OpEd

Një kapitull i përgjakshëm gjerman

Para 50 vitesh u themelua organizata terroriste gjermane “Rote Armee Fraktion” (Fraksioni i Armatës së Kuqe). Terrori i ekstremistëve të majtë arriti kulmin me vrasjen e kryeprokurorit dhe shefit të Shoqatës së Punëdhënësve të Gjermanisë në vitin 1977. Synim i terroristëve ishte ta diskreditonin shtetin duke e paraqitur si vazhdimësi të nazizmit. Nuk ia arritën, por hapën debate me të cilat Gjermania merret edhe sot, sepse pasojat e terrorit të Fraksionit të Armatës së Kuqe nuk janë tejkaluar ende. Kjo organizatë u shpërbë vetë në prill të vitit 1998. Një pjesë e krerëve të saj janë penduar për të kaluarën terroriste, mes tyre është edhe Silke Maier-Witt, e cila mes viteve 2000-2005 ka punuar në Prizren si aktiviste humanitare dhe tani jeton në Maqedoninë e Veriut. Si ish-terroriste dhe pensioniste. Një kapitull tjetër i historisë së ekstremistëve të majtë gjermanë lidhet me Jugosllavinë e Titos, ku u arratisën disa prej tyre, por vetëm për disa muaj.

Organizata terroriste gjermane Fraksioni i Armatës së Kuqe nuk u themelua në ndonjë sallë apo zyrë. Nuk u mbajt as kuvend themelues. Më 14 maj 1970, si sot para 50 vitesh, një grup ekstremistësh të majtë arritën ta nxjerrin nga burgu Andreas Baaderin, i cili po vuante dënimin për shkak se ia kishte vënë zjarrin një shtëpie të mallrave. Ky aksion konsiderohet si akti themelues i Fraksionit të Armatës së Kuqe (në gjermanisht: Rote Armee Fraktion ose shkurt RAF).

Shumica e anëtarëve të kësaj organizate ekstremiste rridhnin nga familjet e shtresës së mesme dhe të lartë, pra nga Bildungsbürgertum, siç quhet në gjermanisht klasa e mesme e edukuar. Anëtarët e RAF ishin të bindur se pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani nuk kishte ndryshuar asgjë. Sipas tyre shteti ishte vazhdimësi e diktaturës naziste, sepse në zyrat kryesore të autoriteteve ende punonin nazistët e vjetër, pa dhënë llogari për krimet e tyre dhe për shërbimet ndaj një regjimi gjakatar që sundoi dhe fundosi, jo vetëm moralisht, Gjermaninë mes viteve 1933-1945.

Kritika e majtistëve radikalë nuk ishte krejtësisht e pabazë, ndonëse metodat e tyre ishin të papranueshme, ngaqë bëhej fjalë për akte terroriste. Njëra anë e së vërtetës ishte kjo: dy nga themeluesit kryesorë të Gjermanisë Perëndimore – kancelari i parë i pasluftës Konrad Adenaueri dhe lideri socialdemokrat Kurt Schumacheri – kishin mbajtur distancë kundrejt nazizmit dhe ishin kundërshtarë të Adolf Hitlerit. Ana tjetër e së vërtetës: si kancelar Adenaueri kishte thënë se “s’mund ta derdhësh ujin e turbullt nëse nuk ke ujë të pastër”. Me këto fjalë ai kishte mbrojtur praninë e ish-nazistëve në institucionet gjermane pas luftës dhe kishte prirë me shembull të keq: mes viteve 1953-1963 shef i kabinetit të Adenauerit ishte Hans Globke, një jurist që i kishte shërbyer regjimit nazist, mes tjerash edhe si bashkautor dhe komentues i ligjeve çnjerëzore raciale të Nyrenbergut (Nürnberg), përmes të cilave nga viti 1935 u legalizua ideologjia antisemite dhe u hap rruga për shfarosjen e hebrenjve. Pas luftës Globke u bë eminencë gri e qeverisë së Adenauerit dhe u kujdes që në parlament të kalojë ligji 131, i cili u garantonte nazistëve të dikurshëm kthim në vendet e tyre të punës në administratën publike, në universitete, shkolla, polici dhe shërbime sekrete.

Kundër refuzimit të politikës dhe të një pjese të madhe të shoqërisë gjermane për t’u ballafaquar me të kaluarën u rebeluan studentët dhe një pjesë e profesorëve në vitin 1968. Kjo revoltë për të majtën radikale ishte pak. Për anëtarët e Fraksionit të Armatës së Kuqe vetëm lufta e armatosur ishte rruga e duhur për të gjunjëzuar shtetin gjerman. Te një shtresë e hollë intelektualësh të majtë ekzistonte një “magjepsje morbide” me gatishmërinë e terroristëve për të vrarë dhe sakrifikuar edhe jetën. Autore e formulimit “magjepsje morbide” është historiania Petra Terhoeveni.

Fraksioni i Armatës së Kuqe e tronditi Gjermaninë me aksione shpesh spektakulare. Terrori arriti kulmin më 1977: në prill RAF vrau kryeprokurorin e Gjermanisë, Siegfried Buback, në korrik u vra shefi i Dresdner Bank-ës, Jürgen Ponton, në fillim të shtatorit anëtarët e RAF-it kidnapuan kryetarin e Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë, Hanns-Martin Schleyerin. Kidnapimi zgjati 44 ditë dhe mori fund me vrasjen e Schleyerit, i cili më 1937 ishte anëtarësuar në partinë naziste (NSDAP). Koha mes shtatorit dhe tetorit të vitit 1977 quhet “vjeshta gjermane” (“Deutscher Herbst”) dhe konsiderohet si periudha më sfiduese në politikën e brendshme gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.

Fraksioni i Armatës së Kuqe është përgjegjës për 34 vrasje, disa grabitje bankash dhe sulme me eksploziv. Sipas argumentimit ideologjik, RAF-i e shihte Republikën Federale të Gjermanisë si “shtet fashist” në shërbim të Shteteve të Bashkuara “imperialiste”. Idhull i ekstremistëve të majtë ishte lideri komunist kinez Mao Ce Duni dhe jo kancelari socialdemokrat Willy Brandti, i cili vitet e sundimit nazist i kaloi në ilegalitet dhe ekzil.

Një fenomen dallues i RAF-it është prania e grave. Në vitin 1977, nga 40 të kërkuar me fletarrest, 24 ishin gra, pra 60 për qind. Gruaja më e njohur e RAF-it ishte Ulrike Meinhof. Pasi mbushi 30 vjet Meinhof u bë kryeredaktore e revistës majtiste “Konkret”, ajo ishte e martuar dhe nënë e dy fëmijëve. Brenda pak vitesh Meinhof u radikalizua dhe në moshën 36-vjeçare konsiderohej armikja numër një e Gjermanisë. Karriera e saj si gazetare mori fund me pjesëmarrjen në aksionin për nxjerrjen nga burgu të Andreas Baaderit. Fraksioni i Armatës së Kuqe fillimisht u quajt “Baader-Meinhof-Bande” ose “Baader-Meinhof-Gruppe”. Më 1971 Ulrike Meinhof shkroi doracakun për luftë ilegale të quajtur “Koncepti i gueriles urbane” (“Das Konzept Stadtguerilla”). Shefe e financave ishte Gudrun Ensslin, ndërsa “koka” e RAF-it pas daljes nga burgu më 1977 u bë Brigitte Mohnhaupt.

Fraksioni i Armatës së Kuqe ishte mjaft efikas në prodhimin e miteve dhe përhapjen e propagandës. Një nga mitet kryesore të RAF-it për të legjitimuar terrorin ishte akuza se shteti po i vret në burg anëtarët e RAF-it. Pas një serie grevash të urisë, më 1974 vdiq në burg Holger Meins, një regjisor filmi dhe terrorist i RAF-it. Por, rasti më spektakular u shënua më 18 tetor 1977: në burgun Stuttgart-Stammheim vdiqën tre terroristë të RAF-it. Gudrun Ensslini bëri vetëvrasje me një kabllo, ndërsa Andreas Baaderi dhe Jan-Carl Raspe vranë veten me revole. Armët i kishin futur në burg avokatët e terroristëve. Disa avokatë ishin majtistë të regjur dhe simpatizonin me klientët e tyre.

Ngjarjet në burgun e Stammheimit ishin një nga pikat kulmore të ballafaqimit mes RAF-it dhe shtetit gjerman. Pas kidnapimit të kryetarit të Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë, Hanns-Martin Schleyerit, në fillim të shtatorit 1977 anëtarët e RAF-it besonin se shteti do të dorëzohej dhe do të lironte nga burgu terroristët e RAF-it. Për të shtuar presionin ndaj qeverisë në Bonn, RAF-i ndikoi që terroristët palestinezë të kidnapojnë, më 13 tetor 1977, një avion të kompanisë “Lufthansa” dhe e detyruan të aterrojë në Mogadishu të Somalisë. Palestinezët vranë kapitenin e avionit. Por kancelari i atëhershëm Helmut Schmidti nuk lëshoi pe dhe nuk i liroi anëtarët e burgosur të RAF-it. Ai tha se shteti në asnjë rast nuk guxon të jetë i shantazhueshëm nga terroristët. Më 18 tetor 1977 një njësi speciale gjermane liroi pengjet nga avioni i “Lufthansa”. Pastaj, po atë ditë, ndodhën vetëvrasjet në Stammheim, ndërsa të nesërmen, më 19 tetor 1977, pas një njoftimi të RAF-it, kufoma e Hanns-Martin Schleyerit u gjet në bagazhin e një “Audi 100” në Mulhouse të Francës. Pas këtyre ngjarjeve dramatike u arrestuan dhe u dënuan edhe disa nga avokatët që simpatizonin me terroristët.

Përkundër terrorit të pashembullt, Fraksioni i Armatës së Kuqe nuk arriti të fitojë simpatitë e punëtorëve në Gjermani. Andaj, të frustruar për shkak të mungesës së përkrahjes, terroristët e RAF-it konsideronin se “klasës punëtore” të përbërë nga idiotët e konsumit i mungonte “vetëdija revolucionare”, shkruan politologu Harald Bergsdorf në një artikull të botuar këto ditë në gazetën “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Përkundër goditjes që mori në fund të viteve 1970-të, RAF-i nuk pushoi së ekzistuari. Vrasjet vazhduan edhe në vitet ’80 të shekullit të kaluar. U vranë shefi i ndërmarrjes MTU-së (Motoren- und Turbinen-Union) Ernst Zim­mer­manni (1985), menaxheri i Siemensit, Karl Heinz Beckurtsi, dhe shoferi i tij, Eck­hard Gropp­leri, (1986), di­plo­ma­ti, Ge­rold von Braun­mühli, (1986), bankieri, Al­fred Herr­hau­seni, (1989) dhe menaxheri, Det­lev Kars­ten Roh­wed­deri, (1991). Roh­wed­deri drejtonte Treuhandanstalt-in, një agjenci të themeluar nga Gjermania Perëndimore për privatizimin e ndërmarrjeve të Gjermanisë Lindore, pas bashkimit të dy shteteve gjermane. Të gjitha këto vrasje kanë mbetur të pasqaruara.

Më 20 prill 1998 Fraksioni i Armatës së Kuqe njoftoi se ka vendosur të shpërbëhet. Rastësi apo jo: RAF-i u shpërbë bash në ditëlindjen e Adolf Hitlerit. Në deklaratën e fundit RAF nuk pendohej për veprimtarinë e vet: “Ne respektojmë historinë tonë... Jemi të lumtur që kemi qenë pjesë e kësaj përpjekjeje... Fundi i projektit tregon se nuk ia dolëm përmes kësaj rruge. Por asgjë nuk na bind kundër domosdoshmërisë dhe të së drejtës legjitime për revoltë... Sepse terrori i vërtetë ekziston në gjendjen normale të sistemit ekonomik... Rrethanave të dhunshme ne i jemi përgjigjur me dhunën e revoltës”.

Kështu fliste edhe Ulrike Meinhof (ajo u vetëvra më 1976 në burgun e Stammheimit). Në pamfletin e saj të vitit 1970 mbi luftën revolucionare Meinhof shkruante: “Natyrisht ne themi... ai tipi në uniformë është derr, nuk është njeri... dhe natyrisht se mund të hapet zjarr ndaj tij!” Meinhof i shihte policët si mbrojtës të “krimeve të sistemit”. Terroristët e RAF-it i bashkonte urrejtja kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1985 ata vranë me plumb në zverk ushtarin amerikan, Edward Pimentali, i cili po shërbente në Gjermani. Kjo vrasje ngjalli kritikë madje edhe në radhët e mbështetësve të terroristëve, siç shkruan politologu, Harald Bergsdorfi, në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Fraksioni i Armatës së Kuqe ka edhe dy histori që lidhen me Ballkanin. E para: më 11 maj 1978 në Zagreb u arrestuan anëtarët e RAF-it, Brigitte Mohnhaupti, Peter-Jürgen Boocku, Sieglinde Hofmanni dhe Rolf Clemens Wagneri. Ndonëse pala gjermane kërkoi ekstradimin e tyre, kjo nuk ndodhi për shkak se regjimi i Josip Broz Titos synonte një pazar. Për katër gjermanët e arrestuar Beogradi kërkonte që Gjermania të kthejë në Jugosllavi tetë kroatë të akuzuar për aksione kundër shtetit jugosllav. Gjermania nuk pranoi. Jugosllavia po ashtu ishte nën presionin e palestinezëve, të cilët kërkonin që anëtarët e RAF-it të mos i dorëzoheshin Gjermanisë. Në nëntor të vitit 1978 terroristët e RAF-it u liruan nga burgu jugosllav dhe u lejuan të emigrojnë në Jemenin (e atëhershëm) Jugor. Pastaj regjimi i Beogradit vazhdoi të vrasë emigrantë nga Jugosllavia me qëndrim në Gjermani (më 1982 u vranë vëllezërit Gërvalla dhe Kadri Zeka, më 1983 biznesmeni i INA-s, Stpejan Gjurekoviqi). Deri në vitin 1989 në Gjermani shërbimi sekret jugosllav vrau 67 kroatë.

Historia e dytë e Fraksionit të Armatës së Kuqe ndërlidhet me Kosovën, më konkretisht me Silke Maier-Wittin. Ajo iu bashkua RAF-it më 7 prill 1977, po atë ditë kur RAF-i vrau kryeprokurorin e Gjermanisë, Siegfried Bubackun, i cili në Luftën e Dytë Botërore kishte qenë anëtar i partisë naziste. Më 1979 Maier-Witti braktisi organizatën terroriste pasi gjatë një plaçkitjeje të një banke në Zürich u vra një kalimtare e rastit. Maier-Witti nuk mund të pajtohej me veprimet e organizatës së saj, andaj iku në Gjermaninë Lindore, komuniste, ku jetoi 10 vjet me identitet të rremë. Pas rënies së Murit të Berlinit ajo u zbulua dhe doli para gjyqit. Më 1991 u dënua me 10 vjet burg, më 1995 u lirua para kohe. Ajo është penduar për veprat e saj. Thotë se nuk ka marrë pjesë në aksione të dhunshme, por gjithsesi ka shërbyer si përkrahëse aktive e RAF-it. Më 1999 Maier-Witti konkurroi dhe u pranua si punëtore humanitare në Kosovë. Në këtë funksion punoi në Prizren mes viteve 2000-2005. Tani Silke Maier-Witt jeton në Maqedoninë e Veriut. Si ish-terroriste dhe pensioniste.