OpEd

Me kë të pajtohet Kosova

Fëmijët e familjes Bogujevci nuk e kanë shijuar lirinë në Kosovë. Ata kanë gjetur shërimin dhe vazhdojnë të jetojnë në Angli. E Ivica Daçiqi, që ishte zëdhënës i Milosheviqit, kur u plagosën ata dhe u ekzekutuan për vdekje familjarët e tyre, mbahet ende në majat e pushtetit në Serbi. Aty janë edhe Vuçiq e Nikoliq, ish-bashkëpunëtorët e ultranacionalistit Sheshel. Pajtimi i propozuar nga presidenti Thaçi jo që është i pamundur me ta, por praktikisht edhe i gabuar. Kosova është palë e dëmtuar dhe nuk bën ofertë për pajtim

Ivica Daçiqi në kohën kur ishte kryeministër i Serbisë bëri një veprim që në Serbi u vlerësua i “guximshëm”. Mori pjesë në ekspozitën e titulluar “Bogujevci – historia vizuale, homazh për të gjitha familjet dhe viktimat e luftës”, projekt artistik i Fatos, Jehona dhe Sarandë Bogujevcit, tre të mbijetuar të masakrës së Podujevës, të kryer më 28 mars 1999 nga formacioni serb i ashtuquajtur “Skorpijoni”.

Daçiqi që vazhdon të mbetet njëri nga zërat më radikalë në politikën e Serbisë, edhe tash, 18 vjet pas luftës në Kosovë, në rajon njihet me nofkën “Sloba i vogël”. Ishte zëdhënës i presidentit Slobodan Milosheviq, kur u vranë mbi 10 mijë njerëz në Kosovë, përfshirë edhe të afërmit e fëmijëve Bogujevci. Dhe ishte krejt e natyrshme që prania e tij në ekspozitën e mbajtur tre vjet më parë, të ngrinte dilema - nëse është duke treguar gatishmëri për t’u përballur me pasojat e politikës që mbahet në mend për masakra, madje më brutale se ato të ISIS-it, apo qëllimi i tij është të shfaqet pragmatik në prag të negociatave me BE-në. Dyshimet u rritën kur në fjalimin që mbajti aty nuk kërkoi falje për krimet e kryera në Kosovë.

Prezantimi i tre fëmijëve Bogujevci para publikut në Beograd ishte një rrëfim për tragjedinë e tyre personale. Saranda ishte 14 vjeçe e Jehona 11 vjeçe, kur ishin ekzekutuar 14 qytetarë në Podujevë. Në Beograd ata kishin vajtur edhe para se të hapnin ekspozitën. Kishin dëshmuar në gjykimin që u ishte bërë pjesëtarëve të “Skorpijonave”. Në sallën e gjykimit ishin edhe njerëzit që i kishin takuar në oborr gjatë luftës dhe u kishin vrarë para syve të tyre të afërmit.

Fëmijët e familjes Bogujevci nuk e kanë shijuar lirinë në Kosovë. Ata kanë gjetur shërimin dhe vazhdojnë të jetojnë në Angli. E Ivica Daçiqi mbahet ende në majat e pushtetit në Serbi. Aktualisht është ministër i Punëve të Jashtme, e zëvendësi i tij në vitin 2013, Aleksandar Vuçiq, është kryeministër. Vuçiqi nuk kishte shkuar në ekspozitën e familjes Bogujevci, por kishte përkrahur mbajtjen e saj, me arsyetimin se Serbia është e hapur për diskutimin e së kaluarës. Ai që tash konsiderohet politikani më me ndikim në Serbi, në kohën e luftës në Kosovë ka qenë pjesë e strukturave të Partisë Radikale të udhëhequr nga ultranacionalistët Vojislav Sheshel dhe Tomislav Nikoliq. Ky i fundit është president i Serbisë dhe bashkë me Daçiqin angazhohen më shumë për partneritet me Rusinë sesa me BE-në dhe SHBA-në.

Tandemi Vuçiq-Daçiq- Nikoliq nga qëndrimet publike lënë të kuptohet se më parë bien nga politika sesa pranojnë përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ata janë ngritur dhe afirmuar në pushtet me dhunë dhe tone të forta nacionaliste kundër shqiptarëve, dhe e dinë se vetëm kështu mund ta zgjasin jetën aty.

Ata nuk ndiejnë fajin për krimet në Kosovë, përkundrazi kjo strukturë johumane tallet me të gjallët e me të viktimizuarit e Kosovës. Madje vazhdojnë t’i quajnë terroristë – edhe familjen e pafajshme Bogujevci.

Dhe ndërsa familjet që paguan shtrenjtë brutalitetin e pushtetit serb vazhdojnë të kërkojnë drejtësi, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dalë me propozimin për themelimin e një komisioni për të vërtetën dhe pajtimin në mes të Kosovës dhe Serbisë. Propozimi i tij është pasuar me reagime kundërshtuese e dyshuese. Një përgjigje të shpejtë ai e ka marrë edhe nga Stanley Hankeman, drejtori i Institutit për Drejtësi dhe Pajtim në Republikën e Afrikës së Jugut, shtetit që në vitin 1990 kishte kaluar nëpër këtë proces.

“Komisioni për të vërtetën dhe pajtimin, qëllimi përfundimtar i të cilit nuk është drejtësia, është i dënuar me dështim”, ka deklaruar ai.

Për drejtësi para pajtimit kanë folur edhe të tjerë ekspertë të të drejtave të njeriut, përfshirë themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare (FHD), Natasha Kandiq. Nga eksperienca e gjatë në grumbullimin e të dhënave për krimet e luftës në Kosovë dhe më gjerë, ajo ka mbërritur në përfundimin se strukturat e tashme qeverisëse në të dyja vendet, e që janë gati të njëjtat për shumë vjet, nuk janë të denja për të shtyrë përpara procesin e zbardhjes së të pagjeturve, për zbulimin e autorëve të krimeve, nxjerrjen e tyre para drejtësisë, e edhe më pak për arritjen e pajtimit.

Kandiq ka parë nga afër mungesën e vullnetit të lidershipit serb për të reflektuar pas luftës së përgjakshme dhe brutale në Kosovë. Nuk ka vërejtur gatishmërinë politike qoftë edhe nga struktura “demokratike” për të dënuar mizoritë ndaj njerëzve të pafajshëm. Vetë ajo është një zë i paktë ndër intelektualët serbë që dërgojnë mesazhe solidarizimi me familjet e viktimave dhe me ata që kërkojnë drejtësi.

Komisionet për pajtim si ato të Thaçit, duhet ta dinë se në Serbi ka unitet të plotë politik, kulturor, fetar e medial për kauzën e Kosovës, ashtu si 20 vjet më parë. Në të gjitha proceset negociatore, Serbia ka shfaqur refuzimin dhe arrogancën ndaj çdo përpjekjeje ndërkombëtare për të afruar palët në bashkëpunim. Duhet ta dinë edhe se problemi shqiptaro-serb nuk është pasojë vetëm e luftës së fundit. Urrejtja është kultivuar nëpër breza, është shtresuar në literaturë e krijimtari të Serbisë, është pjesë e kurrikulës së shkollës së saj, e propagandës mediale, e liturgjive fetare dhe e programeve akademike shkencore.

Duhet ta dinë se Serbia vajton ende se ka humbur territorin dhe se i është bërë e padrejtë. Dhe një iniciativë si kjo për pajtim e vërteton pastaj tezën se Serbia ka dalë e mundur nga lufta dhe sipas traditës oferta për pajtim vjen nga pala e akuzuar e jo nga ajo e dëmtuar.

Presidenti Thaçi duhet ta dijë edhe se pajtimi në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk mund dhe nuk duhet të jetë vetëm politik. Të dyja vendet në nivelet politike mund të merren vesh, nëse është e mundur ndonjëherë, për fqinjësi të mirë, për bashkëpunim tregtar, lëvizje të lirë, e ndoshta edhe për njohje. Por, për pajtim duhen krijuar instrumente tjera – me përfshirjen e të gjitha palëve, intelektualë, përfaqësues të shoqërisë civile, të organizatave që mbrojnë të drejtat e njeriut, përfaqësues të organizatave për të pagjeturit dhe autoritete të besueshme ndërkombëtare të drejtësisë.

Dhe, para së gjithash, duhet zbutur dhembjen e familjeve të 1.600 të pagjeturve, nëpërmjet një procesi më serioz të kërkimit të trupave që mbahen të fshehur në varrezat masive dhe duke sjellë para drejtësisë autorët dhe urdhërdhënësit e krimeve.