OpEd

Aktakuzat u konfirmuan, dinjiteti i vendit u ruajt

Të akuzuarit e kanë bërë gjënë e duhur: ata kanë dhënë dorëheqje dhe janë zotuar se do të përballen me akuzat në Hagë, ku do t’iu bashkohen një numri bashkëluftëtarësh. Ndikimi politik brenda Kosovës nuk është ende i qartë: shumë përkrahës të UÇK-së do të protestojnë. Ma merr mendja se Qeveria do ta ndihmojë mbrojtjen e tyre. Sidoqoftë, mungesa e tyre do ta lërë një zbrazëti në politikën e Kosovës. Është e paqartë se kush do ta mbushë atë. Shpresoj të jenë figura të pacenueshme

Kur është fjala për çështjet presidenciale, lajmi kryesor këtë mëngjes nuk ka të bëjë me SHBA-në, ku numërimi i votave po vazhdon në disa shtete, po me Kosovën, ku presidentit Thaçi dhe kryetarit aktual të partisë të cilën e themeloi ai, Kadri Veseli, u është konfirmuar aktakuza e Dhomave të Specializuara në Hagë. Ajo gjykatë, me staf ndërkombëtar, ishte themeluar në pajtim me një marrëveshje ndërkombëtare të ratifikuar prej Kuvendit të Kosovës, një amendament kushtetues dhe Ligjin mbi Dhomat e Specializuara të Kosovës e Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ato janë të përkohshme, me një mandat specifik dhe juridiksion mbi krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës dhe krimet e tjera, në pajtim me të drejtën në Kosovë, krime këto që kishin nisur apo ishin kryer në Kosovë midis 1 janarit të vitit 1998 dhe 31 dhjetorit të vitit 2000 nga apo kundër qytetarëve të Kosovës, ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Tekstin e aktakuzës nuk e kam parë ende në uebfaqen e Dhomave të Specializuara, por ajo ka të bëjë me akuzat për krime të kryera gjatë kohës sa Thaçi dhe Veseli ishin udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbase duke përfshirë akuzat për vrasje dhe trafikim organesh, të përshkruara në “Raportin e Martyt” të Këshillit të Evropës.

Të akuzuarit e kanë bërë gjënë e duhur: ata kanë dhënë dorëheqje dhe janë zotuar se do të përballen me akuzat në Hagë, ku do t’iu bashkohen një numri bashkëluftëtarësh. Ndikimi politik brenda Kosovës nuk është ende i qartë: shumë përkrahës të UÇK-së do të protestojnë. Ma merr mendja se Qeveria do ta ndihmojë mbrojtjen e tyre. Por mungesa e tyre do ta lërë një zbrazëti të madhe në politikën e Kosovës. Është e paqartë se kush do ta mbushë atë. Shpresoj të jenë figura të pacenueshme.

Dhomat e Specializuara janë përpjekje për t’u përgëzuar, për vendosjen e llogaridhënies pas luftës në fund të viteve nëntëdhjetë, në atë që asokohe ishte krahinë e Serbisë. Problemi qëndronte te fakti se fokusohej vetëm në njërën anë të atij konflikti. Serbia natyrisht se i ishte nënshtruar juridiksionit të Tribunalit të dikurshëm Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë, po ashtu në Hagë. Por, ai tribunal dhe gjykatat serbe kanë dështuar që t’i vënë para drejtësisë shumë përgjegjës për krime në Kosovë. Slobodan Milosheviqi vdiq në burg para se të përfundonte gjykimi i tij. Disa komandantë të njohur të armatës jugosllave dhe policisë nuk u akuzuan kurrë, dhe vazhdojnë të mbajnë pozita të larta.

Kjo e bën Specialen instrument të njëanshëm. Nuk duhet të jetë ashtu. Ose gjykatat serbe duhet të ngrenë akuza kundër atyre që kryen krime në Kosovë, ose Beogradi duhet t’i përshtatë ligjet e domosdoshme, për t’ia mundësuar Speciales ta bëjë një gjë të tillë. SHBA-ja humbi tre qytetarë të saj nga një vrasje e pasluftës brenda Serbisë, për të cilën gjë nuk ka dhënë llogari askush. Amerika dhe Bashkimi Evropian duhet të ngulmojnë më fuqishëm sesa tani, kur është fjala për llogaridhënie në Serbi.

Sa u përket Thaçit dhe Veselit, ashtu si edhe të akuzuarve të tjerë, pres që ata të ngrenë mbrojtje të fortë ndaj akuzave që mund të jenë të zorshme për t’u dëshmuar, duke pasur parasysh kohën që ka kaluar dhe vështirësitë e gjetjes dhe mbrojtjes së dëshmitarëve. Ata duhet dhe do të supozohen të pafajshëm deri të dëshmohet fajësia e tyre. Dhe, atyre duhet t’u jepen meritat për dorëheqjen dhe përballjen me akuzat. Duke bërë kështu, ata më bëjnë ta pres ditën kur Amerika sërish do të ketë liderë të gatshëm t’i nënshtrohen ligjit.