OpEd

Krimi në Kosovë, varri në Serbi, karriera në Kuvend e Qeveri

Deri më tash nëpër territorin e Serbisë janë zbuluar varrezat masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë. Gjithashtu, së fundi janë bërë publike dëshmi dhe dokumente zyrtare për përfshirjen e rreth 100 individëve me emër e mbiemër në operacionin e fshehjes së kufomave. Deri më sot asnjëri prej tyre nuk ka dalë para drejtësisë për këto krime. Përkundrazi, ata janë shpërblyer me pozita e nderime të larta shtetërore në Serbi.

KISHTE MENDUAR SE 4 prilli i vitit 1999 ishte ditë e mirë për peshkim, mirëpo në vend se të zbulonte peshqit e fshehur në lumë, peshkatari aty kishte gjetur një fshehtësi tjetër – një kamion-frigorifer të mbyllur me dry. Në dyer mbishkrimi “PIK Progres” Prizren.

Zhytësi profesionist që kishte arritur pastaj për të hetuar vendin e ngjarjes kishte gjetur se në pedalin e gazit - si nëpër filmat e lirë aksion - ishte vendosur një gur, në mënyrë që qëllimisht kamioni të devijonte rrugën dhe të fundosej në lumë. Mirëpo, në kamionin eksportues të thertores prizrenase kësaj radhe nuk kishte mish kafshësh, aty ishin trupat e pajetë të civilëve shqiptarë, të zhvarrosur nga varrezat masive në Kosovë.

Vetëm dy vjet më vonë, në majin e vitit 2001, për këtë ngjarje monstruoze kishin filluar të raportonin mediat serbe. Deri atëherë pak ose aspak ishte diskutuar në opinionin serb për faktet konkrete të krimeve serbe ndaj shqiptarëve. Mirëpo, atëbotë gjërat kishin ndryshuar. Diktatori Milosheviq tashmë ishte rrëzuar dhe përfundimisht më 31 mars 2001 ishte arrestuar. Qeverisë së re i duhej përkrahja e opinionit publik. Dhe zgjidhja ishte: t’i tregojmë disa nga krimet që regjimi i Milosheviqit i ka bërë.

Pjesa tjetër i takon historisë. Që nga raportimi i një ose dy muajve për krimet e Beogradit ndaj civilëve shqiptarë, ashtu siç ishte hapur vrullshëm kjo temë po aq me vrull edhe u mbyll.

Që i bie: kur iu nevojit politikanëve serbë në funksion të qërimit të hesapeve me kundërshtarët e brendshëm politikë, ata e hapën temën e krimeve të luftës, kur kjo më nuk iu nevojit – ia vunë drynin.

Që nënkupton: kjo nuk u bë për bashkëndjenjë me viktimat dhe drejtësi – u bë për qëllime meskine personale.

ORGANIZATA e të drejtave të njeriut, Fondi për të Drejtën Humanitare, ka nënvizuar se që nga viti 2001 e deri më sot në katër lokacione nëpër Serbi janë zbuluar varreza masive me 941 trupa të shqiptarëve të vrarë në Kosovë, thuajse të gjithë prej tyre civilë.

Në Batajnicë, afër Beogradit, janë zbuluar plot 744 kufoma shqiptarësh, në Petrovo Selo 61, te liqeni Peruçac një varrezë masive me 84 trupa, si dhe në Rudnicë - së paku 52 kufoma.

Në varreza, përpos meshkujve, janë gjetur edhe trupa të femrave dhe të fëmijëve, kurse shkaku më i shpeshtë i vdekjes kanë qenë plagët nga arma e zjarrit, në numrin më të madh të rasteve në kokë, gjë që tregon se viktimat nuk kanë pësuar gjatë luftës, por nga ekzekutimet jashtë luftimeve.

FDH-ja ka publikuar edhe një libër-dosje “Operacioni i fshehjes së kufomave”, ku janë analizuar deklaratat e dëshmitarëve, të cilat i ka ndarë në dy grupe: grupin e parë e përbëjnë dëshmitarët okularë dhe viktimat e mbijetuara, kurse grupin tjetër, më të madh në numër – insajderët, kryesisht pjesëtarë të policisë dhe të ndërmarrjeve publike, të cilët kanë marrë pjesë në transportin dhe varrosjen e trupave.

Krahas kësaj, janë analizuar edhe një numër i madh i dokumenteve të policisë dhe të ushtrisë, para së gjithash, të qasshme nëpërmjet bazës së Tribunalit të Hagës, por edhe dokumente të tjera.

Nga provat e FDH-së rezulton se vendimi për fshehjen e gjurmëve të krimeve është planifikuar më së voni në muajin mars të vitit 1999, në nivelin më të lartë shtetëror, nisur nga vetë Slobodan Milosheviqi, kurse në fshehjen e trupave kanë marrë pjesë pjesëtarët e Departamentit për Siguri Publike dhe Departamentit të Sigurimit të Shtetit të MPB-së së Serbisë, si dhe Ushtria e Jugosllavisë nëpërmjet reparteve për pastrimin e terrenit. Pos tyre, në largimin e kufomave kanë marrë pjesë edhe civilët dhe punëtorët e kompanive publike, makineria dhe logjistika e të cilave po ashtu janë shfrytëzuar.

Ndonëse janë rreth 100 individë, të identifikuar me emër dhe mbiemër, hierarki dhe përgjegjësi, të cilët kanë marrë pjesë në mënyrë të strukturuar në operacionin kompleks për fshehjen e kufomave të shqiptarëve të vrarë, sot e kësaj dite asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur para drejtësisë për këtë krim.

PSE NUK JANË proceduar këto krime të tmerrshme që kanë ndodhur në mes të Evropës, krejt në fund të shekullit XX?

Përgjigjja më e mundshme do të ishte se qeveritarët e sotëm në Beograd nuk mund ta ndjekin vetveten.

Kryeministri aktual dhe tashmë kandidati për president i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kohën kur kanë ndodhur këto krime ka qenë ministër i Informatave.

Ministri aktual i Jashtëm dhe ish-kryeministër i Serbisë, Ivica Daçiq, gjithashtu ka qenë zëdhënës i Milosheviqit në kohën e operacionit të fshehjes së kufomave.

Dhe, natyrshëm, duke qenë bashkëpërgjegjës për krimet, këta të dy jo vetëm që nuk kanë krijuar klimë të përshtatshme për t’i ndjekur penalisht kriminelët, por, përkundrazi, i kanë avancuar ata në pozita partiake e shtetërore.

Sot shef i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe është gjenerali Ljubisha Dikoviq, i cili akuzohet se është përgjegjës për vrasjen e rreth 1.400 civilëve shqiptarë në Drenicë.

Nikola Shainoviq, ish-zëvendëskryeministër i Qeverisë federale, i cili në Hagë ishte dënuar për krime ndaj shqiptarëve të Kosovës, me t’u kthyer nga vuajtja e dënimit u emërua në Këshillin kryesor të Partisë Socialiste Serbe të Daçiqit. Është identifikuar nga dokumente zyrtare si pjesë e operacionit të fshehjes së kufomave.

Goran Rodosavleviq - Guri, për të cilin edhe Prokuroria për krime lufte po e heton përgjegjësinë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe i cili kishte udhëhequr aksionin vrastar në Reçak -në vitin 2001, ishte emëruar komandant i parë i Xhandarmërisë së rithemeluar të Serbisë, kurse për të qenë ironia edhe më e madhe, në vitin 2003 ishte caktuar si komandant i rreth 1.000 trupave serbe në Afganistan, në ujdi me SHBA-në. Ndërkohë Guri ka lënë policinë dhe është anëtar i Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit – të gjitha këto dhe pse përmendet edhe si njëri ndër kryesorët në fshehjen e kufomave.

Bozhidar Deliq, ish-komandant i Brigadës 549 të Ushtrisë Jugosllave, sot është deputet i Partisë Radikale, kurse ishte edhe anëtar i partisë së Vuçiqit dhe ia doli të bëhej edhe zëvendëskryetar i Kuvendit serb, edhe pse ndaj tij FDH-ja ka bërë kallëzim penal për përgjegjësinë e vrasjes së 12 civilëve shqiptarë në Landovicë të Prizrenit më 26 mars 1999. I njëjti gjithashtu ishte pjesë e ekipit special për fshehjen e gjurmëve të kufomave.

Momir Stojanoviq tashmë ndodhet në listën e kuqe të Interpolit si njëri prej 16 të akuzuarve për krime në Mejë gjatë operacionit “Lumi” nga fundi i ’99-s. Deri vonë ai ishte kryetar i bordit të Kuvendit për kontrollin e sigurisë shtetërore dhe më vonë edhe kandidat për zgjedhje.

LISTA ËSHTË e gjatë dhe dëshmon se Serbia aktuale jo vetëm që nuk ka vullnet për të proceduar penalisht përgjegjësit për krimet ndaj shqiptarëve në vitet ’98-’99, por të njëjtit i shpërblen me pozitat dhe nderimet më të larta shtetërore.

Ata do të vazhdojnë njësoj në qoftë se nuk rritet presioni nga Kosova, në radhë të parë – për shkak se bëhet fjalë për kërkimin e drejtësisë për viktimat kosovare – dhe pastaj edhe nga Perëndimi, i cili fatkeqësisht sot për sot të njëjtit i ka pranuar si partnerë, të zënë në pozitë shantazhi nga frika se Serbia do të orientohet kah Rusia.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk