OpEd

Zgjedhja e raportuesit të Kosovës në KiE

Zgjedhja e deputetit të Bundestagut gjerman Peter Beyer, nga koalicioni qeverisës CDU-CSU i kancelares Merkel si raportues i Kosovës në KiE, është arritje për politikën dhe diplomacinë e Kosovës.

Kjo nuk është hera e parë që Kosova ka raportues në një organizatë multilaterale siç janë KiE, OKB, BE (Parlament Evropian), OSBE etj., por e veçanta e kësaj është fakti që me votimin e Peter Beyerit dhe me humbjen që e pësoi Alexei Kondratiev, Kosova e konfirmoi edhe një herë orientimin e saj properëndimor dhe dërgoi mesazh te Evropa se asnjëherë nuk do të lejojë që forcat autoritare ta përfaqësojnë Kosovën në institucione relevante siç është KiE-ja, që ka në vete institucionin më të lartë të drejtësisë, Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke u ballafaquar me një situatë në Bashkimin Evropian, ku institucionet janë në transicion, me Brexit-in që po e mban peng gjithë vëmendjen e BE-së dhe më gjerë, me qëndrime divergjente të shteteve anëtare sa i përket të ardhmes së BE-së dhe sidomos politikave të zgjerimit, shteteve të Ballkanit Perëndimor nuk u mbeten shumë alternativa.

Sidomos situata është rënduar pas refuzimit të hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, që ka ngelur në vendnumërim.

Kjo situatë e krijuar ka bërë që disa nga shtetet e Ballkanit Perëndimor t’i kthejnë sytë nga Lindja. Qëndrimi i tillë i BE-së vetëm sa po i ushqen ambiciet dominuese të Rusisë së Putinit në Ballkan dhe Evropë. Ndikimi rus është më shumë se evident, qoftë përmes financimit të partive politike, shoqërisë civile, mediave, armatimit etj.

E gjithë kjo fushatë agresive ruse në bashkëpunim edhe me shtete të tjera ka për qëllim ndërrimin e rendit politik global. Rusia e sotme nuk është ajo e Gorbaçovit dhe as e Jelcinit, por ajo e Putinit.

Ditë më parë u shënua 30-vjetori i rënies së Murit të Berlinit dhe rënies së perdes së hekurt në mes të Lindjes dhe Perëndimit, por në këtë përvjetor do të dëshironim që edhe muri i izolimit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian të binte, ashtu që shteteve të Ballkanit Perëndimor t’u hapej mundësia e fillimit të negociatave, dhe përfundimisht të vulosej rruga drejt Perëndimit.

Kosova deri tani qoftë për shkak të politikës së saj properëndimore, si dhe përkrahjes masive të popullatës ka arritur që ta ruajë orientimin e vet properëndimor dhe të mos lejojë që Rusia të ndërhyjë në politikën e brendshme.

Tentativa ruse për ta prishur këtë konsensus nacional properëndimor në Kosovë u shpërfaq edhe së fundmi me tendencën ruse që raportuesi i ardhshëm në Këshillin e Evropës për Kosovën të jetë rusi Alexei Kondratiev, kolonel në shërbimin sekret GRU, senator në Senatin rus, i afërt me presidentin rus Putin dhe i përfshirë në vepra kriminale në Kosovë, në kidnapim të një vajze sa ishte duke shërbyer me njësitë ushtarake ruse në Kosovë në vitin 1999-2000. Për këtë edhe u detyrua ta lëshonte Kosovën.

Zgjedhja eventuale e tij do të thoshte bllokim permanent i Kosovës në rrugën e saj të shtet-ndërtimit dhe të procesit integrues në BE. I tërë angazhimi i tij do të ishte rreth kthimit të Kosovës në Serbi, gjë që ai vazhdimisht e ka bërë të qartë publikisht. Do të ishte Rusia ajo që do të fliste në emër të Kosovës dhe qytetarëve të saj në KiE.

Me këtë Kosova asnjëherë nuk do të arrinte të anëtarësohej në KiE dhe në asnjë organizatë tjetër multilaterale, sepse ndikimi i raporteve të KiE-së nuk limitohet vetëm brenda këtij institucioni, por kanë relevancë të drejtpërdrejtë edhe në BE, ku 60% e raportit të vendit (raportit të progresit) hartohet nga gjetjet e raporteve të KiE-së. Gjithashtu vendimet e marra këtu do të kishin ndikim shumë më të gjerë, p.sh. Rezoluta e Dick Martyt në KiE i parapriu krijimit të Gjykatës Speciale.

Procesi i integrimit evropian nuk mund të paramendohet pa anëtarësimin në KiE, kur dihet se të gjitha kriteret e Kopenhagës burojnë pikërisht nga respektimi i konventave për të drejtat e njeriut, që janë të obligueshme për shtetet që të respektohen dhe harmonizohen me acqcuis communatuaire.

Zgjedhja e Kodratievit do ta plotësonte qarkun ndikues të Rusisë në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe përfundimisht do ta përjashtonte BE-në nga rajoni.

Vendimi kundër tij është përgjigjja më e mirë ndaj fushatës dhe ndikimit agresiv rus dhe atij serb në Kosovë.

Zgjedhja eventuale e tij do të ishte sinjal i keq edhe nga vetë KiE-ja drejtuar Kosovës dhe shteteve anëtare që një njeri të përfshirë në krim kundër respektimit të të drejtave të njeriut ta delegonte si reporter pikërisht në vendin e tij të krimit vite pas.

Kjo është hera e parë që i preferuari i Kosovës zgjidhet raportues në KiE dhe që Beyer është pikërisht kërkesë dhe preferencë e Kosovës. Kandidatura e Beyerit e zuri në befasi diplomacinë dhe politikën serbe, dhe jo vetëm. Në mënyrë që të pengohej zgjedhja e tij, Serbia dhe Rusia u angazhuan të gjejnë një antidot si Kondratiev kundër Beyerit dhe ta fusin në lojë Rusinë përballë Gjermanisë.

Në takimet e Komitetit për Politikë në KiE shumë muaj më herët kishim iniciuar kërkesën që raportuesi i ri të mos jetë nga shtete që nuk e kanë njohur Kosovën, për shkak të ngarkesës që Kosova paraqiste për ta, si dhe për shkak se kjo i bënte ata të njëanshëm dhe joobjektivë në punën që e bënin në raport me Kosovën.

Pas kontakteve me delegacionin gjerman dhe kërkesës që raportuesi të ishte gjerman dhe nga koalicioni qeverisës, na u ofrua si propozim Peter Beyer, që për Kosovën ishte më shumë sesa i mirëseardhur, duke pasur parasysh kredibilitetin që ai e ka si raportues në Bundestag për Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe për faktin që është koordinator transatlantik për raportet në mes të Bundestagut dhe Kongresit Amerikan.

Vetë propozimi i Alexei Kodratievit për raportues e bëri garën shumë të ashpër dhe vuri në ballafaqim gjithë gjeopolitikën në Kosovë. Rusia takohej me Gjermaninë 30 vjet pas rënies së Murit të Berlinit sërish në Kosovë, për të treguar dominimin tani në Ballkan dhe përmes Ballkanit në gjithë Evropën. Vuri përballë sërish interesat e Lindjes dhe Perëndimit, ballafaqimin në mes të vlerave demokratike dhe autoritare, të kaluarën dhe të ardhmen, vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe interesave të disa nga shtetet anëtare.

Kjo nuk ishte një betejë e lehtë, në një organizatë multilaterale si Këshilli i Evropës me 47 shtete anëtare, ku për fatin tone të keq Rusia dhe Serbia janë anëtare me të drejta të plota dhe Rusia është në mesin e 6 donatorëve kryesorë dhe ku SHBA-ja është vetëm vëzhguese, pra, pa të drejtë vote. Kjo është e veçanta e KiE-së, për dallim nga të gjitha organizatat e tjera multilaterale, ku edhe SHBA-ja është anëtare.

Kosova e kishte më se të qartë se cila ishte domosdoja dhe përzgjedhja e saj dhe se kush dëshiron t’i përfaqësojë interesat e saj në KiE, por frika ishte se si 47 shtetet e Këshillit do të vendosnin në këtë moment.

I gjithë procesi nga dita e parë deri në të fundit u bë me një harmonizim në detale të veprimeve me mekanizmat shtetërorë, sidomos ata të sigurisë, por duke mos harruar t’i përmendë edhe shoqërinë civile dhe mediat, si dhe me mobilizimin e shteteve aleate, të cilave u jemi pafundësisht mirënjohëse me të cilat bashkëpunuam intensivisht dhe lobuam aktivisht dhe që nuk u kursyen në asnjë moment që ta ndihmojnë Kosovën në këtë proces, si edhe deri tani.

Dita e votimit për raportuesin e Kosovës ishte leksion për Rusinë dhe Serbinë, dhe rezultati jo vetëm që ishte fitore për ne, por e turpëroi Rusinë përballë Kosovës dhe Evropës.

Humbja e Alexei Kondratievit ishte mesazh për Serbinë dhe Rusinë se jo çdo gjë mund të blihet dhe manipulohet, dhe mbi të gjitha jo vullneti dhe dëshira e Kosovës dhe përcaktimi i saj properëndimor.

Në këto vite kemi mësuar se është mençuri të dish të rreshtohesh krah fuqive demokratike dhe atyre që e ndihmuan çlirimin dhe po e ndihmojnë ndërtimin e shtetit të Kosovës.

Zgjedhja e Beyerit është një kontratë që shteti i Kosovës e ka bërë me të në procesin që është para nesh; aplikimi për anëtarësim në KiE dhe që e ka besimin e plotë në punën dhe në angazhimin e tij në raport me Kosovën. Ishte pikërisht ai që në të gjitha takimet me Vuçiqin e ka thënë troç që “Serbia nuk mund të lëvizë në procesin e integrimit në BE pa e njohur pavarësinë e Kosovës”.

Zgjedhja e Beyerit është një mesazh për Serbinë dhe Rusinë se në KiE dhe më gjerë, Gjermania që deri sot ka investuar kapital human e material, që po investon miliona euro në Kosovë, që mbi 50.000 ushtarë të saj kanë shërbyer në Kosovë në lirinë e qytetarëve të saj dhe që e ka një diasporë kosovare afro gjysmë milioni që jeton në Gjermani, do të flasë për Kosovën dhe në emër të Kosovës dhe se asnjëherë nuk do të lejojmë që fuqitë e treta të ndërhyjnë në vend.

Kjo ishte pika thyese për Ballkanin, nëse do të zgjidhej rusi, mozaiku i dominimit rus do të plotësohej tërësisht në Ballkan, në të kundërtën Rusisë do t’i bëhej me dije se nuk ka kontroll të plotë në Ballkan.

Me zgjedhjen e Peter Beyerit raportues në KiE, ne e fituam betejën, por jo edhe luftën. Luftën do ta fitojmë atëherë kur Kosova të jetë anëtare me të drejta të plota në këtë organizatë multilaterale, siç është Këshilli i Evropës dhe që është porta hyrëse e çdo shteti drejt BE-së.

Mimoza Ahmetaj, ambasadore e Kosovës në Strasburg, opinion për Koha.net