OpEd

Vrasja e gjeneral Soleimanit, vrasje e projektit imperial të Iranit

Kur puna në Siri ka mbaruar dhe ISIS-i është eliminuar si rrezik ushtarak, i vetmi vend ku kanë pasur gjasa për të mbajtur tensionin me amerikanët ka ngelur Iraku, krejt kjo me qëllim të largimit të vëmendjes nga problemi kryesor – armatimi nuklear i Iranit. Kjo është, përfundimisht, esenca e fjalës së presidentit Trump se vrasja ka ndodhur për të penguar një luftë tjetër. Suksesi iranian në armatim nuklear përbën shkak real për luftë frontale kundër këtij vendi.

Jehona e atentatit në Sarajevë

Për serbët Gavrilo Principi, atentatori i arkidukës Franc Feedinand më 28 gusht 1914, ngelet një hero, jo një terrorist klasik, ashtu siç e sheh krejt bota e qytetëruar. Ndër ato mijëra shkrime të bëra për këtë ngjarje me rëndësi të jashtëzakonshme historike, libri “Sleepwalkers: How Europe Went to War in 1914” (2014) i autorit Christopher Clark ngelet më interesanti dhe i fundit në vazhdën e llojit të vet. Me një elokuencë të shkëlqyer, autori na tregon se atentati që ndezi fitilin e Luftës së Parë Botërore kishte qenë fare i rastësishëm, i ndodhur në mënyrë krejt të paplanifikuar. Kur atentati i parë kishte dështuar, duke plagosur vetëm shoqëruesin e trashëgimtarit të fronit imperial austro-hungarez, Franc Ferdinand, ky i kishte dhënë urdhër shoferit që ta kthente për në spital për të vizituar shoqëruesin e vet. Në këtë rrugë makina kishte ndaluar mu në derën e një dyqani ku ishte strehuar atentatori. Duke qenë se makinat e kohës nuk kishin pasur teknikën e kthimit prapa, shoferi e kishte pasur të pamundur të lëvizte para aq shpejt sa për të penguar atentatorin të vepronte. Ky narrativ, vërtet i rrallë por i bazuar në dokumente historike, nuk ka marrë vulën e shkakut të vërtetë të nisjes së luftës së Parë Botërore, as tek autori Ch. Clark e as tek asnjë autor tjetër serioz (pos serbëve dhe atyre që dëshironin në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar t’i portretizonin serbët si të pamposhtur). Shkaqet e vërteta të asaj lufte kanë qenë dhe janë faktorët që lidhen me raportin e forcave në mes të boshtit gjerman dhe fuqive aleate të mbledhura rreth Francës. Ky raport i forcave ishte prishur në Evropë si pasojë e armatimit të shpejtë të Gjermanisë, në det dhe tokë, duke e shtyrë Francën në gjirin rus, një gabim që e kishte parashikuar Bizmarku kur u kishte thënë gjermanëve që asnjëherë të mos guxojnë ta detyrojnë Francën të bëhet aleate me rusët. Ky ridefinim i raporteve si pasojë e fuqizimit ushtarak të boshtit gjerman nënkuptonte prishje të sigurisë kolektive të ndërtuar në Vjenë më 1815, me pasoja katastrofale për të gjithë. Raporti i ri që u krijua në Versajë më 1920, sërish ricikloi një tjetër rikonfigurim të forcave ndërkombëtare që solli Hitlerin në pushtet dhe shkaktoi tragjedinë e dytë. Këtë herë, megjithatë, nuk pati nevojë për një atentat, sepse kalkulimet ishin bërë me kohë për kohën e nisjes së armiqësive në Evropë dhe përtej saj.

Kriza e raketave në Kubë (1962) dhe projekti imperial iranian

Çdo krizë dhe luftë që do të pasonte pas vitit 1945, me përmasa krejtësisht lokale, do të zhvillohej nën hijen e ngjarjeve të dy luftërave botërore dhe gjithmonë duke i pasur parasysh ato. Barbara Tuchman në “The Guns of August” (2004) citon John Kenedin të ketë thënë, me rastin e krizës së raketave në Kubë (1962), se nuk do të bënte gabimin e atyre që krisën pushkët në gusht, me kuptim nisjen e Luftës së Parë Botërore. Mbase presidenti Trump këtë thënie të John Kenedit e ka pasur parasysh kur tha ditë më parë se kishte urdhëruar vrasjen e gjeneralit famëkeq iranian Kasem Soleimani për të penguar një luftë me Iranin. Në aspektin global, kjo thënie kumton pikërisht atë që e përshkruajnë autorët Ch. Clark dhe B. Tuchman, ashtu që fare nuk ka rëndësi nëse presidenti Trump e ka pasur parasysh një gjë të tillë. E vërteta është se vrasja e gjeneralit Soleimani si preventivë nga një përshkallëzim deri në konfrontim total ushtarak me Iranin komandon më shumë respektin e argumenteve racionale se e kundërta e asaj që thuhet, përkatësisht se kjo vrasje përbën pikën e nisjes për përshkallëzim në marrëdhëniet në mes të dy vendeve. Kjo nuk ndryshon asgjë nga përmbajtja e fjalisë së dytë të presidentit Trump, që kumton se kjo vrasje është bërë edhe për të mbrojtur jetët e amerikanëve.

Konstatimi i parë absorbon të dytin, sepse kap peizazhin global të marrëdhënieve ndërkombëtare në dhe përreth Iranit, duke e bërë kumtin e fjalisë së dytë edhe më përmbajtjesor, sepse nuk bëhet fjalë për mbrojtjen vetëm të jetëve të amerikanëve, por edhe të evropianëve dhe të qytetarëve të tjerë në Lindje të Mesme, Irak, Siri, Gjirin Persik, Jemen, Afganistan dhe Kashmir. Më shkurt, në krejt vendet ku ka operuar dy dekadat e fundit komandanti i forcave Kuds, njësive elite të Gardës Revolucionare të Iranit. Të shohim tani si shpjegohen këto konstatime të presidentit Trump. Kjo analizë ka të bëjë jo me pasqyrimin e figurës së gjeneralit të vrarë iranian, por me rolin e tij në projektin imperial të Iranit dhe me strategjinë që ky vend ndjek me dekada të tëra për të promovuar dhe çuar përpara këtë projekt.

Pas vitit 1989, regjimet represive arabe dhe islamike në të shumtën e rasteve humbën padronin e tyre, ish-Bashkimin Sovjetik, ashtu që edhe shtyllat gjeopolitike që kishin mbajtur regjimet e tilla represive dhe jodemokratike nisën të lëkundën një nga një. Disa prej tyre, si ai në Irak, e kuptuan këtë fakt dhe u futën në aventura para kohës, kurse të tjerët, si Libia e Gadafit, nisën moderimin e politikave të tyre të jashtme, duke u afruar me Perëndimin aq shumë sa për të dorëzuar në tërësi ambiciet e tyre për armatim nuklear dhe tjetër armatim për shkatërrim në masë. Kjo klimë e humbjes së rrënjëve gjeopolitike bëri që regjimet arabe/islamike të futen në rrugën e demokratizimit të brendshëm dhe rilegjitimimit të tyre të serishëm mbi baza të tjera. Kjo pati një çmim për shumicën e liderëve që rezistuan këtë trend. I vetmi përjashtim në këtë drejtim janë Arabia Saudite dhe Irani, dy vende teokratike me stof kulturor të islamit Suni dhe Shia, që nuk hoqën dorë nga politikat e tyre të jashtme me ambicie të theksuara imperiale. Këtu, megjithatë, ka një dallim: në ndërkohë që imperializmi i Arabisë Saudite është ideologjik dhe me synime të indoktrinimit fetar, ai i Iranit është imperializëm klasik që bazohet në projektim të dhunës fizike dhe në krijim të territoreve politikisht pro-iraniane, nga Tehrani deri në Mesdheun sirian.

Gjenerali i vrarë si doajen i imperializmit iranian

Irani ka qenë i vetmi hegjemon rajonal në Lindjen e Mesme të madhe (Lindja e Mesme plus vendet nga Magrebi e deri te Pakistani në Azinë Jugore) që ka kultivuar të ashtuquajturat forcat bedele (“proxy forces”), kurse arkitekti ideor i kësaj strategjie ka qenë gjenerali Soleimani. Në mënyrë metodike, në veçanti dy dekadat e fundit, ky gjeneral ka përpunuar dhe ekzekutuar strategjinë e luftës me çmim më të ulët, luftës me bedel, duke i dhënë vendit të tij një levë të hatashme ndikimi në Irak, Siri dhe Liban.

Kohëve të fundit, megjithatë, politikat amerikane në rajon kanë shtrënguar rripin e sanksioneve ndaj Iranit. Kjo ka ngushtuar hapësirën e veprimit në Irak, i cili përbën vendin kryesor në agjendën imperiale iraniane, por në të njëjtën kohë ka intensifikuar armiqësinë në mes të dy vendeve. Në këtë mes, politikat evropiane jo të vendosura dhe jo të qarta ndaj Iranit dhe projekti të tij bërthamor kanë çuar shumë ujë në trimërimin e Iranit për të rezistuar më fuqishëm politikat amerikane në rajon. Si rezultat i këtyre politikave amerikane, të cilat u rifokusuan në sanksione kundër Iranit dhe në fuqizimin e prezencës së tyre në Irak, ndodhën zhvillimet mjaft pozitive në Irak: u ndërtua një lëvizje masive kundër prezencës së ndikimit iranian në vend dhe për një pavarësim më të madh nga ndikimet e jashtme. Këtu nuk çon peshë retorika aktuale në Bagdad që është pro-iraniane si rezultat i vrasjes së gjeneralit Soleimani. Kjo, sepse një gjë e tillë ka qenë e pritur për të amortizuar forcat Shi-te radikale në vend. Kjo gjendje është kalimtare: e vërtetë është se antiamerikanizmi në Irak mund të pësojë rritje si rezultat i vrasjes së fundit të gjeneralit iranian, por kjo nuk lidhet me simpatinë për të vrarin, por për mënyrën e vrasjes së tij, diçka që në Bagdad është parë si cenim i sovranitetit shtetëror. Kjo rrethanë e bën të gabuar pritjen e Iranit, që beson se goditja e parë që kanë marrë amerikanët me këtë vrasje do të përkthehet në largimin e tyre të dhunshëm nga Iraku si pasojë e rritjes së ndjenjave antiamerikane atje.

Siria, ndeshja e imperializmit iranian me Rusinë, aleatin e vet

Forcat bedel, policitë Shite dhe paramilitarët e tjerë në Siri, të komanduara nga gjenerali i vrarë, kanë qenë shumë kohë para rusëve prezent në terren dhe konsiderohen si forcat kryesore që kanë mbajtur në pushtet presidentin satrap sirian, Bashir al Assad. Ardhja e rusëve në Siri u dedikohet në rend të parë gabimeve të administratës Obama që nuk ndërhyri me kohë në tragjedinë siriane, por edhe sukseseve në terren të forcave të komanduara nga K. Soleimani. Këto forca kanë pasur nevojë për një mbrojtje të ligjshme nga ajri dhe për këtë kanë kërkuar ndihmën ruse. Vetë gjenerali i vrarë kishte shkuar në Moskë për një gjë të tillë. Ka shumë gjasa, megjithatë, që prezenca ruse atje të mos ketë ndodhur pa bekimin amerikan dhe pa konsensusin ndërkombëtar për luftën kundër ISIS-it.

Gjendja ka ndryshuar dukshëm me paraqitjen në skenë të ISIS-it dhe me fuqizimin e shpejtë të tij. Kjo ka bërë që të arrihet shpejt një marrëveshje në mes të SHBA-së dhe aleatëve të saj perëndimorë me Rusinë për frontin unik kundër të keqes së përbashkët. Në këtë luftë, Irani dhe forcat Kuds kanë mbajtur anën e rusëve. Në momentin që ISIS-i është eliminuar si një rrezik ushtarak, gjenerali iranian iu është kthyer taktikave të vjetra të luftës bedel kundër caqeve amerikane dhe aleatëve të tyre. Kjo luftë ka shkuar krah për krah me përpjekjet e Iranit për pasurim të uraniumit me synim për prodhim të bombës atomike. Sa më shumë që SHBA-ja ka shtrënguar lakun e sanksioneve me qëllim të rrënimit të kapaciteteve iraniane për prodhim të bombës atomike, aq më shumë agresivë janë bërë forcat Kuds, duke sulmuar vendet përreth Iranit, Irakun në rend të parë. Në këtë mes, një rol inkurajues kanë luajtur edhe rrethanat e krijuara pas dështimit të Obamas në Siri në vitin 2013 dhe nevojës amerikane për ndihmën ruse në luftën kundër ISIS-it . Ky fakt, së bashku me dështimin turk për të luajtur rolin euro-atlantik në Lindjen e Mesme në përgjithësi e kanë detyruar SHBA-në për t’u tërhequr nga Siria. Dështimi turk në mënyrë të veçantë ka ndikuar në këtë mes, sepse ka vënë amerikanët në pozitë të palakmueshme në mes të shumë zjarreve: atij rus dhe dy aleatëve, atij të NATO-s (Turqia) dhe tjetrit pragmatik-natyror (kurdët). Në rrethanat e reja të krijuara, presidenti Trump nuk ka pasur zgjidhje tjetër pos të rifokusohet në fuqizimin e Irakut dhe në largimin e tij sa më shumë nga ndikimi iranian. Kjo shpjegon sjelljet agresive të gjeneralit Soleimani dhe vizitën e tij në Irak, si dhe protestat masive irakiane kundër ndikimit të Iranit atje. Në fakt, vitet e fundit, pjesa dërrmuese e operacioneve të forcave Kuds dhe aleatëve të këtyre ka qenë e orientuar kah Iraku

Riorientimi i gjeneralit Soleimani në Irak shpjegohet edhe me një arsye tjetër: operacionet violente kundër Izraelit nga territori sirian, të ndërmarra vitin e fundit, pësuan fiasko si pasojë e mbrojtjes efektive kundërajrore të shtetit të Izraelit. Në ndërkohë që kjo po ndodhte, në Irak nisën rebelimet civile kundër ndërhyrjes së Iranit në punët e brendshme të këtij vendi përmes ndikimit të fuqishëm të gjeneralit Soleimani në formimin e qeverive në Bagdad. Përveç kësaj, në Siri, prezenca ruse çdo ditë e më shumë po ia bënte me dije Iranit dhe forcave Kuds se nuk ishin të mirëseardhur për të ndarë përfitimet ekonomike dhe përfitimet tjera që priten gjatë rindërtimit të Sirisë. Ky qëndrim rus është pozicion i një aktori racional sepse fuqizimi i Iranit në aspektin ekonomik, në veçanti heqja e sanksioneve, do të bënte që gazi iranian t’ia zë vendin gazit rus përmes largpërçuesit iranian që ka vite që pret në kufijtë e Turqisë. Pas mbarimit të luftës kundër ISIS-it, forcat Kuds nuk kanë pasur ndonjë rol për të luajtur aty, ashtu që prezenca ruse ka mjaftuar për të ruajtur regjimin në Damask. Kjo bëhet edhe me bindëse nëse kihet parasysh tërheqja e tërësishme amerikane dhe perëndimore ndaj kërkesës për ndryshim të regjimit në Damask. Në dritën e këtyre ndryshimeve thelbësore në parametrat e sigurisë dhe të rolit rus në rajon, i vetmi vend ku akoma ka mund të operojë gjenerali i vrarë për të frustruar interesat amerikane ka ngelur territori i Irakut. Në të njëjtën kohë, politika amerikane në Siri ka bërë që edhe rusët të mos shohin në Irak interesa imediate, gjë që nuk ka qenë rasti me Iranin, aleatin formal: forcat Kuds, këtë pozicion rus në Siri duket se e kanë marrë si shenjë se mund të operojnë pa pengesa në territorin irakian. Në ndërkohë që ka vazhduar rreziku i ISIS-it dhe lufta në Siri, regjimi në Teheran dhe forcat bedelë të tij kanë mundur të mbajnë larg vëmendjes amerikane problemin kryesor që ata kanë me perëndimorët – armatimi nuklear. Kur puna në Siri ka mbaruar dhe ISIS është eliminuar si rrezik ushtarak, i vetmi vend ku kanë pasur gjasa për të mbajtur tensionin me amerikanët ka ngelur Iraku, krejt kjo me qëllim të largimit të vëmendjes nga problemi kryesor – armatimi nuklear i Iranit. Kjo është, përfundimisht, esenca e fjalës së Presidentit Trump se vrasja ka ndodhur për të penguar një luftë tjetër: suksesi iranian në armatim nuklear përbën shkak real për luftë frontale kundër këtij vendi.

(Autori është ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese dhe profesor i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës. Shkrimi është shkruar ekskluzivisht për “Kohën Ditore”)