OpEd

Pushteti i dosjeve

“Nuk ka vepër penale, por ka vepër humanitare”, është shprehur kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, duke iu referuar veprës për të cilën e ngarkon aktakuza, teksa ka kërkuar lirimin nga akuza ose rigjykim. Pesë muaj para mbarimit të hat trickut qeverisës, Muja vazhdon ta mbajë pozitën e kryetarit, teksa procesi gjyqësor ndaj tij ende mbetet i hapur. Në mars të 2014-s, Grupi i Qytetarëve Aktivë ka protestuar disa ditë radhazi me kërkesë për dorëheqjen e Mujës. Qershorin e vjetëm një 3-vjeçare pësoi me jetë nga shembja e shtëpisë në zonën historike. Sërish me protesta qytetare u kërkua dorëheqja e tij, porse nuk ndodhi

Tre vjet më parë, në fillim të mandatit të tij të tretë në krye të Prizrenit, Ramadan Mujës i është shqiptuar dënimi me 2 vjet burgim me kusht dhe mosushtrim të funksioneve publike. Ai dhe pesë zyrtarë të tjerë komunalë janë dënuar për kryerjen e veprave penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare ose të autoritetit në katër raste. Të enjten e kësaj jave, Muja u paraqit sërish në gjykatore ku kërkoi mëshirë nga trupi gjykues.

“Nuk ka vepër penale, por ka vepër humanitare”, është shprehur Muja, duke iu referuar veprës për të cilën e ngarkon aktakuza, teksa ka kërkuar lirimin nga akuza ose rigjykimin.

Pesë muaj para mbarimit të hat trickut qeverisës, Muja vazhdon ta mbajë pozitën e kryetarit, teksa procesi gjyqësor ndaj tij ende mbetet i hapur.

Në mars të 2014-s, Grupi i Qytetarëve Aktivë ka protestuar disa ditë radhazi me kërkesë për dorëheqjen e Mujës.

Qershorin e vjetëm një 3-vjeçare pësoi me jetë nga shembja e shtëpisë në zonën historike. Sërish me protesta qytetare u kërkua dorëheqja e Mujës dhe e disa zyrtarëve të tjerë, porse nuk ndodhi.

Nga ajo ditë Muja vazhdon ta mbajë fronin, i patrazuar nga drejtësia e as nga partia e tij, e cila ka zgjedhur konformizmin për ta përmbyllur mandatin e Mujës.

***

Gjashtë vjet më parë, edhe bashkëpartiaku i Mujës, Xhabir Zharku, teksa ndodhej në krye të Kaçanikut, pas procesit gjyqësor është shpallur fajtor për veprat penale të detyrimit dhe armëmbajtjes pa leje dhe ishte dënuar me 3 vjet burgim. Zharku, pas dorëheqjes prej postit, i është shmangur drejtësisë dhe thuhet se aktualisht ndodhet në Suedi.

Sipas një dispozite të Kodit Penal të Kosovës, ai mund të kthehet në Kosovë në maj të vitit të ardhshëm, atëherë kur ekzekutimi i dënimit ndaj tij të ketë arritur parashkrimin absolut.

Nuk është çudi që si i pari edhe i dyti të jenë sërish pretendentë për kryetarë komunash a deputetë, ngase subjekti ku bëjnë pjesë ata, prej vitesh e ka shndërruar në platformë partiake përfaqësimin në pushtet me njerëz me dosje.

Madje nuk janë vetëm këta të dy, por ka edhe të tjerë zyrtarë të këtij subjekti dhe të tjerëve që përballjen me ligjin e kanë shndërruar në zakonshmëri.

***

Për më tepër, gjendjen e rëndon mosreagimi i subjekteve politike, të cilat i përfaqësojnë personat me dosje. Kësisoj balancat politike mbajnë peng vetë drejtësinë, e cila edhe ashtu vlerësohet të jetë e instrumentalizuar në masë të ndejshme nga politika.

Kjo dobëson edhe pozicionin e grupeve qytetare, të cilat ndonëse aktive në një masë nuk po arrijnë në asnjë mënyrë që me fuqinë e tyre protestuese ta detyrojnë për dorëheqje Mujën apo ndonjë homolog të tij të përplasur me ligjin. Kjo s`ka të bëjë para së gjithash me numrin e protestuesve sa me kulturën politike në vend, dhe ku institucioni i përgjegjësisë nga ai ligjor shndërrohet në moral. Në kundërshtim me praktikat e qeverisjes së mirë, zyrtarë të dënuar apo me aktakuza, në mënyrë komode mbajnë pozitat, për më tepër duke luajtur rolin e viktimave dhe duke e forcuar stereotipin e publikut për afera të montuara mbi baza politike. Kësaj i ndihmon edhe shpërputhja ndërmjet vendimeve që marrin prokuroritë apo gjykatat në nivele të ndryshme.

Por, për sllovakët, mobilizimi qytetar kundrejt veprimeve të paligjshme duket të jetë veprimi më i lehtë i mundshëm.

Dy javë më parë 18-vjeçarët Karolina Farska dhe David Straka, thirrën protestë në Bratisllavë të frymëzuar nga protestat antikorrupsion në Rumaninë fqinje. Nxorën në rrugë mijëra protestues, të cilët ngritën zërin kundër ministrit sllovak të Punëve të Brendshme, Robert Kalinak, për të cilin pretendohej se kishte lidhje biznesore me një ndërtues të madh, i cili hetohet për mashtrimin e autoriteteve të taksave.

***

Duke e parë se funksionimi i ligjit çalon, duhet rritur ndërgjegjësimi qytetar në gjithë hapësirën kosovare, dhe në zgjedhjet që janë përpara, kandidatët e të gjitha subjekteve që kanë rënë ndesh me ligjin të ndëshkohen së paku me votë.

Kjo, ngase praktika e deritashme e qeverisjes ka dëshmuar se motoja e stërpërdorur nga politika “zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar”, me një lexim të drejtë tingëllon “njësh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Ekziston vetëm, një kohë për të sfiduar përbirimin në struktura vendimmarrëse të të gjithë atyre që ligjin e shkelin sikurse asfaltin. Kjo kohë është tash! Prandaj është më se i nevojshëm krijimi i një pakti qytetar kundrejt kandidatëve me dosje, ose të tillëve që ngjiten në skenë nga afiniteti me liderët apo grupet e interesit brendapartiak. Ky filtrim nuk mund të bëhet me hapa kozmikë, por gradualisht cikli biologjik i ndihmuar edhe nga një shtytje kësisoj do të krijojë mundësi reale për ndërrimin e brezit politik.

Instituti Kosovar për Drejtësi (IKD) ka monitoruar rastet e 11 kryetarëve aktualë të komunave dhe 12 ish-kryetar, të cilët kanë pasur ose kanë probleme me ligjin e që kryesisht ndërlidhen me veprat penale korruptive.

Kështu që më 11 qershor apo në zgjedhjet lokale në fundvit, krejt çfarë duhet bërë është t`i vihet X secilit kandidat që hyn në zgjedhje me kredenciale të dëmtuara. Riciklimi duhet marrë fund, ndaj pushtetit të dosjeve duhet t`i thuhet mjaft!

[email protected]