OpEd

"Fitore historike" apo kurth i Vuçiqit?

Aleksandar Vuçiqi fitoi zgjedhjet në Serbi - diçka tjetër as që pritej përballë fuqisë së tij parademokratike dhe bojkotit të opozitës. Kjo fitore i krijon atij një komoditet për të negociuar mbi Kosovën. Disa politikanë të Kosovës po brohorasin për "fitoren historike" të shqiptarëve në Luginën e Preshevës (me gjasë do të kenë 2 deputetë). Por këtë "fitore" Vuçiqi do ta shfrytëzojë për të argumentuar se shqiptarët në Serbi kanë mjaft të drejta dhe janë mirë të integruar, andaj s'duhet ndryshuar asgjë. Beogradi toleroi involvimin e Tiranës në "bashkimin e shqiptarëve" në Luginë për interesat afatshkurtëra të Vuçiqit. Nuk po avancohen të drejtat e shqiptarëve, por Vuçiqi po arrin ta "integrojë" partinë e tij në trevat shqiptare. Në Bujanoc, për shembull, partia e tij ka dalë e para, sepse shqiptarët kishin 5 lista zgjedhore. Në këtë qytezë ndikimi i Tiranës në unifikimin e shqiptarëve nuk u pa fare. Ndërkohë spastrimi etnik i shqiptarëve me masa burokratike po vazhdon

Partia e Aleksandar Vuçiqit do të ketë rreth 180 deputetë në Kuvendin e ri të Serbisë (nga 250). Me këtë shumicë Vuçiqi mund të kalojë në parlament një marrëveshje eventuale për Kosovën. Në Moskë në takim me Putinin (më 24 qershor), në Washington në takim me emisarët e Trumpit (më 27 qershor) dhe në Paris në samitin e organizuar nga presidenti Macron (më 17 korrik) Vuçiqi shkon me mesazhin se pas e ka një parlament të kontrolluar totalisht prej tij, pra me mandat të plotë (sipas pikëpamjes së tij – dhe kjo i konvenon tash Europës dhe SHBA-ve). Pra, kjo i konvenon të gjithë atyre që duan të shtyjnë përpara një marrëveshje me Kosovën – edhe nëse është e dëmshme për Kosovën.

Vuçiqi shkon në Moskë, në Washington dhe në Paris po ashtu me një aparat special me vete: e ka një sustë me të cilën mund ta rrëzojë qeverinë në Prishtinë. Sepse qeveria e Kosovës është e dobët dhe e varur nga Lista e Beogradit, ndërsa zgjedhja e qeverisë ka qenë tejet diskutabile. Me këtë mandat të cunguar, me legjitimitet të lënduar kjo qeveri e ka vështirë të mbrojë interesat e Kosovës. Për shkak të polarizimit ekstrem – tani për tani - mbetet ëndërr një platformë e përbashkët e partive politike shqiptare. Çmimin e poshtërsive politike dhe paaftësisë së klasës politike do ta paguajnë qytetarët e Kosovës.

Pas zgjedhjeve të djeshme në Serbi në opinionin shqiptar (sidomos në Kosovë) shpërtheu një entuziazëm i madh për "fitoren historike" të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Këtë "fitore" duhet parë në dimensionin e saj real dhe nuk duhet të biem pre e propagandës. Fakt është: pakica shqiptare në Republikën e Serbisë do të ketë në parlamentin e ri të Serbisë - 2 deputetë (4 deputetë duket shpresë jorealiste). Nga disa politikanë të Prishtinës e Tiranës, por edhe nga vëzhgues sporadikë të situatës në rajon ky rezultat, po quhet "fitore historike". S'ka ndodhur ndonjëherë të kenë pasur kaq deputetë shqiptarët në parlamentin serb, zakonisht ka qenë një deputet.

Por shtrohet pyetja për kë është kjo "fitore historike"? Vetëm për shqiptarët apo mos është një kurth i Aleksandër Vuçiqit? Së pari: ai lejoi që qeveria e Tiranës të luajë rolin e "unifikuesit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës" për të treguar se partner e ka Shqipërinë dhe jo Kosovën kur bëhet fjalë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi. (Ka vëzhgues që besojnë se ky ishte edhe një falënderim i Vuçiqit për përkrahjen e idesë së Mini-Schengenit). Së dyti: Vuçiqi organizoi një farsë elektorale të dielën dhe me çdo kusht luftoi që të fusë në parlament edhe ndonjë opozitar apo përfaqësues pakicash, sepse partitë kryesore të opozitës i bojkotuan zgjedhjet. Pragu ishte ulur nga 5 në 3 për qind. Së treti: deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë janë argument që Vuçiqi do e shfrytëzojë në bisedimet për Kosovën, duke thënë se nuk ka nevojë të avancojë të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës, sepse "ata janë mirë të integruar në Serbi", me 2 deputetë. Po ashtu kjo do t'i shërbejë si argument Beogradit për të kundërshtuar shkëmbimet territoriale dhe për t'u koncentruar vetëm në kërkimin e një cope të territorit të Kosovës. Presidenti i Kosovës sot u rreshtua në korin e brohoritësve, duke shkruar se shqiptarët e Luginës do të kenë më shumë "deputetë që do ta ngrehin zërin për të drejtat e shqiptarëve atje". Ku mbeti premtimi për "bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën"?

Për të turbulluar pak entuziazmin ja edhe një fakt: në Bujanoc, komunë me shumicë shqiptare, parti e parë ka dalë SNS-ja e Vuçiqit. Pse? Sepse serbët patën dy lista zgjedhore, shqiptarët 5. Pas konfliktit të vitit 2001 Serbia premtoi se do të integrojë shqiptarët e Luginës duke iu ofruar më shumë mundësi të pjesëmarrjes në poste vendimmarrëse në nivel lokal dhe republikan, në vitin 2020 partia e Vuçiqit qeverisë Medvegjën, fiton zgjedhjet në Bujanoc, ku ka gjasa të jetë faktor përcaktues - siç është edhe në Preshevë me 2 për qind popullsi serbe. Pra, siç thotë një njohës i mirë i situatës në Luginë, "në vend të integrimit të shqiptareve ne institucione rajonale dhe republikane sot kemi integrimin e SNS-së në komunat e Luginës".

Ndërkohë diskriminimi i shqiptarëve të Luginës së Preshevës vazhdon dhe plot prej tyre ankohen se po u shlyhen emrat në regjistra civilë, pra kemi një spastrim etnik me masa burokratike. Rrjedhimisht, "fitorja historike" duhet parë pak me rezervë. Dhe duhet parë po ashtu se ajo tani për tani i shërben Vuçiqit për një pasqyrë të rrejshme demokratike. Në dy dekadat e fundit mijëra shqiptarë nga Lugina e Preshevës janë shpërngulur në Kosovë si pasojë e presioneve politike, diskriminimit të hapur nga shteti serb, perspektivës së zymtë ekonomike, mungesës së investimeve, mospranimit të diplomave të Universitetit të Prishtinës etj. Fatkeqësisht Kosova nuk ka pasur gati asnjëherë një politike koherente dhe të qartë ndaj Luginës së Preshevës. Shpesh liderët e asaj zone janë shfrytëzuar për ndonjë shou politik në Prishtinë.