OpEd

Si mund ta ndihmojnë natyrën bankat publike të zhvillimit

Samiti është edhe mundësi për të spikatur rëndësinë e mjedisit të shëndetshëm si themel për të përmbushur Qëllimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, Marrëveshjen e Parisit për klimën dhe një kornizë të re ambicioze sipas Konventës së OKB-së për diversitetin biologjik. Bankat publike të zhvillimit do të jenë qenësore për përpjekjet botërore për t’u kthyer në një gjendje më të mirë pas pandemisë dhe krizës ekonomike të lidhur me të

Montreal/Washington, DC – Samiti i kësaj jave i Financave të Përbashkëta do të jetë takimi i parë i bashkimit të liderëve të 450 bankave publike të zhvillimit për të diskutuar se si të riorientohen investimet për zhvillim të qëndrueshëm. Duke pasur parasysh paqartësinë ekonomike dhe kërcënimet mjedisore në ngritje, takimi vjen në një moment kritik. Është një mundësi e mirëpritur për të shqyrtuar se si institucionet e financave publike mund të ndihmojnë për të investuar në përdorim të qëndrueshëm të burimeve natyrore – duke hapur kështu një mundësi që mbështet qytetarët dhe planetin.

Samiti është edhe mundësi për të spikatur rëndësinë e mjedisit të shëndetshëm si themel për të përmbushur Qëllimet e Zhvillimit të Mijëvjeçarit të Kombeve të Bashkuara, Marrëveshjen e Parisit për klimën dhe një kornizë të re ambicioze sipas Konventës së OKB-së për diversitetin biologjik. Bankat publike të zhvillimit do të jenë qenësore për përpjekjet botërore për t’u kthyer në një gjendje më të mirë pas pandemisë dhe krizës ekonomike të lidhur me të.

Në një raport të fundit të nismës së Financave për Biodiversitet theksohet nevoja urgjente për adresimin e shkurtimeve të pakove ekonomike stimuluese të COVID-19 të qeverive të G20-s, dhe konkludonte se shtegu aktual i rimëkëmbjes rrezikon të shkaktojë trend negativ në mjedis. Por raporti spikat edhe mundësinë për të vepruar vendosmërisht për të frenuar dëmin e pakthyeshëm të natyrës, që do të vazhdojë edhe pas pandemisë.

Për ta ndryshuar kursin duhet ta vëmë natyrën në thelb të planifikimit, strategjive dhe vendimmarrjes ekonomike. Shërbimet e ekosistemit të ofruara nga natyra janë thelbësore për të përmbushur tetëdhjetë për qind të caqeve të SDG-së, përderisa zgjidhjet me bazë natyrore paraqesin 30 për qind të shtegut për të jetësuar qëllimin e Marrëveshjes së Parisit për të kufizuar ngrohjen globale nën dy shkallë celsius, në nivelet paraindustriale. Konservimi i natyrës është thelbësor edhe për parandalimin e kthimit të pandemive.

Bankat publike të zhvillimit kanë mundësi të madhe për të lartësuar investimet e tyre, duke vendosur qëllime eksplicite të bazuara në natyrë dhe caqe, si pjesë themelore e përpjekjeve për të përkrahur zhvillimin e qëndrueshëm. Mbi të gjitha, ndryshe nga bankat private, shumë banka publike të zhvillimit kanë vetëm një aksionar: qeveritë.

Njëherësh, bankat publike të zhvillimit duhet të shmangin financimin e problemit, si dhe zgjidhjen. Sipas të dhënave, investimet e sotme me efekt pozitiv në biodiversitet në shkallë botërore rrokin vetëm një hise të shpenzimeve në aktivitete me efekte të larta negative. Ne nuk mund të mbitheksojmë ndikimin e mundshëm të institucioneve financiare publike për t’iu dhënë fund projekteve dhe skemave që shpijnë drejt shpyllëzimit dhe shkatërrimit të burimeve. Një ndryshim i madh i investimeve në mbështetje të transicionit drejt një ekonomie me natyrë pozitive dhe zgjidhjeve me natyrë pozitive për ndryshimin klimatik do të formësonte zhvillimin e industrive, energjisë, transportit, shërbimeve dhe konsumit për dekadat e ardhshme.

Edhe pse të dhënat për financimin e nevojshëm për të mbrojtur biodiversitetin dallojnë nga supozimet, metodologjitë dhe skenarët e përdorur, duke variuar nga shifrat më të ulëta kah ato më të larta prej miliarda dollarësh, krejt bashkërisht spikasin boshllëkun e vazhdueshëm dhe të rëndësishëm në këtë dekadë. Kundër këtij sfondi, investimi i qëndrueshëm nënkupton njohje të mundësive për të investuar në natyrë dhe zotim për të mbyllur këtë boshllëk.

Spikatja e këtyre investimeve do të mund të rezultonte me pagesë të dividentave të mëdha. Studimet e fundit kanë treguar se mbrojtja më e madhe e natyrës do të sillte dobi që do të pesëfishoheshin krahasuar me vlerën financuese, dhe do të krijonin tridhjetë milionë vende pune në ekoturizëm dhe peshkatari të qëndrueshme. Dhe me gjysmën e GDP-së së botës të varur nga natyra, investimi në projekte të gjelbra është thelbësor për ngritjen ekonomike globale. Transicioni në një ekonomi me natyrë pozitive do të mund të gjeneronte deri në 10 bilionë dollarë vlerë biznesore vjetore dhe do të krijonte 395 milionë vende pune deri më 2030.

Mbështetja eventuale për mbrojtjen e natyrës, restaurimit dhe përdorimit të qëndrueshëm është një parakusht fitimtar, dhe qeveritë mund të trasojnë fazat për investime të nevojshme për të mundësuar këtë kapërcim. Si ofrues të investimeve vjetore në vlerë prej 2.3 bilionë dollarëve – apo dhjetë për qind të investimit të përgjithshëm botëror – bankat publike të zhvillimit kanë rol thelbësor për mbështetjen e politikave publike dhe për mobilizimin e burimeve publike dhe private në përmasa që trasojnë rrugën për zhvillim të qëndrueshëm.

Samiti i Financave të Përbashkëta është një hap i rëndësishëm para konferencës për klimën në Skoci dhe takimit të biodiversitetit në Kinë. Ne jemi shumë të lumtur të shohim bankat publike të zhvillimit që të zotohen për respektimin e deklaratës së samitit për të mbështetur aksionin klimatik dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Kjo është arsyeja pse Konventa e OKB-së për diversitetin biologjik vendosi ta mbështeste aktivitetin. Ne do ta shohim me sytë katër zbatimin e këtyre zotimeve të bankave publike të zhvillimit, dhe evolucionin e qasjeve të tyre për investim dhe menaxhim rreziku.

Ne presim që gjatë muajve të ardhshëm të punojmë me institucionet e financimit publik dhe privat për jetësimin e qëllimeve dhe zbatimin e një kornize globale të biodiversitetit post-2020. Duke trasuar rrugën për të ardhme ekonomike më të qëndrueshme, bota mund të jetësojë vizionin e 2050-s të Konventës së diversitetit biologjik të “të jetuarit në harmoni me natyrën”.

(Elizabeth Mrema është sekretare ekzekutive e Konventës së OKB-së për diversitet biologjik. Carlos Manuel Rodriguez është shef ekzekutiv i nismës për Lehtësim Mjedisor Botëror. Opinioni është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).