OpEd

Drama “Korona” e shkruar nga Shekspiri

Mbi besimtarët e teorive të komplotit

Para disa vjetësh, Shoqata Gjermane e Wiliam Shekspirit (po, edhe diçka e tillë ekziston në Gjermani) njoftoi se shkrimtari anglez të gjitha dramat i ka shkruar vetë. Nuk janë pak: 38 pjesë teatrale. Ka njerëz që besojnë se kjo nuk është e vërtetë, andaj duhet të ndërhyjnë ekspertët dhe t’u japin fund spekulimeve. Me siguri ka njerëz që janë të bindur që as Franz Kafka nuk i ka shkruar vetë të gjithë ato vepra, fundja: a nuk vdiq aq i ri? Nga ana tjetër, ka njerëz që besojnë se Enver Hoxha i ka shkruar vetë të gjitha veprat që në kapakë bartin emrin e diktatorit.

Pas përhapjes së koronavirusit nëpër dynja, gjithnjë e më shumë njerëz betohen – edhe nëpër kasabatë shqiptare dhe klubet e llafeve të diasporës – se virusi mizor nuk ekziston, se është vetëm prodhim i fantazisë, e nëse ekziston, atëherë s’mund të jetë aq i rrezikshëm, siç thuhet. Qarkullojnë lloj-lloj teorish të komplotit. Virusi vetëm po përdoret nga elitat për të vendosur një regjim diktatorial. Kështu gjykojnë jo pak njerëz në Gjermani, në Zvicër e vende të tjera të perëndimit, siç thuhet, të civilizuar. Të tillët dalin e demonstrojnë në rrugë duke rrezikuar veten dhe të tjerët dhe këtë përpiqen ta shesin si akt revolte qytetare.

Rreziku është i padukshëm, por ithtarët e teorive të komplotit bëhen sikur i shohin të gjitha. Virusi, sipas kësaj mendësie, është shpikur nga Bill Gates për të reduktuar numrin e banorëve të botës. Në këtë kontekst, si pjesë e komplotit përmenden edhe hebrenjtë si fajtorë kujdestarë: George Sorosi (si përfaqësues i kapitalizmit), bankierët e Rothschildit, Mark Zuckerbergu (bota digjitale).

Këtu s’bën punë as dija, as racionalizmi, as arsyeja, as respekti, as morali, as etika. Besimtarët e teorive të komplotit janë të papërmirësueshëm, vuajnë nga psikopatologjia. Perceptimi dhe mendimi i matur nuk kanë vend, ndërsa fantazia është e pafrenueshme dhe e pezullon kompetencën sociale.

Nuk u besohet mjekëve, as politikanëve seriozë (ka qytetarë në Gjermani që me gjithë mend flasin për “diktaturën e Angela Merkelit”), ndërsa politikanët popullistë gjejnë adhurues dhe i joshin e i manipulojnë me informata të rreme, premtime të rreme, ekspertiza të paverifikueshme, këshilla absurde. Virusi? Një shpikje e farmaceutikës, e botës digjitale, e kapitalizmit. Ky është virusi që e shoqëron koronavirusin.

Momentalisht njeriu mbase më i urryer nga ata që vuajnë nga psikopatologjia është Bill Gates, bashkëthemeluesi i Microsoftit. Filantropi amerikan shihet si altruist i rremë, i cili bëhet sikur dhuron para për të luftuar pandeminë, por në fakt na qenkësh vetëm përfitues.

Më 2015 Gates paralajmëroi botën nga rreziku i një pandemie, ai i bëri thirrje botës mbarë të jetë e përgatitur. Për dashamirët e konspiracionit kjo është “një dëshmi” se Gates e ka nxjerrë virusin nga laboratorët e tij, në mënyrë që të përfitojë pastaj nga shitja e një vaksine. Andaj ka njerëz që tashmë kanë bërë të qartë se do të refuzojnë vaksinimin nëse një ditë zbulohet vaksina. Në rrjetet sociale gënjeshtrat më të përhapura mbi koronavirusin kanë të bëjnë me personin e Bill Gates.

Nuk merret seriozisht informata e saktë se fondacioni i Bill dhe Melinda Gates në 20 vjetët e fundit ka ndarë mbi 50 miliardë dollarë për projekte të ndryshme në mbarë botën. Në kuadër të nismës së vaksinimit Ga­vi (Glo­bal Al­li­an­ce for Vac­ci­nes and Im­mu­ni­sa­ti­on) Bill Gates ka ndarë 750 milionë dollarë. Nisma Gavi pretendon se përmes kësaj fushate ka shpëtuar 13 milionë njerëz nga vdekja. Deri më tani Gates ka premtuar 300 milionë dollarë për luftën kundër virusit korona dhe sëmundjes Covid-19 të shkaktuar nga ky virus. Asgjë nuk bën punë. “Kill Bill”, kjo është njëra ndër parullat e atyre që besojnë në të “vërtetat alternative” si rrugëdalje nga tronditja e tyre shpirtërore. Por, kjo rrugëdalje është e pamundshme për aq kohë sa besohet në teori komploti.

Këtu qëndron dallimi me figurat e dramave të Wiliam Shekspirit. Ato i përshtaten kohës, nuk janë të palëvizshme, kanë aftësi për të ndryshuar si në aspektin psikologjik, ashtu edhe në atë moral. Themeli i botës moderne është dyshimi i shëndoshë dhe refuzimi i përgjigjeve përfundimtare. Njerëzit duan përgjigje të thjeshta, bardh-zi. Këtë nuk mund ta ofrojnë profesionistët që bazohen në fakte. Kërkimi i së vërtetës është proces i përditshëm.