovën më evropiane. Të gjitha këto grupime mbështesin Kosovën dhe asnjëra nuk e meriton të etiketohet. Do t’i ndihmonte dhe partitë e Kosovës që të profilizohen, e jo të varen nga kalkulimet që bëjnë liderët e tyre me pazare politike.

Propaganda politike është një element i paevitueshëm në funksionimin e partive politike. Politikanët nuk postojnë në rrjetet sociale për të informuar, por për të manipuluar dhe për të përfituar duke paraqitur vetëm “anën e tyre të së vërtetës”. Postimet e tyre janë gjithmonë të njëanshme. Dhe jo rrallë ato bëhen pjesë të fushatave. Nuk ka dyshim se edhe Isa Mustafa bën fushatë, dhe atë me shumë sukses, sikur edhe politikanët e tjerë. Pjesë e fushatës për të luftuar kundërshtarët politikë nga kreu i LDK-së është edhe fajësimi i kryetarit të porsazgjedhur të Podujevës se ka faj për mosliberalizimin e vizave. Bulliqi, nëse vërtet ka faj, mund të gjendet në listën e fajtorëve shumë, shumë poshtë. Në krye të saj, nëse vlerësohet realisht, do të ishte vetë Mustafa, ish-partneri i tij i mëparshëm, Hashim Thaçi, bashkëpunëtori i tij, Skënder Hyseni, dhe partneri i tij kryesor i koalicionit të tashëm, Ramush Haradinaj.

Isa Mustafa si kryeministër, Hashim Thaçi si ministër i Jashtëm dhe Skënder Hyseni si ministër i Brendshëm kishin pranuar të nënshkruanin Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi. Ajo marrëveshje nuk është dashur të ishte fare kusht për liberalizim vizash. Po ata pranuan që kjo të ishte kusht dhe premtuan se i kanë votat në Kuvend. Kështu së paku kanë thënë burimet në BE të njoftuara për së afërmi me rrjedhën e procesit që rezultoi me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje në Vjenë. Duke pasur parasysh se Isa Mustafa i kishte siguruar votat për ta zgjedhur Hashim Thaçin për president, nuk dyshohej se do t’i siguronin edhe votat për demarkacionin. Pastaj Ramush Haradinaj, i mbështetur edhe nga Vetëvendosje, udhëhoqi fushatën kundër demarkacionit. Bulliqi u përdor aty vetëm si ekspert. Pra, nëse me mosratifikimin e demarkacionit Kosova ka mbetur pa liberalizim, atëherë fajtorë ka më shumë se një.

Por e vërteta është pak më komplekse. Ratifikimi u bë para dy vjetësh dhe nuk ka ende liberalizim. Edhe në BE ka shumë të atillë që e konsiderojnë Ramush Haradinajn si faktorin kryesor pse Kosova nuk ka liberalizim. Janë ata që nuk e pëlqenin kundërshtimin e Haradinajt për ndarjen e Kosovës dhe ata që premtonin se, sapo të ratifikohet demarkacioni, do të hiqen vizat. Kur u ratifikua demarkacioni, të njëjtët ndërruan pllakën dhe thoshin “Ehhhh!!!, e keni humbur momentumin për shkak të Ramush Haradinajt e tash është tepër vonë!”.

Mustafa nuk e përmend aq shpesh Haradinajn tash si “fajtor”, sepse e ka partner koalicioni. Edhe ky partneritet është i pasinqertë. Mustafa dhe LDK-ja kanë më shumë mirëkuptim me PDK-në sesa me AAK-në. Brenda Qeverisë nuk ka besim. Ministrja e Jashtme është përjashtuar nga loja në dialog, dhe jo vetëm në dialog. Ajo shfrytëzohet për të zbatuar pazaret që i arrijnë liderët partiakë, për të cilat kryeministri Hoti “nuk është në dijeni!”. Haradinaj nuk ka besim në delegacionin për dialog, sepse nuk e kanë lënë “njeriun e tij” të jetë i pranishëm. Por koalicioni është i sigurt. Atë e garanton frika nga Vetëvendosja dhe nga zgjedhjet eventuale. E garanton edhe PDK-ja, e cila ka luksin ta ketë një qeveri që nuk e rrëzon, por që e kritikon. Nëse do të ketë nevojë në të ardhmen mund edhe ta “pasurojë” Qeverinë. E gjithë kjo situatë politike në Kosovë është shumë e tendosur. Dhe do të jetë e tillë për një kohë. Në këso rrethanash do të ketë postime, manipulime, lajme të rreme, nga të gjitha anët. Por qytetarët do të duhet të kenë kujdes dhe të jenë në gjendje t’i shohin si të tilla, si manipulime.