OpEd

Kush janë ata që do ta marrin vaksinën kundër COVID-19?

Në kohë normale, lajmet për zhvillimin e produkteve mjekësore nuk janë pjesë e ballinave të gazetave. Mirëpo këto nuk janë kohë normale dhe realiteti viral nëpër të cilin po kalojmë na e ka zhvendosur fokusin te vaksina. Se sa anormale dhe alarmante është kjo periudhë pandemike, më së miri shihet kur zhvillimi i barnave të reja, që zakonisht zgjat më shumë se një dekadë, tash po realizohet në kohë rekorde, përafërsisht 18 muaj. Gjatë përvojës time në zhvillim të barnave kam udhëhequr dhjetëra projekte, që përkundër hulumtimeve shkencore shumë premtuese nuk kanë arritur kurrë në dorë të pacientëve.

Në një botë të paralizuar nga virusi, që ende po shumohet vrullshëm, zbulimi i vaksinës është shndërruar në çështje të prestigjit kombëtar midis shteteve si Amerika, Britania e Madhe, Kina, Rusia dhe Gjermania. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka nën vëzhgim më shumë se 150 aktivitete hulumtuese për një vaksinë efektive. Grupet hulumtuese britanike, amerikane dhe kineze janë duke shtyrë kufijtë e shkencës me metodat dhe hulumtimet e tyre për vaksinë. E mira është se asnjë nga vaksinat nuk e ka metodën e njëjtë të veprimit – sepse sa më të ndryshme metodat e zhvillimit të vaksinës, aq më e lartë mundësia për sukses.

Qëllimi primar i secilit aktivitet hulumtues është zbulimi i një vaksine pa efekte anësore dhe që krijon imunitet në SARS-CoV-2. Megjithatë, disa qindra doza të një vaksine të suksesshme nuk do të kenë kurrfarë efekti kur të kemi radhë të gjata të pacientëve para institucioneve shëndetësore – me miliarda sish. E mu për këtë arsye ndikimi më i madh do të vjen nga grupi hulumtues që ka aranzhuar zinxhirin e furnizimit për prodhim masiv në nivel ndërkontinental.

Sipas këtyre dy kritereve dhe në bazë të rezultateve momentale, kandidati me mundësinë më të madhe të suksesit është vaksina e zhvilluar nga Universiteti i Oxfordit. Dje ky grup publikoi rezultate inkurajuese të studimeve klinike në më se 1 mijë të vaksinuar, të cilat vërtetojnë se ajo çka është vërejtur në kafshë po ndodh edhe në njerëz – aktivizim i imunitetit për të parandaluar infektimin. Nëse këto rezultate pozitive përsëriten edhe në fazën e tretë dhe përfundimtare të studimeve klinike me gjithsej 11 mijë njerëz nga Britania, Brazili dhe Afrika e Jugut dhe dëshmohet se infektimi mund të parandalohet, atëherë kjo na shpie një hap më afër vaksinës. Sfida e furnizimit mbarëbotëror duket të jetë e tejkalueshme për Oxfordin, duke marrë parasysh se momentalisht 2 miliardë doza tashmë janë duke u prodhuar nga gjiganti farmaceutik “Astrazeneca” për të qenë gati për shpërndarje.

Kandidati i radhës që është duke korrur suksese është kompania nga Kina. Fakti se virusi për herë të parë u shfaq në Wuhan i dha Kinës përparësi kohore ndaj të tjerëve dhe Sinovac Biotech ka kohë që ka përvjelë mëngët në këtë drejtim. Në muajin qershor kjo kompani arriti të raportojë rezultate pozitive nga faza e parë dhe e dytë e studimeve klinike me 743 të vaksinuar. Studimet e tyre dëshmuan se kandidati i tyre për vaksinë është i sigurt dhe efikas. Këto rezultate premtuese ua mundësuan aplikimin për fazën e tretë apo finale të provave klinike me një numër ende të padefinuar të pjesëmarrësve.

Kompania “Moderna” nga SHBA-ja është grupi i tretë që pritet të ketë sukses me vaksinën e saj. Edhe pse rezultatet momentale vijnë nga vetëm 45 të vaksinuar në fazën e parë e të dytë, shkalla e prodhimit të antitrupave jep shpresë për suksese të mëtutjeshme. Kompanisë i është aprovuar fillimi i fazës së tretë dhe finale të provave klinike në fund të muajit ku planifikohet vaksinimi i mijëra njerëzve me shpresë të komercializimit në vitin 2021.

Shpejtësia me të cilën po vazhdojnë hulumtimet për vaksinë është marramendëse, por raportimet për sukses të garantuar janë të nxituara. Vlen të përmendet se vetëm 14% e barnave që zhvillohen nëpër laboratorë përfundojnë në dorën e pacientëve. Pjesa tjetër e aktiviteteve hulumtuese për zhvillim të barnave të reja mbesin në dollapë të laboratorëve, si rikujtim i asaj se sa të shpeshta janë dështimet në shkencë.

Kur miliarda njerëz e presin vaksinimin nëpër botë, kush janë ata që do të vaksinohen në Kosovë nëse zbulohet vaksina? Në një vend ku baza e fortë materiale apo krahu i fortë politik çojnë peshë, koronavirusi i pezullon këto pesha kosovare.

Në fakt, nëse ekziston një e mirë nga virusi është se ai nuk diskriminon në baza financiare apo partiake dhe e prek secilin njëjtë. Të dhënat shkencore deri më tash sugjerojnë se virusi ka për karakteristikë diskriminimin në baza të injorancës. Andaj, nëse një ditë e gjejmë vaksinën, parakusht për vaksinim do të jetë të qenit gjallë dhe shëndosh e mirë. Shkurt e shqip, vaksinën do ta marrin ata që kanë mbetur gjallë falë bartjes së maskave, respektimit të distancës fizike dhe mirëmbajtes së higjienës personale.

Nëse respektimi i rekomandimeve sot është e vetmja mënyrë për t’ia garantuar vetes pritjen në rend për vaksinë nesër, atëherë unë do t’iu përmbahem rregullave me plot përgjegjësi.

(Autori është shkencëtar farmaceutik. Pikëpamjet janë personale dhe nuk përfaqësojnë ndonjë kompani)