Joe Bideni ka shënuar një fitore vendimtare në zgjedhjet presidenciale amerikane, duke e mposhtur Donald Trumpin me rreth gjashtë milionë vota më shumë në shkallë vendi. I fuqizuar nga votuesit urbanë, sidomos nga gratë, kandidati demokrat ktheu mbështetjen në Pennsylvania, Michigan dhe Wisconsin, që Trumpi i kishte fituar më 2016, shpëtoi Arizonën dhe Georgian, dhe ia doli të siguronte 306 vota të 538 anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
Por një prej shteteve kritike të luhatura ku Trumpi pati sukses të madh para katër vjetësh ishte Florida, sidomos në rajonet më të mëdha me popullsi hispanike. Ngritja e margjinës së Trumpit në Florida ndërmjet viteve 2016 dhe 2020 është llogaritur për shkak të performancës së tij në Miami.
Përderisa Bideni kishte arritur sukses të madh në pjesë të tjera në Florida, në Miami – një qytet që ka rreth dhjetë për qind të popullsisë votuese të këtij shteti – demokratët panë krizën e epërsisë së tyre në vetëm shtatë për qind, krahasuar me epërsinë prej 30 për qind të Clintonit më 2016, edhe atëherë kur dalja shtetërore u ngrit për 20 për qind dhe demokratët morën 21 për qind vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara presidenciale në Florida.
Dhe çfarë e shpjegon këtë ndryshim?
Nga fillimi i fushatës presidenciale të vitit 2020, Trumpi u mundua të demonizonte Partinë Demokrate, duke e lidhur me shumicën e elementeve më radikale të krahut të saj progresiv, qëndrimet e të cilit – për uljen e fondeve për policinë, kufijtë e hapur, sigurimin e përbashkët shëndetësor – do ta sfidonin partinë në proces zgjedhor në mbarë vendin. Më e rëndësishme është se Trumpi e lidhi Partinë Demokrate me socializmin, duke përdorur Venezuelën si fëmijë parullash se çfarë paraqet socializmi në realitet. Strategjia e Trumpit dështoi në shumicën e vendit, sepse kandidati demokrat, Biden, ishte distancuar nga politikat e preferuara të progresistëve.
Miami është një tjetër histori. I njohur meritueshëm si “kryeqyteti i Amerikës Latine”, latinët në Miami vazhdojnë të mbesin të angazhuar në politikën e vendeve të tyre të prejardhjes. Venezuela është një çështje e ndjeshme në mesin e shumë shteteve latine, si dhe në Spanjë, duke pasur parasysh reperkusionet ndërkombëtare të dështimit të saj, që në shumicën e rasteve kthehet në krizë më të madhe se çfarëdo krize kombëtare e historisë moderne të rajonit.
Dikur demokraci model me shtyp të lirë në vrull, ku qeveritë në pushtet humbin zgjedhjet dhe paqësisht dorëzuan pushtetin gjashtë herë në 40 vjet, Venezuela kaloi në një diktaturë kleptokratike. Më shumë se 90 për qind e qytetarëve të saj janë zhytur në mjerim, dhe dështimi në sistemin e furnizimit me gaz, gaz për amvisëri, sistemi i ujit të pijes dhe shërbimet mjekësore kanë detyruar pesë milionë qytetarë (apo rreth 15 për qind të popullsisë) të largohen nga vendi, shumica prej tyre duke rrahur rrugë të gjata dhe vuajtur tmerre të pashembullta.
Është e lehtë të nënvlerësohet tronditja kulturore dhe politike e kolapsit të Venezuelës në fqinjësi dhe jo vetëm, përfshirë Miamin, ku venezuelasit janë kthyer në rrëfim që duhet shmangur për shkak të rrezikut të politikave ekstremiste majtiste – sikurse është dokumentuar në Colombia.
“Socializmi” është i lidhur me telashet venezuelase dhe suedeze nëse i referohemi aspektit gjuhësor. Progresistët duhet – dhe me vendosmëri të madhe – të distancohen prej regjimit të Venezuelës: Këshilli i të Drejtave të Njeriut i Kombeve të Bashkuara ka deklaruar se regjimi “Chavista” ka kryer krime kundër njerëzimit, dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale ka vlerësuar se krimet që mund të gjykohen prej saj janë kryer në Venezuelë. Nëse kurrgjë tjetër, kulti i personalitetit i regjimit, kriminalizimi i pakënaqësisë, shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut dhe abuzimi i madh i institucioneve politike dhe zgjedhore janë karakteristika të populistëve të së djathtës ekstreme.
Por kjo strategji e polarizimit politik vazhdon të mbetet jashtëzakonisht efektive në vendet spanjishtfolëse, ku fushatat e së djathtës e përdorin për ta lyer çdo kandidat ose politikan të së majtës si “socialist”, ose “Castro-Chavist”. Dhe ishte efektiv në Miami gjithashtu me të ardhurit nga Venezuela që ishin dëshmitarë të persekutimit.
Kur Venezuela kthehet në çështje të ndjeshme në fushatat zgjedhore, këtë e arrin në dy forma: një kur një kandidat planifikon të merret me regjimin Chavista dhe krizën e refugjatëve, dhe kur një kandidat është më pak i interesuar që të merret me vendin. Përderisa emigrantët e Venezuelës kujdesen relativisht më shumë për qasjen e parë, vendasit kujdesen pothuajse ekskluzivisht për të dytën. Sidoqoftë, duke pasur parasysh se sa groteske është gjendja në Venezuelë, mungesa e një qëndrimi parimor dhe të pakompromis se si të adresohet bie në nivelin e terrenit të moralit dhe spikat se si kandidati lidhet me këtë çështje.
Si duhet atëherë t’i trajtojnë kandidatët e qendrës së majtë akuzat se do ta çojnë vendin në drejtim të modelit të Venezuelës? Laureati i “Nobelit”, Michael Spence, ka paraqitur konceptin e sinjalizimit si zgjidhje për problemet e kredibilitetit. Spence ndihmon të shpjegohet pse strategjia e Bidenit nuk është e suksesshme në Miami. Bideni propozon Statusin e mbrojtjes së përkohshme për venezuelasit që janë larguar nga Chavismo, dhe me të drejtë akuzoi Trumpin dhe republikanët se kanë dështuar që ta ofronin. Por derisa kjo masë e propozuar është e mrekullueshme për t’i ndihmuar refugjatët venezuelas në SHBA, nuk mund të ndihmojë venezuelasit ta kthejnë vendlindjen e humbur, dhe dështimi i Bidenit për të siguruar një transicion të shpejtë demokratik në Venezuelë e bëri më të lehtë që votuesit të besonin se mbi të gjitha nuk është acarues.
Zgjedhjet janë kryer, por katastrofa në Venezuelë nuk po merr fund. Përkundrazi, në majën e kolapsit të viteve 2014-19, FMN-ja pret që GDP-ja e Venezuelës të bjerë për 25 për qind vetëm sivjet – apo dyfish më shumë se vendi tjetër në gjendje të rënduar në rajon. Kriza humanitare dhe e refugjatëve do të përkeqësohet para syve të Bidenit, duke e kthyer këtë në testin e parë të politikës së tij të jashtme.
Bideni ka mundësinë të përdorë mbështetjen bipartizane dhe raportin bashkëpunues të fushatës “Kthimi i Amerikës” me aleatët tradicionalë, sidomos në Evropë, për t’i bërë presion regjimit të Venezuelës derisa të pranojë zgjedhje të lira dhe të drejta. Nëse Bideni ndihmon të shpëtohet Venezuela, do t’i bëjë të mirë të madhe edhe vendit, edhe rajonit, që po përballet me barrën e krizës së refugjatëve. Kështu, ky sinjal do të çarmatoste strategjinë manipuluese djathtiste që Florida ia trasoi Partisë Republikane.
(Ricardo Hausmann është ish-ministër Planifikimi i Venezuelës dhe kryeekonomist i Bankës së Zhvillimit Ndëramerikan. Ai është edhe profesor në shkollën e qeverisjes së Universitetit të Harvardit, “John F. Kennedy”, dhe drejtor i Laboratorit të Ngritjes Ekonomike. Jose Morales-Arilla është kandidat i doktoratës në politikën publike në Universitetin e Harvardit. Vështrimi është shkruar ekskluzivisht nga rrjeti botëror i gazetarisë, “Project Synedicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.