OpEd

Po bâhet, po çka se?

Pra faktikisht opsionet janë dy: ose këto dy parti e bëjnë koalicionin shpejt, dhe e lënë muhabetin e kotë për kryetarin pas një viti, ose shkojmë në zgjedhje shumë shpejt. Aq, sa nuk do të kemi më motiv as për të dalë e për të votuar

Kurrë në historinë parlamentare të Kosovës nuk është konstituuar një legjislaturë më shpejt se të enjten që e lëmë pas. Madje, u konstituua ashtu siç shumë pakkush e priti: me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryeparlamentar, dhe me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve të Kuvendit, ku Arbërie Nagavci mbeti e vetmuar në një mini-odë burrash.

Dështimi i arritjes së marrëveshjes me LDK-në e la VV-në në situatën kur duhej ndërmarrë hapa të njëanshëm, për t’u siguruar se nuk i mbetej kilja po qe se institucionet mbesnin të paformuara. Gjasat janë se ndjenjën e njëjtë do ta kenë pasur deputetët e LDK-së, që nja tri orë para mbledhjes kishin dalë për të thënë se VV-ja mund të llogariste në votat e tyre si për Kuvend ashtu edhe për Qeveri. Vetëm që të mos akuzoheshin se e bllokojnë formimin e institucioneve.

Lëmsh

E besoj se shumë pak njerëz do të kenë mbetur të befasuar dhe të zhgënjyer me faktin se dy partitë që morën shumicën e votave në zgjedhjet e shkuara nuk ia dolën të merreshin vesh për ndarjen e kulaçit qeveritar, për shkak të insistimit aspak racional të LDK-së për t’u bërë me postin e kryetarit të shtetit.

Insistimi i LDK-së që ta mbrojë qëndrimin e vet duke thënë se kërkonte “balancimin e pozitave” të bën të mendosh se vërtet je në pazarin e gjâve, ku malli matet me kilogramë. Sa më i rëndë aq më i vlefshëm. Sipas balancës së LDK-së, që megjithatë e ka një deputet më pak se VV-ja, për pasojë është parti e dytë sipas rezultatit të zgjedhjeve, del se posti i kryeministrit është shuuuumë më i vlefshëm se ato të kryeparlamentarit dhe të kryetarit të shtetit bashkë. Sepse, “kryeministri e ka fuqinë ekzekutive”, kurse këta të tjerët janë pak a shumë sekondarë. Duke u dëshmuar të pasinqertë fare, ngase nëse dikush mund ta rrëzojë ekzekutivin, ky është legjislativi që e voton. Dhe nëse ka poste të rëndësishme shtetërore, operative (Policia, AKI, Shërbimi diplomatik, komanda e forcave të armatosura, ndër të tjera) që varen nga vullneti i kryetarit të shtetit, ato direkt ndërlidhen me punën e ekzekutivit. Për më tepër edhe mund të jetë pengesë në efikasitetin e këtij të fundit, po qe se ky është qëllimi politik i po këtij kryetari. Përfundimisht, peshorja e LDK-së që nga fillimi kishte nevojë për bazhdarim – se këtë që pa pra e kanë përsëritur zyrtarët negociues të LDK-së është se posti i kryeministrit e ka vlerën tepër të madhe, për të cilën u treguan të gatshëm që t’i falnin krejt të tjerat. Nejse, kështu thoshin, e duke e ditur se nuk janë treguar përherë të sinqertë, ka shumë arsye për të mos i besuar.

Thaçi u zgjua

Për shkak të zbrazëtisë që e ka Kushtetuta ajo nuk e definon qartë në cilin afat do të duhej të përfundonin konsultimet mes kryetarit të shtetit dhe të partive politike për caktimin e mandatarit. Duke e pasur parasysh këtë vakum, Thaçi u lajmërua që dje, pas një kohe shumë të gjatë heshtjeje, me një shkresë që ia kishte dërguar Albin Kurtit për takim konsultimi. Edhe pse interpretimi i Kushtetueses nuk e lejon mundësinë e “vetiniciativës së kryetarit” dhe se mandatari do të duhej të caktohej vetëm pasi partia ta nominojë kandidatin e vet”.

Shkresa përmbante datën dhe orën e takimit. VV-ja ktheu prapa përgjigjen, duke thënë se Kurti nuk ishte në Prishtinë dhe se nuk mund të takohej brenda ditës, dhe se do ta lajmëronte kur do të kishte kohë.

Thaçi ia nisi edhe shkresën e dytë duke ia caktuar takimin për të njëjtën ditë në orën 20:00, dhe Kurti sërish u përgjigj se nuk mund të mbërrinte të takohej dhe se do të lajmëronte për kohën e përshtatshme për të.

Nuk është fare për t’u çuditur se Thaçi do që ta shfrytëzojë kohën e pushimeve të fundvitit, ku thuajse askush nuk është në punë, për t’u munduar ta caktojë mandatarin ashtu që të nisë të ecë afati 15-ditësh për formimin e Qeverisë. Dhe nuk është për t’u çuditur për shkak se ky ishte ai që zvarriti shumë caktimin e seancës konstitutive, madje një muaj e gjysmë, pa asnjë arsye, pos shpresës se madje koalicioni mes partive fituese do të dështonte. Sepse askujt më shumë se Thaçit nuk do t’i konvenonte ardhja e një koalicioni të tillë në pushtet.

Sido që të jetë, Thaçi nuk do të heqë dorë nga ftesat e me gjasë Kurti do të gjejë mënyra për ta shtyrë takimin bile deri pas vitit të ri, kur puna dhe jeta kthehen në rrjedha normale pas pushimit të fundvitit. Për shkak se pas dështimit të marrëveshjes dhe emërimit të Konjufcës kryeparla - mentar, tash krejt nis nga e para. Po qe se LDK-ja e ka përnjëmend.

Opsionet

Para se të ulesha ta shkruaja këtë kolumne, pata kënaqësinë që të takohesha me shoqet e fëmijërisë për fundvit. Dhe, pashmangshëm, tema e parë ishte koalicioni i dë - shtuar dhe rrugëdalja eventuale. Përfundimi qe “që kjo punë po bâhet”, pa e ditur se çka po bâhet.

Kisha kërshëri të dëgjoja me - ndimin e mikeve të mia, profe - sioniste të fushave të ndryshme, me përvojë të gjatë pune dhe jete. Që të gjitha njëzëri u deklaruan se po qe do të kishte zgjedhje të reja, absolutisht asnjëra nuk do të dilte të votonte. Ngase zhgënjimi me këto dy parti politike që nuk mund të merren vesh është aq i madh, saqë nuk e meriton mundin as madje për të dalë e për ta qitur votën e ndëshkimit. Me gjithë vetëdijen se abstenimi i lartë do t’i shkonte për shtati PDK-së, e cila është dëshmuar mjeshtërore për të manipuluar vota në këso rrethanash.

I shoshitëm një sërë opsionesh, thuajse prej nesh varet formimi i Qeverisë, porse megjithatë e besoj se përshkruajnë sentimentin e shumëkujt që shpresoi se këto zgjedhje do ta sillnin një ndryshim aq gjatë të pritur.

Dhe idetë (dhe nuk po i zbërthej duke i përmendur emrat e atyre që i propozuan, se fundja qe muhabet i ‘brendshëm’ :) ) ishin sa vijon:

• Që VV-ja do të duhej t’ia linte postin e kryeministres Vjosa Osmanit dhe ta mbante për vete atë të kryeparlamentarit dhe kryetarit, me kusht që Kurti do të ishte ministër i Jashtëm;

• Që Konjufca të jepte dorëheqje në çastin kur do të emërohej zëvendëskryeministër e që postin t’ia lironte Osmanit; Kurti kryeministër, e kryetari të jetë jashtëpartiak; ministritë do të ishin ashtu siç janë marrë vesh pak a shumë, me MPB-në nën kontrollin e VV-së;

• Që në zgjedhjet e ardhshme të dilet të votohet Nenad Rashiqi apo kushdo që është oponent i Listës Serbe, sepse nuk shihte perspektivë për formim të koalicionit të ardhshëm në këtë konstelacion dhe me këtë ofertë politike që kemi;

• Që LDK-ja të fraksionohej, pra që brezi i Republikës të çkapej nga brezi i vjetër bllokues, dhe t’i siguronte votat dhe postet në Qeverinë për të mirën e Republikës. Pavarësisht qëndrimit të kryenego ciatorit dhe të kryetarit të Partisë, këta do ta shkelnin disiplinën e imponuar partiake dhe do t’i shërbenin shtetit e jo partisë;

• Që të arrihej marrëveshja asisoj që Kurti e Osmani do ta ndanin postin e kryeministrit me nga dy vjet secili; që ministritë: e Brendshme, Financat, Drejtësia, Arsimi dhe Shëndetësia t’i takonin VV-së dhe që ministrave t’u garantohej mandati katërvjeçar me kusht që nuk bëjnë shkelje të rëndë që shërben si arsye e mjaftueshme për shkarkim.

• Që Kurti ta formojë Qeverinë e pakicës, me gjithë rrezikun që mund të bjerë në cilindo moment, pas ta zëmë 100 ditëve. Edhe ky është opsion më i mirë sesa që Haradinaj të vazhdojë të jetë kryeministër në detyrë dhe ta sakatojë buxhetin.

Prej gjithë kësaj që u tha më lart, diçka do të bâhet, s’ka dyshim, porse çka do të bâhet, na mbetet të shohim. Punët i kemi mos vetë keq dhe fajin për këtë e kemi vetë ne. Askush nuk na ka faj që e duruam qeverisjen e keqe për 20 vjet me radhë, dhe askush nuk na ka faj që e kemi votën aq të fraksionuar saqë vijmë në situatën ku dy parti politike, me njerëz në dukje racionalë për vendimmarrje, nuk mund të krijojnë një qeveri të re. Për shkak se interesat e ngushta personale më parë se partiake, kanë më shumë rëndësi sesa krejt një shtet dhe jeta në të.

Zgjedhjet e reja janë alternativa më e keqe në këtë moment. Për këto dy parti, kjo do të thotë se do të humbin më shumë vota, për shkak se nuk ia dolën të bëhen bashkë, kryesisht për shkak se LDK-ja nuk deshi. Nuk e deshi marrëveshjen parazgjedhore, tash nuk e do as këtë. Pavarësisht fjalëve që i përsërisin – ngase LDK-ja nuk shquhet për nga mbajtja e fjalës dhe premtimit. E për këtë mjafton shembulli i dhimbshëm i koalicionit me PDK-në më 2014-n, kur të gjithë në LDK bënin be se nuk do të kishte koalicion me PDK-në. Dhe në fund u bâ.

Pra faktikisht opsionet janë dy: ose këto dy parti e bëjnë koalicionin shpejt, dhe e lënë muhabetin e kotë për kryetarin pas një viti, ose shkojmë në zgjedhje shumë shpejt. Aq, sa nuk do të kemi më motiv as për të dalë e për të votuar.

flaka@koha.net